Në Maqedoninë perëndimore të Veriut

    Kujtim Shabani / Fotografia: Halim Luta

    Kujtim Shabani

    Ka fiks një javë nga zgjedhjet lokale. Po kush la gjurmë dhe çfarë bëri përshtypje në këto zgjedhje në Maqedoninë e Veriut? Në Maqedoninë perëndimore të Veriut.

    Në Maqedoninë e Veriut pjesëmarrja në votime është e ulët. Në Maqedoninë perëndimore të Veriut ajo është akoma më e ulët. Sepse pakënaqësia me politikën atje është e lartë. Por në Maqedoninë perëndimore të Veriut tensioni në zgjedhje është i madh, edhe pse luftohet për gjëra të vogla. Për pashallëqe të vogla! Mbase mu për këtë është tensioni i madh.

    Që nga fillimi i fushatës, jo vetëm simpatitë e vëzhguesve të vëmendshëm i fitoi një formacion i ri: Iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën“. Ajo impresionoi me kurajën, idetë, kreativitetin, shpirtin… Dhe fitoi dy këshilltarë komunalë. Shumë dhe pak njëkohësisht! Shumë për atmosferën e helmuar zgjedhore nga trafikantët e votës dhe intimiduesit nga qarqet më të larta, pak për sfondin profesional dhe human të listës.

    Për herë të parë në zgjedhje lokale kandidoi një mërgimtar si puna e Nazim Taipit në komunën e Tearcës. Një mërgimtar me formim perëndimor dhe performancë të lakmuar profesionale si ndërmarrës, atje ku ka shkuar dhe këtu ku është kthyer. Ai në zgjedhje shënoi një përkrahje për t’u admiruar, duke i neveritur marifetet kaq të shëmtuara dhe të përhapura në zgjedhje. Dhe, vendosi një standard!

    Si asnjëherë kanë spikatur portalet! Sidomos ato të tipit „Partia sot”, a “Kryetari i pari”… Të cilat në stresin e lojës së fortë janë dekonspiruar kokë e këmbë si almise të pushtetit! Një vështrim sipërfaqësor i peizazhit të këtyre medieve, sugjeron ashiqare një mobilizim strategjik dezinfomues për kandidatët më popullorë të opozitës. Ata s’e bëjnë një hap pa lejen e pushtetit dhe s’e thonë një fjalë pa shpifur.

    S’kishte sesi të mos binin në sy disa kandidatë të cilët konkurruan për  një mandat të tretë për kryetar komune. Kjo nxjerr në shesh përsheshin ku po mbyten partitë shqiptare. Sa pak respekt kanë për qytetarët, kur ua trusin pa turp ata që kanë dështuar dy herë. Edhe të kishin shkëlqyer, tri mandate janë tepër. Se tri mandate janë 12 vjet! Dhe jeta është shumë e shkurtër për t’i shtyrë kaq vjet me teket e Filanit, a lajthitjet e Fistekut!

    Patjetër do të dilte me premtimin e presidentit shqiptar! Si një as nga mënga. Por i pritur. I hodhi të gjitha zaret. Pushteti në rrezik! Prandaj, o burra! Lëshoni gjuhën e lëshoni dorën! Lëre kryeministrin, shkojmë me presidentin shqiptar! Janë përzier agjendat. Agjenda e gjelbër s’ngjiti, pavarësisht merakut me të cilin u ujit dhe rrëzëllua. Sepse, s’çon peshë vetëm ç‘thuhet, por edhe nga kush thuhet.

    S’mund të mos përzihej politika lokale me qendroren. Partia Sot është në rrezik nga yryshi i opozitës, dhe jo vetëm, e cila ia ka bërë benë ta qërojë atë nga pushteti qendror. Për këtë i ka edhe mësimet nga Partia Dje. (Nëse i ndjek gjurmët e këtyre, ajo zor bëhet Partia Nesër.) Po s’bën të gënjehet nga dorëheqja e qeverisë, se kjo ashtu e ka, dorëhiqet dhe vazhdon serbes. Pastaj duhen bërë hesapet dhe me hanxhiun. /Nistori/

     

    Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori.

    Lajmi Paraprak

    “Levica” është mirë të jetë në pushtet që opinioni ta kuptojë se qëndrimet e tyre janë boshe

    Lajmi i rradhës

    (VIDEO) Sejdiu: Për ne gjithçka ka mbaruar më 31 tetor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë