Kush shet votën iu thaftë dora – kush e blen iu thafshin duart

    Foto: Halim Luta

    Kujtim Shabani

    Krisma e garës për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut ka shkrepur. Dhe, në vend që të vrullen te njerëzit, disa kandidatë janë tërhequr në shtabe dhe i thërrasin njerëzit tek ata. Ditën. Kurse natën iu shkojnë qytetarëve në shtëpi nga dera e pasme. Tinëz. Sepse disa nuk duan të duken në shtabin e tyre. Nuk duan të kuptohen. Sepse aty ndodh ajo që e dinë të gjithë: shpërndahen pare për votën!

    Kjo në radhë të parë tregon se ka njerëz që e shesin votën me pare. Kjo tregon se njerëzit janë varfëruar vërtet. Ata nuk i varin më veshin kush çfarë thotë. Atyre u janë errësuar sytë, u është errësuar edhe arsyeja; prandaj zgjedhjet ndonjëherë i shohin si një burim për të vjelë ndonjë lek, për të blerë ndonjë metër dru për dimër… Por, mjerisht ka edhe tillë që e shesin edhe shpirtin e tyre për një kacidhe.

    Kjo tregon se ata që paguajnë për votën kanë shumë para. Pastaj tregon se këta qarkullojnë para të zezë. Sepse këto lekë që shpërndahen për të blerë votën nuk deklarohen në raportet e tyre financiare. Kjo nuk ka bërë vaki ndonjëherë. Kjo tregon se ata nuk e respektojnë ligjin. Atëherë çfarë ligjesh do të vënë këta, në cilindo rrafsh politik qoftë, dhe cilat ligje do t’i ruajnë këta, kur i shkelin të parët ato?

    Kjo tregon se ata që paguajnë për votën, përpara se ta blejnë votën e qytetarëve, janë blerë dhe vetë. Janë shitur; i kanë shitur idealet te sponsorët e tyre. Shumat që investojnë nuk justifikohen me participime anëtarësie. Diçka më e rëndë fshihet prapa tyre. Dhe askush nuk është çmendur të hedhë para në erë. Atëherë, si do t’i shërbejnë këta komunitetit, kur duhet t’i shpërblejnë borxhlinjtë?

    Kjo tregon se ata që paguajnë për votën, nuk kanë përkrahje politike. Ashiqare! Këta janë të pamjaftueshëm, të humbur. Janë të ligë! Duan me pahir ta marrin pushtetin politik dhe të drejtën për të administruar fondet publike. Dhe, blerja e votës është vetëm një nga marifetet e repertorit të tyre të pandershëm. Një i tillë është detyrimi për mbledhje votash i atyre që iu kanë kryer ndonjëherë ndonjë nder.

    Kjo tregon se ata që paguajnë për votën janë ilegjitimë. Sepse pa votën e blerë, ata nuk arrijnë ta fitojnë pushtetin. Dhe, ata blejnë aq sa u duhet për të siguruar një shumicë të domosdoshme votash. Kështu ata bëhen uzurpatorë të pushtetit. Kjo kulturë politike është e barabartë me një përmbysje demokracie. Ajo është mohim e të gjitha flijimeve ndër breza për një rend më të drejtë politik.  

    Kjo tregon…

    Është një sekret publik që, në fushatat zgjedhore, ca kandidatë shpërndajnë me të dyja duart para për votën. Mjerisht shumë qytetarë me kokën ulur, me njërën dorë marrin paratë, me tjetrën hedhin votën për ta. Kultura e shitblerjes së votës është shërbimi më i keq për shoqërinë. Fyerje e qytetarisë. E pra, atij që merr pare për votën iu thaftë njëra dorë! Kurse atij që jep pare për votën, iu thafshin të dy duart! /Nistori/

    Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori.

    Lajmi Paraprak

    Kokëfortësia çoi Ramën dhe Rutte edhe njëherë në fillim të qilimit të kuq

    Lajmi i rradhës

    Dëmtimet që sjell çanta e shkollës dhe mënyra e duhur për ta mbajtur

    Lajme tjera

    Zgjim dhe shpresë

    LEONIDHA MËRTIRI Gjermania, ky shtet i fuqishëm i Bashkimit Europian, sikurse vërehet edhe gjatë kësaj periudhe, kërkon të…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë