Kronika e Plenumit të Pogradecit kërkohet me hyxhym

    AGRON GJEKMARKAJ

    Nëse dikush ma merr për thyerje premtimi që nuk do shkruaj më historira me Babon, mos i bëfshin sytë dritë! Nuk e kam thënë këtë, por kam premtuar që nga shtatori do më kapë një seriozitet që aman, falë i qofshim Zotit, duke ndërprerë kronikën live.

    Por ajo që ndodhi në Pogradec ku Babo me stoicizëm të madh për 48 orë dha e mori me gjithë zemberekun, mishin dhe yndyrën e “Rilindjes” nuk mund të më linte indiferent dhe t’u ikja përjetësive të mia historike. Si të gjithë ata që mërinë e Babos marrin kur zemrën i thyejnë, Dritan Leli xhebraili, bëri një xhiro në SPAK e më pas ndoqi në Kosovë Presidentin në ikje, Ilir Meta.

    Meqenëse m’u dha rasti, përfitoj t’i them për hajër Bajramit të Republikës ose Bake xhanit siç e thërret Babua me përkëdheli, i cili sonte e bën sefte. Shyqyr që do ketë kolltukun e vet dhe nuk do ulet më në divanin tresh të Kryeministrisë. Mbledhja e 81 partive në Moskë askund fare s’e kishte solemnitetin e asaj të Pogradecit. Të gjithë kryetarët e dalë nga zgjedhjet pa kundërshtarë të tre viteve më parë, kërkonin rrugë që lidhin fshatrat me njeri-tjetrin, secili duke thënë se kjo është kërkesa më e rëndësishme për komunitetin. Të këpusnin shpirtin me rrëfenjat e tyre plot përkushtim.

    Pëllumbi i Selenicës, i cili i rriti nderën elokuencën e vet falë së cilës projektet kishin pushtuar fshanë, gjet jehonë te Babua, i cili e ka zgjedhur për oratorinë dhe vlerat e spikatura intelektuale. Ai i Shijakut nuk e mbajti dot komplimentin, qau i uruari nga gëzimi. Loti i tij iu duk Babos diamant. Babo e bëri shembull në emulacionin socialist aq sa këshilloi Lalin që në kohë të lirë të marrë leksione në Sukth.

    Mundohu Lali të sjellë Dua Lipe e Rita Orë pak oksident në kryeqytet, ndërsa Babos Shijaku i duhet si Haxhi Qamilit kërthizë e shembullit. Ja, Lali sot te Gifoni, ku fëmijët e pyesin në mos je ti Juda në darkën e fundit dhe ai që ju thotë unë jam Shën Pjetri, pasuesi që për Babon kokëposhtë varem. Përpjekjet titanike të Ragip Sulit ranë në sy për stadiumin e Kamzës për inat të Safetit të Kukësit po aq sa flokët e lyer bukur, syzet me skelet të hollë dhe një dhëmb ari plot shkëlqim.

    Prite Xhelën, Ragip se po të vjen si pëllumb i shkruar të shpëtojë Kamzën e robëruar! Tërmeti nuk e zgjati shumë, i uroi jetë të gjatë Komandantit, nxori qaforen ia bëri gëzuar bram, bram o babam, pa nga tezja, e cila u përlot dhe u ul. Babo mendoi së shpejti të gjithë do ta arrijnë Termenë në rezultate e sjellje publike.

    Babo u ndie mirë se te Tërmeti eksperimenti i tij politik ishte identifikuar me suksesin. Ai qerratai i Beratit kruante mjekrën si push dhe bënte vetëm kërkesa, dua këtë e dua atë, Babo u vrenjt. Dale, tha, je këtu për të dhënë llogari more edepsëz, jo për të më kërkuar. Demo pa brirë futi bishtin ndër shalë dhe u palos. Babos nuk i kishte pëlqyer asgjë nga sa tha e me gjasë Beratnë do ta shohë me dylbi në zgjedhjet e tjera. Babo si edukator i mirë i ka zët cingërimat e telefonave.

    E bëri rezil atë të Dimalit, ja mori celularin dhe copa-copa ia bëri me shkelma. Po kaq Fridës së gjorë që asgjë nuk i ecën mirë që kur Braçe i lëshoi mallkimin e Divjakës, u urdhërua ta sjellë e ta lërë mbi tavolinë. S’ka llafe me Babon, i bën terbiet. Tezja kafshonte gjuhën e dhimbja i dukej fisnike. Manastirliu nuk ndihej në sy i lexohej lutja lum kush del gjallë prej këtu. Majlinda e Laçit pat vizoni të larta zhvillimore. Kurbinin do ta bënte pikë të nxehtë turistike dhe po kaq me qashtërsi lypi një godinë të re, kaba, si koka e dreqit të mallkuem për zyrat e bashkisë.

    Nuk durohej më, Bela veshur me të bardha si borëbardha mes xhuxheve të pushtetit lokal mori fjalën, e cila Ulsiut aty pranë iu duk si simfoni e Bethovenit. U kalamend sikur “elizën” dëgjonte. More, ju plaçin sytë -jemi në krizë u tha – paketat sociale që do ofrojmë në vjeshtë, energjia që kushton bashkë naftën sa i biri të ëmën e ju dërr, dërr, dërr. “Fjalë perëndie!”, psherëtiu Ulsiu.

    Ata të paepur vazhdonin “po u lidh ky fshat me këtë tjetrin, i kemi zgjidhur të gjitha hallet dhe tramvajet marrin fund”, Babo, krem i qytetarisë, rënkonte na mbyti katundaria. Nikua erdhi me vonesë. Babo tundi kokën si për t’i thënë pse? Niko i tha isha te Ditmiri. Lajmi se doktori ka dashur me të zhdëpë në Parlament e kishte zënë në Kinshasa. Përtokë kishte rënë duke vikatur, ku ku ku ku, duan të kopanisin Babon. I çova një komposto e ca llokume që të ëmbëlsohej. Babo bëri sikur po nuk i besoi duke menduar që shtatori është afër.

    U ngrit Tigrushi. Befasoi të madh e të vogël. Një frazë lapidare hapi pleudarinë e tij. Ne jemi maskarenj, more Babo, bëna kabull, nuk të meritojmë po t’i falna e na lër të qajmë mbi gjoksin tënd leshtor. Ne po marrim nga hiri yt. Ne po pimë gjakun tënd që rrjedh si lumë për progresin e këtij vendit. Babo luajti kokën në shenjë mosbesimi. Tafti erëkeq i inceneratorëve sikur i hyri në hundë.

    U kollit: “Eh, tha me vete, prit, prit, shtatorin ti. Do t’ju bëj def nga sytë more pizevengër”. Fjalën e mori Ulsiu. “Babo,- i tha,- ti paske qenë dermani i tokës, reforma në drejtësi do kishte ecur siç do ti nëse Fatmir Xhafaj nuk na fut shkopinj nën rrota duke na dhjerë muhabetin”. Në fillim darka filloi e rëndë dhe e zymtë. Dëgjohej kokrrama e dhëmbëve. Por më pas Bora këndoi një këngë “Babo, Babo, dorën përmbi zemër ma vendos ngadalë, ajo rreh si zog, të të thotë një fjalë! Me dashurinë tënde oh sa me kënaqe për gjithë Shqipërinë lërmë të puth në faqe”!

    Babo u mallëngjye, por s’e dha veten. “Ik, ik, ulu”,- i tha Bores që u nis drejt tij. Edona ndjeu xhelozi. Si nuk i kishte vajtur mendja për një potpuri shkodrane që të linte nam. Elisa tha kjo do quhet besëlidhja e Pogradecit që shënjon 25 vitet e lavdishme të Skënderbeut tonë. Delina zgërdhihej, nuk e di që Babo i ka bërë këpucët në shtator. Elisa mendonte, qesh mirë kush qesh i fundit.

    Hallë Ikonomi kishte sjellë ca tavë me byrek me qumësht. Pasi i ndau me drejtësi, tha se fjalët e tepërta janë fukarallëk, ky është byreku që i pëlqen Babos. Ah, Margeriti po ndërdyzej në do raportonte sukseset në kulturë apo të bënte pohimin e madh se Babo është kultura e se çdo gjë përtej tij është thjesht asgjë. Foli zemërthyer për sukseset. Pjero i Lezhës mori goxha komplimente nga Babo, po nuk qau si ai i Shijakut.

    Duke e parë atë mbledhje, kuptohej sa rrugë ka bërë Shqipëria e gjorë se si flitet aty kundër korrupsionit, krimit që po bëhet zap, rritje rrogash, mirëqenie, ndershmëri e gëzim popullor. Babo nuk tundet edhe kur Shqipëria shkundet. Plenumi i Pogradecit do mbahet mend gjatë ku u identifikuan armiqtë e brendshëm, u shkatërruan të jashtmit dhe u festua plani pesëvjeçar! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Reflektime mbi 100 vjet mbi 100 vjet marrëdhënie midis Shqipërisë e Çekisë

    Lajmi i rradhës

    Ulen çmimet e derivateve në Maqedoni

    Lajme tjera

    “Tregimet e burgut”

    Enis SulstarovaE botuar në revista “Shenja”, shkurt 2022 Jetë burguAleksandër Solzhenicini, autori i “Arkipelagut Gulag”, shkruan se Varlam…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë