Kur mirënjohja kthehet në burim të së keqes

    PËLLUMB NAKO

    Këto ditë në Vlorë, rreth 50 adoleshentë të ardhur nga Polonia për pushime, u toksikuan nga ushqimi i ndenjur në një mjet lundrues. Pasi morën ndihmën e parë mjeksore në spitalet publike të Vlorës dhe Fierit, ata vazhduan itinerarin e tyre. Ngado komente për fajtorët dhe dënimi i tyre me gjoba. Ajo që ra më më shumë në sy, ishte një njoftim ku një formë falenderimi të ekzagjëruar për mjekët thuhej “mirënjohje për mjekët heroikë”. Në fakt, ata bënë vetëm punën e tyre. Sigurisht dhe një falenderim nuk ka të keqe. Por, qëndrime kaq të ngarkuara emoncionalisht, që shprehen rëndom pas çdo rasti të ngjashëm, qëndrojnë në rrënjët e shumë fenomeneve të tjera me profil negativ në shërbimet e orfuara nga administrata në përgjithësi.

    Është pikërisht kjo ndjesi emotive e “të ndjerit në borxh” që karakterizon masivisht marrëdhëniet ndërmjet individit dhe shërbimeve të ofruara nga administrata e shtetit shqiptar, edhe kur bëhet fjalë për kryerjen e një shërbimi të parashikuar nga një detyrim ligjor apo kontraktor. Kjo sjellje sigurisht lidhet me një traditë të trashëguar, të kultivuar me shumicë edhe në kohën e diktaturës (çfarë do populli bën partia) dhe që vazhdon thuajse e paprekur edhe sot e kësaj dite. Rolet janë bastarduar kaq shumë sa që ndodh rëndom që të jetë publiku i gjërë ai që të shqetësohet për anëtarët e qeverise.

    Më konkretisht:

    Thuajse çdo individ në shoqëri me tipare si ajo shqiptare, ndihet moralisht “borxhli” kur kërkon dhe merr një shërbim korrekt dhe cilësor nga administrata. Cilado qoftë ajo. Ai ndihet thuajse i lumtur. Një fakt i tillë, bën që ai të përjetojë emoncione pozitive dhe të ofrojë edhe para me motivacionin “hallall t’i ketë sepse i meriton”. Duke qenë pjesë e këtij mentaliteti, edhe individi pjesë e administratës, mendon se i takon një shpërblim i tillë sepse “personit i doli nga zemra”. Raste të kësaj natyre mbeten masive dhe thuajse nuk perceptohen si fenomene brenda konceptit ligjor të “mirëmarrjes”. Qytetari, megjithëse e di që punonjësi i administratës e ka për detyrë t’i shërbejë, nuk ka forcë të shkulë nga vetja këtë pjesë të kulturës së tij të trashëguar, por edhe të kultivuar nga politikat e qeverisjes së vendit. Duke u ndjerë i impresionuar nga shërbimi, refleksi i traditës e merr zvarrë dhe ai paguan. Madje me qejf të madh. Një raport i tillë ndërmjet individit dhe administratës ku në mes qëndron “mirënjohja”, gëzon një konsensus të gjerë social, pavarësisht se është i dëmshëm e panalishit i dënueshëm. Për ta shkulur fenomenin nuk mjaftojnë deklarime deputetësh dhe thirrje të tyre për të luftuar korrupsionin. Por, duhen strategji të thella me karakter social të cilat të ecin ritmikisht pa u ndalur kurrë, sepse kërkojnë kohë, qëndrueshmëri dhe vazhdimësi. Janë fenomene që nuk zgjidhen as me burg e as me ndonjë rritje page. Jemi në kushtet kur dy palët bëjnë diçka antiligjore dhe secili e ka ndërgjegjen e qetë, sepse tradita e “mirënjohjes” i ka rrënjët e thella. Ligji dhe ndërgjegja ndodhen shumë larg nga njeri-tjetri, në mes mbetet tradita, civilizimi dhe jo vetëm.

    Momenti i dytë i kësaj marrëdhënieje “mirënjohje” ka të bëjë me të kundërtën e saj. Ai lidhet me ata “individë mosmirënjohës” që marrin shërbimin dhe nuk ndihen borxhlinj e për rjedhim nuk paguajnë. Në këtë kontekst administrata shtrëngon shërbimin, e vështirëson, e lodh, e raskapit kërkuesin e shërbimit e për rrjedhim ndërtohet një raport tjetër, përsëri me para në dorë, por këtë radhë pa pasur në qendër mirënjohjen, por shitblerjen e shërbimit publik. Qytetari, për të marrë cilësisht ose jo, shërbimin e duhur, nuk e kërkon, por e blen atë.Kjo sepse është i detyruar dhe nuk ka besim te administrata. Një marrëdhënie e tillë, po ashtu si ajo më sipër, ka shtrirje të gjërë, po ashtu edhe konsensus. Më së shumti është kjo lloj marrëdhënie që konceptohet dhe quhet korrupsion. Denoncime, të vazhduara nga ndjekje panale të fenomenit, nuk lidhen me parimet e shtetit të së drejtës, por gjithmonë me aspektin emotiv, këtë radhë të hatërmbetjes apo të mosmarrëveshjes ndërmjet individit dhe punonjësit të administratës. Ky fenomen, fomalisht më i ashpër se ai më sipër, është e pamundur të shuhet nëse nuk zhduket “mirënjohja”. Ndjekjet penale në këtë drejtim janë vetëm ilustrative. Fenomenet janë të lidhur ngushtë.

    Megjithatë, “hard” apo “soft”, mitmarrja në administratë ushqehet edhe nga një faktor tjetër social, tradicional, po aq masiv dhe po aq konsensual në raportet e krijuara ndërmjet individit dhe administratës. Publiku i gjerë shqiptar, edhe administrata e tij, dominohen nga një mungesë e dukshme e përgjegjësisë ndaj problemeve me interes të gjerë social, madje çdo individ shfaqet mjaft i interesuar për zgjidhje individuale të çdo problemi po individual duke krijuar në këtë mënyrë fenomenin e mirënjohur të klientelizmit. Në këtë të fundit dominon kontakti, njohja dhe jo “shërbimi anonim i shtetit”. Të gjithë e njohin fenomenin, por tradicionalisht interesi i secilit nuk shkon më shumë se te familja.

    Në këto kushte, njëlloj po aq masivish klientelizimi në administratë pranohet gjerësisht, edhe nga ata që vuajnë pasojat, sepse nuk është penalisht i dënueshëm, dhe tradicionalisht i adhuruar. “Po nuk bëre për veten, nuk bën dot për të tjerët” është deviza e njohur. Në këtë drejtim shkëlqejnë njerëzit me pushtet që nuk kanë të ngopur. Nga ana e tij klientelizimi nuk bën gjë tjetër veçse çimenton dy format e mësipërme të mitmarrjes. Pra, jemi në rrethanat kur kemi të bëjmë me fenomene sociale penalisht të dënueshme nga njëra anë dhe nga ana tjetër mjaft të dëmshme për shoqërinë por jo penalisht të dënueshme me të cilat ndërgjegja sociale ndihet në harmoni. Problemi është i thellë, me shtrirje të gjerë e të thellë sociale dhe duhet zgjidhur në radhë të parë më menyrën e qeverisjes.

    Përveç trashëgimisë, tri fenomenet e mësipërme që gangrenizojnë masivisht administratën, kanë në themel të tyre edhe mënyrën aktuale të qeverisjes. Në thelb kjo e fundit ka filozofinë, shpesh demagogjike, që është aty për t’i shërbyer popullit, i cili herë përkëdhelet, sepse për të bëhet gjithçka, dhe herë ndëshkohet për mosrespektim të detyrimeve qytetare, por pa gjetur asnjëherë mjetet dhe rrugët e duhura për ta tërhequr atë në vendimarrje. Tërheqja e publikut të gjerë në vendimarrje sjell për pasojë të parë rritjen e pjekurisë së tij sociale, përgjegjshmërinë e individit karshi interesave më të gjera se ato individuale. Nëse popullata trajtohet si një trupë sociale, e cila është aty vetëm për t’u kënaqur nga gjithçka që i dhuron qeveria, vetvetiu ajo do të ndihet “borxhlie” ndaj qeverisë dhe vetëm pret prej saj. Një gjë e tillë bën që popullata të ndahet në një grupim të lumtur dhe në një tjetër gërrnjar që ankohet pa pushim, por që nuk sheh më larg se hunda e tij duke pritur rotacionin. Rrjedhimisht, përgjegjshmëria e publikut të gjerë sa vjen e degjeneron. Kultivimi masivisht i marrëdhënies me thelb emotiv ndërmjet të qeverisurve dhe vetë qeverisë pasohet automatikisht nga topitja e trupës sociale. Qeverisja e vërtetë pozitive me ndikim për një zhvillim real social, është ajo që rrit dhe përgjegjëson fillimisht veten dhe më pas përgjegjshmërinë e kundërshtarëve të akteve të saj. Këtu fillon edhe përmbysja e fenomeneve të mësipërme. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Propozohet që deri më 2030 BE-ja dhe shtetet kandidate të jenë gati për zgjerim

    Lajmi i rradhës

    “Çdo ministër i BDI-së ka kompaninë e tij me të cilën i vjedh qytetarët”

    Lajme tjera

    Këta politikanë!

    Teresa Galeote DalamaPërktheu: Bajram Karabolli Politika, si një art i së mundshmes, si një sistem organizimi për kombet,…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë