“Çdo ministër i BDI-së ka kompaninë e tij me të cilën i vjedh qytetarët”

    Çdo ministër i BDI-së ka kompaninë e tij me të cilën i vjedh qytetarët dhe për këtë së shpejti do të ketë përgjegjësi, shkruan Alsat.

    Kështu ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i pyetur për skandalin e fundit, në të cilin ministria e Punëve të Jashtme i ka ndarë tender prej 1.8 milionë euro, kompanisë “Eurovia” për të bërë përshtatjen e objektit të qendrës sportive “Boris Trajkovski”, për organizimin e një konference në suaza të OSBE-së.

    “Në BDI çdo ministër ka firmën e tij. Çdo ministër përmes asaj firme i vjedhin qytetarët përmes tenderëve në katër sy. Ashtu është edhe ky rast, ku firmë e cila paraprakisht është legjitimuar si donatore e BDI-së ka fituar tenderë, ndërsa me atë tenderë duhet të bëhen ndërtime të caktuara në Qendrën sportive “Boris Trajkovski”, ku në fund të vitit, në muajin dhjetor do të mbahet samiti i shefave dhe ministrave të shteteve anëtare të OSBE-së. Me këtë praktikisht legjitimohet organizatori Bujar Osmani si ministër i Punëve të Jashtme”, tha Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.

    Nga VMRO-DPMNE thonë se kompania “Eurovia” është donatori më i madh i BDI-së dhe është në pronësi të Elmedin Ademit, nipit të ish-ministrit të BDI-së, Abdylaqim Ademi, ndërsa bashkëpronar është Eldin Ademi, personi kryesor në degën e BDI-së në Jegunovc. BDI-ja ka pranuar 2.509.200 denarë donacion nga Elmedin Ademi, që është trefish mbi limitin ligjor për donacion nga persona fizik ndërsa në të njëjtën kohë “Eurovia” si person juridik ka dhuruar 1.845.000 denarë në vitin 2022. E njëjta kompani ka marrë dy milionë euro për ndërtimin e stacionit të ri policor në Aerodrom, si dhe  tenderin për rindërtimin e ambienteve për Universitetin “Nënë Tereza”.

    Ndërsa nga Lëvizja BESA thonë se skandalet e përditshme korruptuese nga ministrat, dëshmojnë se sa BDI është anti-evropiane dhe pro-krimit dhe korrupsionit.

    “Skandali i fundit i publikuar në media, ku ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, i ndan 1.8 milion euro kompanisë “Eurovia” e cila është njëra nga donatorët kryesorë të BDI-së dhe e udhëhequr nga funksionarë të BDI-së, dëshmon se pushteti LSDM-BDI nuk e ka synim integrimin në BE, por pushtetin për të kurdisur tenderë dhe për tu pasuruar funksionarët e saj dhe partia”, thonë nga Lëvizja BESA.

    Nga Komisioni për anti korrupsion thonë se do të veprojnë njëjtë si në rastet e tjera.

    “Komisioni shtetëror për Anti-Korrupsion i ndjek me vëmendje të gjitha informatat dhe rastet të cilat publikohen në media dhe kur vëren se ka elemente për të vepruar atëherë vepron sipas kompetencave të saj. Njëjtë do të veprojë edhe me këtë rast”, u shpreh Biljana Ivanovska, Anti Korrupsioojn.

    Pas informatave të dala në opinion, nga Ministria e punëve të Jashtme kanë reaguar dhe thonë se kompania e përzgjedhur ka dhënë ofertën më të lirë dhe prandaj është përzgjedhur.

    Lajmi Paraprak

    Kur mirënjohja kthehet në burim të së keqes

    Lajmi i rradhës

    Drejtësia për deponinë ilegale në Strugë do të kërkohet në Strasburg

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë