Lotë krokodili në mbrojtje të gazetarisë, të pastrohet oborri nga mbetjet

    Ardit Ramadani
    Gazetar

    S’ka dyer ku nuk trokitet. Vështirë gjenden mjaftueshëm fasuleta për t’i fshi lotët e aktivistëve të organizatave kombëtare e ndërkombëtare. Politikanët vërshojnë shkrimet pikëlluese në rrjetet-sociale. Burra pleq me syze dhe flokë të thinjura mbushin studiot televizive për të dhënë ekspertizat e tyre. Britmat dhe fjalimet qortuese të vetë komunitetit dëgjohen deri në qiell – krejt kjo, kur sulmohet dikush që thotë se është gazetar.

    Të njëjtit këta “avokatë” të gazetarëve, edhe Zoti e ka vështirë t’i gjejë kur personat e vetëidentifikuar si gazetarë (shpesh herë viktima të sulmeve) përmes “artikujve” të tyre u hyjnë qytetarëve në krevat duke komentuar se me kë dhe si flenë, kur fusin në varr persona krejtësisht të gjallë e të shëndoshë, kur para se të flet gjykata – flasin ata, kur në shkrimet e tyre ka nxitje të urrejtjes, rrena, shpifje, ofendime, denigrim të personaliteteve, shantazhe dhe shkelje të çdo neni të Kodit Etik të Gazetarëve.

    Duke e mbyllur gojën, qorruar sytë dhe refuzuar që në këto raste të kthejmë gishtin nga vetë komuniteti e fajin ta kërkojmë në mesin tonë – ne jo vetëm që ju themi amin këtyre sjelljeve, por krijojmë shumë „Marijan-a” ndërsa „Dokaz-at” e tyre shpesh herë figurojnë të parët në listat e përfituesve të parave qeveritare, lexo; taksave të qytetarëve, për reklama gjatë kampanjave parazgjedhore dhe jo vetëm. Pra, këta përveç që keqinformojnë dhe shpesh herë i terrorizojnë qytetarët, atyre ju marrin edhe paratë.

    Sa për ilustrim: Se pronari i portalit famëkeq “Dokaz.mk”, Marjan Stamenkovski qytetarët i shantazhonte, ofendonte, kërcënonte dhe bënte gjithçka tjetër përpos gazetarisë ka qenë sekret-publik, sidomos për ne të komunitetit të gazetarëve, por ne të gjithë heshtëm, derisa nuk u cenuam vetë dhe ai doli para gjykatës. Përveç kësaj, në faqen zyrtare të Shoqatës së Gazetarëve gjen shkrime që ia bëjnë avokaturën këtij shantazhuesi, duke derdhur lot krokodili për sulmet fizike ndaj tij në të kaluarën dhe duke i vënë emrin gazetar.

    E nëse të vetmet raste kur këta “gazetarë” përmenden në shkrimet e Shoqatës së Gazetarëve të RMV-së dhe organizatave tjera është kur këtë e bëjnë për t’ju dalë në mbrojtje për shkak të ndonjë sulmi, shpesh herë të vetë-orkestruar ndërsa gjykatat s’guxojnë të bëjnë gjë sepse këta medie e gazetarë jo-profesional, në të shumtën e rasteve e kanë „shpinën” e fortë dhe financohen nga persona në pushtet..

    Natyrshëm lind pyetja se qytetarët, kush do i mbrojë?

    Shpallja e Regjistrit të Medieve Profesionale, ku sipas idesë fillestare do të bënin pjesë vetëm mediet të cilat raportojnë duke respektuar Kodin Etik të Gazetarëve – ide shumë e mire! Por, ashtu si gjithçka tjetër në këtë shtet, ishte e rrugës që edhe në këtë regjistër të “futen” me mik portale e televizione krejtësisht jo-profesionale, gjë që çoi në vdekje klinike këtë iniciativë të organizatave të gazetarëve, ende pa filluar siç duhet.

    Nga ana tjetër edukimi mediatik do të edukonte gjeneratën e re se si të bëjnë dallimin mes gazetarëve profesional dhe atyre manipulues, çka është e çka s’është lajm i rremë, çfarë në thelb do të thotë plagjiatura, keqinformimi, sensacionalizmi dhe ngjashëm. Por megjithatë, nuk do të ndalonte që këta individë të vazhdojnë punën kundër çdo etike e norme profesionale – duke u thirrur në atë se qenkan gazetarë.

    Saktë: Globalizmi – Telefoni – liria.. por jo duke përdhosur profesionin tim!

    Pa dashur të “pushkatohem” nga neoliberalët dhe policët e fjalës së lirë. E saktë, sot kush ka telefon – ka edhe mundësi të komunikojë masivisht, por të pasurit një telefon s’mund dhe s’duhet të jetë kushti i vetëm për të marrë epitetin “gazetar” dhe krejt benefitet dhe të këqijat që e shoqërojnë këtë profesion.

    Shoqata e Gazetarëve bashkë me profesionistë të fushës në Maqedoninë e Veriut duhet që fillimisht të krijojnë një mekanizëm për largimin e këtyre personave keqbërës nga komuniteti ynë dhe pas kësaj, të ketë selektim adekuat se kush i plotëson kushtet për të qenë pjesë e komunitetit të këtij profesioni të shenjtë.

    Meqë ushtrimi i profesionit të gazetarisë përmes marrjes së licencës paraprakisht mund të tingellojë si ide shumë e vrazhdë dhe të çojë në censurë, minimumi që mund të bëhet është që këtyre personave të ju testohen njohuritë minimale për këtë profesion, të kenë të paktën të kryera studimet deridiplomike – dhe më së paku një diktim të shkollës fillore ta kalojnë me sukses.

    Pas publikimit të raportit të IRI-t amerikan për besueshmërinë e popullit në institucionet e vendit, me muaj si medie kemi kërkuar përgjegjësi nga institucionet përkatëse për besimin e ulët. Por, pse asnjëri prej neve s’kërkoi përgjegjësi për atë se vetëm 7 për qind e popullit në vend ishin shprehur se ju besojnë medieve?

    Nëse nuk zgjohemi nga gjumi dhe të ndërmarrim masa urgjente fillimisht ne si komunitet në pastrimin e oborrit tonë, kjo përqindje do të jetë çdo vit e më e ulët. Nëse ne si komunitet i gazetarëve nuk e ngremë zërin kur në emër të profesionit tonë shumë qytetarë mashtrohen, shantazhohen, linçohen e denigrohen publikisht – nuk duhet të presim që nesër qytetarët të na dalin në mbrojtje kur e njëjta do të na ndodhë neve.

    Gazetaria është e mirë publike. T’ia ruajmë edhe atë pak nam që na ka ngelë. Aktualisht, ky profesion i shenjtë ka shumë vrima dhe rrezikon të fundoset si titaniku, të mos e lejojmë këtë – të paktën jo ne, që e duam këtë profesion dhe e bëjmë me të vetmin qëllim, të informimit të masës.

    *Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Rritet numri i të papunëve në Gjermani

    Lajmi i rradhës

    Gjithnjë e më shumë euro të falsifikuara

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë