A do të ketë BDI president dhe kryeministër?

    Zgjedhjet do të mbahen në afatin e rregullt – këtë e ka përsëritur kryeministri Dimitar Kovaçevski pas thirrjeve të fundit të opozitës për organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

    Lideri i opozitës, Hristijan Mickoski, madje ka kërkuar takim liderësh për të përcaktuar datën e zgjedhjeve, por qeveria e ka refuzuar si ide. Sipas Kovaçevskit, se në cilin muaj do të shpallen zgjedhjet, varet nga afatet që do t’i përcaktojë Kuvendi.

    Ai u bëri thirrje përfaqësuesve të partive politike që të ulen dhe të diskutojnë për detajet e datës, pasi kjo do të varet edhe nga miratimi i mundshëm i ndryshimeve në Kodin zgjedhor.

    Së shpejti ndryshimet pritet të hyjnë në procedurë parlamentare kurse OSBE dhe BE nuk rekomandojnë ndryshimin e rregullave zgjedhore gjashtë muaj para zgjedhjeve.

    Mbetet të shihet edhe nëse zgjedhjet do të jenë të dyfishta. Siç tha më herët kryeparlamentari Talat Xhaferi, e vetmja datë kur zgjedhjet e rregullta parlamentare dhe ato presidenciale mund të përkojnë do të jetë 5 maji, pra java kur bien Pashkët vitin e ardhshëm.

    Ndërkohë, sot mediat spekuluan se disa parti politike shqyrtojnë mundësinë e bojkotimit të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale nëse zgjedhjet parlamentare nuk mbahen në të njëjtën ditë.

    Nëse zgjedhjet presidenciale dështojnë, pra nëse nuk dalin më shumë se 40% e votuesve të regjistruar, atëherë kryeparlamentari Talat Xhaferi automatikisht do të ishte në krye të shtetit.

    Të pyetur për një skenar të tillë, erdhi një përgjigje e pazakontë nga përfaqësuesit e qeverisë.

    Gazetari: Për shkak të censusit të lartë në raundin e dytë, ekziston rreziku që zgjedhjet presidenciale të dështojnë kurse keni marrëveshje me BDI në 100 ditët e fundit që BDI të propozojë kryeministër. A jeni gati nëse zgjedhjet dështojnë, që Talat Xhaferi të jetë president, BDI të ketë kryeministër, që i gjithë vendi të jetë në duart e BDI-së?

    Bytyqi: Nuk mendoj se duhet të qëndroj në pyetje të tilla.

    Kovaçevski: Pyetja ishte absolutisht jokorrekte.

    Mickoski më herët gjatë një interviste theksoi se VMRO-DPMNE nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet presidenciale sepse kandidati i tyre do të jetë favorit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Gir: Hapi i radhës është në duart e RMV dhe të Kuvendit, të askujt tjetër

    Lajmi i rradhës

    E keqja në Universitetin e Tetovës të shpallet me emër dhe mbiemër!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë