Midis Dhjetorit 1990 dhe Flamingove 2026

    JORGJI KOTE

    Padyshim që Protesta e madhe qytetare që vazhdon prej gati 3 muajsh në Tiranë është unikale jo vetëm në Shqipëri por edhe në Europë dhe më tej për jehonën planetare, pjesëmarrjen masive, kauzën e drejtë, karakterin paqësor, vazhdimësinë, disiplinën, organizimin dhe ecurinë pa as më të voglin incident dhe jehonën vërtet planetare. Me kërkesat e saj madhore dhe ulëritëse për Shqipërinë e Re, për një Revolucion demokratik paqësor, që të shkuli nga rrënjët të këqiat që kanë pllakosur vendin, për fatin tonë të keq edhe në këto 36 vitet e fundit.

    Nisur nga sa sipër, tematika dhe specifikat e Protestës pritet të jenë objekt kumtesash dhe referimesh politike/shkencore; një ndër to do të jetë krahasimi i saj me Lëvizjen e Dhjetorit 1990, me ngjashmëri, kontraste dhe veçori specifike.

    Natyrisht që një analizë e tillë krahasuese gjithëpërfshirëse përfshin aktorët, faktorët, kushtet dhe rrethanat politike, ekonomike dhe sociale në të dy periudhat në fjalë. Mbi këtë bazë, po japim këtë tabllo krahasuese midis Protestës së Flamingove 2026 dhe Lëvizjes së Dhjetorit 1990, të cilën e kam përjetuar aktivisht.

    Dihet se atëhere shkas për shpërthimin e protestës demokratike u bë ikja e dritave në Qytezën “Studenti”. Ndërsa tani ajo filloi me shqetësimin edhe më të madh për flamingot, për zonat e mbrojtura, natyrën dhe mjedisin. Ndaj nuk ka pse të habiten ca se si kjo lëvizje u përshkallëzua duke kërkuar “ kokën” e Ramës dhe Revolucionin për “Shqipërinë e Re”. Kudo kështu kanë shpërthyer protestat dhe lëvizjet reformuese; ndryshe, pa shfrytëzuar një shkak dhe një shkëndijë do ishte e pamundur, sidomos në vende me rregjime autoritare dhe “demokraci me bishta”!.

    Lidhur me sfidën dhe sfondin e tyre historik, Protesta e Flamingove zhvillohet në kushte më të vështira. Edhe pse në Dhjetor 1990 duhej përmbysur diktatura 45 vjeçare, gjithsesi realisht asaj « i kishin rënë dhëmbët». Të mos harrojmë se shembja e Murit të Berlinit, ekzekutimi i Çausheskut dhe rënia e rregjimeve të tjera lindore me “revolucione kadife” i kishte kallur datën” rregjimit monist në Tiranë.

    Shumë e rëndësishme të theksohet se ndryshe nga sot kur gati gjysma e popullsisë kanë ikur, shumica e tyre dërmuese opozitarë, në vitet 90 ishte gjëja më e lehtë të mblidhje njerëzit; se pothuajse i gjithë populli ishte në Shqipëri, i organizuar në shkolla, fabrika, kombinate, miniera, ferma dhe kooperativa bujqësore; dhe “me një fishkëllimë’’ i kishe të gjithë atje, në protesta kundër qeverisë duke paralizuar gjithçka. Atëhere nuk kishte ende biznese private, as tatime dhe polici bashkiake. Ndërsa tani ata me biznese e sidomos familjare kur dalin në protesta kundër qeverisë ndëshkohen me kontrolle dhe sanksione të rrepta tatimore dhe financiare.

    Sa për Administratën e atëhershme, vërtet që ishte e politizuar, por ama shumë më e vogël në numër se » ushtria » e sotme administrative; megjithatë, një pjesë e madhe e saj u bë pjesë aktive në manifestimet dhe forumet e opozitës; po ashtu edhe profesorët e universiteteve shumë prej të cilave u vunë në krye të lëvizjeve të protestave, nga e majta dhe e djathta, askush nuk i hoqi nga puna. Ndërsa tani po ndodh e kundërta, administrata që është dyfishuar në 15 vitet e fundit i shërben vetëm rregjimit, merr pjesë vetë dhe me detyrim në mitingjet e PS-së dhe në fushatat e saj zgjedhore pa “i hyrë gjemb në këmbë” ; por ama nëse shihen në mitingje të opozitës dhe anti-qeveriare, përfshi Protestën e tanishme, ata hiqen « fishek » nga puna. Mirëpo të pushohesh nga puna tani ndryshon shumë me atëhere kur kishe vetëm pagën; ikin titujt, shpërblimet, favoret, bordet, tenderat e shumtë.

    Mbi të gjitha, populli dhe opozita në Dhjetor 1990 dhe më tej patën përkrahjen dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-të dhe BE-në, të cilat ushtruan trysni të jashtëzakonshme ndaj rregjimit për të plotësuar kërkesat e opozitës demokratike.

    E kundërta po ngjet sot, kur SHBA-të po tregohen indiferentë ndaj proceseve demokratike; ndërsa BE-ja është vërtet “ si nata me ditën” krahasuar me vitin 1992. Pavarësisht nga fjalët e bukura, ajo e ka spostuar « prapa liste » demokracinë dhe mbështetjen për opozitën në Ballkanin Perendimor, në favor të stabilitetit dhe interesave gjeopolitike. Kështu, ajo e « ka dhe e mban grurë” me liderët e rajonit, dhe, për hir të këtij stabiliteti të rremë, Brukseli “ nuk e ka për gjë “ të mbyllë njerin sy dhe njerin vesh” ndaj difekteve dhe deficiteve të tyre ulëritëse.

    Për pasojë, sidomos Komisioni Europian vazhdon ta fetishizojë dhe ta pompojë me bujë modelin shqiptar, si pararojë e integrimit dhe Edi Ramën si garantues të stabilitetit në Shqipëri dhe më gjerë. Ky është edhe shkaku që me përjashtim të disa eurodeputetëve, Brukseli dhe 27 kryeqytetet e BE-së ende nuk po prononcohen dhe nuk po pozicionohen për Protestën dhe vështirë të ndodhë një gjë e tillë. Se çtë thonë? Sepse Flamingot me kërkesat për ta ndryshuar të gjithë klasën politike pa dallim ia kanë prishur planet dhe gjumin, ia kanë shtuar dhimbjet e kokës BE-së dhe Komisioneres së Zgjerimit, Marta Kos. Ndaj, Brukseli dhe metropolet europiane po ndjekin politikën « prit dhe shih » se nga do të anojë kandari. Sa kontrast me vitet 90, kur ajo nuk “ lëshonte pe” për vlerat europiane!

    Më tej, atëhere denoncohej sistemi monist 45 vjeçar, ndërsa sot një demokraci 36 vjeçare me vello pluraliste, por pa asnjë shenjë përmirësimi, përkundrazi.

    Dhjetori 1990 vrau frikën dhe çmontoi Partinë Shtet, ndërsa sot Protesta ka vrarë frikën nga Ramashteti. Atëhere dhjetorianët kishin përballë organet e diktaturës, policinë, Vullnetarët e Enverit, shërbimin e fshehtë dhe lëpirësit e rregjimit. Ndërsa sot, veç tyre, shumë më të forta dhe okulte përkrah qeverisë dhe shtetit janë rreshtuar krimi i organizuar, afaristët dhe oligarkët korruptues dhe shërbime të huaja të vendeve armiqësore. Vetëm se atëhere policia ishte shumë më e dobët, më e vogël në numër, pa bomba me gaz lotësjellës, madje edhe pa makina uji; ndërsa sot ajo është e armatosur deri në dhëmbë, e shumëfishuar në numër, roje dhe shpesh besnike e verbër e rregjimit. Çuditërisht edhe sot të gjithë forcat e lartpërmendura dhe rregjimlëpirësit janë shtuar tej mase. Sidomos patronazhistët kanë shumë më tepër fuqi, poste, pushtet, prona dhe përfitime të tjera, ndërkohë që tufat me servilë dhe lakejtë e rregjimit në rolin e analistëve, komentuesve dhe zëdhënësve janë kthyer në kope dhe hordhi të frikshme edhe me keq se atëhere.

    Nomenklatura atëhere kishte si motiv kryesor ideologjinë, vendin e punës dhe frikën nga ndëshkimi, asgjë tjetër. Edhe Vila e Enverit që përmendet vazhdimisht me të madhe nuk ishte pronë e tij por banesë shtetërore. Ndërsa sot liderët tanë kanë prona, pasuri, klientela pa transparencë dhe oligarkët në shërbim të tyre; politika i ka pasuruar pa i bërë të përgjegjshëm, siç ndodh gjetkë me politikanët.

    Sa i takon ndikimit mediatik, pushteti atëhere kishte vetëm RTSH-në dhe gazetat qeveritare. Ndërsa kundër tij dhe në favor të opozitës u rreshtuan gazetat e pavarura dhe sidomos BBC, Deutsche Welle dhe VoA të cilat muarën përsipër tregimin e të vërtetës. Ndërsa sot, këto të fundit nuk ekzistojnë më për vendin tonë. Ndërkohë, qeverinë dhe Ramën, veç podkastit dhe televizionit të tij e mbështetin disa televizione private, të blera nga pushteti dhe pronarë oligarkë, që ndryshe nga 35 vite më parë i janë kundërvënë hapur opozitës, madje edhe Protestës.

    Këtu bën përjashtim Grupi Mediatik Focus me News 24, Gazetën prestigjioze më të madhe “ PANORAMA” rrjetin e lajmeve “Ballkanweb” etj që si gjithmonë, qysh në fillim të kësaj proteste janë bërë mbështetje e fuqishme e opozitës dhe Protestës, duke e përcjellë atë “live” në çdo moment; një shërbim i madh ky i gazetarëve, kameramanëve dhe moderatorëve të mirënjohur dhe të përkushtuar.

    Ndërkohë, krahas dallimeve, këtu është momenti të theksojmë ngjashmërine e madhe në përmbajtje, parime dhe objektiva midis « Shqipëria e re » e Flamingove 2026 me “ E duam Shqipërinë si gjithë Europa” të Dhjetorit 1990. Sepse edhe Shqipëri e Re do të thotë të bëhemi pjesë e BE-së, ama jo vetëm me letra dhe grupkapituj negociatash Tiranë – Bruksel, por me mendësi të re europiane, me ujë, drita, vende pune, pensione dinjitoze, me administratë të depolitizuar, pa patronazhista, ku partia, pushteti dhe shteti të jenë të ndara; ja kjo është Besa që duan shqiptarët, Besë që Rama e ka prerë sa e sa herë gjatë sundimit me dorë të hekurt në 13 vitet e fundit dhe tani po e rikërkon pa pikë turpi!

    Nga ana tjetër, ashtu si në atë Dhjetor 1990, edhe tani është ringjallur besimi i madh se ky vend mund të bëhet. Garanci dhe dëshmi janë numri i madh i shqiptarëve që kanë kapur majat e politikës, artit dhe shkencës sportit dhe tani duan që këtë ta bëjnë edhe në Atdhe; ca më tepër kur synojmë që më 2030 të jemi në BE. Ndaj po bërtasin fort për ndryshimin e sistemit dhe kthesën e re historike.

    Së fundi, falë kryesisht aktorëve dhe faktorëve të lartpërmendur, Lëvizja e Dhjetorit 1990 e realizoi shumë shpejt ndryshimin e madh të sistemit politik. Kjo sepse në krye të asaj Proteste studentore dhe qytetare që shumë shpejt u kthye në Lëvizje mbarëkombëtare me natyrë thellësisht politike u vu opozita dhe PD-ja; ndërsa Flamingot janë ende Protestë qytetare edhe pse me kërkesa politike. Ajo u është kundërvënë deri tani të gjitha partive kryesore dhe liderëve të tyre, si përgjegjëset kryesore të dështimit të sistemit demokratik në 36 vitet e fundit. Mirëpo, në një vend të mësuar me diktatin e partive në çdo fushë, kjo do të vijë duke ia vështirësuar akoma më shumë punën Flamingove, se nuk jemi në Danimarkë!

    Ndaj është momenti që edhe Flamingot të organizohen në një grupim apo forum, nuk ka rëndësi emri, me një kryesi qoftë edhe të përkohshme, duke u bërë të njohur kështu zyrtarisht edhe te komuniteti ndërkombëtar. Kjo do t’i japë legjitimitet, besueshmëri dhe frymëmarrje më të madhe kauzës së tyre, do të përmirësojë organizimin në Tiranë dhe kudo në rrethe, mbasi ka shkëputje dhe mungesë bashkëpunimi me to dhe pse jo me partitë politike për të realizuar axhendën e saj.

    Lajmi i mirë këtu është se Flamingot kanë avantazh krahasuar me Dhjetorianët 1990 sepse i njohin gabimet e këtyre të fundit për shkak të mungesës së përvojës demokratike dhe infiltrimit të elementë të ish nomenklaturës moniste, duke marrë në dorë « me lezet » edhe frenat e asaj Lëvizjeje historike; ndërsa flamingot, shumë prej të cilëve kanë jetuar brenda por edhe jashtë vendit e njohin mirë si përvojën tonë të kaluar negative ashtu dhe parimet, vlerat dhe praktikën demokratike. Megjithatë, kërkohet kujdes që duke dashur të mbrohen nga infiltrimi dhe ndikimi i elementëve të padëshiruar nga parti dhe forca të tjera, të mos e pësojnë si ai që « u dogj nga qulli dhe i frynte kosit » ose duke i futur të gjithë në një thes » Me një fjalë, ata është koha të hyjnë në dialog dhe bashkëpunim me të gjitha ato segmentë « disidentë »të shoqërisë civile dhe partive politike që janë dënuar nga partitë e tyre dhe që ndajnë të njëjtat vlera me Flamingot 2026. Mbi të gjitha, duke shmangur mangësitë dhe difektet e tyre, Flamingot kanë shumë se çtë mësojnë nga fryma, përvoja politike dhe organizative e Dhjetorit 1990, që këtë Protestë ta kthejnë shkallë shkallë në LEVIZJE mbarëkombëtare; duke e përshkallëzuar në të gjitha kapilaret e shoqërisë, derisa t’ia « shtrëngojnë lakun në fyt » rregjimit; që Flamingot të mos kthehen në një lëvizje boshe apo në një foltore tjetër moralizuese, me pësime dhe zhgënjime të dhimbëshme demokratike. Panorama

    Lajmi Paraprak

    Franca ndalon telefonat celularë në shkollat e mesme nga viti i ri shkollor

    Lajmi i rradhës

    Mbi 90% e pishinave private në Shkup pa dokumentacion, askush nuk pyet sa ujë harxhojnë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë