G20 dhe reforma e taksimit ndërkombëtar

    ANASTAS ANGJELI

    Gjatë fundjavës që lamë pas, u zhvillua në Venecia takimi mes ministrave të Financës dhe guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve të G20-ës. Ky takim mund të konsiderohet
    me të drejtë jo  si një takim rutinë, por si shumë i rëndësishëm. Kjo, sepse jo vetëm që kemi të bëjmë  me takimin e parë që zhvillohet fizikisht që prej fillimit të pandemisë, por edhe  sepse
    temat e diskutuara gjatë takimeve dyditore ishin të një rëndësie të veçantë, për situatën
    pandemike që bota po kalon dhe për atë të përballjes me krizën ekonomike  globale.
    Prandaj edhe ne këtë samit, vëmendja kryesore gjatë bisedimeve iu kushtua rritjes ekonomike në periudhën post- pandemi si dhe rimëkëmbjes ekonomike të  pabarabartë që vihet re ndërmjet vendeve perëndimore, të cilat duket se do të rimëkëmben ekonomikisht më shpejt se  pjesa tjetër e botës.

    Ky fakt pritet të rrezikojë e të rrisë akoma më shumë hendekun ndërmjet vendeve të pasura dhe atyre të varfra. Por tema kryesore e bisedimeve (ashtu siç ishte parashikuar dhe pritej) ish- te çështja e reformës së taksimit global të  kompanive. Një çështje kjo, që ka disa vite që është në axhendën e vendeve të G7-ës dhe G20-ës dhe OECD-së. Pa dyshim që sot në situatën ku gjendet ekonomia botërore si pasojë e ndryshimeve radikale që kanë ardhur si rezultat i zhvillimit teknologjik, ndryshimeve klimaterike dhe  globalizimit, por sigurisht edhe nga situata e rëndë e krijuar nga kriza aktuale e  pandemisë, është bërë më aktuale dhe e domosdoshme se kurrë.

    Vendet më të zhvilluara të globit dhe ato  të BE–së, gjatë kësaj periudhe kanë konsideruar dhe po konsiderojnë me kujdes  mendimet dhe propozimet e OECD-se në përgjithësi për zhvillimin e tezave të reja në mendimin ekonomik për përballjen me zhvillimet ekonomike e financiare që pas krizës së viteve 2008-2012, por edhe veçanërisht pas krizës aktuale. E veçantë  është vëmendja që po i kushtohet propozimit të kahershëm të një reforme tatimore  globale.

    Gjatë këtyre dy ditëve të takimeve intensive, ministrat e Financës së vendeve të G20-ës vendosën në shina diskutimet në lidhje me mënyrën se si do të implementohen në praktikë propozimet e OECD-së me  qëllim që të arrihet një marrëveshje përfundimtare gjatë Samitit të G20-ës në Romë,  gjatë muajit tetor të këtij viti. Kuptohet që  një arritje e tillë do të jetë e përmasave historike, duke marrë parasysh faktin që një  reformë e kësaj natyre ka vite që po negociohet dhe zbatimi i saj do kërkojë jo vetëm  vullnet politik, por dhe tejkalim të burokracive kombëtare. E megjithatë, më optimistët  mendojnë se (nëse gjithçka do të shkojë sipas parashikimeve) rregullat e reja fiskale  do të jenë të detyrueshme në nivel global përpara fundit të vitit 2023.

    KORNIZA E RE PER REFORMEN E TAKSIMIT NDERKOMBETAR 

    Krizat globale i kanë dhënë gjithnjë shtysa të reja zhvillimit të mendimit  ekonomik për përballjen efikase të situatave ekonomike, financiare dhe sociale të  krijuara. Kështu po ndodh edhe në situatën aktuale. Mendime për reforma të reja  ekonomike, të taksave dhe politikave të reja ekonomike e financiare po dalin në dritë e po marrin jetë. Në fillim të këtij muaji, më shumë se 130  vende dhe entitete nënshkruan një deklaratë të përbashkët (në kuadrin e OECD- së), e cila përmbante një plan të bazuar në  dy shtylla, nëpërmjet të cilit synohet që të  reformohen rregullat e taksimit ndërkombëtar dhe që kompanitë e mëdha  shumëkombëshe të paguajnë një taksë të ndershme në vendet ku ato operojnë.

    Ky plan vendos një kornizë të re rregullatore  për taksimin ndërkombëtar duke përditësuar komponentët tradicionalë të taksimit të deritanishëm ndërkombëtar me ndryshime radikale, epokale që ka pësuar e po  pëson sistemi ekonomik ndërkombëtar, i cili tashmë po operon në një realitet të ri të globalizuar, me ndryshime të shpejta teknologjike, të dixhitalizuar, në kushtet e përshtatjes me zhvillimet e ekonomisë se gjelbër, ekonomisë blu, për të arritur një  zhvillim të qëndrueshëm dhe duke ngushtuar diferencat sociale, përmes përdorimit  më efikas të politikave dhe të shpërndarjes dhe rishpërndarjes me të drejtë dhe më të ndershme të të ardhurave..

    Nëpërmjet shtyllës së parë të këtij plani  sigurohet një shpërndarje më e ndershme e fitimeve dhe e të drejtave të taksimit ndërmjet vendeve. Do të mundësohet një rialokim i disa të drejtave të taksimit ndaj kompanive të mëdha shumëkombëshe nga vendet e origjinës drejt tregjeve ku këto kompani zhvillojnë aktivitetet e tyre dhe realizojnë fitimet e tyre, pavarësisht nëse këto kompani kanë prezencë fizike në këto vende. Nëpërmjet shtyllës së dytë synohet të vendoset një shkallë minimale globale e taksimit të korporatave, e cila do t’u mundësojë vendeve të mbrojnë bazat e tyre të taksave.

    Ky plan do t’u sigurojë qeverive mbështetjen e nevojshme për të mbledhur të ardhura për të ekuilibruar buxhetet e tyre si dhe të vazhdojnë të investojnë në shërbime thelbësore publike, infrastrukturë dhe masat e nevojshme për të siguruar rimëkëmbjen ekonomike postCovid. Pritet që nëpërmjet shtyllës së parë të kësaj reforme të sigurohen më shumë se 100 miliardë dollarë çdo vit. Shkalla prej  15% e taksës ndërkombëtare të korporat- ave e parashikuar në shtyllën e dytë pritet  të gjenerojë rreth 150 miliardë dollarë çdo  vit. Gjithashtu, akoma më shumë të ardhura do të gjenerohen nga stabilizimi i sistemit ndërkombëtar të taksimit si dhe sigurisë së shtuar për taksapaguesit. Duket se Aleanca Ndërkombëtare Antikrizë po vepron.

    DISA PERFUNDIME NGA SAMITI I MINISTRAVE TE FINANCAVE SË G20-ËS

    Në deklaratën finale që u publikua në përfundim të samitit dyditor, ministrat e Financave të vendeve të G20-ës mbështetën fuqimisht planin e OECD-së në lidhje me arkitekturën e re të taksimit ndërkombëtar. Nëpërmjet deklaratës përfundimtare i kërkohet OECD-së që të finalizojnë  hollësitë e mbetura në kornizën e dakordësuar si dhe një plan të detajuar për implementimin e të dyja shtyllave të planit në  mënyrë që në takimin e G20-ës në tetorin e ardhshëm marrëveshja të nënshkruhet.

    Në deklaratën përfundimtare, ministrat e Financave u ndalën edhe në rëndësinë e  koordinimit të përpjekjeve për t’u përballur me sfidat e së ardhmes, duke përfshirë pandemitë, katastrofat natyrore dhe  rreziqet që vijnë si pasojë e ndryshimeve klimatike. U vendos theksi te rëndësia e një vlerësimi më gjithëpërfshirës i rreziqeve makroekonomike mjedisore dhe  klimatike, gjë që mund të mund të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve inovative për  t’i bërë ekonomitë e vendeve të G20-ës më të qëndrueshme, elastike dhe gjithëpërfshirëse.

    Në lidhje me ndryshimet klimaterike, në  deklaratë u theksua rëndësia e koordinimit më të afërt ndërkombëtar për veprimet  klimatike, gjë që mund të mund të ndihmojë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Kjo mund të kontribuojë në zhvillimin  e një diskutimi më produktiv mbi gjetjen e  politikave të duhura për të krijuar një tranzicion më të drejtë dhe më të rregullt drejt  emetimit të gazrave me efekt të ulët serë, ekonomive më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, duke marrë parasysh rrethanat kombëtare. Në lidhje me krizën e shkaktuar nga COVID-19, ministrat e Financave të vendeve të G20-ës mbeten të përkushtuar  për të siguruar që sektori financiar të sigurojë mbështetjen e duhur për rimëkëmbjen ekonomike duke ruajtur stabilitetin financiar.

    Në deklaratën përfundimtare  theksohet se sistemi financiar global ka tejkaluar pandeminë e deritanishme falë  një qëndrueshmërie më të madhe, mbështetur nga reformat rregullatore financiare  të G20-ës dhe nga një përgjigje adekuate e autoriteteve publike ndërkombëtare. Ky samit i ministrave të vendeve të G20- ës do të konsiderohet historik sepse gjatë  këtyre dy ditëve u vulos njëra prej reformave më të rëndësishme për sa i përket vendosjes së një arkitekture të re financiare  dhe më të drejtë të taksimit ndërkombëtar. Mbetet akoma kohë deri një tetor kur pritet një marrëveshje përfundimtare nga liderët e G20-ës në Romë, kohë gjatë së cilës do të miratohen edhe ndryshimet e mbetura dhe gjithashtu do t’u jepet mundësia edhe vendeve që ende nuk kanë rënë dakord për taksën prej 15% ndaj Korporatave të mëdha shumëkombëshe. Momenti është me të vërtetë historik. Le të presim deri në tetor. Dhe të përgatitemi të reflektojmë edhe  ne në situatat tona në reformat dhe politikat ekonomike, financiare e tatimore./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Harrojeni Atlantidën, ja cilat janë 4 qytetet e vërteta nënujore të lashtësisë

    Lajmi i rradhës

    Carovski: Mësimi me prezencë fizike varet nga gjendja epidemiologjike në vend

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë