E vërteta e Shqipërisë në NATO!

    ENVER BYTYÇI 

    U bënë 15 vite nga dita e pranimit të Shqipërisë në aleancën më të madhe politike dhe ushtarake në historinë e botës, NATO!.

    Një vend dhe një popull, që kurrë nuk e kishin ëndërruar të zinin vend në këtë aleancë përkrah aleatëve tanë më të mëdhenj, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Turqisë, Greqisë dhe vendeve të tjera anëtare të kësaj aleance.

    Pranimi në NATO i Shqipërisë ishte produkt i krijimit të besimit! Ishte jo vetëm interes gjeopolitik e strategjik, por edhe çështje e plotësimit të standardeve. Askush, askujt nuk i jep diçka, qoftë edhe një stilolaps, nëse mes partnerëve nuk ka besim! Ndërkohë Shqipërisë nuk po i jepej ndonjë gjë e zakonshme. Më 5 prill 2009, asaj iu dha vendi i nderit në mesin e gati 30 vendeve më të zhvilluara të globit tokësor! Madje, me të drejtë vetoje. Me të drejtën që të vendosë vetë ajo për interesat jetike të vendit të saj. Kjo është NATO! Një organizatë politike dhe ushtarake që respekton vendimmarrjen e vendeve të vogla. Ky është gjithashtu aset besueshmërie për Shqipërinë.

    Shqipëria u ftua për pranim në NATO vetëm dy javë pasi ndodhi ngjarja e Gërdecit, aq shumë e përfolur dhe e keqpërdorur nga pushteti i sotëm dhe opozita e atëhershme për ta penguar pranimin në NATO të saj. Kjo e vërtetë zbardhet lehtësisht edhe sikur një studiues t’u referohet medieve të kohës. Pa pasur nevojën e verifikimit të dokumenteve të padeklasifikuara. Shqipëria u pranua në NATO për shkak të plotësimit të kritereve të pranimit dhe aspak për shkak të nevojës gjeopolitike, siç e interpretojnë relativizuesit shqiptarë. Nëse do të duhej të pranohej një vend në këtë organizatë për shkaqe të gjeopolitikës, ai vend do të ishte Maqedonia. Por jo. Shqipëria u bë anëtare e Aleancës së Atlantikut në ditën e 60-vjetorit të NATO-s. Ndërsa NATO kishte bombarduar Serbinë e çliruar Kosovën në kohën e kremtimit të 50-vjetorit të saj!

    NATO është e shenjtë. Është njëkohësisht shenjtëria e sigurisë së shtetit dhe kombit shqiptar. Si rezultat, Shqipëria sot është në NATO dhe vetë NATO është në Shqipëri e qebesa edhe në Kosovë! Kjo është mrekullia e anëtarësimit në Aleancë. Zanafilla e kësaj politike dhe strategjie zë në kohën kur Partia Demokratike dhe lideri i saj, Sali Berisha, shpallën qysh në vitin 1991 objektivin e anëtarësimit në NATO të Shqipërisë. Ishte koha kur Partia Socialiste vazhdonte të artikulonte leksione e programe armiqësie me NATO-n. Më pas, ky projekt u konkretizua kur qeveria e demokratëve dhe lideri Berisha kërkuan të parët në Lindjen ish-komuniste partneritetin për paqe me Aleancën Atlantike (1993) dhe e fituan këtë vend pranë saj. Ndërsa kurorëzimi i politikave dhe strategjisë kombëtare të PD-së, si dhe zotit Berisha, ishte anëtarësimi në NATO i Shqipërisë.

    Ka politikanë shqiptarë që turren si ujkonja me pamje dhelpre për të marrë meritat e anëtarësimit të vendit tonë në NATO. Ndër ta është edhe Lulzim Basha. Në fakt, Bashës këtë shans ia ka dhënë vetë Doktori, sepse i dha besim të tepruar në të gjithë karrierën e tij. Por pa hyrë në këtë histori, e vërteta duhet thënë siç është: – Ndër forcat politike, merita e pranimit në NATO i takon Partisë Demokratike. Ndër personalitetet politike, këtë meritë e bartë dhe do ta bartë në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve Sali Berisha! Le ta retushojnë dhe ta interpretojnë si të duan historinë maskarenjtë e të gjitha llojeve brenda e jashtë vendit. E vërteta është aty.

    Ajo nuk ndryshon për shkak të egos dhe ambicieve të individëve as të konjukturave politike që ndodhin. Shqipëria në NATO është projekti më madhor i së djathtës shqiptare! Është arritja më e madhe në historinë e Shqipërisë pas shpalljes së pavarësisë. Nuk do ta ketë këtë peshë as anëtarësimi në BE. Nuk e ka dhe nuk do ta ketë asnjë urë e ndërtuar, për të cilën punohet dhjetë vite radhazi. Nuk do ta ketë asnjë shifër në numrin e turistëve që vijnë në Shqipëri, ndërkohë që bujqësia në shërbim të tyre rrënohet! Shqipëria në NATO ishte dhe do të mbetet vizion, mision dhe realizim i njerëzve dhe burrave të shtetit si Sali Berisha që kanë vokacion patriotik e perëndimor! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Panoptikoni i “Vëllait të Madh” përballë sinoptikonit të publikut

    Lajmi i rradhës

    Sot fotografimi pa termin për qytetarët që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe nuk kanë asnjë dokument biometrik

    Lajme tjera

    NATO e së nesërmes

    Ditmir Bushati Nëse Samiti i NATO-s i vitit të kaluar në Madrid ishte padiskutim historik, pasi NATO rigjeti…
    Më tepër

    NATO 2.0

    DITMIR BUSHATI Koncepti Strategjik i NATO-s, i miratuar në Samitin e Lisbonës të vitit 2010, vlerësonte rrezikun e…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë