Fuqia e dëmshme e pasqyrimit

    ZIJA VUKAJ 

    Meqenëse njeriu i ka kthyer veglat në armë, nga nevoja apo nga mania, nga domosdoshmëria për t’u mbrojtur apo nga etja e destruksionit, grupet e njerëzve të të njëjtit lloj (në fushën e zanatit, të profesionit apo të artit) kanë krijuar kodin deontologjik. Ne njohim si kodin e parë deontologjik betimin e Hipokratit:

    PËRMBAJTJA E BETIMIT:

    “Në çastin kur po hyj në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor, premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të njerëzimit. Ndaj mësuesve do ta ruaj mirënjohjen dhe respektin e duhur. Profesionin tim do ta ushtroj me ndërgjegje e me dinjitet. Shëndeti i pacientit tim do të jetë brenga ime më e madhe. Do t’i respektoj e do t’i ruaj fshehtësitë e atij që do të më rrëfehet. Do ta ruaj me të gjitha forcat e mia nderin e traditës fisnike të profesionit të mjekësisë. Kolegët e mi do t’i konsideroj si vëllezër të mi. Në ushtrimin e profesionit ndaj të sëmurit tek unë nuk do të ndikojë përkatësia e besimit, e nacionalitetit, e racës, e politikës, apo përkatësia klasore. Që nga fillimi do ta ruaj jetën e njeriut në mënyrë absolute. As në kushtet e kërcënimit nuk do të lejoj të keqpërdoren njohuritë e mia mjekësore, që do të ishin në kundërshtim me ligjet e njerëzimit. Këtë premtim po e jap në mënyrë solemne e të lirë, duke u mbështetur në nderin tim personal”.

    Brenda një harku të shkurtër kohor, në mjaft kanale televizive, në emisionet e lajmeve, shikuesi shqiptar ka parë dhjetëra kronika të zeza, me variacionet më të paimagjinueshme të krimeve, që monstra të caktuara njerëzore kanë kryer në frekuencën e rregullt të ekzistencës së tyre. Diku një burrë që vret gruan, diku një grua që vret burrin, diku një baba që vret nënën e dy fëmijëve, diku një dhëndër që plagos me thikë babain dhe nënën e nuses, diku një djalë që vret prindërit se nuk i kanë dhënë para, diku një emigrant që vret vëllain e një vajze, aspirante për të qenë e fejuara e tij, një vëlla që vret me qetësi vëllain dhe kunatën e vet etj., etj.

    Dhe më pas vjen rekuizita: një hanxhar me dy tehe, si i ardhur nga librat e simbologjisë së PierGrimalit, një sëpatë e mprehtë, një pushkë model 56; një kallashnikov a scorpions etj., etj. Pastaj teatri i gjëmave që kanë ndodhur: shtëpi të hapura për mort, gra e burra të vrenjtur e me pamje pikëlluese, vargje njerëzish të zymtë nëpër ceremoni mortore nëpër monopate fshatrash apo lagjesh. Dhe gjithmonë persona që ikin në drejtime të paditura dhe lot të pafajshëm nënash dhe foshnjash. Gjithë ky një realitet shqiptar! A ndodhin këto? Ndodhin. A duhet të kërkohen dhe të jepen me kaq zell nëpër kanale televizive? A kanë ndikim tek shikuesit këto pamje? Dhe cili është efekti i tyre? Si ndikojnë pamjet makabre, që ne i shohim përnatë pa ndalesë, në psikikën e njerëzve të veçantë.

    Thuhej në Greqinë e lashtë: “Nuk duhet të shkojnë në teatër gratë athinase për të parë ‘Medean’ e Euripidit, sepse ka mundësi që sapo të kthehen në shtëpi, të vrasin burrat e tyre”. Kjo thënie mbështet forcën që skena ka mbi njeriun. Tani ne e kemi ‘teatrin’ nëpër shtëpitë tona. Një nga sekretet e pushtetit të medies është etja për të imituar çdo gjë që vjen nga ajo botë magjike që na shfaqet nga ekrani. Aty është fuqia e magjepsjes, aty është dëshira e imitimit; aty është justifikimi i çdo devijimi që bëhet në jetën tonë, me kusht që t’u ngjajë devijimeve të personazheve të skenës.

    Të rinjtë janë të etur t’i ngjajnë çdo psikopati dhe individi me shkallë të llahtarshme perversiteti që shohin nëpër ekrane. Kemi parë sharlatanë, barbonë, pseudokëngëtarë, pseudoartistë, që janë përzënë nga bodrumet e metropoleve të Evropës, kanë vuajtur edhe dënime si delinkuentë fare ordinerë dhe shfaqen para publikut tonë si përfaqësues rrymash muzikore moderne, kur nuk kanë pasur rastin të njohin as pentagramin, as alfabetin e gjuhës së tyre amtare. Dhe të rinjve të sotëm që i shohin nga ekrani, u duken heronj dhe vdesin t’u ngjajnë. Është i paparashikueshëm numri i njerëzve që shohin një kronikë në TV. Është edhe më i paparashikueshëm dhe i panjohur niveli kulturor i tyre. Është e panjohur dhe e frikshme psikika dhe gjendja e tyre mendore. Për një pjesë dhënia e një kronike të zezë në mënyrë aq të detajuar, mund të jetë shumë e mirë. Mund të nxisë mendime dhe reagime pozitive. Mund të shërbejë për të demonstruar gjërat që nuk duhen bërë.

    Ndërsa për një pjesë tjetër, ndoshta edhe më të madhe, këto kronika bëhen etje imitimesh, përvetësim teknikash krimi, plotësime etjesh sadiste të fjetura në subkoshiencat e individëve që me pak nxitje i vënë në lëvizje. Turma është e paparashikueshme. Ka ligjet e veta. I mungon gjithmonë logjika, i mungon meditimi, nuk mendohet kurrë, është një kafshë e stërmadhe dhe e frikshme, vepron me një gjysmë komande, i mungon hapësira e dëshiruar dhe manipulimi ndaj saj është i lehtë. Mjerisht, gjërat e pasakta, informacionet e shtrembra, sjelljet brutale e devijante, balta e hedhur ndaj gjërave të rregullta, ofendimet deri në linçim, folkshkenca e sidomos perversitetet e koleksionuara dhe të përqendruara në “shtëpinë më të fisme” – “Big Brother”, mbushur plot VIP-a janë pjesa më e pëlqyer, më e kërkuar, më spektakolare, pas së cilës turma çmendet, dalldiset, braktis qytetin me gjithë rrugët e tij dhe ndryhet për orë të tëra e galvanizuar prej kënaqësisë. Në vitin 1997 u vranë shumë njerëz.

    Një pjesë e madhe u vra vetëm sepse u krijua mundësia që çdo njeri të pajisej me pushkë. Individi, kur e pa veten me armë në dorë, nuk arsyetoi më gjatë dhe e përdori. E përdori për të lëshuar krisma, për të trembur dikë, për t’u gëzuar për rastet e jetës, për lindjen e fëmijës, për martesë, për t’u dukur më trim para të tjerëve, për t’i mbushur mendjen vetes se është më i sigurt. Madje, shpesh e përdori edhe kundër vetes. Për këtë arsye dhe për shumë arsye të tjera, që kanë të bëjnë me njeriun, me larminë e tipave njerëzorë, me format e panumërta me të cilat individët reagojnë para të njëjtit realitet, duhet kërkuar e vendosur edhe njëherë një kod deontologjik për të bërë të mundur administrimin e kronikave.

    Kushdo që vendos ta mbushë eterin mediatik apo televiziv me ato pamje, duhet të imagjinojë fytyrat e individëve që do t’i ndjekin ato. Thjesht t’i imagjinojë dhe të arsyetojë, sepse nuk është e mundur as e nevojshme të njihen njerëzit një nga një për të njohur gjithë popullin. Dhe popullin tonë duhet ta njohim ne, me perceptimet dhe intelektin tonë. Nuk duhet të kërkojmë ndihmën e të huajve për të njohur shqiptarin dhe të aplikojmë ligje norvegjeze, anglosaksone, franceze etj. mbi njeriun shqiptar dhe pastaj të çuditemi si nuk e kryen shkalla funksionin e litarit… /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Mbipesha dhe diabeti

    Lajmi i rradhës

    A duhet të kemi frikë nga një luftë bërthamore?

    Lajme tjera

    Kirovi

    EDISON YPI Kishin filluar të dukeshin televizionet private italiane. Njerëz që u ishte bërë shpirti zeher duke pritur…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë