Mosdënimi i së keqes si mbretërim i hipokrizisë

    AGIM BAÇI 

    Thirrjen kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Angelo Massafra, ndaj Presidentit Begaj, për të iniciuar një ligj për dënimin e krimeve të komunizmit ma solli edhe më të fortë ftesa e koleges sime të hershme në rrugëtimin e gazetarisë, Lulejta Progni, për të ndjekur filmin për historinë e nënës së saj – Zojes.

    Në fakt, duke e ditur historinë e filmit, e dija fare mirë se Luljeta nuk po tregonte historinë e nënës së saj, por po na sillte para syve, përmes vetë lojës së saj, historinë e një nëne shqiptare që bëri gjithçka për të mbajtur forcën e së keqes së diktaturës larg jetës së fëmijëve të saj. Massafra nuk e fshehu në letër se kjo kërkesë drejt Presidentit ishte shtyrë nga tentativat e përsëritura për të lartësuar figurën e diktatorit Enver Hoxha, që ai dhe ne kemi hasur çdo ditë në këto 33 vite.

    Ai nuk nguron ta cilësojë komunizmin si periudhën më të errët në historinë e vendit, të cilën duhet ta dënojmë me ligje, me akte të forta. Luljeta nuk e fsheh se jeta e nënës së saj është vetëm një segment i shumë prej grave që bënë gjithçka për të mbrojtur familjen dhe jeta e saj sot nuk është për Luljetën, e as për familjarët e saj, por për të gjithë ata që duhet të lexojnë se sa e fortë ka qenë ajo betejë për jetën.

    Filmi i Luljetës më riktheu filmin gjerman “Labirinthi i heshtjes” – një film që përshkruan rrugën e vështirë të një prokurori të ri, Johan Radman, për të zbuluar komplotin e disa institucioneve dhe degëve të mirënjohura qeveritare për të mbuluar krimet naziste nga Lufta e Dytë Botërore. Në film është një moment tejet i veçantë e domethënës, kur prokurori së bashku me gazetarin Tomas Gnilka janë përballë rrënojave të Aushvicit. Kur Gnilka, që kish qenë aty 17 vjeç me të rinjtë nazistë, e pyet prokurorin se çfarë shihte, prokurori i tha se shihte vetëm mure dhe rrënoja.

    “Ata histori që kanë ndodhur këtu do të mbeten thjesht rrënoja për sa kohë që shoqëria nuk do i njohë ato”, – i tha gazetari prokurorit. Filmi, i cili ishte në vitin 2015 kandidat për “Oscar” vë përballë njëri-tjetrit disa prej njerëzve që nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për Aushvicin dhe disa tjerë që duan ta harrojnë atë të shkuar sa më shpejt që të jetë e mundur. Rrugëtimi i prokurorit në hetim e fut atë thellë e më thellë në një labirint fajesh e gënjeshtrash që shoqëria vazhdonte të bënte për të shkuarën.

    Por ajo çka ai do të zbulojë në fund, përmes kurajës për të mësuar dhe thënë deri tek e vërteta edhe për të atin e vet, është edhe çelësi që ndryshoi përgjithmonë Gjermaninë përballë të shkuarës së krimeve naziste. Edhe në Shqipëri, për gjatë këtyre viteve ka pasur përpjekje që për të shkuarën të mos ketë filma, të mos ketë debate publike. Në botën e kinemasë, mediave dhe historisë vijuan të shfaqeshin më shumë komunikimet mes udhëheqësve të asaj kohe, komploteve brenda “ish-Bllokut” se sa çfarë kish sjellë për jetën e shqiptarëve ai demon i së keqes dhe se si ishte vaditur me ligësi ajo kohë e shumicës së shqiptarëve.

    Në këto 33 vite në Shqipëri më shumë u praktikua ajo që sipas sociologut Zigmunt Bauman e quajti “vetëshfajësim historik”, gjë që çoi një pjesë të shoqërisë në mosdashje të hapur për të dëgjuar çfarë krimesh kishin ndodhur realisht gjatë diktaturës. Kjo heshtje ndaj të shkuarës ka qenë një nga shkaqet që e keqja që pllakosi shoqërinë shqiptare për mbi gjysmë shekulli të bredhë ende lirisht rreth nesh.

    Si pasojë e këtij “vetëshfajësimi” është krijuar, në jo pak raste, ideja sikur debati mbi të shkuarën është thjesht një çështje historie dhe se i përket studiuesve të historisë apo politologjisë. Pasojat e kësaj sjellje në Shqipëri kanë vijuar t’i vuajnë më shumë se kushdo ish të burgosurit politikë dhe ish-pronarët, të cilët në shumë raste janë trajtuar si viktima, pa rehabilitimin e duhur që shoqëria ua kish borxh.

    Ndaj, thirrja e Masaffrës apo filma si të Luljetës duhet të mbizotërojnë në debatin tonë të përditshëm, që më së paku, të mos i gënjejmë fëmijët për të shkuarën e t’i ruajmë nga ata që djallëzisht duan të na e tregojnë atë kohë si diçka e rastësishme, si aksident dhe jo si një projekt i së ligës, që rrezikon të kthehet për sa kohë nostalgjikët do të vijojnë të ngrenë lart “të mirat e kohës së keqe”.

    Të gjithë sociologët e historianët thonë se “e keqja fshihet pas harresës”, ndaj duhet medoemos që harresës së të shkuarës t’i ngremë muret që të mos bëhet normalitet, siç ka ndodhur rëndom në këto tri dekada. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Jo pasaporta nga struktura ilegale – Kosova kundër KE

    Lajmi i rradhës

    Ruajtja e gjuhës shqipe, përgjegjësia jonë para historisë dhe së ardhmes

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë