Harmonizimi i politikës monetare me atë fiskale për kapërcimin e krizës aktuale

    PROF. ANASTAS ANGJELI

    Që ekonomia globale pritet të hyjë në recesion tashmë nuk ka më dyshim. Ky fakt përgjithësisht po pranohet nga të gjitha qeveritë e vendeve te zhvilluara. Paralajmërimi për një “dimër të vështirë” po përsëritet në çdo deklaratë të organizmave ekonomike ndërkombëtare. Rritja e çmimeve të lëndëve të para, kriza energjetike, lufta në Ukrainë dhe sëmundjet e prapambetura të ekonomisë botërore të lënë nga kriza e pandemisë, përbëjnë një miks shumë të rrezikshëm për dy vitet e ardhshme.

    Bordi i FED (SHBA) e ka bërë të qartë se frenimi i inflacionit është qëllimi i tij kryesor. Megjithatë, rritjet e çmimeve janë kryesisht për shkak të faktorëve të jashtëm, siç është pamjaftueshmëria e lëndëve të para, që duket vështirë se nuk mund të kontrollojnë politikat monetare edhe me ndërhyrjet e sinkronizuara të bankave qendrore. Zinxhirët e furnizimit në sistemin industrial rezultuan të papërgatitura për një rikthim kaq të shpejtë pas pandemisë të aktivitetit të biznesit në prodhim, në kërkesën e konsumatorëve për mallra dhe shërbime dhe në lëvizjen e lirë. Kjo mungesë u shoqërua në radhë të parë me rritjen e çmimeve të konsumit.

    Kriza energjetike që po përjetojmë tani filloi të inkubohet kur sasia e ofruar e produkteve të saj në tregjet ndërkombëtare, gradualisht filloi të zvogëlohej (përfshi këtu dhe vendimin e fundit për uljen e prodhimit të vendeve të OPEC). Shumë vende ndaluan nxjerrjen e naftës, gazit dhe hidrokarbureve fosile për shkak të pengesave që e bënë atë joekonomike për biznesin. Nga ana tjetër, pas injeksionit të pafund të likuiditeteve vitet e shkuara, Bankat Qendrore “nuk kanë me guximin për të rritur ofertën monetare”. Ato vijnë pas një periudhe “vërshimesh të mëdha monetare” për shkak të pandemisë. Kështu, pas më shumë se 20 vitesh, inflacioni po jep shenja shumë shqetësuese. Prandaj, atyre u mbetet vetëm të ndërmarrin veprime që lidhen me kufizimin e kërkesës për monedhe dhe për pasojë uljen e inflacionit. Rritja e normave të interesit është leva themelore për këtë problem.

    Por, rritja e normave të interesit në këtë moment është edhe “një thikë me dy presa”, sepse çon në një reduktim të konsumit për të balancuar mungesat, por nuk kufizon rritjen e kostos të prodhimit që e stimulon rritja e çmimeve të lëndëve të para. Sot, në kushtet e një huamarrjeje të fryrë, rritja e normave të interesit çon në një barrë shtesë të kostos së prodhimit, për shkak të rritjes së kostove financiare. Duket sikur “qeni kërkon të kafshojë bishtin e tij dhe rrotullohet në vend”. Sfida është se sa përgjegjësit e politikave shtetërore financiare dhe levat monetare të bankave qendrore do të gjejnë mënyra të kufizojnë rritjen e çmimeve duke shmangur një rënie të shpejtë ekonomike. Prandaj lind pyetja: A mund të reduktojnë mjaftueshëm kërkesën pa shkaktuar një recesion? Por sa e vështirë është kjo?

    NDIKIMI I LIKUIDITETIT TË REDUKTUAR DHE ALTERNATIVAT E POLITIKAVE EKONOMIKE TË SHTETEVE TË ZHVILLUARA PERËNDIMORE

    Likuiditeti është një nga elementet e para, nëse jo e para, që investitorët shikojnë, veçanërisht në këtë situatë. Kjo vlen si në tregun e aksioneve dhe të obligacioneve, ashtu dhe në pjesën tjetër të sektorëve të ekonomisë. Deri tani dhe prej disa muajsh, FED (dhe më pas bankat e tjera qendrore) janë angazhuar në & quot; sportin & quot; në veprimin e kundërt të asaj që kanë bërë vitet e fundit. Nga tendenca në çdo rast për të injektuar likuiditet në sistem, tashmë, duke e kuptuar se e kanë tepruar, tentojnë ta tërheqin këtë likuiditet. Shumë ide të mira kthehen në të këqija kur mjetet bëhen të tepërta dhe mbi limit. Likuiditeti “nga një ilaç u shndërrua në një drogë”.

    Që kur Alan Greenspan ishte kryetar i FED, bota është mësuar me norma jashtëzakonisht të ulëta interesi dhe likuiditet të tepërt. Kthimi në një regjim monetar më te shtrënguar, ka efekte anësore. Ky është një tranzicion i vështirë dhe në shumë raste dhe i dhimbshëm. Në SHBA, tregjet dhe ekonomia në përgjithësi, e varur nga paratë e bollshme dhe të lira, tani po shfaqin shenja abstenence nga investimet dhe vështirësi në rritjen e konsumit. Investitorët po reagojnë si një i droguar që i hiqet doza dhe që vuan pa të.

    Përpara se kriza të përhapet në pjesën tjetër të ekonomisë, sipas të dhënave të Bloomberg, indeksi i kapitalit sipërmarrës është tani në 62% të nivelit të tij më të lartë, duke arritur një nivel të ri shumë të ulët, jo shumë larg vendit ku ishte në kulmin e panikut pandemik në mars 2020. Eurozona po përballet me një recesion edhe më të thellë sesa ishte parashikuar më parë pasi lufta në Ukrainë dhe furnizimi me gaz gjunjëzoi lokomotivën e ekonomisë europiane, Gjermaninë. Sipas ekonomistëve të “Deutsche Bank”, PBB-ja do të tkurret me 2.2% vitin e ardhshëm, krahasuar me një parashikim të mëparshëm për një tkurrje prej 0.3%. Ndërkohë, inflacioni duket se do të fiksohet mesatarisht 6.2% në 2023, nga 8.2% në 2022.

    Gjithë kjo, sepse industria gjermane ka ndërprerje të vazhdueshme të zinxhirit të furnizimit, tregjet e punës janë të shtrënguara dhe një euro e dobët nuk kompenson dot ndikimin e përkeqësimit të ekonomisë. “Deutsche Bank” ende pret që Banka Qendrore Evropiane të rrisë normën e saj të depozitave mbi 2.5% deri në fund të tremujorit të tretë. Në vlerësimin e tij të fundit për ekonominë globale, FMN-ja evidentoi faktin se “për shumë njerëz në vitin 2023 do të ketë një ulje reale të të ardhurave dhe për shumë biznese rënia do të jetë shumë e ndjeshme”. Për këtë arsye ajo ka ulur parashikimet e saj të rritjes ekonomike për shkak të ndikimit të pushtimit rus të Ukrainës. Ky organizëm parashikon se rritja globale do të ngadalësohet në 2.7% vitin e ardhshëm, 0.2 % më e ulët se parashikimi i korrikut.

    Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se “më e keqja nuk ka ardhur ende” për ekonominë botërore, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon dhe çmimet do të vazhdojnë të rriten. Në aspektin makroekonomik mendohet se një e treta e ekonomisë globale do të shohë dy tremujorë radhazi të rritjes negative, ndërsa tri ekonomitë më të mëdha, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Kina, do të vazhdojnë të ngadalësohen ritmet e zhvillimit të tyre. Këto parashikime mbështeten në tri ngjarje kryesore që pengojnë aktualisht rritjen: pushtimi i Ukrainës nga Rusia, shtrenjtimi i kostos së jetesës dhe ngadalësimi ekonomik i Kinës. Së bashku, krijojnë një periudhë “të paqëndrueshme” ekonomikisht, gjeopolitikisht dhe ekologjikisht. Çmimet e ushqimeve janë rritur ndjeshëm në të gjitha vendet e Evropës Perëndimore, por dhe në vendet në zhvillim.

    FMN parashikon se inflacioni global do të arrijë kulmin në fund të vitit 2022, duke kaluar nga 4.7% në 2021 në 8.8%. Inflacioni global ka të ngjarë të ulet në 6.5% në 2023 dhe në 4.1% deri në 2024. Ky parashikim mbështetet në faktorët konstantë aktualë dhe nuk merr parasysh të papriturat e mundshme të ndryshimeve gjeopolitike. Agjencia vuri në dukje se është e domosdoshme thellimi i shtrëngimit të politikës monetare në të gjithë botën për të luftuar inflacionin dhe “vlerësimin e fuqishëm” të dollarit amerikan kundrejt monedhave të tjera. Lufta në Ukrainë vazhdon të “destabilizojë fuqishëm ekonominë globale” dhe sipas të gjithë informacioneve të fundit, ajo ka shkaktuar “një krizë të rëndë energjetike në Evropë”, së bashku me shkatërrimin e vetë Ukrainën.

    Çmimi i gazit natyror është më shumë se katërfishuar që nga viti 2021, pasi Rusia tani jep më pak se 20% të niveleve të vitit 2021. Kësaj tendence i është bashkuar dhe kriza e drithërave dhe e plehrave kimike, faktorë këto që japin presione shumë të mëdha në rritjen e kostove të prodhimit dhe mbi të gjitha në konkurrencialitetin e mallrave të prodhuara në E.U. Për specialistët e tregjeve dhe ekonomitë e vendeve në zhvillim goditjet e vitit 2022 do të “rihapin plagët ekonomike që u shëruan vetëm pjesërisht pas pandemisë”, thuhet po në këtë raport. “Dimri 2022 do të jetë sfidues për Evropën, por dimri i vitit 2023 ka të ngjarë të jetë më i keq”.

    Mungesa e gazit, çmimet shumë të shtrenjta të energjisë elektrike në të gjithë Evropën, shihen si produkt i marrëveshjes së gabuar të qeverisë Merkel midis Gjermanisë dhe Rusisë disa vite më parë. Në shumë vende, normat aktuale të inflacionit kanë dyfishuar parashikimet. Ndërsa të gjitha këto po ndodhin në ekonominë botërore, edhe Shqipëria si pjesë e saj, paraqet problemet e veta. Vetëm dy javët e fundit në Shqipëri bëri vizitën e radhës misioni i FMN, u bë një analizë e hollësishme e ekonomisë shqiptare në prag të diskutimit të politikave financiare dhe monetare që do të materializohen te buxheti i ri për vitin 2023. Analiza SWOT e faktorëve që do të jenë të nevojshme për ndërtimin e politikave ekonomie që stimulojnë kapërcimin e vështirësive të krizës aktuale dhe të pritshme globale dhe kombëtare.

    JA DISA NGA PIKAT E FORTA TE EKONOMISE SHQIPTARE NE KETE SITUATE.

    1. Ekonomia shqiptare është pothuajse tërësisht e pavarur nga gazi rus dhe ndikimi i çmimit të tij direkt te konsumatorët konsiderohet relativisht i papërfillshëm. Rritja e çmimit të lëndeve djegëse mbetet një fenomen i izoluar në aspektin e reaksionit zinxhir që gazi ka sjellë në industrinë e vendeve europiane, pavarësisht se godet fort buxhetet familjare dhe bizneset që lidhen me transportin. Shpresa që dimri do të rrisë mundës inë e prodhimit të energjisë elektrike brenda vendit, kufizon kërcënimin e rritjes së çmimit të energjisë.

    2. Ekonomia shqiptare, sipas shumë ekspertëve, rikuperoi pjesën më të madhe të dëmeve që solli tërmeti dhe pandemia duke riformatuar aftësitë investuese të bizneseve private, sidomos atyre të degëve të ndërtimit dhe turizmit. Këta dy sektorë patën rritjen më të madhe që nga viti 2002.

    3. Këtë vit, Shqipëria pati një rekord të ri të vizitorëve turistikë dhe një rritje të ndjeshme të degës së shërbimeve, sidomos në tremujorin e tretë të këtij viti. Mendohet që kjo stimuloi tregun e punës dhe pati presione edhe në nivelin e pagave.

    4. Shqipëria pati një rënie të ndjeshme të nivelit të papunësisë pavarësisht se ky fenomen ka elementet e tij të diskutueshëm, që do të analizohen pikat te kërcënimet.

    5. Banka e Shqipërisë po përdor drejtë politikën monetare dhe ka arritur të mbajë në kontroll kursin valutor dhe rënia e euros nuk ka dhënë presione inflacioniste te mallrat e importuar, përkundrazi ka kufizuar rritjen e çmimeve të këtyre mallrave.

    6. Ekonomia shqiptare këtë vit arriti të frenojë ritmin e rritjes së borxhit publik, pasojë e paketave gjatë kohës së pandemisë dhe krijoi premisë buxhetore korrente për ndërhyrje të përzgjedhura te shtresa te veçanta të shoqërisë.

    DHE DISA PIKA TE DOBETA

    1. Lufta kundër informalitetit dhe ekonomisë së “nëndheshme” mbetet një nga pikat më të dobëta të ekonomisë shqiptare. Reformat e shpallura në këtë drejtim akoma nuk kanë dhënë rezultatet e pritura dhe ristrukturimi i sistemit të drejtësisë së reformuar, kërkon ende kohë që të garantojë eficiencën e pritur të funksionimit të tij.

    2. Sistemi tatimor, edhe pse ka pasur investime të mëdha me zbatimin e projektit të fiskalizimit, ende nuk ka arritur të perfeksionojë kontrollin elektronik të subjekteve dhe personave fizikë. Të ardhurat e pritshme këtë vit nga ky proces janë larg objektivit. Është shumë i rëndësishëm krijimi i një personeli të kualifikuar që të përdorë sa më mirë sistemet e kontrollit dhe jashtë edukatave korruptive potenciale që vetë sistemi mbart.

    3. Një pikë e dobët e ekonomisë shqiptare është borxhi i lartë publik dhe thellimi i pabarazisë sociale. Pavarësisht se borxhi publik ka ndërruar kah në ritmet e rritjes, ai mbetet ende shumë i lartë dhe mbi të gjitha për shkak të kushteve të ekonomisë botërore (rritja e normave te interesit) kostoja e shërbimit të tij do të jetë një barë e rëndë për të gjithë. Ristrukturimi i borxhit publik dhe mbi të gjitha ulja sa më e shpejtë e tij i hap rrugë një zhvillimi më të qëndrueshëm dhe mbi të gjitha ngushton thellimin e pabarazisë sociale.

    4. Një element shumë i rëndësishëm është mungesa e investimeve të huaja direkte. Ky është një problem që lidhet jo vetëm me ndryshimin e klimës së biznesit, por dhe me besimin që investitorët e huaj kanë në sistemin ekonomik shqiptar.

    JA DISA NGA KËRCËNIMET NDAJ EKONOMISË SONË

    1. Rritja e degës së ndërtimit dhe sidomos rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme në vendin tonë është një kërcënim serioz për gjithë ekonominë shqiptare, nëse ky fenomen nuk menaxhohet me kujdes. Sipas vëzhgimeve të BB dhe INSTAT-it, sipërfaqet e lejeve janë shtuar ndjeshëm dhe tregu i pasurive të paluajtshme është zgjeruar, sidomos në kryeqytet. Sipas Indeksit Fischer të Çmimeve të Banesave, i llogaritur nga Banka e Shqipërisë, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë 6-mujorit I 2022 është rritur me 28.4% në krahasim me 6-mujorin e kaluar dhe me 39% në krahasim me një vit më parë. Kjo është rritja më e lartë 6-mujore e këtij indeksi që prej vitit 2013, kur Banka e Shqipërisë nisi llogaritjen e tij. Në raport me periudhën bazë, indeksi i çmimeve të banesave është rritur me afërsisht 110%.

    2. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në deklaratën e fundit për Shqipërinë, ka këshilluar që të tregohet kujdes për ndikimin që mund të ketë vrulli i ndërtimeve dhe zgjerimi i tregut të pasurive të paluajtshme në stabilitetin e sektorit financiar dhe bankar.

    3. Vitet e fundit kemi një rënie të konkurrencialitetit të treguesve të ekonomisë shqiptare dhe mbi të gjitha një dobësim të klimës së t bërit biznes. Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së kanë theksuar vazhdimisht se investimi i vazhdueshëm në reforma rregullatore dhe strukturore, të cilat nxisin dhe inkurajojnë stabilitetin makroekonomik të vendit, përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e eficiencës dhe të konkurrueshmërisë, përmirësimin e kapaciteteve njerëzore, si dhe zhvillimin e gjithanshëm të infrastrukturës, është rruga e vetme drejt një progresi më të shpejtë ekonomik dhe social.

    4. Emigracioni i vazhdueshëm që po kalon Shqipëria, përveçse ka ulur moshën mesatare të popullsisë, ka krijuar mungesa të ndjeshme në profesione dhe segmente të caktuara të tregut të punës. Shifrat në ulje të papunësisë duhet ta mos na krijojnë iluzione të rreme sepse rritmi i uljes se papunësisë është më i ulët se ritmi i punëzënies së punonjësve të rinj.

    DISA OPORTUNITETE

    1. Shume ekspertë, por dhe përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së, mbështetën ndryshimin e kursit të politikës monetare të ndërmarrë nga BSH-ja, pavarësisht nga rritjet e njëpasnjëshme e normës së interesit. Ata janë të mendimit se sistemi bankar i ka përballuar mirë goditjet e njëpasnjëshme, mbështetur nga përpjekjet e vazhdueshme të BSH-së për të forcuar rregullimin dhe mbikëqyrje, në përputhje me standardet e BE-së, që mundëson sigurimin e mjeteve për të menaxhuar më mirë rreziqet e stabilitetit financiar.

    2. Duke treguar vendosmëri në vijimin e mëtejshëm të përpjekjeve drejt deeuroizimit të ekonomisë, si një masë e nevojshme për një transmetim më të mirë të politikës monetare dhe ruajtjes së stabilitetit financiar, ekonomia shqiptare ka të gjitha kushtet të përdorë levat financiare të efektshme për luftën kundër inflacionit. Ajo ka hapësira monetare për të ndihmuar Ministrinë e Financave që në mënyrë kirurgjikale të ndërhyjë me politika sociale në shtresat më të ekspozuara ndaj krizës së shoqërisë shqiptare.

    3. Te gjithë janë dakord me politikën e Bankës së Shqipërisë se inflacioni vazhdon të mbetet një sfidë kryesore për stabilitetin makroekonomik dhe rritjen e qëndrueshme të vendit. Inflacioni është rritur ndjeshëm, por pritet të ulet gjatë vitit 2023 dhe marrja e masave për zbutjen dhe kthimin e tij në objektiv është në fokus kryesor të punës së Bankës Qendrore. Parashikimet e ritmeve të inflacionit janë premtuese për të ardhmen. Normalizimi i politikës monetare ka qenë i nevojshëm për të zbutur këtë tregues, ndërkohë që ka pasur një vigjilencë të shtuar ndaj normave më të larta të interesit për të ruajtur stabilitetin financiar. Konsolidimi i sektorit bankar, përmirësimi i ambientit të kredisë, zhvillimi i gjithanshëm i tregjeve financiare, kanë sjellë përmirësime të dukshme cilësore në qëndrueshmërinë dhe eficiencën e sektorit bankar.

    4. Së fundi, Shqipëria ka ende oportunitete në përmirësimin e reformave strukturore, sidomos atyre tatimore dhe fiskale me qëllim realizimin më të mirë të objektivit të të ardhurave buxhetore. Vlerësimi i PBB-së për këtë vit mbeti i qëndrueshëm, në rritje 3.2%, pavarësisht se përfaqëson një rënie në raport me 6% që ishte në 2021. Buxheti i vitit të ardhshëm është ndoshta nga momentet më të rëndësishme të politikës ekonomike financiare të qeverisë dhe për të pasur një harmonizim optimal të politikës monetare me atë financiare e buxhetore (si parim i rëndësishëm aq më tepër në situatë krize) që do të thotë mes politikës të rritjes së normës së interesit, qëndrueshmërisë së monedhës sonë kombëtare –lekut dhe politikës tatimore (në kohë krize nuk mund të ketë rritje të tatimeve e taksave, por përmirësim të administrimit fiskal) dhe riprioritizim të shpenzimeve që mbajnë në konsideratë efektet e dy krizave të fundit, ristrukturimin e ekonomisë dhe buxhetimin (mbështetjen) e shtresave ne nevojë nga njëra anë dhe mbajtjes në kontroll të borxhit publik dhe deficitit buxhetor nga ana tjetër. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Mickoski: Vikend pa TVSh, për të zbutur çmimet e larta të produkteve

    Lajmi i rradhës

    Propozimi francez për vizat “mund të ndryshojë”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë