Dedikuar “vajzave të mira”

    Zana Miftari Reka
    Psikologe

    E nderuara lexuese!

    Duke e marrë parasysh dinamikën e ditës tënde, do mundohem që mos të të marr shumë kohë. Që të vërtetohesh që ky shkrim është për ty përgjigju pohimeve në vijim sinqerisht:

    • E kam vështirë të them jo.
    • I vendosi njerëzit e tjerë në rradhë të parë.
    • Jam perfeksioniste.
    • Kam nevojë për vlerësim nga ana e të tjerëve.
    • Kam nevojë për mendimin e të tjerëve.
    • Kujdesem shumë që mos shqetësoj asnjë.
    • Marr përgjegjësi edhe kur nuk kam kohë.
    • Përpiqem gjithmonë t’i ndihmoj të tjerët, pa marrë parasysh a kam kohë.
    • Shqetësohem kur të tjerët dëshpërohen nga unë.

    Nëse je përgjigjur PO në shumicën e pohimeve, atëherë qëndro me mua deri në fund. Sipas përgjigjeve tua më vjen keq të them se ndoshta vuan nga SINDROMA E VAJZËS SË MIRË. Nuk jam kompetente për të dhënë diagnoza, por që kjo nuk është sëmundje. Është mënyrë jete e një numri shumë të madh të femrave, edhe atë një mënyrë jete e cila në proces fillon të të dëmton, lëndon, harxhon…

    Nuk ka asgjë të keqe të jesh një vajzë e mirë. Në fakt, bota do të ishte një vend i mrekullueshëm nëse do të kishte më shumë njerëz si ti. 

    Por, tregimi i gjithë kësaj vazhdon kështu:

    Të edukuan që të jesh një vajzë e arsimuar, e sjellshme dhe e respektueshme. Të mësuan të mendosh për të tjerët dhe mirëqenien e tyre, t’i trajtosh të tjerët ashtu siç don të të trajtojnë ty.  Me pak fjalë, gjithmonë përpiqesh të jesh një vajzë e mirë.
    Dhe me këto sjellje ke hasur në mijëra shpirtra të bukur. Ke krijuar shumë lidhje me njerëz të dashur dhe ke gjetur miq të mrekullueshëm.

    Por, nga ana tjetër, ka hasur në shumë njerëz që sjelljen dhe mirësinë tënde e përdorën për t’i arritur qëllimet e tyre. Me sa duket, kur perceptohesh si “vajzë e mirë”, njerëzit mendojnë se mund t’i shpëtojnë çdo gjëje, sepse e dinë që do të vazhdosh të sillesh siç di veç ti, pavarësisht se çfarë të hidhet në fytyrë.

    Dhe kështu e gjen veten duke u zhytur në role të ndryshme, duke u përpjekur t’i kënaqësh të gjithë rreth teje. I kontakton ata për t’u siguruar se a janë dakord me zgjedhjet dhe vendimet tua. Pranon obligime dhe përgjegjësi të cilët nuk të takojnë, të cilët ta rraskapisin trupin e shpirtin. Dorëzohesh nga realizimi i ëndërrave dhe dëshirave tua. E kulmi i gjithë kësaj është se pavarësisht se si ndjehesh fytyra jote është gjithmonë e buzëqeshur. Goxha e rëndë kjo!

    Ta ndryshojmë pak këtë tregim duke provuar kështu:

    MËSO TË THUASH “JO” ME ZË TË LARTË DHE QARTË!

    Njerëzit gjithmonë do të të kërkojnë ndihmë, sepse ata tashmë e dinë që nuk do t’i refuzosh kurrë.  Nuk ka asgjë të keqe të ndihmosh, por nëse kjo të harxhon dhe të konsumon, atëherë është koha që të MARRËSH FRYMË. Nuk mund t’u thuash gjithmonë “PO” të gjithëve. Nuk mund të ndihmosh të gjithë rreth teje dhe të jesh gjithmonë “shpëtimtari në thirrje”. Duhet të vendosësh veten, shëndetin dhe mirëqenien tënde në rradhë të parë.  Nëse nuk e bën me kohë, do të shkatërrohesh pak nga pak, duke mos e vërejtur.

    FOL DHE VENDOS KUFIJ!

    “Mos harroni, askush nuk mund t’ju bëjë të ndiheni inferior pa pëlqimin tuaj.” Eleanor Roosevelt

    Nëse dikush nuk të respekton, mos e neglizho atë fakt. Dikush të cilit dikur i ke mundësuar ta bëjë këtë, nuk do të ndalet deri sa ti nuk e ndryshon veten.  Nëse nuk vendos kufij, njerëzit e tillë do të vazhdojnë të të shtyjnë derisa të të nënshtrojnë plotësisht. 

    Të gjithë e dinë se çfarë do të thotë fjala “kufij”, por të rrallit dinë se çfarë janë ato në relacion me të tjerët. Kufijtë nuk janë “mur me tulla” e as vija të ngurta të vizatura në rërë. Kufi është vetë-respekti, vetë-vlerësimi, vetë-pranimi…. vetë-…

    Ata janë mënyra e vetme për tu kujdesur dhe për tu mbrojtur nga zhgënjimi, pakënaqësia dhe zemërimi. Vendosja e kufijve të shëndetshëm kërkon vetëdijësim. Fol qartë për pritshmëritë në lidhje me veten dhe të tjerët, dhe për atë që je dhe nuk je e kënaqur në situata specifike. Vendosja e kufijve të shëndetshëm kërkon komunikim “pa doreza”.

    Siç thotë Perls:

    “Unë nuk jam në këtë botë për t’i përmbushur pritjet tua,
    Dhe ti nuk jeni në këtë botë për të jetuar sipas pritjeve mia.
    Ti je ti, unë jam unë, dhe nëse rastësisht e gjejmë njëri-tjetrin, është bukur.
    Nëse jo, nuk mund të ndihmohet.”

    VLERËSO QËNDRIMIN TËND!

    Jeto në përputhje me vlerat e tua!  Njerëzit nuk do të pajtohen gjithmonë me zgjedhjet, vendimet dhe mendimet tua dhe kjo është në rregull. Secili ka të drejtën e mendimit të tij dhe secili ka të drejtën të jeton ashtu siç dëshiron. Të tjerët shpesh do të përpiqen të ndikojnë në zgjedhjet tua dhe ta imponojnë mendimin e tyre.  Thënia popullore: “Pyet njëqind vetë, bën si di vet!” Falënderoi dhe vazhdo!

    DUAJE VETEN!

    Kjo me siguri të tingëllon e tepërt! Pff…ta duash veten?! A nuk do ishte kjo narcisoide apo egoiste???

    Tash fokusohu mirë në këtë: DERI SA NUK KE DASHURI CILËSORE PËR VETEN, NUK KE KAPACITET DHE ENERGJI PËR TË SHPREHUR DASHURI PËR TË TJERËT!

    Lexoje disa herë dhe jepi kohë vetes të qëndrosh me të!

    Definicioni “by the book” thotë:

    “Të duash veten nënkupton pranimin e të gjithë qenies tënde, duke përfshirë pikat e forta dhe të dobëta, triumfet dhe sfidat, sukseset dhe gabimet. Vetë-dashuria është koncept i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm i bazuar në idetë, vëzhgimet dhe vlerat tuaja dhe jo në mendimet dhe gjykimet e të tjerëve…”
    Nëse e gjete veten në të gjitha pjesët e definicionit të lartëpërmendur (veçanërisht në pranimin e të metave tua!) veç mund të them TË LUMTË!

    NDRYSHO MIRËSINË ME FUQI

    Boll më e prite çdo shkop në shpinë me buzëqeshje! Të shndërrohesh nga një “vajzë e mirë” në një “vajzë të fortë”, nuk do të thotë se je pasjellshme. Vazhdo të jesh e mirë– por asesi mos e bën më këtë në kurrizin TËND!

    Si të tingëlloi ky tregim? Uroj të të ketë pëlqyer më shumë se versioni i parë! Pasi që e lexove, paramendo ku do ishe sot sikur mos ishe edhe aq “vajzë e mirë”.

    Mos u dëshpëro! Kurrë nuk është vonë të jesh “e mirë” ndaj vetes tënde, ta vlerësosh dhe respektosh veten. Kurrë nuk është vonë të fillojsh të dallohesh nga të tjerët, në vend që gjithmonë të përshtatesh! Ndryshimi yt fillon pikërisht ATY!

    Me respekt, nga “ish-vajza e mirë”

    P.S. Kjo vlen edhe për “djemtë e mirë”! Po, po…ekzistojnë 😉

    Lajmi Paraprak

    Poema dhe Arbani fitojnë vendet e para në garat ndërkombëtare për piano në Shkup

    Lajmi i rradhës

    Studentët në RMV nuk kanë interes për të studiuar turizmin dhe gastronominë

    Lajme tjera

    Zgjimi europian

    Ditmir Bushati Konferenca për të ardhmen e Europës ishte një mundësi unike për qytetarët europianë për të debatuar…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë