“Armiku i popullit” një mik që vetëdijëson me atë se çfarë po ndodh në Tetovë

    Fisnik Xhelili / Fotografia: Nistori

    Autor | Fisnik Xhelili

    Çfarë rastësie!

    Restrikcione, erë dhe shije të çuditshme, ende nuk ka zgjidhje konkrete për ujin e pijshëm në Tetovë”, kështu e kisha titulluar artikullin e djeshëm timin në të cilin flas për problemin shumëvjeçar me ujin në Tetovë. Aty, elaboroj problemet të cilat duhet të zgjidhen që qytetari i thjeshtë mos të ketë problem për këtë nevojë elementare njerëzore. Artikulli fillon me problemin, çka, si, pse, kur, kush, ku dhe çka. Vazhdon me konsultimin e ekspertëve të ambientit, doktorë dhe përfundon me “arsyetimet” dhe premtimet e autoriteteve.

    Gjithçka në rregull deri këtu.

    Po dje, në Teatrin Tetovës, kishte shfaqe premierë, vendosa të shkoj, pasi na mungojnë, për këtë vit e djeshmja ishte shfaqja e dytë për këtë vit në gjuhën shqipe. “Armiku i Popullit” titullohej, salla u mbush plot e përplot, erdhën edhe figura të pushtetit lokal, qendror si dhe partive politike, të cilëve dyshoj shumë se shfaqja ju doli jashtë pritshmërive dhe ju la një shije të hidhur në fund, për atë që përfaqësojnë.

    U ulën dritat, filloi shfaqja, kaluan disa minuta dhe aty personazhit kryesor, doktor Stokmanit i arriti një letër nga postieri të cilën e priste me padurim. Flitej për një dukuri të cilën ai e kishte vërejtur në ujin e qytetit, por pa marrë rezultatet e raportit, s’mund të fliste, donte të ishte i sigurt.

    Uji ka mikrobe, nuk është i pastër, kanalizime, tubacione, pasojat nga to e gjëra të tilla filluan të diskutoheshin në shfaqe, të paktën kështu thoshin hulumtimet e doktorit në shfaqje, si dhe raporti për ujërat e banjave të qytetit, e cila paraqiste një pasuri të madhe. Për publikun që po ndiqte shfaqen, kjo paraqiste një realitet të përditshëm.

    Pas kësaj, doktori vendosi që të njoftojë qytetarët e tij për këtë problem, vendos të shkruaj një artikull për të dhe ta publikojë. Në fillim has në mirëkuptim të kryeredaktorit i cili thotë se “gazeta është për t’u thyer turinjtë banditëve, për të rrëzuar pandëshkueshmërinë e qytetarëve”.

    Megjithatë, vëllai i doktorit ishte një person me njëfarë pushteti, dhe publikimi i këtij artikulli nuk i konvenonte, duke u arsyetuar se projekti do kushtonte miliona e kohë të gjatë. Kështu hasën në përplasje me doktorin duke e kërcënuar se do e largojë nga puna. Por, doktori si një kundërshtar i pakompromis i despotizmit, korrupsionit dhe amoralitetit politik kundërshtonte me çdo kusht, duke i thënë se “shtypi i pavarur do ta detyrojë ta bëjë punën e tij”.

    Vëllait në pushtet nuk i konvenonte publikimi i këtyre rezultateve, andaj filloi ta akuzojë doktorin se shpif kinse uji është i helmuar, duke e quajtur “Armik të popullit” të tij.

    Por, doktori sypatrembur u nis për në redaksinë e gazetës, dorëzoi artikullin. Kryeredaktori theksoi se përmes shtypit do mposhtnin pushtetin, por shumë shpejtë i gëlltiti fjalët që i tha. Për një moment në redaksi u shfaq vëllai në pushtet i doktorit, me ca fjalë ia mbylli gojën kryeredaktorit dhe e bindi që mos e botojë atë artikull, por t’i bindet atij.

    Doktori, gjithë qejf u rikthye në redaksi për të parë se ç’po bëhet me artikullin e tij ku tregon për problemet e ujit, por merr përgjigje negative nga kryeredaktori i cili mundohet që me çdo kusht ta bind se ka gabuar, kur më pas pranon se nuk ka guxim të ja publikojë. Doktori vazhdonte të insistonte se ai do e merr të gjithë përgjegjësinë për publikimin e artikullit, por e kotë. Pasi sipas kryeredaktorit dhe pushtetit, botimi i atij artikulli do ta shkatërronte qytetin. Ndërsa për të sqaruar opinionin publik, vëllai i doktorit urdhëroi që të jepej deklarata e tij.

    Për një moment thirret mbledhje për ta lexuar raportin. Kryeplaku thotë që mos të jepet leje që doktori ta lexojë raportin dhe populli njëzëri mbështet këtë duke refuzuar doktorin.

    Në fund, doktori merr fjalën dhe ju thotë se ka zbuluar se nuk janë helmuar burimet e qytetit, por burimet morale të shoqërisë.

    “E kam dashur qytetin tim se këtu kam lindur, dua t’i shërbej atdheut dhe bashkëqytetarëve. I verbuar nga kjo dashuri vura re shtazërinë e qeveritarëve tanë, jam kundër qeveritarëve, i kam njohur dhe kur s’dua t’i shoh. Janë parazitë që duhen zhdukur. Armiku më i madh i së vërtetës dhe lirisë është shumica e bashkuar, jeni ju vetë. Shumica është ajo që ma rrëmbeu lirinë për ta thënë të vërtetën. Budallenjtë e përbëjnë shumicën, të mençurit qeverisen prej tyre”, tha doktori në shfaqje duke theksuar se e vërteta është shpirt-robëria ndaj pushtetarëve mbi kokë.

    Populli në fund e shpalli doktorin si “Armik të Popullit” vetëm pse vendosi të flasë të vërtetën, ku në një realitet normal ai duhej të shpallej “Shpëtimtar i Popullit”.

    Realitet i hidhur ky, por shumë i pranishëm i shoqërisë tonë. Kjo shfaqje në fakt foli për shumë gjëra me rëndësi jo vetëm për Tetovën, tetovarët, pushtetarët, të tanishmit dhe të kaluarit, ata lokal dhe ata qendror, por kjo shfaqe foli për realitetin e katandisur të vendit dhe popullit tonë.

    Pikërisht duke u ndërlidhur me artikullin tim të lartpërmendur i cili për dallim nga artikulli i doktorit në shfaqje arriti të publikohet, duket se kjo shfaqje vetëm se përplasi realitetin përpara publikut dhe pushtetit, ku këta të fundit po ta dinin se çfarë trajton shfaqja, dyshoj se do kishin ardhur. Por mirë bënë që erdhën, shpresoj të kishte shërbyer si një reflektim për to. Vendi jonë ende përballet me probleme bazike të cilat nuk po gjejnë zgjidhje, në jetën reale na mungojnë figurat si “doktorët” e shfaqjes. Mungojnë aktet emancipuese për popullin dhe vendin, mungon kurajoja për të prishur hedhjen dhe hipokrizinë sociale, mungon kritika ndaj pandëshkueshmërisë dhe padrejtësisë, mungon vetëgjykimi. E fatkeqësisht, shumë media dhe “kryeredaktorë” në vend vuajnë nga sindromi i “kryeredaktorit” në shfaqje, duke mos lejuar që “raportet e ujërave të helmuara” të jehojnë në publik.

    Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Edhe burrat duan pushim prindëror

    Lajmi i rradhës

    Cilën kategori të qytetarëve e përfshijnë masat kundër krizës?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë