Ja pse Sali Berisha është një humbës ekzemplar në politikën shqiptare

    ERGYS MËRTIRI

    Berisha dhe berishistët akuzojnë Lul Bashën për humbës serial, por në fakt, nëse ka një humbës ekzemplar, politika shqiptare në historinë elektorale të paskomunizmit, ky është Sali Berisha.

    Në vitin 1992, ai erdhi në pushtet me një rezultat zgjedhor spektakolar që tregonte indinjatën e popullit me diktaturën. Partia Socialiste në këto zgjedhje mori vetëm 38 vende në Parlament, ndërsa PD ‘92 dhe të tjerat i morën aleatët e PD-së. Pas këtij momenti, Berisha ka njohur një situatë elektorale dëshpëruese, duke e sakatuar peshën elektorale të së djathtës.

    Menjëherë pas fitores së ‘92-shit, ai humbi zgjedhjet vendore, humbi referendumin për Kushtetutën dhe pas fitoreve të dyshimta në ‘96 (të ardhura për shkak të manipulimeve, por edhe iluzioneve të krijuara nga firmat piramidale), rikthehet në humbjet e njëpasnjëshme të viteve 1997- 2003, përfshi këtu edhe referendumin për Kushtetutën.

    Në 2005, me gjithë degjenerimin total të shtetit nga qeverisja Nano, ai nuk do të fitonte dot nëse PS-ja nuk do të përçahej prej Ilir Metës, 5 mandatet e të cilit e nxorën Nanon në opozitë.

    Katër vjet më pas, pas një qeverisjeje relativisht të mirë, por me një megaskandal si Gërdeci, Berisha nuk arriti të fitoje dot 71 mandate, megjithëse ishte ne pushtet e megjithë betejat ligjore të fituara në KQZnë e kontrolluar prej tij. U desh që pushteti të ndahej me Ilir Metën për të mbijetuar.

    Vjen pastaj 2013-a, ku Berisha pësoi humbjen më të turpshme në historinë elektorale të demokracisë shqiptare. Megjithëse në pushtet, ai arriti të marrë vetëm 56 mandate përfshi edhe aleatët, duke humbur, për herë të parë në historinë e PD-së, edhe bastionet si Shkodra dhe Kavaja.

    E megjithatë, Berisha nuk iku pas kësaj. Dha një dorëheqje formale, duke u përpjekur ta mbajë PD-në nën kontroll nga pas kuintave. Për ta mbajtur peshën e tij të influencave, iu desh që gjatë kësaj kohe të ruante vendin e tij në Parlament, si dhe të vazhdojë të jetë aktiv në media, ndonëse kjo dukej e shëmtuar dhe e dëmshme për PD-në.

    Sigurisht, Lul Basha ka fajet e veta në humbjet që pasojnë dhe do të ishte normale që ai të largohej pas tyre. Por, a është vetëm Luli që duhet të paguajë këtë faturë?

    Do ishte qesharake nëse do të mendonim se humbësi historik i zgjedhjeve në PD nuk ka pasur ndikim në pengimin e frymës së nevojshme për të rrëzuar Edi Ramën. Të gjithë e kemi parë Berishën superaktiv gjatë këtyre katër vjetëve, duke dubluar rolin e kryetarit. E kemi parë atë të bëjë protagonistin në Parlament, në deklarata për shtyp, të shëtisë studio më studio në debate politike, si dhe në çdo aksion të opozitës. E kemi parë gjithashtu Berishën të imponojë aksione opozitare, të nxisë turmat brenda PD-së në reagime të ndryshme, përfshi këtu edhe djegien e mandateve, duke interferuar axhendën e opozitës në funksion të linjave të axhendës së tij paralele.

    Pra, Berisha ka qenë de fakto bashkëkryetar i PD-së dhe është pa sens pretendimi i tij se çdo sukses elektoral në këto 8 vite, PD-ja e ka për shkak të mbështetjes së tij, ndërsa çdo dështim, për shkak të paaftësisë apo poshtërsisë së Bashës. Ai është faktor i rëndësishëm në humbje, duke qenë faktor i rëndësishëm ndikues në vendimmarrje. Ai e ka shtyrë opozitën drejt një strategjie të gabuar, jo fituese, që në fakt u ka shërbyer më shumë interesave të tij personalë. Ai ka ndikuar për ta orientuar opozitën drejt mjeteve të rrugës, përplasjeve të kota, tensioneve të panevojshme dhe politikës se bojkotit, çfarë e ka dobësuar atë, si ne peshën e saj institucionale, ashtu edhe në atë publike, ndërsa ka prodhuar frustracion te mbështetësit.

    Por, edhe sikur të mos jetë e vërtetë që Berisha ka qenë bashkëkryetar i PD-së në këto 8 vite, fakti që në sytë e opinionit është perceptuar masivisht se ai është kryetari real, ndërsa Luli është vetëm kryetari formal apo kukulla e tij, natyrisht që do të sjellë efekt elektoral negativ. Me protagonizmin e tij publik, Berisha ka dëmtuar kryetarin e opozitës, i cili është perceptuar nga publiku si i paaftë të çlirohet nga Berisha, ndërsa ka dëmtuar PDnë, e cila është perceptuar si forcë politike nën kontrollin e tij. Për sa kohë një masë e madhe njerëzish kane besuar se, duke votuar Bashën, po votojnë për Berishën, sigurisht që Berisha ka përgjegjësi në rezultat.

    Pretendimi i kundërt i Berishës se ai vetëm e ka ndihmuar Bashën, pasi, sipa stij, shumë njerëz ia kanë pohuar se Bashën e mbështesnin vetëm sepse e mbështeste Berisha, është non sens e madje qesharak. Për sa kohë ka njerëz që e mbështesin dhe e votojnë Bashën, pasi mendojnë se atë e mbështet Berisha, sigurisht që ka shumë të tjerë që nuk e duan dhe nuk e votojnë, pikërisht se mendojnë se atë e mbështet Berisha. Pretendimi për të larë duart dhe për të llogaritur vetëm pjesën e parë, është mungesë e thellë logjike.

    Nga ana tjetër, roli i Berishës në mbajtjen e PD-së në statusquo, duke e ngrirë atë për ta penguar të ndryshojë, është evident. Ai ka ndihmuar në mbajtjen e një klime tensioni të vazhdueshëm ndaj kryetarit, duke penguar reformimin e partisë, largimin e figurave të konsumuara për t’i hapur rrugë afrimit të figurave të reja, me moralin, kulturën, reputacionin e duhur për të krijuar një fytyrë të re. Ai është përgjegjës për kontributin e dhënë në mbajtjen e partisë në batakun e 2013-s, duke pretenduar të rivijë në pushtet me të njëjtët njerëz. Fakti që pikërisht këta njerëz të konsumuar po e ndjekin sot me përkushtim, tregon se ata njerëz kanë mbetur në politikë, pikërisht për shkak të Berishës.

    Në fund fare mund të themi se, sigurisht qe Luli ka shumë faje për humbjet e këtyre 8 vjetëve, por Berisha është një humbës i pakrahasueshëm, pasi mban mbi shpinë humbjet e veta plus pjesën e vet të fajit për humbjet gjatë 8 viteve të Lulit.

    Berisha është humbësi historik në PD. Në 30 vjet, ai ka prodhuar aq shume antagonizëm, polarizim, tensione, zhgënjime, sa një pjesë e madhe e elektoratit të djathtë ka zgjedhur të mos votojë më, pa llogaritur ata që kanë lëvizur në parti të tjera si LSIja, apo edhe PS-ja. Me politikën e tij arrogante, me gjuhën e fyerjeve, linçimeve, akuzave pa fakte, shpifjeve, teoritë e konspiracionit, ai reflekton një kulturë politike që i bën shumë njerëz të mos ndihen të përfaqësuar. Në tri dekada, ai ka akumuluar aq shumë braktisje, sa ai nuk mund të jetë kurrë më një faktor bashkues apo zgjerues i shtratit elektoral të së djathtës. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Idhujtaria

    Lajmi i rradhës

    Letër e shkurtër për lëvduesit kronikë të Edi Ramës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë