Rilind Dauti
Publicist
9 maji në shumicën e shteteve evropiane shënon “Ditën e Evropës”, që përkujton Deklaratën e Shumanit të vitit 1950, kur në sfondin e Luftës së Dytë Botërore që ishte dëshmuar në veçanti shkatërrimtare, u vunë në lëvizje vendime politike me qëllim të parandalimit të përsëritjes së luftërave të shumta ndër shekuj dhe nxitjes së unifikimit të shteteve evropiane. Dokumenti i parë me peshë juridike që pati dalë nga deklarata “thjeshtë” politike e Shumanit, ishte nënshkrimi më 18 prill 1951 i Traktatit të Parisit për themelimin e Bashkësisë Evropiane për Thëngjill dhe Çelik. Pra, diçka aq solemne dhe e bukur si uniteti i Evropës, nisi nga diçka aq profane si thëngjilli (qymyri) dhe aq mondane si prodhimi i çelikut.
Që atëherë, janë nënshkruar edhe shumë marrëveshje të tjera përmes së cilave është zgjeruar bashkëpunimi dhe është ngushtuar uniteti mes shteteve evropiane, siç janë: Konventa mbi disa Institucione të Bashkësive Evropiane (CRCIEC, 1957), Traktati i Romës për Bashkësinë Ekonomike Evropiane (1957/58), Traktati i Fuzionimit (1967), Traktati i Parë dhe i Dytë Buxhetor (1970, 1976), Akti Unik Evropian (SEA, 1986). Ndërkaq, ajo që është më befasuese, është se përkundër ekzistimit të institucioneve evropiane qysh prej mesit të shekullit XX, Bashkimi Evropian me emrin aktual del në skenë tek në vitin 1993 me hyrjen në fuqi të Traktatit të Mastrihtit që u pat nënshkruar një vit më parë. Pastaj, pesha e BE-së u rrit me Traktatin e Amsterdamit të vitit 1997 (1999), Traktatit të Nicës së vitit 2001 (2003), dhe Traktatit të Lisbonës (2007/2009).
Projekti i unitetit të Evropës që nisi nga 6 shtete (“gjashtëshja e brendshme”), gradualisht u zgjerua që të përfshijë edhe shtete tjera. Zgjerimi i parë i pararendëses së BE-së ndodhi më 1973 me Danimarkën, Republikën e Irlandës, dhe Mbretërinë e Bashkuar, kurse zgjerimi i fundit i BE-së ndodhi më 2013 me anëtarësimin e Kroacisë. Pra, përmes këtij gradualiteti, u realizua parashikimi i Shumanit që “Evropa nuk do të bëhet e gjitha përnjëherë”, por neologjizmi i tij “de fakto solidaritet” u përçudnua edhe në solidaritet të imponuar mbi të gjitha shtetet anëtare, me ndonjë anëtare të vetme që e keqpërdorë të drejtën e vetos në BE për teket e saj.
Në organizatën 27-anëtarëshe që shtrihet nga Irlanda deri te Finlanda (pa llogaritur territoret përtejdetare të Francës dhe Nederlandës), ka grupe shtetesh që bashkëpunojnë mes vete më shumë se me disa anëtare tjera: shtetet e Beneluksit, Grupi i Vishegradit, anëtaret e BE-së që janë edhe në Këshillin Nordik, si dhe bashkëpunimi i dy shtyllave të BE-së: Gjermanisë dhe Francës. Por as këta nuk janë domosdo unikë. Arsyeja përse aq shumë zyrtarë të lartë evropianë vijnë nga Luksemburgu i vogël është për shkak se ata janë kompromis mes Francës dhe Gjermanisë që për pozita nuk e kanë merak t’i lëshojnë pe njëra tjetrës. Ndërsa kur jemi te pozitat, funksionet më të larta rëndom i marrin përfaqësues të shteteve më të pasura dhe më rrallë ato nga ish-blloku lindor. Kur jemi te këto shtete, përmes tregut të përbashkët që mundëson kushte më të volitshme për biznes, janë thithur investime të majme private, dhe përmes fondeve strukturore direkt prej BE-së, këto shtete për relativisht shkurt kohë kanë arritur ngritje të madhe ekonomike dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve të tyre. Pra, u arrit edhe de jure, edhe “de fakto solidaritet” mes kombeve të Evropës.
Bashkimi Evropian ngërthen shumë politika të përbashkëta për të gjitha shtetet anëtare. Ashtu si thëngjilli dhe çeliku më 1952, edhe ato të sotmet shpesh janë në diapazonin e asaj që në shkencat politike njihet si politikë e ulët: peshkimi, bujqësia, mirëqenia, kultura, energjia elektrike,… dhe në shumë prej legjislatives së tillë, Bashkimi Evropian ka fituar respekt tek pjesët tjera të botës me rregullativat në dobi të ambientit dhe konsumatorit vis a vis kompanive të fuqishme multinacionale. Por as këtu nuk ka unitet të plotë në politikat publike. P.sh., në Spanjë vazhdon të lejohen të a.q. “luftimet me dema” që përbëjnë torturë të llahtarshme të kafshëve të shkreta, e Gjermania e ka kundërshtuar planin e BE-së (nga e cila tashmë edhe ata u dorëzuan) për ndalimin e shitjes së veturave me karburant nga viti 2035.
Mbi të gjitha, mungesa e bashkimit te Bashkimi Evropian hetohet te ato që në shkencat politike njihen si politika të larta: mbrojtja, siguria, dhe politika e jashtme. Ndonëse BE zyrtarisht ka Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, në praktikë ka shumë divergjenca brenda Unionit dhe shteteve anëtare. Kjo përçarje hetohet edhe te zhagitja e procesit euro-integrues të shteteve tona ku sipas sondazheve ka entuziazëm të pashoq për integrim në BE. Është e kuptueshme që ky entuziazëm të zbehet nga padrejtësia që e bën Bashkimi Evropian, i cili thirret në standarde, kritere dhe proces të bazuar në merita, kurse shteteve si Ukraina, Gjeorgjia e Moldavia, iu jep përparësi para shteteve tona, që përskaj të metave, prapëseprapë janë më në hije se këto që i përmendëm, dhe më mirë seç ishin kur u pranuan shumë nga anëtaret që aderuan më 2004, dhe të dyja nga anëtaret që u integruan më 2007. Procesi reformues duhet të vazhdojë, njëkohësisht duke ngushtuar bashkëpunimin me forcat konstruktive evropiane që e përkrahin zgjerimin e BE-së pa nxjerrë pretekste të rreme mbi mosplotësimin e standardeve.
*Rilind Dauti është kolumnist i rregullt i Nistorit. Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.






