Fantazi politikomortore

    EDMOND  TUPJA

    Tani që Partia Socialiste i fitoi (ashtu siç i fitoi) zgjedhjet e 25 prillit, tani që DASH-i sajoi një tjetër dash kurbani në personin e ish-kryeministrit dhe të ish-presidentit Sali Berisha (pa harruar pjesëtarët e familjes së tij)  duke i shpallur të gjithë persona non grata, tani u bë e qartë (për ata që dinë të analizojnë për të kuptuar para se të gjykojnë lidhur me dikë apo me diçka) se diku apo dikur duhet të jetë bërë një marrëveshje et tipit secret deal midis një lobingu apo klani qeveritar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Përçarë të Shqipërisë në mënyrë që Edi Rama të qëndrojë në pushtet për aq kohë sa të parat, pra SHBA-të, ta shohin këtë të arsyeshme, sigurisht në kuptimin gjeopolitik ose, ndoshta, edhe sorosist të fjalës. Pikërisht këtij këndvështrimi i brendashkruhet vullneti i DASH-it, falë të cilit opinion ndërkombëtar vuri re qimen e hollë korruptive që paska pasur në sy Sali Berisha pa vënë re trrrraun e trrrrashë korrrruptiv që ka në sy Edi Rama!

    Sidoqoftë apo mos qoftë, i bie që Edi Ramën ta durojmë, më falni, ta “gëzojmë” të paktën edhe për tetë vite të tjera, çka vetë i sapopërmenduri e la të nënkuptohet kur, gjatë fushatës së zgjedhjeve të para një muaji, përmendi si kalimthi vitin 2029. Po, po, edhe për tetë vite të tjera, madje, pse jo, edhe për 18, 28 apo 38 vitet në vijim, sepse, nën udhëheqjen e lavdishme të Edi Ramës I, vendi ynë i zbrazur nga shqiptarët do të kthehet në një parajsë për emigrantët afrikanë e aziatikë, të cilët do t’u luten, stërluten e tejluten perëndive të tyre që t’i sigurojë pavdekësinë bamirësit shqiptar njëkohësisht ish-basketbollist dhe ish-pikturist dëshpërimisht të pasuksesshëm.

    Sidoqoftë apo mos qoftë, ngaqë pavdekësia është (që mos qoftë!) krejt e pamundur, një ditë do të vijë kur, me sa duken bathët (me “a”, aspak me ndonjë germë tjetër), Rama I do të japë shpirt dhe Perëndia, duke parë kryeveprat e tij madhështore të quajtura korrupsion, narkotrafik, kriminalitet, papunësi, padrejtësi sociale, emigrim masiv i të rinjve etj., etj., si edhe virtytet e tij të pamohueshme të quajtura cinizëm, narcisizëm, egocentrizëm, arrogancë, mungesë e theksuar empatie dhe përbuzje e përbindshme për të tjerët,  pra Perëndia do ta gdhendë kujtimin e tij në tokën arbërore duke e kthyer Surrelin në vend të shenjtë! Si kështu? mund të pyesë ndonjë lexuese apo lexues i intriguar deri në rrënjët më të thella të vetvetes. Po, po, kështu, sepse qarkullojnë zëra sikur Surreli me kështjellën e tij surrealiste, pas vdekjes së Ramës I, do të shndërrohet në një vend pelegrinazhesh, njësoj, në mos më shumë, si Jeruzalemi apo Meka! Atje do të derdhen qeveritarë nga të gjitha vendet e botës së qytetëruar apo edhe të paqytetëruar, madje edhe nga Koreja e Veriut! Ata do të vizitojnë kështjellën krenarisht të blinduar të Surrelit me lot në sy, me pështymë në fyt, me nyje në grykë e me ngërçe në mendje, zemër e shpirt! Ata do të puthin e lëpijnë me dashuri të pafund çdo vend ku do të ketë shkelur këmba hyjnore e Ramës I që nga shtrati deri tek nevojtorja dhe anasjelltas, pa lënë pas dore as më të voglën qoshe apo skutë ku ai do të ketë luajtur kukafshehthi me vetveten! Me siguri që, ndër qeveritarët e ardhur nga jashtë, do të spikatin edhe indianët bashkë me lopët e tyre, kafshë të shenjta këto në Indi, nga përvoja e të cilave do të përfitojnë jo vetëm lopët e padjallëzuara, krejt të virgjëra të Surrelit, por edhe lopçarët vendas, të cilët ka shumë mundësi të shenjtërohen me kusht që kryeministri, i cili do të ketë zëvendësuar Ramën I, t’i bekojë ata duke shqiptuar me pompozitet formulën priftërore “Në emër të Ramës I, të Arit e të Dollarit të Shenjtë!”, ndërkohë që lopët e padjallëzuara, krejt të virgjëra do të përhapin parfumin qiellor të bajgave të tyre të melodishme dhe çudibërëse!

    Së fundi, por jo më së paku, më duhet të pranoj diçka që nuk mund kurrsesi t’ua fsheh lexueseve dhe lexuesve (të rregullt apo të çrregullt qofshin) të kësaj rubrike: Në çastin kur po mbaroja së shkruari këto radhë, nuk e di se si m’u kujtua mësuesja e klasës së katërt, e cila një ditë më mësoi se turqit osmanë, pasi kishin pushtuar përfundimisht Shqipërinë, pra pas vdekjes së Skënderbeut, ia nxorën këtij eshtrat nga varri dhe varën nga një copëz prej tyre si hajmali në qafë për t’u bërë të fortë e të pathyeshëm si heroi ynë kombëtar! Rrjedhimisht e për pasojë të pashmangshme, do t’i sugjeroja fitimtarit të zgjedhjeve të 25 prillit që ta detyrojë Kuvendin të nxjerrë një ligj, në emër e në bazë të të cilit një repart ushtarak besnik deri në vdekje duhet të vigjëlojë orë e çast mbi  varrin e tij të ardhshëm në Surrel me qëllim që asnjë armik, vendas apo i huaj, të mos ia nxjerrë eshtrat nga varri për t’i varur në qafë si hajmali që të bëhet i fortë e i pathyeshëm si ai, Rama I dora vetë, i paharrueshëm jo vetëm në këtë jetë, por edhe në tjetrën, me kësmet e me kimet ose, përkundrazi, vajmedet! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Partia politike në Shqipëri, si anomali sociale

    Lajmi i rradhës

    RMV | Grupi qeveritar propozon që të vazhdohet gjendja e krizës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë