Gjenocidi serb në rajon – një “tabu” për këtë maxhorancë

    TRITAN SHEHU

    Dy rezolutat parlamentare të domosdoshme për njohjen e dënimin e tij e evidentuan qartësisht këtë qëndrim thellësisht negativ e të rrezikshëm të Kryeministrit e “shumicës” në Kuvend. Fatkeqësisht, ky është një çmim tjetër i lartë, që Shqipëria po paguan për mungesën e një “boshti perëndimor” politik, për “Ballkanin e hapur”, si pasojë e vasalitetit të treguar në këto vite nga kjo maxhorancë ndaj Vuçiçit, Serbisë e projekteve të saj, siç është ai i “Jugosllavisë së Re”. Qëndrim ky, që pa asnjë lëkundje ka çuar e po çon në humbjen e orientimit politiko-strategjik të vendit tonë, të rolit lider të Shqipërisë për stabilitetin dhe rrugën europiane e perëndimore të rajonit, rol që në të gjitha analizat u takon shqiptarëve, si popullsia me pro perëndimore, me europeiste në Ballkanin Perëndimor, të ngelur tashme jashtë BE-së.

    Dhe kjo u lexua qartë me zhvillimet, në fakt po vazhdon të evidentohet, në të gjithë ecurinë e miratimit të dy rezolutave të paraqitura në Kuvend për njohjen e dënimin e gjenocideve serbe në rajon, atë në Srebrenicë e atë në Kosovë në vitet ‘98-’99:

    A-Pak muaj më parë u paraqit nga ne, një grup deputetësh, një projektrezolutë për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë, tërësisht e përputhshme kjo me atë të institucioneve ndërkombëtare e PE.

    Për habinë tonë më të madhe ajo u hodh poshtë nga kjo maxhorancë, duke ngjallur kështu një reaksion të fortë brenda e jashtë vendit, gjë që e detyroi “shumicën” të paraqiste më tej një projektrezolutë të re dhe që u votua pak ditë më parë.

    Rezoluta e paraqitur nga maxhoranca u votua, por u rrëzuan të katër amendamentet e propozuara nga ne për atë, që veçse tentonin ta nxirrnin nga konfuzioni i saj, paqartësia e madhe që e përben atë, mungesa e dëshirës për të njohur e dënuar direkt atë gjenocid e për t’i vënë atë emër, që ai ka dhe me të cilin e njeh e gjithë bota, “gjenocidi serb”.

    Kjo, sepse në atë rezolutë, që në titull dhe në tërë përmbajtjen e saj, ka mangësi apo deformime serioze, duke munguar dhe sinkronia me rezolutën e PE-së:

    1)Aty së pari pa u njohur e dënuar direkt gjenocidi në Srebrenicë, jo vetëm kjo në titull, por në të gjithë atë tekst të paraqitur në asnjë frazë e fjalë të tij, shprehet keqardhja për viktimat e tij, gjë që është një non sens i plotë.

    2) Së dyti, në atë material dënohet vetëm mosnjohja e gjenocidit nga autorët dhe jo gjenocidi vetë, që nuk ndeshet në asnjë germe të dokumentit. Në fakt, edhe autorët e përgjegjësit e tij kufizohen vetme te forcat serbo-boshnjake, duke deformuar kështu të vërtetën historike të tij.

    3) Dhe këtu thellohet paradoksi e pavërtetësia e asaj rezolute. Në asnjë shprehje të saj nuk dënohet gjenocidi serb si përgjegjës, por vetëm ai i realizuar nga forcat serbo-boshnjake të gjeneralit Mlladic. Kjo, në fakt, përbën një falsifikim të rëndë të atij realiteti tragjik, mbi bazën e të cilit gjykatat ndërkombëtare e kanë dënuar atë e po dënojnë jo vetëm Karacic e Mlladic, por dhe liderët e asaj kohe të Beogradit, si përgjegjës direkt të tij.

    Kjo gjë bie ndesh edhe me Rezolutën e PEsë, në pikën B të së cilës thuhet qartësisht se përgjegjësit e atij gjenocidi janë forcat serboboshnjake të Mlladic, së bashku me ato paramilitare, përfshi dhe repartet e Policisë së parregullt serbe të futura nga territori i Serbisë në Bosnje.

    Pra, sipas asaj rezolute gjysmake, edhe “falje” duhet të kërkojnë vetëm serbo-boshnjakët dhe jo Beogradi së bashku me tutorin e Ramës, Vuçiç.

    Një falsifikim i plotë i historisë e i së vërtetës së atij gjenocidi ky, që tronditi rëndë botën e Pasluftës së Dytë, që e detyroi atë te reagonte më tej, ndonëse me vonesë.

    4) Më poshtë në atë material futen krejt artificialisht, jashtë kontekstit, “sa për të larë” gojën, dy rreshta për ngjarjet në Kosovë në vitet ‘98-‘99, që në fakt dhe këto tentojnë të falsifikojnë historinë e të “shpëlajnë Serbinë” nga përgjegjësitë reale të saj.

    Aty përmendet si krim vetëm termi “pastrim etnik” ndaj Kosovës e nuk ka asnjë germë për atë që ndodhi dhe që e përcakton qartë dhe Parlamenti i atij vendi, gjenocidin mbi popullsinë shqiptare aty.

    Pastrimi etnik në Kosovë është një krim, që ka ndodhur pa ndërprerje në dekada të tëra nga Sebia. Risia e viteve ‘98-‘99 është se mbi atë u vendos dhe gjenocidi serb ndaj popullsisë se pafajshme. Ishte pikërisht ky gjenocid, që detyroi aleancën më të madhe demokratike në botë, SHBA, Britaninë, Gjermaninë etj., të ndërhyjnë ushtarakisht aty.

    Të mos përmendësh atë gjenocid, indirekt mbështet tezat e Beogradit se “agresioni” i vërtetë ishte ndërhyrja e NATO-s në Kosovë e bombardimet e saj, që e detyruan Milloshevicin të tërhiqet dhe jo krimet serbe.

    Kjo ndodh me këtë rezolutë të paraqitur nga maxhoranca, të paplotësuar nga amendamentet tona.

    5)Pikërisht për të korrigjuar këto probleme thelbësore të asaj rezolute, ne paraqitem katër amendamente për atë.

    Fatkeqësisht mësoj se ato janë rrezuar nga kjo maxhorancë, duke u miratuar kështu vetëm një rezolutë konfuze, jo e plotë, servile ndaj Beogradit e ndërtuar kështu mbi atë çfarë ai ka servirur për t’iu shmangur përgjegjësive, në kundërshtim me faktet historike të atij gjenocidi serb.

    B-Por përveç këtij zhvillimi për Srebrenicën kemi dhe një tjetër, që shkon në të njëjtat linja me të parin dhe përshkohet nga i njëjti “fill”, mosthënia e mospranimi i të vërtetave historike, që mund të krijojnë reaksione negative të Vuçiç &Co.

    U bë shumë javë që ne kemi paraqitur në Kuvend edhe një tjetër Rezolutë, atë për të njohur e dënuar gjenocidin serb në Kosovë në vitet ‘98-‘99.

    Në kundërshtim të plotë me rregulloren e procedurat e Kuvendit, kjo vazhdon të censurohet me të gjithë insistim tonë. I paimagjinueshëm një veprim i tillë, një turp i vërtetë ky për maxhorancën e Kuvendin tonë.

    Kaq e madhe qenka vartësia nga Vuçiç e kësaj maxhorance, sa kjo nuk ka as guximin ta lejojë kalimin në seancë, qoftë dhe për futje a jo për diskutim, të një Rezolute të tillë, duke shkelur rëndë kështu të gjitha rregullat e këtij Kuvendi.

    I paimagjinueshëm dhe i patolerueshëm një veprim i tillë i Kuvendit tonë, që bie ndesh jo vetëm me të vërtetat historike, mësimet që duhet të nxjerrim nga tragjeditë e ndodhura jo larg në kohë e distancë, por edhe me interesat tona kombëtare e rajonale.

    Sepse veprime të tilla në të vërtetë rrezikojnë paqen, stabilitetin e rrugën europianë të rajonit tonë.

    E kaluara tragjike nuk duhet harruar në vërtetësinë e saj, duhet pranuar edhe nga fajtorët duke kërkuar falje për sa ka ndodhur, nëse dëshirojmë realisht të mos përsëritet. Ky është mentaliteti e kultura perëndimore, që te ne duhet të mbizotërojnë.

    Ndryshe bëhemi pjesë e deformimeve të rrezikshme lindore, që veçse na largojnë nga “familja” jonë e vërtetë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Mos i mbuloni karrocat e femijëve, rrit rrezikun e mbinxehjes

    Lajmi i rradhës

    Opozita nis nga konceptet

    Lajme tjera

    PISA PO VJEN

    TESTI I RI PISA E GJEN SISTEMIN ARSIMOR TË KOSOVËS ME PROBLEMET E VJETRA Rezultatet e dobëta të…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë