Ndikimi i Rusisë ndaj sigurisë kombëtare

    FABIAN ZHILLA

    Një opinion mbi disa incidente, të cilat duhen marrë seriozisht nga agjencitë ligjzbatuese tona, paçka që brenda tyre mund të këtë edhe elemente banale. Disa ngjarje për t’u konsideruar: -14 tetor 2021, gjenden të helmuar 4 shtetas rusë në hotelin “Gloria” në Qerret te Kavajës.

    Një prej viktimave, Sergey Vasiljeviç Burenkov, në vitin 2015 ka shërbyer si kolonel policie brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Federatës Ruse ose ndryshe Komandant i Forcave OMON; -26 korrik 2022, Andrzje Izdebski, 71- vjeçar nga Polonia, i njohur si një tregtar armësh gjendet i vdekur në Tiranë, mik i ish-drejtuesit të SHIU, Ylli Zyla.

    Kreu i shërbimeve sekrete polake, Piotr Krawczyk, jep dorëheqjen pas këtij incidenti, paçka se nuk dihet nëse ka lidhje me vdekjen e Izdebskit; -20 gusht, ora 17:40, 2022 disa turistë (një blogere ruse 33 vjeç, një i ri rus 23 vjeç dhe një i ri ukrainas 25 vjeç) futen për të fotografuar në uzinën e demontimit të armëve në fshatin Cekin, 4 km larg Gramshit. -21 gusht, mëngjes, 2022, 4 turistë çekë, futen dhe thyen çelësin e një prej tuneleve në Uzinën e Poliçanit.

    Pra, në harkun kohor të dy viteve, kemi një rritje të shtuar të disa ngjarjeve, të cilat duhen marrë në konsideratë, duke pasur parasysh intensifikimin e rolit rus në rajon, sidomos pas luftës në Ukrainë. Analiza mund të orientohet në disa pista, por ajo patjetër duhet të marrë në konsiderate rolin e agjencisë se inteligjencës ushtarake Ruse, (Glavnoye razvedyvatel’noye upravleniye), GRU. Pse: Së pari, të gjitha incidentet me sipër lidhen me “objekte” dhe “njerëz” me karakter ushtarak; Së dyti, GRU, është e fokusuar jashtë vendit, kryesisht në mbledhjen e informacioneve të karakterit ushtarak dhe aksioneve subersive ne vendeve të konsideruara armike nga Rusia, ku përfshihet edhe Shqipëria.

    Agjencitë e tjera si Sluzhba vneshney razvedki Rossiyskoy Federatsi (SVR), e cila merret me mbledhjen e të dhënave të karakterit politik jashtë vendit dhe rekruton agjente në këtë drejtim apo Federal’naya sluzhba bezopasnosti Rossiyskoy Federatsii (FSB), e cila është e fokusuar brenda territorit të vendit. Së treti, GRU është agjenci me karakter të shërbimit informati dhe ka karakter ushtarak. Roli i saj ka ndikim në politikat e jashtme të sigurisë ruse. Agjencia i përgjigjet drejtpërsëdrejti Presidentit Putin.

    Së katërti, GRU është një ndër agjencitë inteligjente më të suksesshme dhe më aktive në zonat me interes ushtarak të Rusisë, ku përfshihet dhe Ballkani Perëndimor. Kjo agjenci ka njësitë e veta spetsnaz, të cilat kryejnë veprime subversive. Njësia më e njohur në këtë drejtim është e ashtuquajtura njësia 29155. Kjo njësi është përfshirë në grushtin e shtetit në Malin e Zi ne vitin 2016 dhe helmimin e ish-agjentit të GRU, Sergei Skripal, në 2018.

    Ne lidhje me tendencat për provokimin e një grushti shteti në Malin e Zi, Prokuroria atje akuzoi zv.atasheun ushtarak të ambasadës ruse në Poloni Eduard Shirokov dhe agjentin e GRU, Vladimir Popov (Vladimir Moiseyev) si drejtues te këtij aksioni. Së pesti, GRU është shumë aktive në Serbi. Në vitin 2019, ish-funksionari i GRU, Georgy Kleban, u filmua duke paguar agjentin e tij serb, gjë që çoi gjoja në një incident diplomatik midis dy vendeve.

    Së gjashti, një nga veçoritë e GRU, është rekrutimi i agjentëve nga shtete të huaja, përfshirja e krimit të organizuar në sulmet e njësive të saj, ndërhyrja në zgjedhjet politike, disinformimi dhe sulmet kibernetike. Së shtati, shërbimet ruse kane një informacion të detajuar mbi ish-bazat ushtarake shqiptare duke pasur parasysh ndikimin dhe lidhjet e ish-KGB-së me ishSigurimin e Shtetit Shqiptar. Ndërkohë nuk është çudi që këto lidhje të vjetra të aktivizohen. Dhe për këtë qëllim ligji mbi dekomunistizimin duhet të ketë parasysh edhe këtë fakt që lidhet me sigurinë kombëtare. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Erdhën diversantët

    Lajmi i rradhës

    “10 persona janë strehuar në hapësirat e zjarrfikësve pasi uji ka kapluar shtëpitë e tyre”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë