“Open Balkan”, Ivica Daçiq: Kjo iniciativë erdhi nga Serbia

    Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, thotë se nisma “Open Balkan” paraqet aplikim të vlerave evropiane, e ajo është liria e lëvizjes së njerëzve, punës, mallrave dhe kapitalit, duke theksuar se është në interes të qytetarët.

    Sipas mediave serbe, Daçiq thotë se kjo iniciativë nuk duhet parë në atë mënyrë që të jetë zëvendësim për Bashkimin Evropian, pra siç kanë thënë disa, “liga e dytë” e Bashkimit Evropian.

    Ai ka thënë se bëhet fjalë për zbatimin e parimeve evropiane dhe vlerave evropiane dhe e gjithë kjo, sipas tij, është në interes të qytetarëve.

    “Prandaj mendoj se është një ide që mund të shqetësojë vetëm ata që janë kundër ideve të tilla të bashkëpunimit, të cilat janë më shumë për konflikte dhe për të kërkuar disa dallime dhe kontradikta në vend të nevojës për një jetë të përbashkët”, ka thënë Daçiq, kryetar i partisë së drejtuar dikur nga Sllobodan Millosheviq.

    Dhe në fund, ai ka shtuar se iniciativa për “Ballkanin e Hapur” ka ardhur pikërisht nga Serbia.

    “Rëndësia e kësaj ideje është se mund të bashkojë vende të ndryshme dhe popuj të ndryshëm dhe kundërshtarët e saj janë më shumë kundërshtarë të Serbisë sesa të vetë idesë, sepse atyre u pengon fakti që Serbia e ka propozuar atë iniciativë dhe që Serbia është aq e fortë sa mund të jetë një udhëheqëse rajonale”.

    Ndryshe sot në Tiranë mbahet takimi i radhës ndërmjet liderëve të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

    Në këto takime po marrin pjesë kryeministri Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

    Deri më tani, kjo iniciativë është kundërshtuar ashpër nga të gjitha partitë politike në Kosovë dhe nuk është pranuar as në Bosnjë dhe Hercegovinë e as Mal të Zi./Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    Kuvendi votoi – e diela ditë jo pune në RMV prej 1 janarit

    Lajmi i rradhës

    Nga Kuvendi në referendum

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë