Ëndrra shqiptare për arsimin e lartë

    PROF. DR. ETHEM RUKA

    Guri i parë për theme limin e të parit universitet në botë u vendos në Bolonjë në vitin 1088. Ky vit historik shënon fillimin e një ere të re, fillimin e një mënyrë të re të menduari në fushën e arsimimit, të një modeli të ri që do të ndiqej pak e nga pak edhe në vende të tjera të kontinentit tonë, Europës.

    Dhjetë vjet më vonë, dhe pikërisht më 1096, themelohet Universiteti i Oksfordit; më 1134 Universiteti i Salamankas në Spanjë, në vitin 1160 Universiteti i Parisit, më 1209 Universiteti i Kembrixhit, më 1222 Universiteti i Padovës, më 1222 Universiteti Frederiku i Dytë i Napolit, më 1240 Universiteti i Sienës dhe më 1290 Universiteti i Koimbras në Portugali.

    Aty nga fundi i shekullit të 14-të në Europë numëroheshin rreth 30 universitete, një nga të cilët mendohet se ishte edhe Universiteti Mesjetar i Durrësit. Durrësi i viteve 1367-1392, i cilësuar si “Lulishtja e Adriatikut”, ishte një komunë qytetare e lirë (Comuna Civitas) dhe një qendër e rëndësishme arkipeshkopale, nën zotërimin e Karl Topisë.

    Dëshmitë e para për ekzistencën e Universitetit Mesjetar të Durrësit u botuan ne vitin 1993 në Buletinin Filozofik të Kosovës nga studiuesi dhe arkeologu pejan Jahja Drançolli. Argumentet e sjella nga ky studiues mbështeten në dokumente kroate, italiane dhe të Urdhrit Domenikan. Ai i referohet historian kroat, Stjepan Krasiæ, i cili duke gërmuar në arkivat e Kuvendit Domenikan të Raguzës, ndeshi një dokument, i cili fliste për një “Studium Generale” në Durrës, aty nga fundi i shekullit të 14-të.

    Sipas këtyre dëshmive, Universitas Studium Durrahium, ose siç quhej atëherë Studium generale, ishte themeluar në vitin 1380. Ishin vitet kur u themeluan edhe universitetet e Haidelbergut (1355), Vienës (1365) dhe Kelnit (1392). Në shkollat e larta të llojit Studium Generale studiohej kryesisht për teologji, por edhe për art, drejtësi e mjekësi. Të tilla institucione u hapën aty nga fillimi i shekullit të 13-të në Spanjë, Itali, Francë, Angli dhe Portugali. Shkolla të tilla pranonin studentë jo vetëm nga vendi ku ishin themeluar, por edhe nga vise të tjera.

    Në historikun e Universitetit të Zarrës (Zadarit) në Kroaci dëshmohet se historia e këtij universiteti, të themeluar në vitin 1396, e merr zanafillën nga Universitetin Mesjetar i Durrësit. Në historikun e propozuar të këtij universiteti, shkruhet se: “Rektori i parë i Universitetit ishte Gjoni i Dyrrachiumit, pasi Universiteti i Përgjithshëm i Zadarit pasoi Universitetin e themeluar më parë të Dyrrachium, i cili u tërhoq në Zadar për shkak të kërcënimeve në rritje të Turqisë në Evropën Juglindore”.

    Në përmbledhjen e akteve të Papa Martinit V, që datojnë në vitit 1419, dëshmohet për herë të parë se në Durrës ekzistonte një kishë me emrin “Ecclesia Sancti Nicolai de Scholaribus Duracien” ose ne shqip “Kisha e Shën Nikollit të Durrësit” për studentët durrsakë.

    Termi scholaribus në atë kohë i referohej jetës universitare. Askush nuk mund të thotë me saktësi se kjo kishë shërbeu si vendi ku u themelua Universiteti Mesjetar i Durrësit. Të tjerë thonë se ligjëratat janë mbajtur në Pallatin e Kuvendit Dominikan të Durrësit, ku ligjëronin 9 magjistër (lektore) dhe se numri i studentëve ishte rreth 100. Në mesjetë kisha katolike kontrollonte të gjitha institucionet, përfshi këtu ato akademike.

    Versioni i Universitetit Mesjetar të Durrësit është mbrojtur edhe në simpoziumin shkencor të organizuar nga Konferenca Ipeshknore e Shqipërisë në vitin 1999. Në njëfarë mënyre, Kisha Katolike e Shqipërisë e shndërroi në qëndrim gjysmëzyrtar ekzistencën e këtij universitetit.

    Prof. Dr. Lutfi Alia, bazuar në dokumentet arkivore po të Raguzës, na sjell një tablo të panjohur më parë për shkollat e para në gjuhën shqipe të hapura në Ulqin në vitin 1258, në Kotorr në vitin 1266 dhe në Durrës në vitin 1278. Sipas këtyre dëshmive, shkolla e Durrësit ishte një lloj kolegji që në kronikat Anzhuine konsiderohej “un fiorente Collegio” ose “një Kolegji i lulëzuar”. Këto lloj kolegjesh në atë kohë konsideroheshin si universitetet. Sipas Prof. Dr. Lutfi Alia, ishte pikërisht ky kolegj që u konsiderua si Universitatum Durachiense. Jo vetëm kaq, por pedagogët që jepnin mësim edhe në Universitetin e Padovës dhe të Bolonjës.

    Nëse do të kishte një angazhim zyrtar më të organizuar për të gjurmuar burimet arkivore të kohës, do të hidhej më shumë dritë për vërtetësinë e ekzistencës së këtij universiteti. Historianët tanë ende nuk e kanë thënë fjalën e tyre.

    Vetëm arkivat e vjetra fshehin të vërtetën e ekzistencës së këtij universiteti. Institucionet shqiptare e kanë për detyrë kombëtare të zhbirojnë dokumentet e vjetra dhe të japin një përgjigje shteruese. Kur universiteti i Zadarit në Kroaci e pranon si të vërtetë Universitetin Mesjetar të Durrësit, madje përmend me emër edhe rektorin e tij, ne nuk kemi pse të heshtim.

    Nëse një ditë ekzistenca e këtij universiteti do të dokumentohej plotësisht, Shqipëria, si një pjesëz e viseve ilire, do të kishte pasur universitetin e parë në Ballkan dhe një nga 30 universitetet më të vjetra të Europës. Kjo do të kishte qenë një faqe e ndritur në historinë e arsimit të lartë në Shqipëri dhe plotësisht e krahasueshme me nivelin kulturor të gjithë vendeve të tjera të Europës.

    Pushtimi Osman që zgjati pesë shekuj mbylli çdo shkollë në gjuhën shqipe, duke e lënë vendin në errësirë të plotë deri në hapjen e të parës shkollë në gjuhën amtare në Korçë në vitin 1887. Deri në këtë datë, thuhet se në Shqipëri ekzistonin rreth 2000 shkolla, por mësimi bëhej vetëm në gjuhën greke, bullgare dhe italiane. Në asnjë prej tyre nuk u lejua gjuha shqipe, gjë që nuk ndodhi në vendet fqinje që vuajtën për shekuj pushtimin e osmanlinjve.

    Brishtësia e shtetit shqiptar pas pavarësisë si dhe luftërat për mbijetesë e ruajtjen e integritetit territorial nga politikat e copëtimit nuk dhanë asnjë mundësi për zhvillimin e arsimit të lartë në vendin tonë. Edhe në kohën e mbretërimit të Zogut një gjë e tillë nuk u arrit dot.

    Institucionet e para të arsimit të lartë fillojnë vetëm në vitin 1946. Ishte koha kur vendi kishte nevojë për mësues, mjekë, ekonomistë, inxhinierë, juristë, agronomë, gjuhëtarë, historianë, etj. Në vitin 1945, fill mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria kishte 911.410 analfabetë, kur popullsia e vendit ishte vetëm 1 122 044 banorë. Kjo ishte një trashëgimi tmerrësisht trishtuese, edhe pse shteti shqiptar kishte mbi 45 vite të ekzistencës së vet.

    Për të përmbushur nevojat e ngutshme të vendit për specialistë dhe luftën kundër analfabetizmit, u desh që gjatë dhjetëvjeçarit 1946-1956 të ngriheshin e funksionin institutet e para të vendit si Instituti i Lartë Pedagogjik dyvjeçar (1946), Instituti i Lartë Pedagogjik katërvjeçar (1951), Instituti Politeknik (1951), Instituti i Lartë Mjekësor (1952), Instituti Bujqësor (1951), Instituti i Lartë i Ekonomisë (1952), Instituti i Lartë Juridik (1954) dhe Instituti i Shkencave (1948).

    Mbi bazën e kësaj trashëgimie fillestare të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, bazuar më dekretin Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, numër 2476, datë 3 qershor të vitit 1957 u themelua Universiteti Shtetëror i Tiranës. Rektor i parë i këtij universiteti u emërua Profesor Zija Këlliçi. Në përbërjen e Universitetit Shtetëror të Tiranës u përfshinë gjashtë fakultetet, ku u regjistruan 3613 studentë, nga të cilët 613 ishin me korrespodencë (pa shkëputje nga puna).

    Një ndër këto fakultete ishte edhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës, në të cilin pata fatin të studioja në vitet 1967- 1971. Unë i fillova studimet në degën Biologji-Kimi, pikërisht në dhjetëvjetorin e parë të themelimit të këtij universiteti, në shtatorin e vitin 1967.

    FAKULTETI I SHKENCAVE TË NATYRËS

    Fakulteti i Shkencave të Natyrës ndodhet në Bulevardin Zogu I, përballë godinës së Spitalit Obstetrik-Gjinekologjk “Mbretëresha Geraldinë”. Hedhja e themeleve të këtyre dy godinave fillon në fund të vitit 1938. Godina e sotme e spitalit Obstetrik-Gjinekologjik e projektuar nga arkitekti italian Tito Chiomi, mbaroi në nëntor të vitit 1942. Fillimisht ajo u quajt “Shtëpia e Nanës dhe Fëmis” ose në italisht “Opera Nazionale di Maternita e Infanzia” (ONMI).

    Po në ato vite, përballë maternitetit, por në mënyrë pingule me bulevardin “Zogu I”, u ndërtua një godinë tjetër dykatëshe, por që në fundin e saj përfundonte me tri kate. Pjesa fundore me tri kate kishte salla të mëdha leksionesh. Kjo godinë shërbeu si gjimnaz për Tiranën. Më 20 dhjetor të vitit 1946, godina u vu në shërbim të Institutit të Lartë Pedagogjik 2-vjeçar, i cili kishte degën e Gjuhë-Letërsisë Shqipe, Histori-Gjeografisë, Biologji-Kimisë dhe Matematikë-Fizikës. Brezi i parë i studentëve të këtij Instituti, që hodhi themelet e arsimit të lartë në Shqipëri, pati vetëm 53 studentë, nga të cilët 15 ishin vajza.

    Për nevojat e ngutshme të arsimit të lartë, godina ekzistuese u ngrit edhe një kat tjetër. Ndërkaq, pjesa ballore e godinës katërkatëshe u shtua paralelisht me bulevardin. Ndërsa pjesa fillestare saj u projektua nga arkitektë italianë aty nga vitet 1940, shtesa e pjesës ballore u projektua më vonë nga arkitektë rusë.

    Godina e sotme ekzistuese e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, me vendimin numër 122, datë 05.03.2007, është shpallur monument kulture i kategorisë së dytë në llojin “Arkitekturë”. Arkitektura e kësaj godine, tipike e periudhës së komunizmit, konsiderohet e stilit kubist, ndërsa në mjediset e brendshme të saj ka një ndërthurje të stilit neoklasik sovjetik.

    Krahas Institutit të Lartë Pedagogjik 2- vjeçar, në vitin 1951 themelohet edhe Instituti i Lartë Pedagogjik katërvjeçar, i cili funksionoi po në të njëjtën godinë. Këto institute, veç të tjerash, përgatitnin mësues për biologji-kimi dhe matematikë-fizikë.

    Prof. Dr. Leonard Topuzi, që në vitin 1963 u emërua nëndrejtor i Institutit pedagogjik dyvjeçar për studentët me korrespodencë, më ka treguar se godina shfrytëzohej jo vetëm për mbajtjen e leksioneve, por edhe si konvikt për strehimin e studentëve. Në sallën e famshme 410, si salla më e madhe e kësaj godine, flinin bashkërisht 70 studentë. Me ngritjen e Universitetit Shtetëror të Tiranës në vitin 1957, godina i kaloi Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

    Ky fakultet u themelua mbi bazën e trashëgimisë së Seksionit të Shkencave Natyrore e Biologjike, Laboratorit të Kimisë dhe Muzeut të Shkencave Natyrore të ish-Institutit të Shkencave të themeluar në vitin 1947. Ai kishte dhe ka një hije të rëndë, ashtu siç kanë hije të rëndë edhe programet e studimit të tij në fushën e matematikës, fizikës, kimisë dhe biologjisë. Ai ishte dhe mbetet një mburrje e arsimit të lartë në Shqipëri.

    Vetëm Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe ai i Mjekësisë ndodheshin më larg se fakultetet e tjerë nga godina qendrore e Universitetit Shtetëror të Tiranës, që sot i takon Universitetit Politeknik. Godina e tij madhështore, që imiton një kullë moderne malësie, u projektua nga arkitekti italian Gerardio Bosio në vitet 1939-1940. Ajo mbyll bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pikërisht aty ku fillojnë kodrat e liqenit artificial të Tiranës.

    Diku në rrugën “Fortuzi”, jo shumë larg Fakultetit, ende ndodhet një godina dykatëshe që dikur shërbeu si Muze i Shkencave të Natyrës. Pas viteve 1970, Fakulteti i Shkencave të Natyrës u zgjerua edhe me dy godina të tjera, godinën B dhe atë C. Godina B u ndërtua nga fillimi, ndërsa ajo C dikur kish shërbyer si shkolla 9-vjeçare “7 Marsi”.

    Kur unë fillova studimet në vitin 1967, fakulteti në pjesën e përparme të tij ishte i rrethuar me thupra të larta hekuri të lyera me bojë të zezë. Ky gardh rrethonte dy lulishte të vogla, brenda të cilave kishte nga dy palma, degët e të cilave mbulonin një pjesë të katit të parë. Hapësira mes dy lulishteve shërbente për hyrjen në portën kryesore të godinës. Në hyrje ndodhen katër kolona, mes të cilave ka tre dyer, kornizat e të cilave janë prej druri. Ato janë dyer-dritare që lejojnë depërtimin e dritës në korridorin e katit të parë. Si derë funksionale ka shërbyer gjithmonë dera e mesit.

    Në krahun e djathtë të hyrjes ishte kabina e portierit, i cili në orën tetë të mëngjesit kur fillonte mësimi mbyllte derën. Kush nuk kishte ardhur para orës tetë, nuk kishte asnjë mundësi të futej në mësim. Portieri ishte një burrë serioz, shumë autoritar dhe që nuk e njihte tolerancën në kurriz të rregullave të asaj kohe. Mbi kabinë e portierit ndodhej ora e murit me lavjerrës, që shërbente jo thjesht për të treguar orën, por për të orientuar portierin për t’i rënë ziles për fillimin dhe mbarimin e leksioneve. Në katin e parë, djathtas, ndodheshin zyrat e dekanatit, sekretarisë dhe llogarisë së Fakultetit.

    Në anën e pasme të kësaj godine kishte një oborr dhe një rresht godinash njëkatëshe që shërbenin si reparte ndihmëse për fakultetin. Aty ndodhej impianti i gazit, punishtja e qelqit, ku përgatiteshin pajisje për laboratorët, si dhe shërbime të tjera për riparimin e pajisjeve laboratorike. Në këtë oborr ndodhej gjithashtu edhe “garazhi” i biçikletave të pedagogëve e studentëve të asaj kohe. Në katin përdhe të fakultetit ndodhej magazina e mbushur plot e përplot me lloj-lloj kimikatesh dhe pajisjesh të shumta laboratorike.

    Shumica e mjediseve të fakultetit ishin të zëna nga laboratorët e shumtë, ndërsa pjesa tjetër nga auditorët për mbajtjen e leksioneve dhe seminareve. Salla më e madhe e leksioneve, ose salla e famshme 410, ndodhej dhe vazhdon të ndodhet në katin e katërt. Shkallët e gjera, kolonat e rrumbullakëta, sheshpushimet mes kateve si dhe lartësia e çdo kati e bëjnë këtë godinë krejt të veçantë.

    Pjesë e Fakultetit të Shkencave të Natyrës ishin Kopshti Botanik që ndodhej dhe vazhdon të ndodhet në afërsi të Liqenit të Tiranës, Muzeu i Shkencave Natyrore, (1971) që ndodhej në Rrugën e Kavajës, Laboratori i Kërkimeve Kimike, Qendra e Matematikës Llogaritëse (1971) dhe Instituti i Fizikës Bërthamore (1971). Ky fakultet nuk shërbeu vetëm si një institucion serioz edukimi, por edhe si një qendër e fuqishme kërkimesh shkencore në fushën e kimisë, biologjisë, fizikës dhe matematikës së aplikuar. Për fat të keq, sot Fakultetit të Shkencave të Natyrës i kanë mbetur në varësi vetëm Kopshti Botanik dhe Muzeu i Shkencave të Natyrës.

    Në vitin 1967 kur unë fillova studimet, Fakulteti i Shkencave Natyrore kishte degën e Biologji-Kimisë, Kimisë Industriale, Kimisë Teknologjike, Matematikës, Fizikës, Farmacisë dhe Merceologjisë. Të gjitha këto programe studimi mbuloheshin nga katedra të Kimisë së Përgjithshme e Inorganike që drejtohej nga Profesor Minella Karajani; Kimisë Teknologjike dhe Merceologjisë që drejtohej nga Profesor Muharrem Frashëri; Kimisë Organike që drejtohej nga Profesor Kolë Popa; Kimisë Fizike që drejtohej nga Profesor Viron Kola; Kimisë Analitike që drejtohej nga Docent Feti Sazani; Matematikës, që drejtohej nga profesor Petraq Pilika; Fizikës, që drejtohej nga Profesor Sotir Kuneshka; Zoologjisë, që drejtohej nga Profesor Islam Zeko; Botanikës, që drejtohej nga Profesor Kolë Paparisto dhe Farmacisë që drejtohej nga Profesor Piro Godo. Në ato vite, dekani i Fakultetit ishte profesori i nderuar i kimisë organike, Kolë Popa, dhe zëvendësdekanët, profesor Kristaq Qiriako e profesor Maruf Haxhimusai.

    Një pjesë e mirë e pedagogëve që hodhën themelet e arsimit të lartë e kërkimit shkencor ishin edhe profesorët e mi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Kontributi i tyre do të mbetet përgjithmonë në librin e artë të elitës shqiptare.

    LETRA NGA TIRANA QË NDRYSHOI RRJEDHËN E JETËS SIME

    Në vjeshtën e vitit 1970, sipas ligjeve në fuqi, çdo student ishte i detyruar të bënte gjashtë muaj ushtri. Unë bashkë me shumë të diplomuar të tjerë u caktuam ta bënim ushtrinë në një repart ushtarak në lindje të qytetit të Korçës. Dimri ishte i ftohtë e plot dëborë dhe stërvitja ishte shumë intensive. Nuk i harroj zvarritjet në dëborë e për më tepër duke mbajtur edhe kundërgazin që ta bënte frymëmarrjen edhe më të vështirë.

    Në atë kohë, gjithçka merrej seriozisht. Edhe pse ishim të diplomuar në shkollën e lartë, aty ishim thjesht ushtarë. Ishte shumë e vështirë të merrje qoftë edhe një orë leje për të dalë në qytet. Nëse dikush dilte pa leje dhe e kapte garnizoni, një grup ushtarakësh që kontrollonin çdo ushtar që e shihnin në qytet, dënimet ishin shumë të rënda.

    Aty nga muajt e fundit të ushtrisë prisnin me ankth emërimet. Gjithçka ishte e centralizuar dhe shteti merrte përsipër të gjente vendin e punës në rrethin tënd, ose në një rreth tjetër. Unë nuk ndihesha shumë i shqetësuar. Isha i bindur që do emërohesha në vendlindjen time në Tepelenë. As që mund ta imagjinoja se mund të emërohesha në një rreth tjetër, aq më pak në Tiranë. Kryeqyteti dukej një ëndërr e pamundur në ato vite.

    Aty nga muaji nëntor-dhjetor filluan të vinin njëri pas tjetrit emërimet për secilin prej nesh. Të gjithë ishim kuriozë të mësonim ku do punonte njëri e ku tjetri. Koha e jetës studentore kish përfunduar, tani fillonte puna dhe jeta e vërtetë. Nëse dikur na bashkoi auditori i universitetit, tani ishte reparti ushtarak që do na shpërndante andej nga kishim ardhur.

    Një ditë prej ditësh, por më vonë se të tjerët, më thirrën edhe mua në komandë dhe më dhanë një zarf zyrtar që nuk dërgohej nga Tepelena apo ndonjë rreth tjetër, por nga Tirana. Nuk guxoja ta hapja zarfin dhe mendova se duhet të ishte bërë ndonjë gabim. Unë nuk kisha asnjë të afërt në Tiranë dhe nuk prisja letra nga askush prej këtij qyteti.

    Isha shumë i emocionuar. Prisja të ishte shkruar gjithçka në atë letër brenda zarfit, por një emërim në Tiranë nuk kisha fuqi ta imagjinoja. Më në fund hapa zarfin dhe pashë se në atë copë letër kishte vetëm disa rreshta, ku shkronjat po më ngatërroheshin me njëra-tjetrën. Më në fund gjeta fuqi ta lexoja. Ishte emërimi im në Universitetin e Tiranës, pranë Katedrës së Zoologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Sytë m’u lagështuan nga një shtresë e hollë loti, por nuk e dhashë veten. E lexova edhe njëherë, por prapë nuk e besova.

    Pashë me vëmendje vulën e firmën e dekanit të Fakultetit, Profesorit të kimisë organike, Kolë Popës. Oficeri që më dorëzoi zarfin e pa habinë time dhe menjëherë më pyeti se ku më kishin emëruar. I thashë se nuk besoja që kjo letër të ishte e vërtetë. Iu luta oficerit ta lexonte edhe ai. Ndërsa ai po lexonte letrën, mezi prisja të më thoshte se me të vërtetë unë e kisha kuptuar mirë përmbajtjen e saj. “Po, po, është letër zyrtare që tregon se je emëruar pedagog në Universitetin e Tiranës”, shtoi oficeri si me habi. Me siguri nuk ia kisha mundur mendjen.

    E përqafova atë dhe ai filloi të më shikonte me një sy tjetër sikur unë të mos kisha qenë ai i pak minutave më parë. Emërimet në Tiranë ishin kaq të rralla për ne periferikët, saqë nuk mund të kalonin pa tërhequr vëmendjen e të tjerëve.

    “Do kesh pasur ndonjë mik të fortë”, më tha oficeri si me shaka. “Është e vërtetë,- i thashë, – e kam një mik të fortë, kam vetëm diplomën gjithë dhjeta dhe asgjë tjetër”. Më atë copë letër në dora vrapova i lehtësuar dhe nuk dija si ta përballoja gëzimin. Korça ishte mbuluar me dëborë, por unë nuk e ndjeva më as të ftohtin dhe as thëllimin erës.

    Kaq u desh dhe lajmi u përhap në të gjithë repartin ushtarak. Të paktën në atë grup prej qindra të diplomuarish në Universitetin e Tiranës, unë isha ndoshta i vetmi që e pata këtë fat. Filluan të më uronin ata që u gëzuan vërtet, por edhe ata që ndoshta u xhelozuan. Shumë prej tyre nuk mund ta imagjinonin dot që një student nga një fshat i Tepelenës të emërohej menjëherë pedagog në universitet.

    Fillova ta besoja edhe vetë pak e nga pak. Ia kishte vlejtur studimi me batanije ne krahë në sallat e akullta të konviktit, ia kishin vlejtur edhe nofkat që kisha marrë si peshkop, ia kish vlejtur edhe sakrifica e prindërve që hoqën nga buka familjes për të më shkolluar.

    Ishte një nga ato çaste kur njeriu e kupton se ajo që varet nga ty duhet bërë sa më mirë të jetë e mundur. Ishte nga ato çaste të rralla kur e kupton se edhe kur diçka të duket e pamundur mund të kthehet në të mundur.

    Çdo mbarim është pikënisja e një fillimi të ri. Mbaruam studimet universitare dhe duhet të fillonim punën. Fillova të imagjinoja veten si profesor universiteti në Tiranë. Por Tirana ishte dhe nuk ishte aq miqësore për ne që vinim nga periferia.

    Do fillonim punën pa pasur një strehëz për të futur kokën, pa mbështetje familjare dhe pa të ardhura përveç rrogës mujore. Por njeriun e mban shpresa dhe vullneti. Unë dhe shokët e mi të atij brezi ishim mësuar me sakrificën dhe gjithmonë merrnim si shembull ata që ia kishin dalë edhe pse e kishin filluar si ne.

    E rëndësishme ishte se kisha atë copë letër që kish mbërritur nga Tirana, të tjerat më dukeshin të parëndësishme. Ajo copë letër nuk ishte e rëndësishme vetëm për jetën time, por për familjen, prindërit, motrat e vëllezërit dhe miqtë e mi.

    Në atë kohë, mundësitë e komunikimit me familjen ishin vetëm me letra, të cilat donin ditë që të mbërrinin nga një qytet në tjetrin. Familja ime banonte në Turan të Tepelenës dhe komunikimi telefonik nuk mund të imagjinohej. Shkrova një letër, e cila mbërriti në familje dhe e çoi edhe atje këtë lajm ogurbardhë. Prindërit u gëzuan pa masë dhe u ndjenë shumë krenarë.

    Sot është e vështirë të kuptohet përmasa e këtij përjetimi. Ndoshta nuk e përjetojnë dot as fëmijët e mi e aq më pak nipërit dhe mbesa ime. Është e vështirë dhe kanë të drejtë. Ata nuk mund ta imagjinojnë dot kontekstin e kohës të viteve 1970, kur jo kushdo mund të bëhej qytetar i kryeqytetit e aq më pak profesor universiteti.

    Sot, fjala profesor nuk bën më përshtypje, por atëherë të thoshe jam profesor në universitetin e Tiranës ishte nder, ishte privilegj, pse jo edhe status i veçantë. Profesorët konsideroheshin si pjesë e elitës më të mirë shqiptare. Pas fjalës profesor të atyre viteve qëndronte gjithmonë një përzgjedhje e rreptë mbi bazën e meritës e padyshim edhe dhe një diplomë e shkëlqyer.

    Ajo copë letër që mbërriti kur unë isha duke kryer shërbimin ushtarak pasuniversitar në Korçë, ndryshoi gjithë rrjedhën e jetës sime. Një portë e re ish hapur edhe për mua, një portë që më futi në botën akademike dhe magjinë e kërkimit shkencor. Me një valixhe druri në dorë, dhe me atë copëz letre në xhep mbërrita në Tiranë në janarin e ftohtë të vitit 1972. Kisha vetëm rrobat e trupit. Edhe pardesynë ma fali vëllai i madh që të mos kisha ftohtë.

    E dija që nuk do ta kisha të lehtë, por një gjë e dija mirë që njerëzit e vendit ku ish ngjizur jeta ime ishin të fortë si guri dhe kurrë nuk u kthyen shpinën vështirësive. Unë nuk mund të isha i ndryshëm nga ata, por vetëm një prej tyre.

    Ajo copë letër më hapi portën e Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, këtu e pesëdhjetë viteve më parë. Auditorët e laboratorët e tij u bënë pjesa më e çmuar dhe dashuria më e madhe e jetës sime profesionale. Atje mësova, atje u edukova, dhe atë dije që mblodha pak e nga pak siç mbledh bleta nektarin e luleve, e dhashë dhe vazhdoj ta jap me shumë dashuri për studentët e mi.

    * Rektor i Universitetit “Luarasi”

    Lajmi Paraprak

    Bastisen zyrat e Parlamentit Europian në Bruksel – shkak korrupsioni në BE

    Lajmi i rradhës

    Kompromisi me kulturën e frikës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë