Reflektime mbi 100 vjet mbi 100 vjet marrëdhënie midis Shqipërisë e Çekisë

    AFRIM KRASNIQI

    32 vjet më parë, më 10 korrik 1990 arritën në Pragë grupi i parë i refugjatëve politikë të larguar nga kriza e ambasadave në Tiranë. Për tërheqjen e tyre Presidenti Vaslav Havel avionin e tij zyrtar, duke i deklaruar medias se është i sigurt se liria dhe demokracia do triumfojë në Shqipëri.

    Ministri i tij i Jashtëm priti dhe shoqëroi refugjatët duke i cilësuar si disidentë politikë, ndërkohë që vetë ata me deklarimet e tyre u bënë referimi i parë i medias ndërkombëtare. Praga ishte një prej kryeqyteteve që shënoi rrotacion të suksesshëm të sistemit politik dhe Presidenti Havel ishte një nga politikanët më të njohur të kohës, simbol i demokracive të reja në Evropën Lindore.

    Gjatë karrierës së tij, ai kreu edhe akte të tjera inspiruese ndaj shqiptarëve, përfshirë thirrja publike për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, vizita mbështetëse në Prishtinë dhe njohja e shtetit të ri. Jo rastësisht, Havel është nga të paktët politikanë evropianë, krijimtaria dhe botime të të cilit, përfshirë edhe një libër biograf, janë përkthyer dhe botuar në Tiranë.

    Akte të tilla janë vijueshmëri i raporteve historike midis Shqipërisë e Çekosllovakisë (më pas Çekisë), të nisura në korrik 1922. Gjatë dekadave të izolimit, Çekosllovakia mbeti në mënyrë konstante partneri kryesor ekonomik për Shqipërinë, një brez profesionistësh të njohur në art, kulturë, ekonomi dhe industri studiuan në Pragë dhe Shqipëria ishte ndër vendet që dënoi ndërhyrjen sovjetike të vitit 1968, duke u larguar nga Traktati i Varshavës.

    Në mjedisin kulturor të Tiranës përpara 1990 “shkolla e Pragës” mbeti simbol pozitiv dhe falë saj u shënuan disa arritje me rëndësi në kulturë, arte, mjekësi, arkitekturë, etj. Në Pragë ekziston një numër i madh albanologësh që kanë lënë gjurmë të referueshme në studimet shqiptare, duke ndikuar në prezantimin e gjuhës, kulturës, historisë dhe identitetit shqiptar në një hapësirë të gjerë evropiane.

    Disa studime të K.Jireçek janë publikuar vitet e fundit nga Instituti i Historisë, ndërkohë që në universitetin e Karlit në Pragë vijon funksionimin programi i studimit të gjuhës shqipe. Dy botime të reja me qasje historike të promovuara nga ambasada çeke në Tiranë japin të dhëna të detajuara të raporteve një shekullore, sidomos në aspektin kulturor, pjesa më e madhe e të cilave janë ende të panjohura sa duhet nga publiku shqiptar.

    Çekia e sotme, ashtu si Çekosllovakia e djeshme, përfaqësojnë një vend me të cilin Shqipëria nuk ka pasur konflikte dhe as mosmarrëveshje përgjatë historisë. Janë vende që kanë kaluar kurba të njëjta të regjimeve qeverisëse, ndonëse me standarde të ndryshme të aplikimit të tyre. Çekosllovakia ndërtoi një demokraci të brishtë, por më pozitive sesa modeli shqiptar midis dy Luftërave Botërore, ndryshe nga Shqipëria pati rezistencë dhe grupimeve liberale gjatë periudhës komuniste dhe shënoi progres thelbësor ndryshe nga ne në procesin e transformimit drejt shtetit të së drejtës dhe vendit anëtarë në BE.

    Një vend i vogël, por i respektuar në bashkësinë evropiane, që e përdori prezencën dhe fuqinë e vet për të mbështetur proceset demokratike dhe ecurinë e Shqipërisë. Prej vitit 1992 marrëdhëniet midis dy vendeve kanë shënuar progres të vazhdueshëm, kryeministrat kryesorë (Nano, Berisha, Rama) janë pritur zyrtarisht në Pragë dhe midis dy vendeve janë nënshkruar më shumë se 30 marrëveshje. Shkëmbimet midis dy parlamenteve, midis dy qeverive dhe dy strukturave përfaqësuese janë të vazhdueshme dhe aktive, Çekia ka mbështetur dhe votuar të gjitha aktet e rëndësishme lidhur me Shqipërinë, përfshirë pranimi në KSBE (OSBE), KE, NATO, jetësimi i MSA dhe tashmë nisja e bisedimeve për anëtarësim në BE.

    Përgjatë viteve të tranzicionit një duzinë partneritetesh janë ndërtuar midis bashkive të dy vendeve, midis universiteteve dhe institucioneve kërkimore, midis institucioneve kulturore dhe sportive, si dhe në fushën e medias dhe të shoqërisë civile. Çekia vijon të jetë kontribuuese e rregullt e programeve për medien profesionale në Shqipëri, për të drejtat e njeriut dhe edukimin demokratik, për memorien historike dhe përballjen me drejtësi me të, si dhe për shkëmbimet rinore në kuadër dypalësh dhe të nismave shqiptare dhe ballkanike.

    Prej më se dy dekadash në Shqipëri ka rritje të prezencës së biznesit dhe kompanive çeke, si dhe sidomos të grupeve turistike. Duke i referuar statistikave të turizmit udhëtarët çekë ishin ndër të parët që preferuan alpet veriore për t’i zbuluar ato përballë një publiku të gjerë turistik evropian, ndërkohë që qeveria ceke e konsideron Shqipërinë një prioritet në destinacionet turistike. Biznesi çek është i pranishëm në disa prej sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë sonë, ndonëse investimi kryesor me CEZ krijoi për disa vite headline në diskursin politik midis palëve kryesore politike në Shqipëri.

    Në prill 2008, Shqipëria paraqiti aplikimin për anëtarësim në BE. Në korrik 2022, BE mori vendimin për të hapur zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë. Në të dyja rastet drejtimi i presidencës së BE i takon të njëjtit shtet, Republika e Çekisë. Ministri i Jashtëm Lipavský deklaroi në konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian se Shqipëria “është pjesë e historisë evropiane, trashëgimisë dhe kulturës së saj dhe ne mezi presim të intensifikojmë më tej marrëdhëniet tona”, si dhe listoi sfidat e procesit të bisedimeve, – nga aplikimi i metodologjisë së re dhe nxitja e bashkëpunimit rajonal, tek qasja e përbashkët drejt çështjeve të sigurisë, te “reformat për sundimin e ligjit, veçanërisht reforma në gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat e njeriut dhe fuqizimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike si dhe kriteret ekonomike”.

    Kryesimi i BE-së në kushtet e situatës së re në Ukrainë, problematikave me stabilitetin demokratik në Ballkanin Perëndimor, shqetësimeve ekonomike dhe kërkesave për një politikë të re të sigurimit, partneritetit atlantik dhe reformës strukturore në vetë BEnë, mbetet një sfidë e rëndësishme në kohë të vështirë. A jemi ne të përgatitur? Si do të jetë e ardhmja dhe cili do jetë vendi ynë në të?

    100 vjet më parë kur dy vendet tona vendosën marrëdhëniet diplomatike asnjëra nuk mund ta parashikonte se pas një shekulli do të ritakoheshin në një projekt historik të përbashkët si BE, njëra si kandidat dhe tjetri si kryesues. Shqipëria mund të përfitojë nga momenti dhe mbështetja çeke për të marrë prej tyre edhe përvojat pozitive të negociatave, mbështetjen e ekspertëve dhe kulturën institucionale të negociatave.

    Kjo përvojë e fituar, bilanci përgjatë 100 viteve dhe pikëtakimet e përbashkëta janë njëherësh një bagazh i mjaftueshëm dhe garanci për të ardhmen e qëndrueshme të një miqësie midis dy vendeve që nisi me shënimet antropologjike të misioneve ushtarake dhe tashmë po kulmon me procesin që i bën ato së bashku në BE. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Eppur si muove!

    Lajmi i rradhës

    Kronika e Plenumit të Pogradecit kërkohet me hyxhym

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë