Dimër lufte

    LEONARD DEMI

    Liderët Europianë po për gatiten për një “dimër lufte”, pasi Rusia mbylli për një kohë të pacaktuar gazsjellësin “Nord Stream 1” rrugën e saj më të madhe të eksportit të gazit në Perëndim. Kjo ndërprerje ka të ngjarë të rritë çmimet e energjisë elektrike dhe me afrimin e dimrit, skenari i mungesës së energjisë do të ndikojë në jetesën e qytetarëve europianë, të cilët do të vazhdojnë të ndihen të kërcënuar edhe nga rritja e normave të interesit, zhvlerësimi i euros dhe rritja e çmimit të karburantit. Ky mjedis mund të nxitë pikëpyetje mbi strategjinë e BE-së, por mirëqenia ekonomike nuk mund të jetë pikësynimi i vetëm europian. Lehtësimi i sanksioneve do t’i përforconte Presidentit Putinit idenë se Europa është e paaftë të ruajë vendin e vet në histori dhe do ta inkurajonte për të ndjekur ambiciet e tij të egra përtej Ukrainës.

    Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveritë europiane si: Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Austria, Greqia, etj. janë të vendosura të mbrojnë qytetarët e vet nga çmimet e larta të energjisë. Ndihma duhet t’u jepet, kryesisht, atyre, që kanë më shumë nevojë, atyre, që shpenzojnë pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre për energji elektrike, gaz dhe karburant. Kështu, masat e përkohshme, që ndrydhin rritjen e çmimeve mund të jenë një përgjigje e pranueshme ndaj vështirësive afatshkurtra, sidomos, atje, ku sistemi fiskal funksionon normalisht. Por, pavarësisht përpjekjeve lehtësuese, një numër partish europiane të afërta me tezat e Putinit, sindikata punëtorësh, si dhe ekstremistë radikalë të majtë dhe të djathtë po shfrytëzojnë situatën energjetike për të organizuar tubime, ku kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, si: në Pragë, ku morën pjesë rreth 70,000 vetë, në Leipzig, në Paris dhe në shumë qytete e kryeqytete të tjera europiane.

    EFEKTET E SANKSIONEVE

    Personalitete ekonomike mendojnë se sanksionet po funksionojnë dhe do të kenë gjithnjë e më shumë efekt, ndërsa Europa do të pakësojë varësinë e vet nga hidrokarburet ruse. Ata, që mendojnë se sanksionet nuk kanë asnjë efekt në ekonominë ruse, gabojnë rëndë. Duke lënë mënjanë eksportet e hidrokarbureve, ekonomia ruse, tashmë, po vuan nga izolimi që i kanë bërë vendet perëndimore. Sipas FMN-së, këtë vit, PBB e Rusisë pritet të tkurret me 6%. Në qershor, inflacioni arriti në 15.6%, duke bërë që konsumi të bjerë me 10%. Sipas parashikimeve të këtij institucioni, në vitin 2023 perspektiva pritet të mbetet e zymtë me një recesion shtesë prej 3.5%. Sanksionet po ndikojnë edhe në luftën pushtuese.

    Gjatë kësaj periudhe, Qendra Kërkimore për Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA, Finlandë) vlerëson se embargoja europiane ndaj qymyrit ka dhënë rezultat dhe eksportet ruse kanë rënë në nivelin e tyre më të ulët që nga pushtimi i Ukrainës. “Rusia nuk ka arritur të gjejë blerës të tjerë”, shkruajnë autorët e raportit. CREA raporton, gjithashtu, se duhet të vendosen rregulla ‘më të forta’ për të parandaluar hyrjen e naftës ruse në tregje, ku supozohet se është e ndaluar. Sipas saj, sanksionet perëndimore sot anashkalohen shumë lehtë. BE duhet të ndalojë përdorimin e anijeve dhe porteve europiane për transportin e naftës ruse në vendet e treta. Po kështu, Mbretërisë së Bashkuar i kërkohet të ndalojë pjesëmarrjen e sektorit të vet të sigurimeve në këtë transport.

    Në raportin e vet të 6 shtatorit, CREA vëren se Rusia eksporton më pak, por po fiton më shumë nga rritja e çmimit të naftës. Kështu, në maj 2022, Rusia fitoi 883 milionë euro në ditë, d.m.th., 250 milionë euro në ditë më shumë se në maj 2021. Kësisoj, Kremlini ka fituar 163.5 miliardë euro nga shitjet e naftës, gazit dhe qymyrit që kur udhëheqësi rus, gjashtë muaj më parë, dërgoi tanket në Ukrainë. Flitet se Rusia ka shpenzuar për luftën dhe financimin e krimeve të saj rreth 98 miliardë euro, ndonëse shifra e saktë është sekret shtetëror.

    Ekspertët e tregut parashikojnë se çmimi për një fuçi naftë mund t’i kalojë 200 dollarë dhe kjo shtrenjtësi mund t’i shtyjë ekonomitë perëndimore në recesion. Kësisoj, CREA vëren se tarifat ose kufijtë e çmimeve janë të nevojshme për të frenuar fitimet e Rusisë. Bëhet e ditur se, që nga fillimi i luftës, importuesi kryesor i lëndëve djegëse fosile ruse ka qenë BE-ja, e ndjekur nga Kina dhe Turqia. BE-ja i ka paguar Moskës 85.6 miliardë euro për dërgesat e gazit dhe naftës, Gjermania e vetme më shumë se 18 miliardë euro, ndërsa Kina 35.4 miliardë euro.

    PËRPJEKJE PËR TË SHMANGUR KRIZËN

    Për të shmangur këtë krizë, administrata e Presidentit Bajden po përpiqet të ngrejë një kartel blerësish, dmth, të arrijë një marrëveshje ndërmjet klientëve të naftës ruse për të vendosur një çmim tavan. Ky çmim do të jetë dukshëm më i ulët se çmimi aktual i tregut dhe, njëkohësisht, do të ulej ndjeshëm kontributi i konsumatorëve perëndimorë në financimin e ushtrisë ruse. Çmimi do ta lejonte Rusinë të kishte njëfarë fitimi, me qëllim që ta nxiste për të eksportuar naftën e vet tek anëtarët e kartelit.

    Ky lloj karteli nuk është provuar ndonjëherë, por ekspertët mendojnë se duket të jetë mundësia më e mirë e mundshme. Nëse funksionon, mund t’i privojë Rusisë mjaft të ardhura pa shkatërruar ekonomitë e vendeve që përpiqen të mbështesin Ukrainën.

    Karteli i naftëblerësve do të forcohej nëse disa blerës të mëdhenj të naftës ruse, veçanërisht India dhe Kina, do të bëheshin anëtarë të tij. Kjo duket e pamundur, por zyrtarë amerikanë argumentojnë se karteli ende mund të rritë trysnin ndaj Rusisë duke u mundësuar vendeve, që nuk janë anëtarë, të sigurojnë naftë me çmim shumë më të ulët. Nga ana tjetër, edhe mbajtja e kartelit është, gjithashtu, një ndërmarrje e vështirë, sepse pjesëmarrësit mund të përfitojnë duke mashtruar me tavanin e çmimit.

    G7

    Grupi i 7 ekonomive më të përparuara, G7, njoftoi se do të mbështeste një kufi global për çmimin e naftës ruse. Ndonëse ky kufi ka ende shumë pengesa për të kapërcyer para se të hyjë në fuqi, qëllimi i tij është të frenojë naftën ruse të rrjedhë në tregjet globale, duke ulur ndjeshëm fitimin që Moska korr nga shitjet e tij dhe me të cilin Presidenti Putin financon luftën e tij pushtuese në Ukrainë.

    Ministrat e Financave të këtij grupimi vërejnë se po konturojnë detajet e kufirit të çmimit, i cili do të jetë më i lartë se kostoja e prodhimit, me qëllim që Rusia të ketë ende stimuj për të nxjerrë naftë, por do të jetë shumë më i ulët se normat e tregut global. Ekspertët besojnë se plani i kufirit të çmimeve do të jetë gati për zbatim në fillim të dhjetorit.

    BE-ja ka ndërprerë blerjen e qymyrit rus, por ende konsumon gati dy milionë fuçi naftë ruse në ditë, nga të cilat gradualisht përgatitet të heqë dorë deri në fund të vitit, me përjashtim të disa vendeve si Hungaria, që mbështeten shumë në naftën ruse. BE-ja nuk ka plane të ndalojë blerjen e gazit rus, i cili përbën rreth 40 për qind të konsumit të saj vjetor. Megjithatë, disa ekspertë të administratës amerikane janë të shqetësuar se këto lëvizje mund të çojnë në rritje të çmimeve të energjisë nëse miliona fuçi naftë ruse do të hiqeshin papritur nga tregu global dhe, potencialisht, mund të rrezikojnë një recesion. Nga ana tjetër, nëse kufiri i çmimit do të funksionojë, ai do të varet nga një sërë faktorësh, si: nga pranimi i marrëveshjes nga të 27 shtetet anëtare të BE-së, nga mënyra se si do të vendosej çmimi aktual, nga kompanitë që sigurojnë anijet e transportit të naftës, të cilat janë kritike për funksionimin e planit, si dhe nga ndonjë faktor tjetër.

    QËNDRIMI I KREMLINIT

    Në Forumin e 7-të Ekonomik Lindor (Vladivostok, 5-8 shtator), Presidenti Putin tha se lufta në Ukrainë vetëm do ta forconte Rusinë dhe përpjekjet perëndimore për të ndëshkuar ekonomikisht Moskën i quajti dritëshkurtër dhe joefektive, ndërsa planin për t’i vendosur kufi çmimit të naftës ruse e konsideroi të dënuar të dështonte.

    “Është absurditet i plotë”, tha ai. “Kërkesa është aq e lartë në tregjet globale sa nuk do të kemi asnjë problem ta shesim atë. “Ai tha se lidhjet më të ngushta me Kinën dhe vendet e tjera në rajon do të sillnin “mundësi të reja”. Kësisoj, disa orë pasi ministrat e G7 njoftuan planin e tyre, Gazpromi mbylli tubacionin “Nord Stream 1”. Ndërsa, Alexei Miller, kreu i “Gazpromit”, njoftoi se Rusia do të fillojë të rritë furnizimet me gaz në Kinë (në prag të pushtimit të Ukrainës, të dy vendet zgjeruan marrëveshjen edhe për 37.5 miliardë euro të tjera).

    Zyrtarët e administratës amerikane parashikojnë se Rusia do të veprojë sipas interesit të vet dhe se nuk ka gjasa të ndërpresë shitjen e naftës nga vendosja e çmimit tavan, sepse do të dëmtonte puset e saj dhe do të ndëshkonte ekonominë e vet. Në këto kushte, sipas Presidentes të Komisionit, BE-ja po punon për një ndërhyrje emergjente dhe për një reformë strukturore të tregut të energjisë elektrike për të trajtuar rritjen e çmimeve të energjisë.

    KUNDËROFENSIVA

    Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Atlantikut të Veriut, më 9 shtator, aleatët, të gjithë së bashku, vendosën të mbështesin Ukrainën si kurrë ndonjëherë ushtarakisht, financiarisht dhe humanitarisht, që të mund të vetëmbrohet nga lufta pushtuese e Rusisë.

    Kjo përpjekje e madhe e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një ndihmë e patjetërsueshme për kundërofensivën e Ukrainës, që sapo ka filluar. Ajo vërtet është në ditët e para, por po mban frontin në Donbas dhe po përparon në Kherson dhe në Kharkiv. Ushtria ukrainase ka mundur të çajë frontin rus dhe është futur 45 deri në 50 kilometra thellë. Sipas të dhënave të fundit, më shumë se 80% e forcave tokësore të Rusisë i janë kushtuar luftës në Ukrainë.

    Siç duket, dimri që po vjen, do të jetë i vështirë dhe aleatët duhet të përballojnë krizën energjetike dhe koston në rritje të jetesës nga lufta pushtuese e Rusisë se, siç thotë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, ne paguajmë me para, ndërsa ukrainasit me jetë dhe po pushuan së luftuari, pushon së ekzistuari si një komb i pavarur. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Shkaku i së keqes sonë

    Lajmi i rradhës

    Përsiatje në kotësinë e pafund të një sezoni provimesh

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë