I tha të gjitha, askush nuk mund të thotë nuk e dija

    PREÇ ZOGAJ

    I ngarkuari i Departamentit  të Shtetit për Ballkanin  Perëndimor, zoti Gabriel Eskobar, i tha  të gjitha  gjatë  vizitës së tij në Tiranë dhe sidomos në intervistën që i dha  gazetarit Sokol Balla për televizionin News 24.

    Tha se SHBA nuk e takojnë Sali Berishën të shpallur non gratta prej tyre, tha se PD do të ketë pasoja nëse rimerret nga një person i shpallur non grata, tha se  kjo masë ndëshkuese  është   një përpjekje  midis agjencive , midis shumë agjencive , që përfshijnë Departamentin e Thesarit, FBI-në, Departamentin e Sigurisë Kombëtare, Departamentin e Shtetit për të kuptuar ku është korrupsioni dhe ku është ndikimi gërryes i tij. Tha se shpallja e Berishës ka nisur nga administrata e mëparshme e Presidentit Tramp, tha se SHBA ndjekin korrupsionin aty ku është, se non grata është një vendim institucional, jo politik. Do të thotë se nuk ndjekin parimin e balancimit, kaq ne shtetin iks, kaq në shtetin ypsilon, kaq  nga qeveria, kaq nga opozita, por shohin  ku është korrupsioni konkretisht, ku është  minimi i demokracisë dhe pengimi i drejtësisë që janë tre motivet bazë të  ndëshkimit me non grata; Zoti Eskobar  tha do të shohim më shumë raste në Ballkanin Perëndimor, domethënë edhe në Shqipëri. Tha se  SHBA bëjnë pjesën e tyre me instrumentin  që kanë në duar sipas ligjit amerikan,  se provat i jepen  drejtësisë,  se  Shqipëria dhe drejtësia shqiptare  duhet të  bëjnë pjesën  e tyre në  betejën kundër korrupsionit.  Zyrtari i lartë amerikan  rrezoi  ne këtë mënyrë  gjithë narrativën e   Berishës nga një foltore në tjetrën  për shpalljen e tij non grata  dhe prognozat e lehta e  libreske  të atyre që flasin për një “ gabim që do të korrigjohet  shpejt” nga SHBA.  Zoti Eskobar tha  edhe  plot gjera të tjera  të reja, me interes dhe me vlerë për marrëdhëniet mes dy vendeve, ku spikat dëshira e SHBA për të thelluar marrëdhëniet strategjike me Shqipërisë , sikurse la të kuptohej qartë se SHBA janë   të  pakënaqur me qeverinë  dhe me produktin e deritanishëm  të drejtësisë së re.

    Por le të qëndrojmë te pohimet dhe qëndrimet zyrtare të SHBA  që lidhen me ngjarjet  dhe me krizën që po  përjeton  Partia  Demokratike. Tani askush  nuk mund të thotë “ nuk dinim gjë”. Të zgjedhurit e çdo niveli të  kësaj partie presupozohen se janë njerëz politikë që  informimin e kanë ushqimin e tyre të përditshëm.  Ata nuk mund të thonë “ nuk e dinim”. Askush  nuk mund të thotë nuk e dinim. Vetë Sali Berisha  me përvojën e madhe që ka e kupton mirë zyrtarin amerikan kur ky i fundit thotë “ kemi një politikë” në raste se PD merret nga një person i shpallur non grata prej tyre. Berisha e kupton mirë se ngjarjet janë kombinuar  kundër tij, se non grata në shkallë botërore  është stuhia e re që kanë ngritur ShBA  për të shpëtuar, shëndoshur e rivendosur demokracinë në altar përballë regjimeve autokratike siç është Rusia e Putinit apo regjimeve njëpartiake, siç është Kina,  regjime që  investojnë  fuqishëm për të minuar antipodin e tyre,  demokracinë.

    Presidenti Biden po ndërton  dhe po  udhëheq aleancën  e vendeve demokratike  të Europës dhe  botës në ketë betejë, duke i dhënë peshë të madhe shpalljes non grata të zyrtarëve  të përfshirë  në afera korruptive. Do të ketë një listë të gjatë. Shembujt e shumtë do ta vështirësojnë  përpjekjen e Berishës për ta zhvlerësuar  këtë instrument,  duke u nisur nga rasti i tij. Atij do t’i mbetet të presë.  Foltorja i shërbeu për të ndjerë mbështetjen  e shumë demokratëve, afeksionin e tyre për të si lider  historik, detyrimin e tyre njerëzor  për ti ndenjur pranë në ditë të vështira. Kjo nuk është pak për kënaqësinë dhe sadisfaksionin e një veterani të politikës. Por në këtë moment, duke e ditur se nuk mund të bëjë asgjë, përveçse të presë, duhet të jetë Berisha ai që duhet tu kërkojë mbështetësve  të mos sakrifikohen për të, por të  bëhen pjesë e një PD-jë  të bashkuar që mund të fluturojë drejt fitores pasi ka hequr gjylet e dualizmit dhe ka fituar bashkëpunimin e ngushtë me SHBA. Fitorja e PD-së do të ishte shansi me real, nëse  ekziston  një i tillë, edhe për  vetë problemin e zotit Berisha./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Misteri i shtëpisë më të vetmuar në botë

    Lajmi i rradhës

    Çmimet për konsumatorët amerikanë arrin nivelin më të lartë në 40 vjet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë