Enveri për shqiptarët është njësoj siç ishte Hitleri për gjermanët

    Foto: Boris Müller/Tages Anzeiger, Zürich

    ENVER ROBELLI 

    Enver Hoxha, i cili vdiq para 39 vitesh, vrau së paku 6000 shqiptarë. Kaq boshnjakë vranë forcat serbe në Srebrenicë. Nga OKB Srebrenica u shpall gjenocid. Në Tiranë (qe besa edhe në Kosovë) ka figura publike që edhe sot, katër dekada pas vdekjes së diktatorit komunist, dalin e thonë: ‘Hajt se nuk ishte aq i keq’! Në kampe përqendrimi regjimi kriminal i Enver Hoxhës internoi, syrgjynosi, keqtrajtoi brutalisht qindramijëra shqiptarë. Shkatërroi mijëra familje dhe elitën intelektuale properëndimore.

    Adhurimin dhe respektin për regjimin jugosllav e kultivoi herë hapur, herë heshtur, siç e dëshmon e veja e tij Nexhmije Hoxha në revistën DER SPIEGEL, nr. 15, viti 2004: “Ndonëse më vonë Tito u bë kryearmiku ynë ideologjik, burri im (Enver Hoxha, v.j.) e respektonte atë si faktor stabiliteti në Ballkan. Kur Tito u sëmur për vdekje, Enveri më befasoi me këto fjalë: “Kam pasur dëshirë që ai të jetonte edhe disa vite”.

    Më 1946, në kulmin e vëllazërisë së komunistëve shqiptarë me ata jugosllavë, Enver Hoxha tha: “Jugosllavia demokratike është më e avancuar, më e përparuar se ne. Interesi ynë është që ajo të jetë e fortë, se me një Jugosllavi të fortë do të ketë demokraci në Ballkan. A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresiste”.

    Çka është për gjermanët Hitleri, për shqiptarët është Enver Hoxha – më i madhi kriminel në historinë e kombit. Madhërimi i figurës së tij nga manipulatorë të historisë është krim i sërishëm ndaj viktimave të panumërta që ka shkaktuar regjimi tiranik i Tiranës komuniste. Çka është sot Koreja e Veriut, për shqiptarët ishte Shqipëria e Hoxhës: një Gulag në Mesdhe.

    Kjo e kaluar e errët nuk përkujtohet si duhet sot në Shqipëri. Traumat e së kaluarës përdoren për turizëm qesharak. Ja, këtu përgjonte “Sigurimi”, haha! Ja, kishim kaq e kaq bunkerë, haha! Filani u arrestua dhe dënua me burg se dëgjoi rokmuzikë, haha! Kështu u prezantohet turistëve zezona komuniste. Në shtëpinë e diktatorit vrapon “elita e re” për të mbajtur “aktivitete kulturore”. Xhelatët e dikurshëm bëjnë jetë të rehatshme. Disa kanë ikur në Perëndim dhe dalin në televizione të Tiranës dhe “shpjegojnë” sa e bukur ishte Shqipëria dikur, kur njerëzit zgjoheshin në orën 02:00 të natës dhe prisnin në rend për një litër qumësht. Dhe në orën 08:00 ktheheshin në shtëpi duarbosh!

    Vetëm në Shkodër gjatë komunizmit u burgosën 2890 veta, prej tyre 601 u vranë, 136 nuk mbijetuan nga torturat. Eshtrat e shumë viktimave në Shkodër ende janë të shpërndarë nëpër zona me bërllok.

    Porosia e Stalinit më 1949 për Enver Hoxhën gjatë një takimi në Sukumi pranë Detit të Zi: “Çështja e Kosovës duhet të lihet në plan të dytë dhe nga ana juaj të mos vihet në plan të parë”. E thënë, e bërë!

    Një popull që nuk e përbuzë në mënyrë meritore një diktator, nuk e ka vështirë t’i durojë adhuruesit e tij në jetën publike. Edhe kjo është pasojë e deformimit të shoqërisë nga regjimi komunist. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Kina pësoi dëme në vlerë të 3.3 miliardë dollarë nga katastrofat natyrore këtë vit

    Lajmi i rradhës

    Pasqyra jonë përballë “mbretit lakuriq”

    Lajme tjera

    Gorilla

    BEN ANDONI Eksperimenti social që lid het me këtë subjekt nuk ka aq lidhje me gorillën, por me…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë