Dyfytyrësia e Gylenit dhe xhematit të tij

    Justinian Topulli

    Shumica e artikujve dhe studimeve që gjenden në web për Gylenin, para puçit të 2016, të sponsorizuara kryesisht prej gylenistëve, e vënë theksin tek ligjërimi i tij publik, qofshin këto shkrime apo predikime dhe e analizojnë atë kryesisht vetëm përmes tij.

    Në fakt Gyleni dhe xhemati i tij, që e imiton besnikërisht “imamin e tyre të universit” (imamul kainat), nuk mund të njihen kurrsesi vetëm përmes asaj që ata thonë dhe bëjnë publikisht, për vetë faktin e provuar katërçipërisht se ata përdorin dy standarde dhe dy diskurse, atë të jashtëm për botën, dhe atë të brendshëm për vete.

    Diskursi dhe praktika e brendshme fshihet në maksimum dhe është tabu dhe tradhti për ta të nxirret jashtë, por duke qenë se jetojmë në një botë ku është e pamundur të mbahen sekrete, sidomos kur brenda grupimeve të caktuara përfshihen një masë e madhe njerëzish, të cilët më pas edhe mund të largohen, dhe përveç përvojës dhe dëshmive të tyre të shumta personale, nxjerrin edhe regjistrime audio dhe video të liderit të tyre, atëherë realiteti që ata përcjellin duhet domosdoshmërisht të përfshihet në shqyrtim dhe analizë, përndryshe e vërteta do të humbasë pas fasadës “së bukur” që adhuruesit e Gylenit thurin.

    Gylenistët hiqen tolerant me të krishterët dhe judenjtë, aq sa toleranca e tyre kalon në një sjellje të çuditshme dashurie, apo më saktë lëpirje, sa të neveritet dhe të duket se ndonjëherë edhe atyre të cilëve këta u lëpihen u pështiroset shpesh kjo sjellje. Por në anën tjetër ata janë të ngurtë, hermetikë, intolerant dhe madje arrogant ndaj muslimanëve të tjerë, sidomos, nëse ata nuk kanë pushtet politik, ekonomik apo social.

    I tillë është vetë Gyleni, cili më shumë u lëpihej ushtarakëve, atyre që merrnin pushtetin dhe laikëve si Eçevitit, ndërkohë që shkonte shumë keq me Erbakanin fetar dhe xhematin e tij. Ndërsa kur në 2002 segmenti i xhematit të Erbakanit erdhi në pushtet përmes Erdoganit, Gyleni u tregua dashamirës dhe bashkëpunues me qeverinë e tij, deri në momentin kur së pari ideologjia dhe më pas edhe interesi i hasi pengesa, si sharra në gozhdë.

    Në njërën anë Gyleni dhe xhemati i tij hiqen si apolitikë, gati si dervishë, por në anën tjetër ngrenë biznese dhe unione biznesesh, media dhe shoqata të ndryshme të shoqërisë civile, hapin shkolla ku indoktrinojnë dhe rekrutojnë njerëz, të cilët më pas i infiltrojnë në pikat kyçe të pushtetit, në parlament, qeveri, ushtri, polici, gjyqësor dhe sidomos në arsim; ata bëjnë pazare për vota me forcat politike, mbledhin informacion spiunazhi për njerëz dhe institucione të ndryshme dhe i përdorin ato sipas interesit të tyre.

    Të gjitha këto ata i bëjnë nën rrogoz, duke përdorur parimin “qëllimi justifikon mjetin”, duke korruptuar, duke bërë evazion fiskal, duke mashtruar, falsifikuar dhe blerë njerëz në favor të tyre, ndërkohë që publikisht të shesin dokrra me konferenca madhështore të mirëpaguara për kontributin e madh në ide që paska dhënë Gyleni, apo promovojnë libra për biografinë e tij me autor të huaj që i kanë paguar mirë më herët.

    Gylenistët hiqen si demokratë, japin edhe leksione mediokre për demokracinë, por ndërkohë struktura e xhematit të tyre nuk ka zgjedhje të lira dhe demokraci të brendshme, por një hierarki strikte ku ata që janë sipër -poste që i kanë arritur jo për shkak të meritave, por besnikërisë dhe devocionit ndaj xhematit- ushtrojnë presion deri në dhunë psikologjike ndaj atyre që kanë poshtë.

    Lista e antagonizmave të tyre mes publikes dhe privates është e gjatë, por nëse një studiues apo kërkues i së vërtetës nuk hulumton dhe qëmton edhe nga brenda ajsbergun gylenist, vështirë të arrijë të kuptoj realitetin e tyre lakuriq.

    Gylenistët e KMSH bëjnë të njëjtën gjë këtu tek ne, janë kopje dyfytyrëshe e liderit të tyre, hipokrit me pushtetin, me të fortët, me ata që kanë pasuri dhe autoritet apo edhe me ata që u lëpihen, ndërsa janë arrogant, shpërfillës dhe indiferent me imamët dhe hoxhallarët që i kanë vartës, nuk i përkasin kultit të tyre dhe nuk u shkojnë mbas fijes.

    Për aq kohë sa muslimanët do të vazhdojnë të mashtrohen apo do t’iu pëlqejë mashtrimi i fasadës gyleniste, do të jetë shumë vështirë për të shpëtuar nga kthetrat e tyre okultiste. Nëse ata vetë e kanë të vështirë të shërohen nga sëmundja që kanë, të paktën ne të tjerët nuk duhet t’i zgjasim jetëgjatësinë pushtetit fetar të tyre në krye të KMSh duke heshtur, ose bindur apo servilosur ndaj ilegjitimitetit të tyre.

    Lajmi Paraprak

    PDSh publikon listën e kandidatëve për këshilltarë në Komunën e Tetovës

    Lajmi i rradhës

    Nënshkruhet protokolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë