Lepuri i vogël në ferrën e madhe

    GENC POLLO

    Shumë është shkruar e folur tek ne për pretencën e janarit të ekipit të prokurorëve amerikanë me në krye Matthew Graves kundër Charles McGonigal, ish-agjentit të lartë të FBIsë (shef i zyrës në New York), i cili mori ryshfete nga persona të qeverisë “Rama” për të vepruar në shkelje të rregullave të FBI-së dhe të ligjit amerikan. Gjyqtarja federale në Washington D.C., znj. Colleen Kollar-Kotelly në 16 shkurt i pranoi këto akuza dhe e dënoi ish-agjentin me 2 vjet e 4 muaj burg.

    Nga kjo pretencë, por edhe nga aktakuza e Departamentit të Drejtësisë së SHBA, e publikuar në janar 2023, publiku mësoi se McGonigal mori shuma të mëdha parash dhe informacione mbi opozitën nga të besuarit e kryeministrit Rama për të vënë në lëvizje FBI-në kundër Partisë Demokratike dhe lobistëve amerikanë të pajtuar prej saj; po ashtu mësoi se McGonigal & co shantazhuan e zhvatën oligarkë shqiptarë e rajonalë, duke luajtur kartën “non grata”.

    Burimet në Amerikë konsiderojnë se McGonigal ka luajtur rol edhe në dosjen “Berisha”, që çoi në përcaktimin “ndalim-hyrje në SHBA” të ish-kryeministrit. Por, pranimi i pjesshëm i fajit nga i pandehuri çoi në një “plea deal”, praktikë e rëndomtë e drejtësisë penale amerikane, sipas të cilës prokuroria në shkëmbim heq dorë nga pjesa tjetër e akuzave; i pandehuri siguron kështu një dënim më të butë e një gjykim të shkurtuar. Si rregull, prokurorët përfitojnë informacione të vlefshme për punën e tyre dhe evitojnë qindra orë pune e shpenzime jo të vogla tipike për një proces gjyqësor me juri.

    Në rastin tonë, administrata “Biden”, pjesë e të cilës është edhe Departamenti i Drejtësisë, i kurseu vetes një ekspozim turpërues me detajet e zullumeve të McGonigalit, që rezulton të jenë hetuar me thellësi nga FBI. Para një viti, duke pasur parasysh sa më lart, kam shkruar se shpresë për zbardhjen e plotë të këtij skandali jep hetimi parlamentar i nisur në Dhomën e Përfaqësuesve; aty mazhoranca republikane, në opozitë me administratën “Biden”  nuk ka veriga politike; vetëm lipset të hulumtojnë aspektin shqiptar të skandalit McGonigal, i cili nuk di a lidhet direkt me interesin e tyre e me debatin e ditës në SHBA. Gjithashtu kam shënuar se meqë SPAK-u do të vihej nën trysni qeveritare e mbase edhe diplomatike në Tiranë një komision parlamentar hetimor në Kuvend do të ishte më i dobishëm.

    Koha tregoi se Rama nuk do të pyeste për Kushtetutë e ligje për të penguar këtë komision, duke sjellë anomalinë në Kuvend që vazhdon edhe sot. Sa më lart është përgjithësisht e njohur për lexuesin. Por pretenca e janarit ka një element të ri: një pohim që implikon në vepër penale një ministër socialist të qeverisë “Rama”. Në faqet 3-4 të saj shënohet: “Më 9 shtator 2017, në Shqipëri, ai (McGonigal) u takua me të dy ata: ish-ministrin e Energjisë dhe Kryeministrin e Shqipërisë. Me kërkesën e personit A (Neza), i pandehuri (McGonigal) i sugjeroi Kryeministrit të Shqipërisë që lidhur me dhënien e licencave për fushat e naftës në Shqipëri të shmangte kompanitë ruse (me fasadë tjetër); në të njëjtën kohë personi A (Neza) dhe ministri i Energjisë kishin interes financiar në vendimet e Qeverisë së Shqipërisë për dhënien e licencave për fushat e naftës”. Pra, Departamenti i Drejtësisë së SHBA pohon se ministri D. Gj., i cili ishte përgjegjës për dhënien e licencave për fushat e naftës, në fakt ia jepte ato licenca vetvetes, dmth., kompanive ku ishte ai personalisht ishte aksioner.

    Kjo aferë është denoncuar publikisht nga Marc Crawford, kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri në kohën e vizitave në Tiranë të Charles McGonigal. Ai ka folur për penetrimin e maskuar të interesave ruse në sektorin e naftës në dëm të kompanive amerikane si dhe për veprime jotransparente e të parregullta të qeverisë. Në vitin 2017 nuk kishte sanksione kundër Rusisë, operimi i firmave ruse në fushën e hidrokarbureve nuk ishte ligjërisht i ndaluar tek ne; por gjithashtu nuk ishte në linjë me euroatlanticizmin e proklamuar të qeverisë Rama. Por denoncimet e z. Crawford për veprime jotransparente të qeverisë gjejnë një konfirmim transparent në pretencën e Departamentit të Drejtësisë. Një ministër që me veprimet zyrtare të tij i jep vetes përfitime ekonomike, jo vetëm është në konflikt interesi, por ka kryer veprën penale të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës sipas Kodit Penal. Natyrisht, ish-ministri ka të drejtën të konsiderojë këtë pohim të pretencës së prokurorit Graves si të pavërtetë dhe të pretendojë prezumimin e pafajësisë.

    Edhe para Gjykatës së Posaçme (GjKKO) nëse do të vijë ajo ditë. Por, ndërkohë publiku dhe me pak guxim edhe gazetarët, kanë pyetje për të bërë. Akuzat e paraqitura kundër McGonigal-it kanë qenë një ndër pikat e rralla të konsensusit mes qeverisë dhe opozitës po të shohësh deklarimet mbështetëse të Ramës dhe Berishës. Por kryeministri i ka interpretuar ato duke hequr nga vetja çdo faj e përgjegjësi. Në rastin e mësipërm të ministrit licencues-përfitues kryeministri Rama duhet të shpjegojë: a e dinte ai se nga licencat e naftës që ai diskutonte në zyrën e tij në shtator 2017 me McGonigal, ministrin e tij dhe personin A (Neza) këta dy të fundit do të ishin përfitues? A bëri kallëzim për ministrin, siç i detyron Kodi Penal ofiqarët shtetërorë?

    Në rrafshin politik, Rama gjithashtu duhet të shpjegojë pse nuk e shkarkoi menjëherë ministrin licencues-përfitues, por e bëri këtë vetëm pas dy vjetësh? Pse e rikandidoi si deputet e shef liste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021? Pse vazhdoi t’i besonte detyra të rëndësishme partiake e parlamentare? Ashtu si edhe lexuesi i këtyre radhëve, nuk besoj do të ketë zbulesë në përgjigjet e kryeministrit Rama (nëse do të ketë të tilla). Por pyetjet duhen bërë gjithsesi. Ashtu si edhe opozita e palodhur lipset të bëjë letrat e kallëzimit edhe për këtë rast e t’i dorëzojë në Prokurorinë e Posaçme. Si shumë të tjera; le të bëhen vandak aty. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Shoqëria, pa idealin moral

    Lajmi i rradhës

    Bie numri i lindjeve – Për tre muaj 599 kërkesa për divorc

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë