Partia politike në Shqipëri, si anomali sociale

    Artan Fuga

    Partitë politike në regjimet parlamentare janë të domosdoshme. Që nga koha e Greqisë së Lashtë, Roma Antike e deri në shekullin 19, 20 dhe më tutje, ato kanë luajtur funksione të domosdoshme. Vendosu emrin si të duash, por pa ato grupime politike nuk ka mundësi të ndërtohen trupat elektorale.

    Ndërkohë, në Shqipëri gjërat kanë shkuar mbrapsht që nga viti ‘90. Pse? Sepse partitë në kohët moderne, si në lashtësi, kanë përfaqësuar grupe shoqërore që kanë ekzistuar para partive.

    Partitë nuk kanë qenë vetëm elita të grupeve dhe klasave shoqërore, të skllavopronarëve në kohët antike, e borgjezëve, e punëtorëve, e artizanëve në kohët moderne etj. Partitë politike nuk mund të iknin nga kontrolli dhe vlerat e grupeve shoqërore që i kanë përfaqësuar, sepse shefat e partive kanë qenë edhe ata vetë persona që kanë qenë pjesë e shtresave sociale që partitë kanë përfaqësuar.

    Partitë politike në Shqipëri janë perversitete politike sepse:

    E para, në ‘90 në fillim lindën partitë politike dhe pastaj ishin ato që strukturuan shoqërinë sipas qëllimeve të lidershipit politik në krye të partive. Nuk ishin në fillim shtresat shoqërore dhe pastaj të lindnin partitë, por e kundërta. Partitë nuk u formësuan nga shoqëria, por ishte shoqëria dhe segmentet e saj që u formuan nga partitë dhe interesat politike elektorale të partive politike.

    Prandaj shoqëria jonë është ndërtuar mbrapsht.

    Së dyti, partitë politike në Shqipëri nuk lindën si parti politike që përfaqësonin shtresa shoqërore, por lindën si parti masash të shkëputura nga shtresat shoqërore. Ato kanë përfaqësuar individë të izoluar, jashtë kontrollit të vlera etike, strategjive politike, zakoneve të shtresave shoqërore. Për nevoja elektorale, këto parti nuk respektojnë asnjë model vleror që t’’i takojë ndonjë klase e shtrese, por bëjnë premtime elektorale për gjithë popullin. Janë si partia e Brezhnjevit, “parti e të gjithë popullit”.

    Prandaj janë të askujt.

    Kjo shpjegon se pse partitë politike në Shqipëri nuk kanë programe ideologjike. Nuk kanë sepse nuk dinë se çfarë janë, kë përfaqësojnë veç vetes së tyre dhe shefave që i drejtojnë.

    Partitë politike në Shqipëri përfaqësojnë vetëm veten e tyre, pra, drejtuesit e tyre, askënd tjetër. Janë organizata private që paraqiten në propagandë si mbartëse të së mirës publike.

    Së treti; ky perversitet politik vjen sepse për rrjedhojë lidershipi i partisë është një elitë burokratiko-politike që ka status shumë më të privilegjuar se çdo individ i elektoratit që gjoja përfaqëson. Drejtuesit e partisë nuk janë si më parë, pjesë e ndonjë shtrese që partia përfaqëson. Drejtuesit janë burokratë politikë sikurse e ka përshkruar atë Max Weberi. Në librin tim “Shoqëria piramidale”, nisur nga Weberi, kam përshkruar “bosin” politik dhe rolin e tij në shoqëri. Partia uzurpon shtresat dhe klasat, pastaj uzurpon pushtetin, kurse në parti lidershipi uzurpohet nga një ose disa individë që pastaj kur partia vjen në pushtet kapin edhe shtetin.

    Kaq e thjeshtë është. Sociologjia politike europiane e ka zbuluar atë prej kohe. Nuk ka nevojë të na çudisin.

    Ky është perversiteti politik i shoqërisë sonë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Arsyet pse duhet tu thoni ‘Jo’ pijeve të gazuara

    Lajmi i rradhës

    Fantazi politikomortore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë