Erdhën diversantët

    ILIR GJINI

    Teksa po lexoja titujt bombastikë të mediave si: “Arrestohen agjentët rusë”, “Agjentët rusë sulmojnë ushtarët shqiptarë”, m’u zgjuan reminishencat e së kaluarës me “diversantë “ e “spiunë”, që na kanë “halë në sy” për “fitoret” tona. Të ishin kaq të paaftë spiunët e fshehtë rusë që pasuan KGB-në e famshme sovjetike (që u mori edhe sekretin e bombës atomike amerikanëve) sa t’i kapnin ushtarët tanë duke bërë foto? ªfarë interesi mund të ketë për Shërbimin e fshehtë rus, një uzinë e braktisur që ka rreth 20 vite që nuk funksionon?

    Mirëpo, mediat tona të etura për “scoop”, u futën në garë, duke na krijuar një “realitet” të Luftës së Ftohtë, që kishim vite që e kishim harruar. Kryeministri deklaronte në “Facebook” me madhështi për suksesin e rojeve që neutralizuan “agjentët”. Madje, në këtë “lojë” spiunësh ra edhe opozita, duke deklaruar se ky ishte një “agresion nga ana e rusëve”?! Që ngjarja duhet të hetohet me seriozitet nga ana e autoriteteve, kjo është detyra e tyre, por nxitimi për ta paraqitur ngjarjen si të përfshirë me “spiunë” e “agjentura” më duket i pavend.

    Kjo s’është gjë tjetër, veçse një “përpjekje” mediatike pë të larguar vëmendjen nga problemet e mëdha të ditës, ku çmimet e produkteve ushqimore po kapin majat, ndërsa çmimi i naftës, megjithë uljen në bursë, në Shqipëri mban rekord. Një tymnajë mjegulluese për të mos parë grabitjen e parasë publike nga inceneratorët, që në vend të plehrave “djegin” lekë dhe jo plehra.

    Kjo situatë absurde “spiunësh” më solli ndër mend një ngjarje të ndodhur në mesin e viteve 80-të. Sapo ish eliminuar “banda” e Xhevdet Mustafës dhe ambienti ziente nga diskutimet e zjarrta se “armiqtë amerikanë na kanë halë në sy”. Unë isha student dhe në atë kohë ne bënim orë “ushtarake”, ku na mësonin si të përdornim armët për të mbrojtur atdheun socialist nga “armiqtë e jashtëm”. Komandant Kardhashi, që na jepte mësim, gjithë seriozitet na tha: “fletoret e ushtarakes ku mbani leksione do të grumbullohen dhe do të digjen, se janë “sekret ushtarak” (pas disa javësh kur mbaronte viti akademik). Në fakt në ato leksione vetëm sekrete ushtarake nuk kishte, por propaganda e kohës duhet të na krijonte iluzionin se ne ishim në qendër të vëmendjes së “armikut”. Pikërisht në këtë atmosferë të bymyer me propagandë e diversantë si Xhevdet Mustafa, shkrimtari i shquar Koço Kosta, pas publikimit të një novele me “gabime politike”, u dënua nga Ramiz Alia dhe shkoi në fshatrat e Fierit për “riedukim” në gjirin e fshatarësisë kooperativiste.

    Rrugës për në “internim” Koçon po e përcillte me makinën e tij drejtori i Parkut të Mallrave të Gjirokastrës, që ishte mik i shkrimtarit. Teksa vetura iu afrua qendrës së Lushnjës, brenda saj ziente biseda për trimërinë e popullit tonë. Vetëm Koçua qe kundër rrymës. Madje, Koçua deklaroi se populli shqiptar “dhiste gjak nga frika”. Po ç’thua i tha drejtori, këta u përleshën me diversantë si Xhevdet Mustafa. Koçua i tha shoferit të ndalonte makinën. Futi një çantë zyrtare nën sqetull dhe zbriti me vrik nga makina. U afrua te disa stola të lulishtes, ku ishin të ulur pensionistë e qytetarë, disa prej të cilëve luanin domino. Gjithë tërsëllëmë u bërtiti: çohuni në këmbë! Të gjithë ata mavrinjtë u ngritën në këmbë. E pandehën ndonjë të madh nga Partia. Uluni-ngrihuni, vazhdoi komandat Koçua për dy herë rresht dhe ata si dele bindeshin. Më pas u fut në makinë dhe i tha drejtorit: Ky është populli shqiptar që të merr “gjak në vetull”! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Mblidhet Shtabi Lokal i Krizës në Tetovë, shqyrton gjendjen pas vërshimeve të mbrëmshme

    Lajmi i rradhës

    Ndikimi i Rusisë ndaj sigurisë kombëtare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë