Duhet bërë hapa vendimtarë për menaxhimin me sfidat ekologjike në Maqedoni

    Në raportin më të ri të Komisionit Europian për përparimin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së, thuhet se vendi ka bërë përparim të kufizuar në mbrojtjen e natyrës dhe ndryshimeve klimatike. Në pjesën e 4, të titulluar “Agjenda e Gjelbër dhe Lidhshmëria e Qëndrueshme“, në Kapitullin 27: Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike, thuhet se zbatimi në të gjithë sektorët mbetet një shqetësim dhe se shumica e rekomandimeve të vitit të kaluar nuk janë zbatuar.

    Shkruan: Simona Atanasova – Vërtetmatës

    Prej 31 tetorit deri 12 nëntor, në qytetin skocez Glasgow u mbajt Konferenca e OKB-së për Ndryshimet Klimatike – COP26, e organizuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Republika e Italisë. Qëllimi i konferencës ishte të bashkonte liderët botërorë për të përmbushur premtimet e Marrëveshjes së Parisit të gjashtë viteve më parë, për të mbajtur temperaturat në rritje nën 1.5 gradë, për të demonstruar përkushtim për emetim neto zero të gazrave të dëmshëm, por edhe për të treguar se si vendet do të ndalojnë përdorimin e qymyrit.

    VEND I VOGËL EUROPIAN – AMBICIE TË MËDHA KLIMATIKE

    Me ftesë të Kombeve të Bashkuara, në mesin e përfaqësuesve të 200 shteteve, ishte i pranishëm edhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Ai në fjalimin e tij në sesionin plenar, tha se nëse injorohen trendet shqetësuese do të pasojnë pasoja katastrofike për mjedisin, shëndetin, sigurinë e ushqimit dhe ujit, përkatësisht për sigurinë dhe zhvillimin e përgjithshëm të njerëzve.

    “Si vend kandidat për anëtarësim në BE, i gatshëm për të filluar negociatat, Maqedonia e Veriut tashmë është duke transpozuar legjislacionin evropian për ndryshimet klimatike në legjislacionin e saj kombëtar. Duke mbështetur Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, ne jemi gati me pjesën tonë të kontribuojmë që Evropa të bëhet kontinenti i parë neutral ndaj karbonit deri në vitin 2050. Pavarësisht se jemi një vend i vogël evropian, ne kemi ambicie të mëdha klimatike. Objektivi ynë ambicioz për vitin 2030 është të zvogëlojmë emetimet e gazeve serrë me 51%, krahasuar me nivelet e vitit 1990, ose 82% në emetimet neto në krahasim me të njëjtin vit. Ne kemi zhvilluar 63 politika dhe masa zbutëse që janë të përgjegjshme dhe që lidhen me 15 synime për zhvillim të qëndrueshëm.”

    Foto nga: pretsedatel.mk

    BE-ja promovon aksion të fortë klimatik, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtje të mjedisit. Ligji i BE-së përmban dispozita në lidhje me ndryshimet klimatike, cilësinë e ujit dhe ajrit, menaxhimin e mbeturinave, mbrojtjen e natyrës, ndotjen industriale, kimikatet, zhurmën dhe mbrojtjen civile.

    Qëllimi i Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, sipas Komisionit Evropian, është që sfidat mjedisore dhe klimatike, të ngjashme në rajon, të shndërrohen në mundësi. Agjenda e gjelbër parashikon veprime të përbashkëta që do të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik dhe rimëkëmbjen e gjelbër të të gjithë rajonit në periudhën pas pandemisë. Sipas KE-së, Maqedonia e Veriut duhet të kontribuojë në zbatimin e suksesshëm të këtij vizioni të përbashkët rajonal, me nivel të lartë të ambicies.

    PROGRES I KUFIZUAR NË MBROJTJEN E MJEDISIT JETËSOR

    Por, raporti i fundit i Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së, thotë se vendi ka bërë përparim të kufizuar në mbrojtjen e natyrës dhe në ndryshimet klimatike.

    Në pjesën e 4, të titulluar “Agjenda e Gjelbër dhe Lidhshmëria e Qëndrueshme”, është Kapitulli 27: Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike, ku thuhet se zbatimi në të gjithë sektorët mbetet shqetësim dhe se shumica e rekomandimeve të vitit të kaluar nuk janë zbatuar.

    “Për sa i përket çështjeve horizontale, kapacitetet administrative në të gjitha nivelet mbeten të dobëta, me burime të pamjaftueshme financiare për zbatimin e legjislacionit ekzistues. Dialogu me shoqërinë civile dhe proceset e konsultimit publik në këtë sektor duhet të përmirësohen ndjeshëm. Mungesa e transparencës dhe qasjes në informacion është një problem i përsëritur. Vendi inkurajohet të forcojë ndjeshëm ambiciet në lidhje me tranzicionin e gjelbër, veçanërisht në kontekstin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.”

    LIGJE KEMI, POR VËSHTIRË ZBATOHEN

    Nga Qendra për Hulumtime dhe Informim për Mjedisin Jetësor “Eko-ndërgjegja”, në një prononcim për “Vërtetmatësin”, thonë se kjo është rezultat i zbatimit jo të plotë ose pothuajse të mos zbatimit të politikave dhe ligjeve ekzistuese.

    “Për momentin kemi politika ambicioze në kapitullin 27, megjithatë ngec zbatimi. Sipas mendimit tonë, kjo është pjesërisht për shkak të mungesës së stafit profesional të kualifikuar në institucione dhe komuna që kuptojnë se çfarë duhet të zbatohet, veçanërisht kur bëhet fjalë për zbatimin e detyrimeve në sektorin e klimës, sepse është një temë profesionale dhe komplekse, për të cilën është e rëndësishme të kesh njerëz që e kuptojnë. Një pjesë e fajit është edhe moskoordinimi dhe komunikimi i pamjaftueshëm mes pushtetit qendror dhe atij lokal”thonë nga “Eko-ndërgjegja”.

    Sipas Komisionit Evropian, Maqedonia e Veriut vitin e ardhshëm duhet, ndjeshëm të:

    • të përmirësojë koordinimin ndërsektorial dhe të rrisë burimet financiare për të reduktuar ndotjen e ajrit në nivel lokal dhe kombëtar;
    • bëjë hapa të rëndësishëm për krijimin e një sistemi rajonal për menaxhimin e mbeturinave;
    • zbatojë Marrëveshjen e Parisit, duke përfshirë miratimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për klimën dhe ligj në përputhje me kornizën e BE-së 2030.
    Lajmi Paraprak

    Ministri Boçvarski konfirmon që autobusi i përflakur nuk ka qenë i paraqitur | “Besa-Trans-it” do t’i merret licenca

    Lajmi i rradhës

    Sa i kompletova dokumentet për ta ndërruar emrin e mbiemrin tim…

    Lajme tjera

    Një epokë e re

    LEONARD DEMI Sot, Inteligjenca Artificiale (IA) është një dukuri, që po përparon shumë shpejt. Pas një dekade, ajo…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë