Nga Kuvendi në referendum

    PËLLUMB NAKO

    Në zgjedhjet e shkuara të 25 prillit, në një fshat të thellë të rrethit të Skraparit, kandidati i listës së opozitës po zhvillonte takim me një grup të madh të rinjsh. Interesant ishte numri i madh i tyre dhe interesi i gjallë. Debati kryesor po zhvillohej rreth punësimit dhe emigracionit. Ndryshe nga shumica e diksutantëve, një djalë i ri, i imtë, po kërkonte me forcë llogari se përse PD ishte larguar nga Parlamenti. Pyetja e tij nuk u mor shumë seriozisht sepse sipas atmosferës së krijuar, kjo ishte një çështje strategjike e të mëdhenjve të PD-së dhe do të ishte më e udhës që debati të orientohej në shqetësimet e përditshme të fshatit dhe të zonës ku banonin të rinjtë. Por djaloshi i imtë nuk hiqte dorë dhe me këmbëngulje kërkonte përgjigje. Sjellja e tij ngjalli edhe nervozizëm nga ana e shpurës së ardhur nga Tirana, edhe të qeshura te pjesëmarrësit e tjerë. Sigurisht, ai nuk mori ndonjë përgjigje për atë që pyeti dhe natyrshëm nuk mbeti i kënaqur. Në fund, kur takimi mbaroi, kandidati e pyeti se përse ishte kaq këmbëngulës në këtë pikë. Me thjeshtësinë më të madhe ai u përgjigj se ditën e zgjedhjeve, gjatë procesit të numërimit, dikush nga pala kundërshtare po bënte hile duke vjedhur haptas votën e opozitës, ndaj dhe kishte ndërhyrë. Pikërisht për këtë mbrojtje që po u bënte ca votave që ishin si pika uji në oqeanin e madh të votuesve në rang vendi, pasi u mbyll procesi, djaloshi kishte ngrënë një dru të mirë nga militantët kundërshtarë. “Ne hamë dru për t’ju futur në Parlament dhe ju largoheni e na lini në duart e Zotit”, përfundoi djali i mërzitur. Ndërkohë, revolta dukej ende e qartë në çdo gjest që bënte.

    PD, pra, u largua nga Parlamenti, por brenda radhëve të listës të saj, sigurisht u gjendën pa shumë mundim individë që nuk u larguan nga institucioni duke u kthyer në atë që u quajt opozita parlamentare. Në thelb, brenda Parlamentit mbeti një opozitë tërësisht e deligjitimuar, por me fuqi të plotë vendimmarrëse. Situatë paradoksale kjo e komentuar gjerë e gjatë në medie dhe po ashtu e kritikuar ashpër. Por ajo që ndodhi nuk u zhbë më. Për plot katër vite, populli opozitar u përfaqësua nga një opozitë, së cilës nuk i besonte, nga një opozitë karagjozësh që nuk kishte as skrupullin më të vogël të bënte të kundërtën e interesave të popullit opozitar.

    Rasti përbën për fat të keq shembullin që tregon më qartësi të kristaltë paradoksin sesi zhvillohet demokracia në vendin tonë: mungesa e legjitimitetit të atij që ka për kompetencë të marrë vendime ligjore apo ekzekutive me efekte të rëndësishme ekzaktësisht mbi masën e popullatës që nuk e beson. Legjitimiteti mbetet rregullisht gangrena e një shoqërie si ajo shqiptare që nuk arrin kurrë të ndërtojë marrëdhënie besimi në të gjithë përbërësit e saj socialë. Bëhen zgjedhje, por ato nuk njihen dhe rregullisht kontestohen si në nivelin politik, si në nivelin vendor edhe brenda përbrenda partive. Përse? Thjesht sepse me shifrat ose gënjehet, ose tjetërsohen. Pasojat që ndjekin më pas helmojnë gjithë shoqërinë. Ndërtohen institucione, të varura dhe të pavarura, por vendimet e tyre mbeten gjithmonë të dyshimta.

    Merren vendime, por ato nuk janë transparente. Klientelizimi gëlon. Si përfundim krijohet një elitë politike e ngjashme sa majtasdjathtas dhe e shkëputur frikshëm nga popullata që përfaqëson. Në finale secila ndjek drejtim të ndryshëm nga tjetra. Elita zhytet në abuzim, popullsia në informalitet. Hendeku mbushet me propagandë.

    E megjithatë, përsëri për fat të keq jo vetëm të saj, por edhe të mbarë vendit, edhe opozita aktuale parlamentare po hyn në të njëjtën spirale deligjitimimi. Madje, më keq. Kështu siç janë gjërat sot për sot, në Parlament ajo do të jetë e përbërë nga dy grupime që kontestojnë njëri-tjetrin e për rrjedhim do t’i japin më pak besueshmëri gjithë aksionit opozitar në Parlament. Gara e ethshme e akuzave, ankthi për të numëruar vendet në salla apo votat në kuti e për të gjetur ndonjë defekt që helmon procesin e secilës palë, nuk bëjnë gjë tjetër, veçse minojnë tërësinë.ADVERTISEMENT

    Në një kohë kur mblidhet një referendum dhe deligjitomon një pjesë të lidershpit të PD-së parlamentare dhe në anën tjetër mblidhet një Kuvend Kombëtar ku delegjitimohet pjesa e mbetur e parlamentarëve, dëmin do ta shlyejë përsëri mbi kurriz ai djali në atë fshatë të thellë të Skraparit si dhe mijëra si ai. Sepse situata mbetet ekzaktësisht e njëjtë me atë të katër viteve të shkuara. Edhe katër vite të tjera do të kemi një opozitë, e cila në Parlament do të jetë e deligjitimuar për vendimet që merr. Pra, plot tetë vite komoditet për këtë qeveri që të dyja palët e shajnë sa mbarë e prapë. Në thelb lufta politike për të qeverisur dhe për t’u shërbyer njerëzve ka kuptim dhe besohet, por kur kthehet në kasaphanë, ajo nuk është as për të qeverisur e as për të shërbyer. Është etje për pushtet./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    “Open Balkan”, Ivica Daçiq: Kjo iniciativë erdhi nga Serbia

    Lajmi i rradhës

    Për dhe kundër huazimit të qelive për Danimarkën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë