Gratë, zgjidhja e problemeve që i shkaktojnë burrat

    Zufer Bajrami

    Zufer Bajrami
    Shkenca politike – Marrëdhënie ndërkombëtare

    Gjithçka rreth zgjedhjeve lokale tingëllon shumë bukur. Parqe, lule, çerdhe, shkolla, biçikleta, urbanizëm, komunikacion, IA, parkingje. Gati sa nuk të kaplon ankthi kur e mendon se si do ta përballojmë krejt këtë ndryshim.

    Pastaj i sheh njerëzit e rreshtit të parë në tubime elektorale, çdo të tretin emër në listat e kandidatëve dhe “tufa” grash të tubuara në ndonjë cep, që duken më shumë si formacione defansive trupash të mundur në fushëbetejë sesa njerëz në një manifestim të demokracisë.

    E pastaj, ambienti toksik për gratë në selitë e partive. Shumë prej tyre vazhdojnë të konsiderohen “gra burrash” — janë aty sepse duhet ta zënë një vend, se ashtu e thotë ligji — e shumë pak prej tyre shihen si aktiviste, ku gjinia nuk luan ndonjë rol në hierarki.

    Nuk dua të flas për këto më lart. Por, për parqe, lulet, çerdhet, shkollat, biçikletat, urbanizmin, komunikacionin, kaosin dhe shumë të tjera, për të cilat partitë flasin tash e mbi 30 vjet, ndoshta edhe mund të flasim. Mirëpo, mund edhe drejtpërdrejt të konstatojmë: krejt këto më lart nuk realizohen për shkak të korrupsionit të partive.

    Dikush mund të thotë: çfarë ka lidhje kjo me dinamikën gjinore? Korrupsioni është korrupsion, vjedhja është vjedhje… Në një podcast me një nga mendimtarët më të njohur në fushën e qeverisjes së mirë dhe luftës kundër korrupsionit, Bo Rothstein nga “Instituti për Qeverisje të Mirë” në Göteborg, pyetet se cilat janë ndërhyrjet që mund të ndihmojnë në forcimin e dinamikës së demokracisë dhe qeverisjes së mirë.
    Mes tjerash, Rothstein thekson se një nga elementet më të rëndësishme është barazia gjinore.

    Sipas tij, legjislacioni suedez për kujdesin shëndetësor pranon se një mjek mund të përshkruajë një ilaç ose trajtim mbi dy baza: njohuri shkencore ose përvojë të provuar. Me këtë analogji, ai pranon se nuk ka bërë ndonjë studim që provon e shpjegon pse vendet me më shumë barazi gjinore janë më pak të korruptuara, por përvoja tregon se kjo lidhje ekziston.

    Për ta ilustruar këtë, dhe duke qenë se korrupsioni dhe format e ndryshme të tij janë vepra penale të dënueshme me ligj, ai na drejton të shikojmë kah burgjet, në të cilat, si rregull, mbi 96% e të dënuarve për vepra penale janë burra. Pra, gratë priren shumë më pak të përfshihen në sjellje që janë ose mund të konsiderohen kriminale.

    Më tej, ai thekson se, duke qenë se shumica e vendeve ndër vite kanë diskriminuar seriozisht gratë, sot diskriminimi gjinor më nuk është i pranueshëm. Prania e mosdiskriminimit gjinor mund të shihet si një sinjal ose indikator i shëndetit institucional të një shoqërie. Kur një sistem arrin të mos tolerojë diskriminimin mbi bazë gjinie, atëherë është e arsyeshme të pritet që kjo logjikë të fillojë të zgjerohet edhe në baza e fusha të tjera, që si epilog mund të kenë barazi më të madhe — por edhe, sigurisht, më pak korrupsion.

    Diskursi se mospërfaqësimi i grave është problem vetëm sepse i lë problemet e grave të paadresuara është, në fakt, reduktim e jo avancim. Jo vetëm gratë duhet të merren me problemet e grave, ashtu siç jo vetëm burrat duhet të merren me problemet e burrave.

    Apo ndoshta gratë janë zgjidhja e krejt problemeve të shkaktuara nga burrat.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit. 

    Lajmi Paraprak

    Komiteti i Helsinkit: gjuha e urrejtjes në procesin zgjedhor të RMV-së shqetësuese

    Lajmi i rradhës

    Tetovë, kallëzim penal ndaj dy inspektorëve për veprën penale pengim i drejtësisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë