Në cilën anë do të jetë BE gjatë negociatave?

    BESNIK MUSTAFAJ

    Nën tinguj fanfare, nën praninë e oborrit të vet të ngazëllyer, Kryeministri Rama ngriti në shtizë flamurin e Bashkimit Europian përpara selisë së qeverisë. Ngritja e këtij flamuri nuk shpreh ende një realitet europian në Shqipëri. Fatkeqësisht. Ishte vetëm një akt propagandistik nga ana e Kryeministrit. Gjithsesi, prania e atij flamuri, krahas flamurit tonë kombëtar, përpara selisë së qeverisë, shpreh një dëshirë të thellë të shqiptarëve. Qoftë edhe si mishërimi i kësaj dëshire, ai flamur e zbukuron bulevardin tonë “Dëshmorët e Kombit”. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ambasadorët e vendeve europiane. Por mungonte opozita. Siç vetë Kryeministri e shpjegoi në fjalën e tij, opozita nuk ishte e ftuar. Sepse kjo opozitë nuk është më e pëlqyer prej tij. Edi Rama, pra, nuk mori fare mundimin për ta fshehur qëllimin e vet për të caktuar edhe opozitën, njësoj siç cakton anëtarët e kabinetit të vet. Heshtja oportuniste e ambasadorëve europianë la një shije të keqe te shumë shqiptarë. Asnjëri prej këtyre ambasadorëve nuk mori guximin t’i tregonte Kryeministrit tonë se opozitën e caktojnë votuesit shqiptarë. Kjo është parimore për një demokraci perëndimore. Apo jo?

    Nuk ka ndonjë vlerë të vajtojmë për kohën e humbur në rrugëtimin tonë europian. Me organizimin e konferencës ndërqeveritare në fillim të javës së shkuar, dera për fillimin e negociatave u çel. Pra, të paktën nga ana procedurale u hodh një hap i rëndësishëm përpara. Vazhdimi varet tërësisht nga aftësitë e qeverisë shqiptare, reformat dhe transformimet e kërkuara kapitull pas kapitulli, duke e bërë kështu Shqipërinë të denjë për të zënë vendin e ëndërruar në familjen europiane. Për arsye të vëmendjes së veçantë, me të cilën i ndjek të gjitha proceset e lidhura me integrimin europian, jam në dijeni se qeveria shqiptare, në të vërtetë, është krejt e papërgatitur për fillimin e këtyre negociatave. Por ky është një problem më vete.

    Me këtë rast dua të tërheq vëmendjen në një aspekt tjetër të këtij procesi, i cili gjithsesi do të fillojë faktikisht në vjeshtë ose në pranverën e ardhshme. Fjala është për sjelljen e re, që nevojitet të tregojnë Komisioni Europian, Parlamenti Europian, si dhe vendet anëtare të BE-së veç e veç ndaj realitetit dhe zhvillimeve në Shqipëri, duke përdorur negociatat si instrument presioni pozitiv dhe transparent për publikun mbi qeverinë e posaçërisht mbi Kryeministrin Rama, me qëllimin për t’i kufizuar atij frymën e theksuar autoritariste, si dhe abuzimin në rritje me pushtetin.

    Pa hyrë në hollësi, po nxjerr në pah vetëm disa shqetësime, të cilat janë parimore, sepse prekin drejtpërdrejt demokracinë dhe lidhjen e saj arteriale me liritë themelore.

    Një nga këto shqetësime të mëdha ka të bëjë me përqendrimin praktikisht absolut të të gjitha pushteteve në duart e Edi Ramës. I fundit që i kishte mbetur pa e pushtuar, ishte ai i Presidentit të Republikës. Me mënyrën si u zgjodh Presidenti i ri, të cilin ai e poshtëroi publikisht duke e thirrur në zyrë e duke e trajtuar si shërbëtorin e vet ende pa i dhënë çelësat, Rama tregoi se de facto, në pesë vjetët e ardhshme, kryetar i shtetit do të jetë ai vetë. Bajram Begaj do të shërbejë thjesht si marionetë. As dekorata nuk do të ketë më të drejtë të japë. Nuk po e paragjykoj aspak Presidentin e ri. Po gjykoj mirëfilli mbi regjinë e përdorur nga Edi Rama për ta përcjellë para shqiptarëve mesazhin e vet e ku Bajram Begaj u përfshi përulësisht me zë dhe me figurë.

    Pikërisht për shkak të një përqendrimi të tillë të pushteteve, më duket se shoqëria shqiptare nuk ka më instrumente politike dhe as juridike për t’ia ndalur dorën Edi Ramës. Ka mbetur pa u konsumuar ende vetëm revolta popullore, të cilën unë personalisht, si evolucionist që jam, nuk e dëshiroj. Një proverb shqiptar thotë se zullumi këputet prej së trashuri. Një përqendrim i tillë pushtetesh në duart e një njeriu në gjuhën shqipe quhet “zullum”. Është një praktikë, e cila bie pa dyshim ndesh me vlerat themeltare të Bashkimit Europian. Ne, shqiptarët e zakonshëm, që e kemi ëndërr jete integrimin e vendit tonë në Europë e që nuk kemi zgjedhur emigrimin për ta realizuar individualisht këtë ëndërr, presim që institucionet europiane si dhe secili nga vendet anëtare të BE-së t’ia shprehin Edi Ramës me zë të lartë dhe pa gjuhë të rrumbullakosur diplomatike mospajtimin e tyre me këtë realitet gjatë procesit të negociatave. Për t’u frymëzuar në rezistencën tonë ndaj së keqes, ne kemi nevojë të shohim në vazhdimësi me kë është Bashkimi Europian.

    Një shqetësim tjetër shumë i madh për ne është përkeqësimi i vazhdueshëm i lirisë së shtypit dhe lirisë së fjalës në përgjithësi në Shqipëri. Edhe në këtë pikë, shoqëria shqiptare nuk ka më asnjë mundësi paqësore për ta penguar Edi Ramën ta zhysë vendin në baltë. Komisioni Europian, Parlamenti Europian, Këshilli Europian, si dhe çdonjëri nga vendet anëtare, ka burime të mjaftueshme informacioni dhe krejt të pavarura për të krijuar një përfytyrim të plotë mbi këto problematika të lirisë. Të tilla janë Reporterët pa Kufij dhe disa të tjera të ngjashme, të cilat për më tepër, financohen kryesisht nga Komisioni Europian, pikërisht për të ruajtur pavarësinë. Në raportin e fundit të Reporterëve pa Kufij, Shqipëria kishte humbur afro 20 vende në klasifikimin e përgjithshëm për liritë e medias. Ne këtu e ngritëm sërish zërin. Por Kryeministri Rama vetëm nënqeshi me përçmim. Ashtu si në vitet e mëparshme, as kësaj here nuk u dëgjua ndonjë zë institucional nga Brukseli europian për t’i kujtuar Kryeministrit tonë se një përkeqësimi i lirisë së medias vetëm e largon Shqipërinë nga familja europiane. Për më keq, Edi Rama e udhëheq vetë, faqe gjithë botës, luftën cinike kundër lirisë së mediave shqiptare. Ne, shqiptarët europianistë, shpresojmë sinqerisht se procesi i negociatave do t’i shtyjë më në fund institucionet europiane të na mbështesin haptas në mbrojtje të vlerave europiane, njëra nga më kryesoret e të cilave është liria e fjalës.

    Pak ditë përpara zhvillimeve të konferencës ndërqeveritare Shqipëri-BE, Kryeministri ynë përuroi “by pass”-in e Vlorës. Për ne, që kemi kujtesë normale në këtë vend, ishte hera e katërt që ai e përuronte këtë vepër të dobishme për qytetarët e Vlorës si dhe për pushuesit e shumtë, të cilët zgjedhin në verë bregdetin tonë të bukur. Të katër herët u përsërit i njëjti spektakël propagandistik. Ky i katërti pati një element më shumë: i pranishëm për të prerë shiritin ishte edhe Komisioneri Europian për Zgjerimin. Lidhur me këtë, në fjalimin e Kryeministrit tonë ishte shtuar një fjali, ku pranohej se vepra ishte ndërtuar me financimet e BE-së. Nisur nga sjellja euforike e Komisionerit Varhelyi në këtë festë, unë kuptoj se ai nuk i ka shtruar Kryeministrit shqiptar as pyetjen më të thjeshtë: Sa ka kushtuar ndërtimi i një km të kësaj rruge? Po t’ia shtronte një pyetje të tillë dhe po të mblidhte pak më shumë informacion të thjeshtë, me të drejtën dhe po aq detyrimin për të verifikuar përdorimin e parave të taksapaguesve europianë, pra, po të bënte një verifikim të tillë, qoftë edhe të përciptë, ai mund të shihte, ndoshta, se edhe në këtë rast, realizimi i projektit është prekur nga dy sëmundje, të cilat po bëhen gangrenë, duke cenuar në themel lirinë e tregut: korrupsioni dhe klientelizmi i qeverisë në kryerjen e punëve publike.

    Janë dy sëmundje të diagnostikuara prej disa vitesh nga institucionet më serioze financiare ndërkombëtare. Siç këto institucione kanë pohuar në raportet e tyre periodike, korrupsioni dhe klientelizmi i qeverisë po minojnë në Shqipëri njërën nga shtyllat kryesore, mbi të cilat mbështetet ekonomia në Bashkimin Europian: lirinë e tregut dhe barazinë e garës. Edi Rama nuk ka pasur veshë për t’i dëgjuar këto institucione financiare dhe as nuk do të ketë, të cilat, në vlerësimin e tij janë “teknike”, domethënë, sipas tij, pa rëndësi çfarë mendojnë. Ne, europianët e Shqipërisë, shpresojmë se gjatë procesit të negociatave, institucionet e BEsë përballë qeverisë shqiptare do të tregohen edhe politikisht të vendosura, detyruese. Me çeljen e negociatave, rritet ndjeshëm edhe mbështetja financiare nëpërmjet programeve IPA. Le të fillojnë me një mbikëqyrje nga afër dhe transparente të përdorimit të këtyre fondeve për t’i prerë rrugën të paktën në këto raste abuzimit, korrupsionit dhe klientelizmit. Te roli i BE-së gjatë këtyre negociatave është varur tani për tani shpresa jonë e vetme për t’i kthyer tregut shqiptar lirinë dhe konkurrencën e ndershme.

    U ndala vetëm në tri nga problematikat e shumta, që paraqet Shqipëria e sotme përkitazi me standardet e lirisë dhe të demokracisë europiane. Dëshiroja me këtë rast t’i shprehja besimin tim të madh BE-së për rolin që ai mund të luajë gjatë procesit të negociatave, me kusht që të ndryshojë sjellje ndaj qeverisë shqiptare dhe personalisht ndaj Kryeministrit Rama. Janë të shumtë shqiptarët që e kanë të njëjtin besim si unë. Me një grup miqsh, të gjithë pa angazhime politike, kemi vendosur ta monitorojmë me vëmendje sjelljen e institucioneve europiane gjatë këtyre negociatave. Ne do të bëjmë aq sa varet prej nesh për ta mbështetur dhe për ta ndihmuar këtë proces: do të informojmë Parlamentin Europian si dhe opinionin publik europian sa herë të konstatojmë konformim të burokracisë së Brukselit me qeverisjen e keqe të Tiranës. Fakt është se ideali europian ka në shoqërinë shqiptare një mbështetje të gjerë si në asnjë shoqëri tjetër. Por kjo mbështetje është e rrezikuar të bjerë pikërisht për faj të sjelljes “diplomatike” të Komisionit Europian përkundrejt pushtetit politik në Tiranë. Ky është një rrezik real, të cilin ne e shohim qartë e më qartë dhe jemi të shqetësuar. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Kur karburanti kushton më shtrenjtë se hoteli

    Lajmi i rradhës

    Jakimovski: VMRO-DPMNE po bllokon investimet në Karposh

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë