Krimet e Luftës dhe Qeveria e Kosovës

    Ismet Haxhiavdija në rrënojat e Gjakovës

    Shkëlzen Gashi

    Për 20 vjet Kosova nuk bëri pothuajse asgjë për t’i dokumentuar krimet e forcave policore e ushtarake sërbo-jugosllave gjatë viteve 1998-1999: vrasjet e civilëve, përdhunimet e grave e të burrave, burgosjet dhe pengjet, deportimet brenda dhe jashtë Kosovës, komunitetet e shkatërruara (fshatra të rrënuara, komunitete të lëna pa burra, plaçkitje të pasurive të tundshme, konfiskime të dokumenteve personale), objektet e shkatërruara (shtëpitë, shkollat, ambulantat, fabrikat, xhamitë, medreset, teqet, kishat…), e kështu me radhë.

    Ku ishin dhe çka bënë ata që e udhëhoqën Kosovën këta 20 vjet? Shpërfillja prej tyre e çështjeve kaq të ndieshme e të rëndësishme, me të drejtë përbënte ndër kritikat më të ashpra të Lëvizjes Vetëvendosje!. Prandaj, gjatë gjithë dekadës që lamë pas, Lëvizja Vetëvendosje! në paraqitjet publike premtonte përgatitjen e një platforme reparative për krimet e kryera gjatë luftës, e cila do të ngërthente një mori elementesh. Fatkeqësisht, elementet e kësaj platforme reparative u reduktuan gjatë hartimit të programit të Qeverisë 2021-2025. Sido që të jetë, dy elementë shumë të rëndësishme u përfshinë në këtë program: Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës dhe Padia për Gjenocid Kundër Sërbisë.

    Image

    Zyrtarë të FBI-së në një shtëpi në Gjakovë më 25 qershor 1999, duke kërkuar prova për masakrën e 20 shiqptarëve nga forcat serb në prill 1999. Foto është realizuar nga Jerome Delay / AP photo

    Qeveria e Kosovës premton se do ta themelojë me ligj Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, me mision të përcaktuar qartë, me financim adekuat dhe me njerëz profesionistë e kompetentë. Mirëpo, kaluan 13 muaj, përkatësisht çereku i mandatit të Qeverisë, e Ligji ende nuk është hartuar. Nëse për ta hartuar Ligjin janë dashur këta 13 muaj, me siguri do të duhen edhe të paktën gjashtë të tjerë për ta miratuar atë në Kuvend, e me gjasë edhe gjashtë të tjerë për ta themeluar Institutin. Çështje tjetër shumë me rëndësi është edhe se kush do të jenë profesionistët e kompetentët me të cilët do të ngrihet ky Institut.

    Në programin e Qeverisë thuhet se prioritet do të jetë përgatitja e Padisë për Gjenocidit kundër Sërbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Vështirë se do të dorëzohet kjo padi, jo veç pse Kosova nuk është anëtare e OKB-së, por edhe nëse pranohet, Sërbia mund të mos dënohet. Kjo, për të paktën dy arsye:

    E para, më 31 gusht 2001, një panel i Gjykatës Supreme të Kosovës, i përbërë nga dy gjykatës ndërkombëtarë (njëri austriak e tjetri francez) dhe një vendor, e rrëzoi vendimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës për dënimin e Miroslav Vučković-it për gjenocid, me arsyetimin se «Krimet e kryera nga regjimi i Milošević-it më 1999 nuk mund të kualifikohen si akte gjenocidi, pasi qëllimi i tyre nuk ka qenë shkatërrimi i tërësishëm ose i pjesërishëm i grupit etnik shqiptar, por deportimi i dhunshëm prej Kosovës, si rezultat i fushatës sistematike të terrorit, përfshirë këtu vrasjet, përdhunimet, djegiet dhe keqtrajtimet brutale. Këto akte kriminale përkojnë me përkufizimin e krimeve kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare (plan sistematik për sulm kundër popullatës civile gjatë luftës) ose të krimeve të luftës». Ndërkaq, prokurori amerikan Micheal Hartmann, në paraqitjen e tij thoshte se janë dorëzuar dëshmi të pamjaftueshme për ta vërtetuar qëllimin gjenocidal dhe se dënimi i Vučković-it nuk mund të qëndronte.

    E dyta, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mund të mos e dënojë Sërbinë për gjenocid për arsye krejtësisht politike. Dënimi i tillë do të dërrmonte Sërbinë, duke qenë se implikon përgjegjësinë për zhdëmtim, i cili zakonisht përfshinë restitucionin, kompensimin, rehabilitimin, satisfaksionin dhe garancitë për mospërsëritjen e dëmit në të ardhmen. Kategoria e fundit mund të përfshijë masa si vërtetimi i fakteve dhe shpalosja e tërësishme e së vërtetës, kërkimifalja, komemoracionet dhe nderimi i viktimave, si dhe paraqitja korrekte e fakteve nëpër tekstet e historisë.

    Pra, Qeveria e Kosovës duhet të tregojë kujdes maksimal me padinë për gjenocid ndaj Sërbisë në GJND, në mënyrë që kjo e fundit të mos mund ta rrëzojë mbi bazën se «…janë dorëzuar dëshmi të pamjaftueshme për qëllimin gjenocidal». Për këtë arsye, Qeveria e Kosovës do të duhej të angazhohej ekskluzivisht që Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës ta themelojë sa më profesionalisht, qoftë edhe duke angazhuar në të ekspertë ndërkombëtarë. Qeveria e Kosovës duhet ta ketë parasysh se gjatë dekadës që lamë pas, Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, i themeluar më 2009 e i mbyllur më 2019, pothuajse dështoi në dokumentimin e krimeve të luftës 1998-‘99. Në këtë mision dështuan pothuajse po njësoj edhe organizatat joqeveritare: Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) me monografinë “Krimet e Luftës në Kosovë 1998-1999”, duke e botuar vetëm pjesën e parë të kësaj monografie, e jo edhe të dytën (për më keq, botimi në anglisht i kësaj monografie nuk u bë asnjëherë); si dhe Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) me “Libër Kujtimi i Kosovës 1998-2000”, duke botuar vetëm pjesën e parë të këtij libri, e asnjëherë pjesët 2, 3, 4 dhe 5.

    Image
    Image

    Sa ishin në opozitë, përfaqësues të qeverisë aktuale përmendnin shpesh nevojën për themelimin e një Muzeu për Krime të Luftës. Mirëpo, kaluan 13 muaj dhe asnjë titullar i kësaj qeverie nuk e zu më në gojë themelimin e një institucioni të tillë. Muzeu për Krime të Luftës 1998-‘99 në Kosovë do të ishte me shumë vlerë për t’i përkujtuar viktimat, pa dallim etnie, gjuhe, feje, gjinie, rreshtimi politik, etj.; për t’i nderuar familjarët e viktimave të luftës në Kosovë; për të shërbyer si pjesë e kujtesës kolektive; si institucion edukativo-informativ për breznitë; e si institucion informativ për gazetarë, diplomatë, politikanë, studiues, vizitorë e turistë.

    Për fund, duke pasur parasysh që Sërbia do të përpiqet ta përdorë Gjykatën Speciale në rrafshin ndërkombëtar për ta njollosur Kosovën dhe luftën e saj për çlirim, me qëllim që të vetëportretizohet ndërkombëtarisht si viktimë, do të ishte e udhës që Qeveria t’i kundërvihej kësaj përpjekjeje përmes një projekti ndërkombëtar që do ta rifreskonte kujtesën globale me një pasqyrim objektiv të ngjarjeve në Kosovë gjatë periudhës 1998-1999. Për këtë arsye, Qeveria do të duhej ta organizonte fillimisht një ekspozitë lëvizëse me fotografi për krimet e kryera në Kosovë gjatë viteve ‘98-‘99, me punime prej një sërë fotografësh kosovarë e ndërkombëtarë, të shoqëruara me legjenda në gjuhën angleze, që të rrëfenin dhe të ndriçonin kronologjinë e krimeve: masakrat, komunitetet e shkatërruara, familjet që nuk dinë për fatin e të afërmve, përdhunimet e grave, plaçkitjet e pasurive të tundshme, konfiskimet e dokumenteve personale, objektet e shkatërruara, vrasjet e bagëtive, deportimet e popullatës nëpër Kosovë dhe jashtë saj, e kështu me radhë.

    Kjo ekspozitë do të ishte mirë të hapej fillimisht në Hagë, gjatë ditëve të vëmendjes së shtuar ndërkombëtare, duke ftuar udhëheqës politikë ndërkombëtarë, prokurorë e gjyqtarë, diplomatë ndërkombëtarë, gazetarë të huaj, shqiptarë e serbë, aktivistë të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si dhe personalitete të tjera të jetës publike. E njëjta ekspozitë mandej do të duhej të lëvizte edhe në qendrat e tjera ndërkombëtare të vendosjes: Bruksel, Berlin, Londër, Paris, Romë, Nju-Jork e Uashington, si dhe në kryeqytetet e vendeve të rajonit: Tiranë, Shkup, Podgoricë e Beograd. Po ashtu, kishte me qenë e udhës që përveç ekspozitës, të angazhohen ekspertë ndërkombëtarë për ta botuar edhe një libër e për ta prodhuar një dokumentar mbi krimet e kryera në Kosovë gjatë viteve ‘98-‘99. /Sbunker/

    *Në foton kryesore është Ismet Haxhiavdija në rrënojat e Gjakovës duke mbajtur fotografinë e dy mbesave dhe nipit të tij të vrarë nga forcat serbe. Së bashku me të ëmën e tyre dhe njezetë persona të tjerë, ata ishin fshehur në bodrum kur u nxorën me forcë nga shtëpia dhe u ekzekutuan. Foto është realizuar nga Roger Turesson.

    Lajmi Paraprak

    DY JAVË GREVË NË ARSIM | Qeveria dhe SAShK nuk arrijnë marrëveshje

    Lajmi i rradhës

    Myslimanët në të gjithë botën nën sulmin e qeverisë kineze

    Lajme tjera

    TELEVIZORI

    Burim Myftiu Argëtimi kryesor i fundit të 60’tave ishte televizori. Ishte bardh e zi sepse televizori me ngjyra…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë