Gjykata e Luksemburgut: Çdo punonjës ka nevojë për pushim ditor, javor e vjetor

    Xhezair Zaganjori

    Më datën 2 mars 2023, Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GjEDr), apo thënë ndryshe Gjykata e Luksemburgut, bazuar në Nenin 267 të Traktatit mbi Funksionimin e Bashkimit Evropian, dha një vendim të rëndësishëm paragjykimor mbi çështjen e përfitimit të pushimit ditor e javor, si dhe të lejes së pagueshme vjetore të çdo punonjësi.

    Duke iu përgjigjur pyetjeve të shtruara para saj nga një gjykatë hungareze, GjEDr vuri në dukje ndër të tjera se pushimi ditor duhet t’i jepet punëmarrësit në çdo rast, pavarësisht kohëzgjatjes së pushimit javor apo vjetor, sepse qëllimet që ato ndjekin janë të ndryshme. Çështja konkrete ka të bëjë me një punonjës të punësuar në Kompaninë e Hekurudhës Kombëtare Hungareze MAV-START, i cili ka ngritur një padi civile në gjykatën vendase (Gjykata e Shkallës së Parë në qytetin Miskolc të Hungarisë), me pretendimin se kompania në fjalë i kishte mohuar të drejtën për pushim ditor prej të paktën 11 orëve të pandërprera, brenda çdo 24 orëve, kur kjo kohë pushimi (pra, prej 11 orësh) i paraprin apo pason menjëherë pushimin javor ose edhe atë vjetor. Duket qartë që në këtë rast ka pasur një mbivendosje mes pushimit ditor e atij javor.

    Sipas kërkuesit, ky qëndrim i punëdhënësit bie në kundërshtim me Direktivën 2003/88/EC të BE-së “Mbi disa aspekte të organizimit të kohës së punës”, konkretisht me Nenet 3, 5 dhe 7 të saj, marrë së bashku me Nenin 31/2 të Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian. Kompania MAV-START mbrohej me argumentin se në rastin konkret punësimi bazohet në marrëveshjen kolektive të punës, përfunduar mes saj dhe bashkimeve profesionale respektive të punonjësve të kompanisë, në të cilën parashikohet një pushim javor prej të paktën 42 orësh të pandërprera, që është dukshëm më i lartë se minimumi i pushimit javor prej 24 orësh të parashikuar nga Direktiva 2003/88/.

    Sipas saj, në këto kushte nuk ka asnjë lloj disavantazhi edhe për kërkuesin në fjalë. Për më tepër, Kompania argumentonte gjithashtu se as vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese të Hungarisë dhe as legjislacioni relevant hungarez nuk e mbështesin idenë që pushimi ditor dhe pushimi javor, apo pushimi ditor dhe leja e pagueshme vjetore, duhet të jepen në çdo rast veçmas nga njëri-tjetri. Parë në këtë kuadër të argumenteve mes palëve, në thelb, pyetja kryesore që gjykata e qytetit hungarez Miskolc i ka drejtuar GjEDr-së është sqarimi i kuptimit të Direktivës 2003/ 88/ lidhur me faktin nëse pushimi ditor i punonjësve konkurron, pra, është krejtësisht i ndryshëm me pushimin javor, apo në raste të veçanta mund të jetë edhe pjesë e tij.

    Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, Gjykata e Luksemburgut bazohet kryesisht në: a) Nenin 31/2 të Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së, ku thuhet shprehimisht se “Çdo punonjës ka të drejtën … për pushim ditor dhe javor, si dhe për leje të paguar vjetore; b) Nenet 3, 5,7 dhe 16-18 të Direktivës 2003/ 88/, ku bëhet fjalë për pushimin ditor, javor e vjetor; c) Raportin e Komisionit të BE-së të vitit 2017 “Mbi zbatimin nga Shtetet Anëtare të Direktivës 2003/88/, si dhe Komunikatën Interpretuese të vitit 2017 mbi Direktivën 2003/88/, hartuar së bashku nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian.

    Fillimisht, duke iu referuar pretendimeve të Kompanisë, GjEDr vë në dukje se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Hungarisë nuk ka të bëjë me rregullimin në përgjithësi të problemeve që lidhen me pushimin ditor, javor e vjetor të punonjësve, por vetëm me ato që shërbejnë në sektorin e shëndetësisë, për të cilët, për shkak të specifikës së punës që realizojnë, normalisht që duhet të ketë një kuadër ligjor krejtësisht të veçantë. Nga ana tjetër, ajo vë në dukje rëndësinë dhe detyrueshmërinë që ka për Shtetet Anëtare e drejta e Bashkimit Evropian në tërësi, e në rastin konkret Direktiva 2003/88/, marrë së bashku me Nenin 31/2 të Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së.

    Më tej, GjEDr thekson se pushimi ditor, pushimi javor e leja vjetore e punonjësve përbëjnë tre të drejta të pavarura nga njëra-tjetra, sepse synojnë objektiva të ndryshëm. Pushimi ditor i krijon mundësinë punonjësit të shkëputet për një numër të caktuar orësh nga atmosfera apo ambienti i punës së përditshme që realizon. Këto orë pushimi te nevojshme për rigjenerimin fizik e mendor duhet të jenë të pandërprera e duhet të fillojnë menjëherë pas shkëputjes nga puna ditore. Pushimi javor i krijon mundësinë punonjësit të pushojë rregullisht dhe me afat kohor më të gjatë brenda çdo periudhe shtatëditore.

    Nga ana tjetër, leja e pagueshme vjetore synon një relaksim dhe rehabilitim të përgjithshëm personal disajavor, gjë që i shërben jo vetëm rigjenerimit individual, por edhe ruajtjes së efikasitetit në punë. Prandaj, normalisht leja vjetore nuk mund të zëvendësohet thjesht me pagesën e një shume në para, pa garantuar realisht edhe ditët e pushimit. Ky zëvendësim mund të bëhet vetëm në rastet kur me lejen vjetore, përfundon njëkohësisht edhe marrëdhënia e punës.

    Gjykata Evropiane e Drejtësisë vë në dukje më tej se nëse pushimi ditor do të bëhej pjesë e pushimit javor, do të humbiste thelbi i kuptimit të vetë kësaj të drejte, aq të domosdoshme për punën ditore të çdo punonjësi. Prandaj, ajo (Gjykata) thekson se Direktiva në fjalë jo më kot përcakton në tërësi një minimum të caktuar orësh për ushtrimin e të drejtës së pushimit javor, por është njëkohësisht shumë e kujdesshme të qartësojë gjithashtu se kjo periudhë qëndron më vete nga periudha që ka të bëjë me të drejtën e pushimit ditor.

    Mbi këtë bazë, GjEDr arrin në përfundimin se pushimi ditor nuk mund të jetë pjesë përbërëse e periudhës së pushimit javor, por është i pavarur prej saj, bile edhe atëherë kur periudha e pushimit ditor i paraprin apo pason drejtpërsëdrejti këtë të fundit (pra, pushimin javor). Gjykata sqaron me këtë rast se edhe kur legjislacioni kombëtar parashikon për punonjësit rregullime më të favorshme nga ato që përcakton Direktiva, gjë që duhet përshëndetur, (në rastin konkret minimumi i pushimit javor 42 orë në legjislacionin hungarez, në një kohë që në Direktivë ky minimum parashikohet jo më pak se 24 orë), përsëri punonjësi nuk mund të privohet nga të drejtat e tjera që përcaktohen prej saj.

    Prandaj, padyshim që duhet të garantohet në çdo rast edhe pushimi ditor, pavarësisht kohëzgjatjes së pushimit javor apo vjetor, parashikuar nga legjislacioni kombëtar i çdo Shteti Anëtar në BE. Në përfundim ritheksojmë se vendimi paragjykimor i GjEDr-së është i rëndësishëm. Ai i orienton mjaft mirë gjykatat e Shteteve Anëtare që në zbatim të Direktivës 2003/88 të BE-së, të kenë parasysh njohjen dhe garantimin sa më mirë të së drejtës për pushim ditor, javor e vjetor të çdo punonjësi.

    Këto të drejta nuk mund të mbivendosen, mes tyre, sepse ndjekin objektiva e qëllime të ndryshme. Në çdo rast: a)Minimumi i pushimit ditor brenda 24 orëve, duhet të jetë 11 orë të pandërprera (Neni 3 i Direktivës); b)Pushimi javor duhet të jetë jo më pak se 24 orë të pandërprera, në një kohë që orët e punës javore nuk mund të jenë më shumë se 48 (Nenet 5 dhe 6 te Direktivës), si dhe c) Leja e pagueshme vjetore, duhet të jetë jo më e vogël se katër javë (Neni 7 i Direktivës). Përgjithësisht kjo e drejtë në shumicën e Shteteve Anëtare të BE-së është 5-6 javë, që në terma konkretë do të thotë 28 ditë pune, shtuar këtu 10-12 ditë të pushimit javor respektiv, që në total bëjnë 38-40 ditë kalendarikë.

    Lajmi Paraprak

    Bastisjet nga xhandarmëria, nënkryetari i Bujanocit thotë se përmes tyre Serbia po synon shpërnguljen e shqiptarëve nga Malësia

    Lajmi i rradhës

    Gazetarët – si roje të qeverisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë