DËSHTIMI DHE MJERIMI MORAL I NJË SHOQËRIE

    Petrit Saraçini

    Videoja rrënqethëse ku infermierja e re maltreton fizikisht grua të moshuar e të pafuqishme në shtëpinë e të moshuarve në Pejë – sërish shpalos dështimin e një shoqërie në më shumë aspekte.

    Shpalos mjerimin e shoqërisë, e cila ka lejuar që te një pjesë e rinisë dhuna të përjetohet si diçka atraktive, tërheqëse, si arritje, rrugë drejt suksesit (së paku në rrjete sociale), diçka që të bën të dëfrehesh dhe të qeshësh bile.

    Shpalos mjerimin e një sistemi shëndetësor i cili lejon që dikush me afinitete të tilla sadiste të veshë rroba të infermierit që duhet të përkujdeset për mirëqenien dhe shëndetin e të tjerëve.

    Shpalos mjerimin e një sistemi arsimor i cili prodhon të rinj të tillë, por nxjerr në pah edhe dështimin e familjes ku fitohet edukata dhe empatia primare njerëzore.

    Por jo vetëm kaq. Rasti tregoi se në mjerim është edhe sistemi mediatik dhe shumë media, të cilat në vend se t’i japin kësaj përmbajtjeje kontekst dhe vështrim kritik, të ofrojnë vështrime të ekspertëve, psikologëve etj dhe ta dënojnë rastin, shpejtuan ta përhapin këtë video kuturu dhe të bëjnë prej saj sensacion për klikime.

    E të mos harrojmë dështimin e shitësve kujdestarë të “moralit”, të cilët këtë dhunë të një vajze ndaj një gruaje në moshë e përdorën për të gjeneralizuar të gjitha femrat si të dhunshme, ose për të ndërruar tezat dhe për të justifikuar rastet e paradokohshme të dhunës të meshkujve ndaj grave.

    Rruga për të dalë nga ky mjerim dhe dështim shoqëror nuk do të jenë lamentet dhe debatet në rrjetet sociale, të cilat do të zgjasin disa ditë dhe do të harrohen – deri në rastin e radhës. Rruga është e gjatë, e mundimshme, dhe kërkon bashkëveprim të insitucioneve, arsimit, shëndetësisë, mediave, organizatave qytetare, familjeve – për më shumë vite, dekada bile.

    Për diçka që është rrënuar për një kohë të gjatë dhe në mënyrë sistematike, për fat të keq, nuk ka zgjidhje të shpejta dhe “ilaçe magjike”. Deri sa nuk i rrekemi kësaj rruge të gjatë për të dalë nga ky degradim i gjithmbarshëm, mjerimi dhe dështimi i mbarë shoqërisë – vetëm se do të thellohen!

    Lajmi Paraprak

    QEVERIA PAGUAN KATËR FOTOGRAFË DHE TRE KAMERAMANË, PLUS ÇDO MINISTRI KA FOTOGRAFIN E VET PER FACEBOOK DHE INSTAGRAM

    Lajmi i rradhës

    Targat, Ballkani i Hapur mbi dy teneqe!

    Lajme tjera

    Hasie dhe Spaç

    EDISON YPI  Për ta variacionuar vajtjen, unë dhe nëna ime Hasia, iknim në Spaç për të parë vëllain…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë