Llafollogji në vend të argumentit

    PËLLUMB NAKO

    “Politikë e re”, “politikanë të rinj”, “brez i ri politikanësh”, “risi në politikë” e fjalë të tjera këto janë kthyer në lajtmotivin e diskutimeve të shumta që debatohen edhe publikisht, edhe në tavolina. Dhe me të drejtë. Megjithatë, tradita e retorikës dhe e diskutimeve politike që përball një situatë konkrete nuk përgjigjet me asgjë konkrete, por me lumenj shtampash të thëna e stërthëna, të zhveshura nga çdolloj referimi real tokësor, vazhdon e pandryshuar, klishe, banale edhe nga politikanë të rinj. Dhe kjo është mjaft dëshpëruese. Dikush që është në opozitë, i ri në politikë dhe në moshë, mjaftohet duke bërë deklarime retorike, por që në thelb nuk thonë asgjë dhe që po vetë pretendon se i takojnë së shkuarës.

    Kurse dikush tjetër nga pozita, po ashtu i ri në politikë, thotë se kjo apo ajo nismë ligjore që është në diskutim e sipër në komisionet parlamentare, bëhet për herë të parë dhe se po çudit dynjanë. Të dyja palët e politikanëve në fjalë, vazhdojnë ndërkohë traditën për të ngritur kështjella të paqena, llogore të thella, duke sulmuar njeri-tjetrin edhe atje ku problemi real, interesi publik, madje edhe e vërteta më e thjeshtë, kërkon të kundërtën. Koncepti i vazhdueshmërisë së punëve të institucioneve në të mirë të vendit, thuajse hidhet në kosh të plehrave. Nga ajo që shohim në media, të krijohet përshtypja se pjesëmarrja në komisione është diçka dytësore, sepse tjetër kund është përparësia.

    Madje, gjatë diskutimeve në punimet e tyre, deputetët, edhe të rinj, nuk thellohen e të lexojnë ndonjë rresht në arkivat e komisioneve ku militojnë. Ndoshta nuk kanë kohë e të mësojnë nëse në legjislaturat e mëparshme ka pasur nisma të ngjashme, që janë diskutuar dhe për të cilat ata po flasin e komentojnë aktualisht. Marrëveshjet e shumta ndërkombëtare bashkëpunimi që miraton Parlamenti, nuk kanë filluar sot e as do të përfundojnë me këtë legjislaturë, por leximi me vëmendje i atyre të mëparshme, marrja e informacionit për mënyrën sesi janë implementuar, njohja me raporte mbi ecurinë e tyre, krijon një vizion më të plotë rreth ecurisë së institucioneve të bashkëpunimit ndërkombëtare në këtë apo atë drejtim, duke i bërë vërejtjet e mundshme konkrete.

    Dhe pikërisht këto të fundit mungojnë. Më konkretisht. Në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, këto ditë u diskutua rreth një marrëveshjeje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë lidhur me Qendrën e Përbashkët të Shkëmbimit të Informacionit Ndërkufitar. Pavarësisht se opozita e miratoi këtë nismë, e cila për hir të vërtetës duhet përshëndetur, diskutimi i saj lidhur më çështjen konkrete, mbeti për fat të keq brenda ca termave të përgjithshëm demagogjie, tipike të një politike që ende nuk po perëndon, larg produktit konkret. Retorika e shoqëruar nga ndonjë batutë lidhur me krimin që në vendin tonë po bën namin dhe se pikërisht rritja e trafiqeve të drogës dhe emigrantëve të parregullt ndërmjet dy vendeve, është motivi që e detyroi qeverinë greke të ndërmarrë këtë nismë për shkëmbimin e informacionit për grupet kriminale shqiptare e greke, nuk dëshmoi real politikë. Dhe, në fakt, nuk është kështu.

    Nëse parlamentarët e Komisionit të Sigurisë do të ishin interesuar e do të kishin lexuar në arkivat e komisionit të tyre apo të shfletonin listën e marrëveshjeve që disponon Ministria e Jashtme, do ta kishin fare të lehtë e të kuptonin që ndërtimi i qendrave të përbashkëta ndërkufitare të shkëmbimit të informacionit është një akt bashkëpunimi, i cili ka dekada që ka filluar. Madje, fillimisht nga organet kompetente të qeverisë së partisë ku deputetët militojnë sot si opozitarë. Këto qendra të parashikuara në rekomandimet e Katalogut Shengen për menaxhimin e kufijve, dokument ky i Komisionit Europian, nuk janë një risi e viteve të fundit. Ato janë me dhjetëra në vendet europiane, madje edhe trepalëshe. Edhe për vendin tonë, siç u përmend pak më sipër, ky standard nuk është i ri. Vendi ynë aktualisht ka tri qendra të tilla: në kufi me Malin e Zi, me Kosovën dhe me Maqedoninë e Veriut.

    Të tria nismat janë ndërmarrë nga Ministria e Brendshme dhe Policia shqiptare e asaj kohe. Por deputetët as nuk pyetën, as nuk u interesuan paraprakisht për të pasur informacionin e duhur se çfarë përfaqësojnë dhe si funksionojnë sot ato qendra, për të qenë më pas më konkret lidhur me efikasitetin e qendrës së ardhshme me Policinë greke. Ky lloj bashkëpunimi ndërkufitar, siç u përmend pak më sipër, është një standard i lartë bashkëpunimi ndërmjet dy policive të të dy vendeve dhe nuk lidhet domosdoshmërisht me rritjen apo uljen e kriminalitetit, as më krimin e organizuar specifikisht. Kontributi i tyre është më modest, i lidhur me sigurinë ndërkufitare në përditshmëri me qëllim final garantimin e sigurisë, duke mos ngadalësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave nëpër pikat e kalimit kufitar. Po ashtu, deputetët e opozitës nuk kishin informacionin e duhur se nismën edhe për këtë qendër me Greqinë, nuk e ka ndërmarrë e para qeveria greke, por ka qenë pala shqiptare, ajo e cila nisi bisedimet në mesin e vitit 2012.

    Por, siç dihet, nuk pati kohën e duhur për të finalizuar aktin sepse pak muaj më pas, në vitin 2013, pasuan ndryshime politike dhe siç po ndodh edhe tani, gjithçka filloi nga zeroja duke injoruar gjithë arritjet e mëparshme. Madje, në fillim të vitit 2013, një ekip i Policisë shqiptare së asaj kohe vizitoi edhe një qendër të tillë të përbashkët në kufirin ndërmjet Greqisë dhe Bullgarisë, për ta pasur si model bashkëpunimi, vizitë kjo e shoqëruar edhe nga ekspertë kufitarë të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Nëse deputetët e opozitës do të ishin informuar mirë, do të kishin mundësi të kërkonin llogari qeverisjes së sotme se përse është vonuar kaq shumë një nismë e tillë e ndërmarrë dhjetë vjet më parë. (Apo ndoshta ishte shumë e zënë me “Open Ballkan”.) Nëse propozimi, siç thuhet në media, ka ardhur nga qeveria greke, përse qeveria aktuale e la përgjysmë duke e vonuar kaq shumë nismën e marrë nga qeveria e opozitës aktuale?

    Po ashtu, opozitarët do të kishin mundësinë e të tregonin në Komision se megjithëse qeveria e dikurshme e opozitës së tyre aktuale, ka vite që ka humbur zgjedhjet, në fushën e bashkëpunimit policor rajonal e ndërkombëtar ka bërë hapa gjigantë bashkëpunimi nëpërmjet akteve të shumta ligjore. Siç është edhe rasti i qendrave të përbashkëta, ku nga katër gjithsej, tri janë ngritur në kohën e qeverisë së opozitës. Mjaftojnë që deputetët të lexonin e të bënin një bilanc të marrëveshjeve të nënshkruara gjatë qeverisjes së opozitës së sotme dhe asaj aktuale në fushën e bashkëpunimit policor me vendet fqinje e me vendet perëndimore, do të kishin plot gjëra të tjera për të thënë dhe vërejtjet do të ishin bërë brenda një politike reale, jo llafollogji e përgjithshme./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Vanhoutte kundërshton VMRO-DPMNE-në: Diskutimi i vërtetë duhet të jetë për cilësinë e deputetëve, e jo sa duhet të ketë në Kuvend

    Lajmi i rradhës

    Domethënia e përplasjes së Presidentit Meta në Gjykatën Kushtetuese

    Lajme tjera

    A ka burra ky vatan?

    EKREM SPAHIU  Shqiptarët nuk janë një komb që tremben nga të tjerët, apo të ndjehen inferiorë ndaj të…
    Më tepër

    Quo vadis Ballkan!?

    Donika Hamiti Për dekada me radhë, rajoni i Ballkanit është gjendur në udhëkryqe, konflikte, dilema e mosmarrëveshje të…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë