Me çka dallon hajdutëria dhe demokracia e sotme, nga robëria dhe njëmendësia e deridjeshme?

    Kim Mehmeti

    Fëmijërinë time e shënuan pamjet rrëqethëse në stacionin hekurudhor të Shkupit, ku lotonin ata që shkonin në Turqi dhe ne që mbetëm këtu. Dhe s’kishte kush na ngushëllonte as neve që nuk e braktisëm vendlindjen, as ata që shkuan atje ku nuk i priste njeri.

    Në ballinën e viteve të pjekurisë sime, mbetën të pashlyera skenat rrëqethëse të të dëbuarve nga Kosova, që ne i prisnim në Bllacë dhe i ngushëllonim me betimin se deri sa të ketë kulm mbi kokat tona, do ketë sofër edhe për ata.

    Pas skenave trishtuese të fëmijërisë, pas pamjeve rrëqethëse të vitit 1999 në Bllacë, shpresoja se toka shqiptare kurrë më nuk do i abortojë fëmijët e saj. Pra, e dija se do jetë e vështirë, e dija se lumturia gjithë popullore është iluzion, por kurrë nuk e kisha menduar se do shihja pamjet trishtuese të atyre që sot e braktisin Shqipërinë, Kosovën dhe trojet tjera shqiptare.

    Shumë miq më pyesin pse ne individët publik, nuk dalim e t’i themi kësaj rinie të mos e braktisë atdheun?!

    Ja po ua them sepsen time: ngaqë më vjen turp t’u dal përpara atyre që heshturazi e kokë ulur e braktisin vendlindjen. Më vjen turp sepse që të dalësh të kërkosh nga ata të kenë më shumë durim e të flijojnë për popull e atdhe, duhet ta kesh larë borxhin që ke ndaj tyre: paraprakisht t’u kesh treguar se cilët janë ata që ua vranë shpresën e atdhetarinë, se cilët janë ata që tri dekada me radhë janë duke na bërë ‘evropianë’, por në ndërkohë, duke e shkatërruar e plaçkitur popullin e tyre.

    Andaj, mendoj se kjo rini që është duke e braktisur atdheun, paguan edhe çmimin e qyqarërisë sonë, e mosguximit tonë që me kohë t’u ngjiteshim autobusëve që çojnë në Tiranë, Prishtinë e Shkup, që t’i mbushnim sheshet shqiptare dhe në mos më shumë, publikisht t’i lexonim emrat e atyre të cilët kurrë nuk e fshehën se jetonin në parajsën e ndërtuar mbi tokën e ferrit tonë.

    Dhe duke qenë qyqarë të tillë, ne sot përballemi me pyetjen e fëmijëve tanë, e që u bë emblemë e turpit tonë: me çka dallon hajdutëria dhe demokracia e tyre e sotme, nga robëria dhe njëmendësia e jonë e deridjeshme!

    Lajmi Paraprak

    Si do të realizohet procesi i votimit në kohë pandemie?

    Lajmi i rradhës

    KSHZ: Deri më tani jehona e zgjedhjeve ka shkuar mbi 5 për qind

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë