“Cosa Nostra” dhe “Çështja Jonë”

    GELANDA SHKURTAJ

    Ish-shokët e fëmijërisë që lu anin futboll në lagjet popullore të Palermos, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, trajektorja e fatit i takoi përsëri në fundvitet ‘70, si kolegë të futur në karrierën e magjistraturës. Ata, tanimë dy nga gjyqtarët më kurajozë të epokës sonë, në pakt të pastër me vdekjen që i kishte stigmatizuar “si kadavra të gjalla”, zhvilluan një nga proceset penale më të rëndësishëm të Italisë, atë të shtetit kundër mafies.

    Të dy bijë të një toke sa madhështore, po aq të mallkuar, Siçilisë, për sa e vënë nën diktatin e një prej pushteteve më të pakontrolluara nga një lidhje mafioze që quhet “Cosa Nostra”. Kjo e fundit, ndryshe nga sa pritej në imagjinatën e të shumtëve, se duhej të ishte një strukturë e drejtuar nga burra me kravata dhe diploma të marra në universitete prestigjioze, ishte një organizatë tip komando militare me një ushtri terreni dhe rezervistësh të besuarish (uomini d’onore), që drejtohej nga një i lindur në Corleone, klasa 1931, pa arsim, i mbiquajtur “u curtu” (i shkurtri) dhe i pagëzuar me emrin Salvatore Riina.

    Kjo organizatë kontrollonte një xhiro afaresh prej miliarda lirash në investime bankare, pastrim parash, tenderime publike si dhe menaxhimin e përpunimit të mbeturinave. Në vitet ‘86-‘87, magjistratët Falcone dhe Borsellino nxorën përpara gjyqit në një nga sallat e nëndheshme të pallatit të drejtësisë rreth katërqind mafiozë, një pjesë e mirë e të cilëve u lanë pas hekurave me burgim të përjetshëm, midis tyre edhe të paprekshmit dhe të pandëshkueshmit Toto’ Rinna dhe Bernardo Provenzano, të gjykuar në mungesë, sepse të larguar në drejtim të paditur. Dy magjistratët dhanë goditjen më të madhe që mafia kishte parë ndonjëherë, rrëzuan mitin e pandëshkueshmërisë së saj që kishte kapluar Italinë prej vitesh dhe, së fundi treguan se shteti është një dhe i vetëm. Sipas Falcones, “nëse mafia duke vrarë mbylli pesë gojë, ajo bëri që të hapen pesëdhjetë milionë të tjera”.

    Për herë të parë shteti e mundi mafien, e cila pa dyshim nuk u zhduk, por u reformua pa luftuar apo shantazhuar drejtpërsëdrejti strukturat shtetërore sikundër kishte bërë më parë. Toto’ Riina, i cili ishte në kërkim nga drejtësia prej dekadash, u kap një vit pas atentateve që iu bënë Falcone-s dhe Borsellinos, edhe pse “drejtimi” i tij nuk kish qenë aq i paditur, për sa jetonte në vilën bunker në mes të Palermos. Ai kaloi gjithë jetën e mbetur deri në vdekje në vitin 2017, në një nga regjimet më të ashpra të ekzekutimit të dënimit, 41-bis sipas kodit procedural italian. Partnerit të tij Provenzano i thirrur në dialekt (binnu u tratturi), sepse shtypte viktimat duke iu kaluar traktorin sipër, nuk i mjaftoi as plastika e vënë në fytyrë në klinikat zvicerane për të ndërruar identitetin, kështu që edhe i mbiquajturi “kapo i kapove” pas Riinës kaloi pjesën e mbetur të jetës në burg. Ky është një shembull se edhe të paprekshmit, kur shteti do, e kanë një fund (!).

    SI VEPRON MAFIA?

    Historia e mafies mëson se ajo përveç organizimit me një strukturë ushtarake, karakterizohet nga një “kod” sjelljeje, ka gjuhën e saj, si edhe mënyrën e saj të vepruarit në territor. Kodi kërkon respektimin e dy parimeve të patjetërsueshme, me kusht eliminimin fizik të atyre që e shkelin apo edhe të familjarëve të ngushtë a të largët qofshin, duke shkuar ndonjëherë deri në gradën e njëzetë të lidhjes së gjakut. Ato janë “lidhja ndaj kauzës” (vincolo associativo) dhe “heshtja” (omerta’). Kjo e fundit kërkon moskallëzimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje kriminale, nëse kapet dhe procedohet njëri prej anëtarëve të organizatës. Ky duhet të qëndrojë gojëmbyllur ose në rast se nuk vepron kështu, mafia paralajmëron, ajo dërgon mesazhe me një gjuhë të kriptuar, të cilët anëtarët e organizatës dhe të afërmit e tyre e lexojnë në mënyrë perfekte.

    Nëse heshtja thyhet, pasojat dihen, Tommaso Busceta, bashkëpunëtori i drejtësisë, përjetoi mbytjen e dy prej fëmijëve të tij e disa të tjerë djegien e tyre në acid. Në lidhje me veprimet në territor, në njërin aspekt ajo sillet si përkrahësja e të dobëtëve dhe kërkon gjithmonë të jetë e dashur dhe e pranuar në sytë e komunitetit. Në kahun tjetë,r mafia tanimë nuk është më rivalja ku vrasjet ndodhin rëndom për një “pizzo” apo “tangente” (gjoba bizneseve). Ajo prej dekadash është një sipërmarrëse e fuqishme me investime publike dhe në sponsorizimin me futjen dhe inkurajimin e eksponentëve të saj në strukturat e partive politike. Parë në këtë kontekst, mafia ka sofistikuar mënyrën e sjelljes dhe mënyrën e nxjerrjes së fitimeve.

    A KA MAFIE NË SHQIPËRI?

    Pyetjes nëse në Shqipëri ekziston një organizatë e mirëfilltë mafioze, për sa i përket një grupimi organizativ ndofta nuk është evidentuar një rast analog, pasi më tepër kriminaliteti është ngritur mbi grupime për të pasur fitime direkte dhe jo zona influence klanore. Kjo, sigurisht nuk do të thotë që nuk ka bërë përpara, përkundrazi rruga që ai është duke ndjekur është tregues i hapave të sigurt për të stabilizuar në vijim struktura më të forta me një organizim të ngjashëm me atë të “cosa nostra-s”. Në lidhje me mënyrën e veprimit në territor dhe kodin e heshtjes, rastet janë bollshëm evidente dhe kokëforta për të mundësuar paralelizmin dhe spekulimin e një “çështjes sonë”.

    Nuk janë të panjohura për drejtësinë shqiptare aferat e kultivimit të lëndëve narkotike, trafikun e tyre ndërkombëtar, kapjen dhe heshtjen e shumë anëtarëve të përfshirë në to me ndonjë syresh edhe pjesë drejtuese të strukturave publike. Po ashtu, nuk janë të panjohura çështjet e fabrikave që përpunojnë dhe djegin mbetjet urbane, gjë për të cilën ka akuza po me drejtues të strukturave publike. Pastrimi i parave është një sipërmarrje e dukshme, për aq sa në një vend ku paga minimale vlen çerekun e metrit katror në një lagje periferike të Tiranës dhe ndërkohë vijon ndërtimi i pasurive të paluajtshme pa pasur fuqi blerëse. Po ashtu, tregues janë prokurimet publike, ku një tender për shërbim dialize nxjerr fitues një kafene lagjeje, dhe ku pyetja se çfarë mund të lidh dializën me kafenë, gjen të vetmen lidhje shkakësore tek efekti i menjëhershëm diuretik i kësaj të fundit, tjetër arsye nuk ka.

    Por, ajo çka e bën të ndryshme mënyrën e veprimit midis “cosa nostra-s” dhe “çështja jonë”, është fakti se kjo e fundit nuk është një organizatë e pavarur, e cila terrorizon shtetin dhe aktivitetin e tij politik-ekonomik. Të paktën deri më sot nuk ka një ballafaqim me prova të këtij fakti. Po ashtu, në ndryshim nga “cosa nostra”, e cila në luftën e saj shekullore një ndër objektivat e saj kryesore ka kapjen e shtetit dhe të strukturave të tij, në Shqipëri në fakt duket sikur ndodh e kundërta. Shteti postdiktatorial, me idenë e monopolit edhe mbi pronat publike, kërkon mbështetjen e pse të mos themi promovon ngjizjen e strukturave, të cilat përdorin paratë publike në aktivitete të paligjshme, duke ndarë pjesën e fitimit me pushtetarët e korruptuar.

    Pra, në ndryshim nga “cosa nostra” ku kjo e fundit shantazhon shtetin në pjesëmarrje, “çështja jonë” ka partner shtetin me mundin e vetëm të gjetjes së strukturës që do e mbështesë në aferën korruptive të radhës. E thënë ndryshe në Shqipëri është vështirë të bësh dallimin nëse shteti kërkoi mafien apo mafia kërkoi shtetin.

    CILI ËSHTË MITI I TË PAPREKSHMIT NË SHQIPËRI?

    I paprekshëm historikisht në Shqipëri ka qenë kryesisht individi i mbuluar me pushtet, qoftë një zyrtar publik apo qoftë një politikan karriere. Mosndëshkueshmëria e këtyre miteve shihet e përfshirë në disa plane argumentuese. Në njërën anë interesin për të mos marrë kurrë një shembull nga substrakti i tyre, pasi do të krijonte një precedent, në fakt të pandalshëm. Ndërkohë, kjo bie ndesh edhe mbi interesin e përbashkët, pasi historia tridhjetëvjeçare ka treguar se karriera për shumë syresh është ndërmarrë për të zgjidhur çështje personale ekonomike, jo politika publike.

    Në kahun tjetër ka një interes të elektoratit, i cili ndëshkueshmërinë nuk e sheh si një luftë ndaj të keqes së përgjithshme, por si një hakmarrje ndaj rivalit opozitar. Në dallim dhe krahasim me “cosa nostran” ku grupi i strukturuar kriminal ishte i natyrës private, “çështja jonë” është me natyrë publike. Pasuria e shumë zyrtarëve publikë do të ishte elementi më i pakët, që në çdo sistem drejtësie do të përdorej për të ngritur akuza ndaj korrupsionit të tyre. Ka një provë shumë herë më të thjeshtë, pa pasur nevojë për prokurorë idealistë apo vrasje mafioze, që quhet matës i të ardhurave. Nëse pasuria e tyre nuk do të jetë baras apo pak më e vogël se potenciali i dhënë me pagën që kanë, madje duke iu ngritur gratis pagën në fuqi të dhjetë, përgjigjja është retorike. Ky është një vullnet shtetëror i munguar me dashje.

    Pyetjes utopike nëse do të ketë ndonjëherë një prokuror që të vërë përpara drejtësisë mafiozët e “çështjes sonë”, vështirë të ketë një shpresë, sepse mafia nuk është një organizatë, por një mënyrë pune e institucioneve publike postdiktaturë. Duke qenë e strukturuar në këtë formë, mafia mbetet një organizatë publike, e cila do të qarkullojë partitë politike, por jo “mënyrën e të vepruarit”. Në këtë mënyrë do të mbeten retorika të përsëritura në çdo fushatë elektorale mesazhet e ndërsjella për ndëshkime të zyrtarëve të korruptuar. Tanimë fenomeni i kthyer në mitin grotesk Taçi-Naçi-Baçi, nuk ka parë asnjë të ndëshkuar nga drejtësia shqiptare, përpos një shtrëngim të marrëdhënieve sapo ata që i kanë akuzuar, vijnë në pushtet.

    Miti i të paprekshmit është një imazh ku interesi për të mbajtur krahët në afera korruptive ka për emërues të përbashkët sintagmën “ti mos më prek sot dhe as unë nuk do të prek nesër”. Mungesa e interesit për të ndëshkuar afera korruptive, janë dëshmia e gjallë e kodit të heshtjes që “çështja jonë” përdor pa dallim kahu politik. Ndofta i vetmi moment kur do të ketë përplasje mes bandash krah grupimeve të interesit, do të vijë nga nginja në atë pikë që do kërkojë garantimin dhe influencën e territoreve, por që me sa duket kjo pikë ngopje nuk ka mbërritur ende.

    Heshtja tanimë është ngritur në një nivel institucional dhe kundërshtare të vetme ka thashethemnajën e portaleve dhe gjykatën e bar-kafeneve. Deri më tani, mitin e ndëshkueshmërisë nuk kanë arritur dhe në fakt nuk duken as në horizont, idealistë të tipit Falcone-Borsellino në Shqipëri. Zgjidhja e vetme mbetet një “deux ex machina”, që si gjithmonë të huajt u kanë dhënë problemeve të këtij vendi me mënyrën e tyre (!). /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Mjedisi i egos

    Lajmi i rradhës

    Prognozë modeste për prekonfliktin ukrainas duke ndjekur “Petritët” në TV

    Lajme tjera

    Formula e pushtetit

    Një nënë, një baba, bijtë që duhet të binden… çështje pushteti. Në shkollë para një profesori… çështje pushteti.…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë