Një epokë e re

    LEONARD DEMI

    Sot, Inteligjenca Artificiale (IA) është një dukuri, që po përparon shumë shpejt. Pas një dekade, ajo do të jetë e kudogjendur dhe do të përfshijë, pothuajse çdo fushë të përpjekjeve njerëzore. Ndryshimet e pritshme në ekonomi, politikë dhe shoqëri do të tejkalojnë pikëvështrimet apo imagjinatën tonë tradicionale.

    ÇFARË NGËRTHEN INTELIGJENCA ARTIFICIALE?

    IA është një degë e gjerë e shkencës kompjuterike, që merret me ndërtimin e makinave inteligjente, veçanërisht me hartimin e programeve kompjuterike, të aftë të kryejnë detyra, që zakonisht kërkojnë inteligjencë njerëzore. IA është një mbështetës, që zhvillon shumë veprimtaritë industriale, akademike, si dhe aspekte të tjera të jetës njerëzore. IA është një teknologji, që ka një mori përdorimesh, si: në kibernetikë, siguri, mbrojtje, arsim, shëndetësi, biologji, kimi, astronomi, hapësirë, industri, financë, tregti, politikë, qeverisje, drejtësi, shërbime, media, transport, mjedis dhe shumë fusha të tjera për të arritur qëllime konkrete me mbikëqyrje minimale njerëzore me pritje për t’u vetëpërmirësuar apo për t’u bërë autonome. Në horizont, studiuesit vërejnë gjithashtu, inteligjencën e përgjithshme artificiale (AGI), e cila e tejkalon njeriun në çdo veprimtari dhe mbart rrezikun se mund të vetëveprojë, të vetëriprodhohet dhe të vetëpërmirësohet përtej kontrollit të njeriut (këtë arritje disa e konsiderojnë spekulative). Kjo formë e IA do të zotërojë një varg të gjatë aktivitetesh intelektuale, përfshirë arsyetimin, zgjidhjen e problemeve, perceptimin dhe të kuptuarit e gjuhës natyrore (jo gjuhëve të krijuara, si esperanto), dmth., ndërveprimin njeri-makinë.

    RISI

    Inteligjenca Artificiale jo vetëm që përpunon të dhënat më shpejt se njerëzit, por ka zbuluar edhe veçori të realitetit, që njerëzit nuk i kanë zbuluar, ose, ndoshta, nuk kanë mundur t’i zbulojnë. Në mjekësi, IA po lehtëson zbulimin e sëmundjeve dhe barnave të reja, duke përmirësuar efektet e barnave ekzistuese kur përdoren me mënyra të reja. Kësisoj, në fillim të vitit 2020, me ndihmën e IA, studiuesit e MIT (Massachusetts Institute of Technology) zbuluan një antibiotik të ri, “Halicin”, i cili vret disa lloje bakteresh, që deri atëherë kishin qenë rezistentë ndaj të gjithë antibiotikëve të njohur. Po kështu, sistemi i AlphaFold, hartuar nga Google/DeepMind, parashikon strukturën 3D të proteinës bazuar në sekuencat e veta aminoacide, gjë që mundëson të kurohen dhe të studiohen sëmundje të ndryshme. Të dy rastet nuk mund të zbuloheshin me mënyrat tradicionale të kërkimit dhe zhvillimit. Në bujqësi, IA po lehtëson administrimin e saktë të pesticideve, zbulimin e sëmundjeve dhe parashikimin e rendimenteve të korrave. Në financë, IA është e aftë të lehtësojë proceset voluminoze: miratimin apo mohimin e kredisë, blerjet, bashkimet, deklaratat e falimentimit dhe transaksione, etj.. Modele GPT (Generative Pre-Trained Transformer) japin përgjigje të mundshme kundrejt inputeve të ndryshme, shkruajnë çdo lloj teksti, transkriptojnë dhe përkthejnë. Sidoqoftë, sistemi GPT mund të kuptojë, por ai nuk ka ndërgjegje apo ndonjë ndjenjë morali. Nuk është i aftë të mendojë i pavarur, sepse është vetëm një model gjuhësor dhe jo një makinë arsyetimi.

    IA nuk ka ndjenja, nuk mund të ketë simpati, nuk mund të jetë miqësore, kurioze, të shfaqë dyshim apo shqetësim. Kjo teknologji po ndryshon mendimin, njohuritë, perceptimin dhe realitetin njerëzor dhe në këtë mënyrë, po ndryshon rrjedhën e historisë njerëzore.

    NJË MEKANIZËM I RI

    Njerëzimi po zhvillon një mekanizëm të ri dhe jashtëzakonisht të fuqishëm për të eksploruar dhe për të organizuar realitetin; një mekanizëm që në shumë aspekte mbetet mister për shkak të mënyrës se si e depërton realitetin, pasi e kalon kufirin e aftësisë njerëzore për të kuptuar dhe njëherazi, ndryshon kuptimin tonë iluminist për arsyen njerëzore, njohuritë dhe zgjedhjet tona. Këta autorë argumentojnë se IA i qaset realitetit ndryshe nga mënyra se si i qasen njerëzit, ajo përparon drejt thelbit të gjërave, të cilin shkencëtarët apo filozofët nuk kanë arritur ta studiojnë plotësisht. IA është një dukuri që tregon se mund të transformojë të gjitha sferat e përvojës njerëzore, mënyrën se si njerëzit e kuptojnë realitetin dhe rolin e tyre brenda tij. Teknologjia e fuqizuar nga IA do të bëhet një shoqërues i përhershëm në perceptimin dhe përpunimin e informacionit dhe vendet me epërsi në IA do të jenë përfituesit më të mëdhenj.

    PARTNERITETI NJERI-MAKINË

    IA do të shpalosë një realitet në të cilin vendimet do të merren në tri mënyra kryesore: nga njerëzit, nga makineritë (mjetet dhe sistemet që përdoren për IA, që po bëhen të njohur), si dhe nga bashkëpunimi midis njerëzve dhe makinerive (që jo vetëm është i panjohur, por edhe i pashembullt). IA është gjithashtu në procesin e transformimit të makinerive, të cilat deri më tani kanë qenë mjetet tona. Partneritet i ri njeri-makinë kërkon që makinës t’i përcaktojmë problemin dhe një pikësynim të qartë. Më pas, makina vepron, i tejkalon mundësitë njerëzore dhe përcakton procesin më të përshtatshëm, që duhet ndjekur. Paskëtaj, ne mund të përpiqemi ta studiojmë atë, ta kuptojmë dhe ta bëjmë pjesë të praktikës ekzistuese. Njerëzit do të krijojnë makina, që do të jenë të afta të bëjnë zbulime befasuese dhe të vlerësojnë rëndësinë e zbulimeve të tyre. Eric Schmidt, ish-CEO i Google, mbështet bashkëpunimin “njeri-makinë” dhe “bashkëpunimin luftarak njeri-makinë”. Sipas këtij këndvështrimi, merret vendimi dhe më pas ekzekutohen detyra komplekse, përfshirë operacionet luftarake. Schmidt mendon se duke punuar së bashku, njerëzit dhe makineritë mund të arrijnë më shumë sesa veç e veç. Ky partneritet ka shumë të ngjarë të ndryshojë rrjedhën e shoqërive dhe të historisë: mund të transformojë fusha apo dukuri të tëra, të cilat do të mbështeten nga procese të IA, ku do të bien në sy vendimmarrje thjesht njerëzore, thjesht e IA dhe hibride: dmth., vendimmarrja njeri–makinë (IA), që ndonjëherë do të jetë e vështirë për t’u përcaktuar.

    RREZIQET

    Dëmi që IA mund të bëjë në shoqëri nuk ka kufi të dukshëm. IA mund të përdoret për të gjeneruar dhe përhapur dizinformata, që synojnë të mbikëqyrin, manipulojnë apo nënshtrojnë qytetarët, duke minuar lirinë individuale dhe kolektive. Laboratorët e IA mund të krijojnë sisteme, që imitojnë sjelljen njerëzore, që kanë qëllime të ngjashme me ato të njeriut, si: në politikë apo gjeopolitikë, ekonomi etj. dhe që programohen për t’i realizuar ato. Kjo do të ishte një katastrofë për shoqërinë tonë dhe shkencëtarët këmbëngulin që ta bllokojnë këtë mundësi. IA mund të përdoret për të krijuar armë të fuqishme dixhitale apo fizike autonome, që do të kërcënonin jetën e njerëzimit, sepse nuk kanë nevojë për mbikëqyrje njerëzore dhe mund të luftojnë vetë me saktësi të plotë. IA gjithashtu mund të shkatërrojë miliona vende pune, sidomos ato profesionet që kërkojnë aftësi dhe arsim të lartë, duke thelluar pabarazitë ekzistuese apo duke krijuar të reja. IA mund të rrënjosë modele diskriminuese dhe të shtrembërojë vendimmarrjen ose të ndezë përshkallëzime të paqëllimshme dhe të pakontrollueshme ushtarake, që çojnë në luftë. Shumë vëzhgues janë shqetësuar se përparimet në IA do të forcojnë diktatorët dhe ato qeveri apo politikanë, që e përdorin atë për të mbikëqyrur për të mashtruar dhe madje për të kontrolluar popullsinë, duke mbledhur, keqpërdorur apo tregtuar të dhënat personale, si dhe duke bërë më efektivë mjetet e represionit, që qeveritë autoritare përdorin për të nënshtruar shoqëritë e tyre.

    GËRSHETIM I IA ME INTERESA POLITIKE

    Ndërveprimi i infrastrukturës dixhitale me veprimtari qeveritare do të japë rezultate të paparashikueshme, në disa raste, shumë kundërshtuese, apo me mëdyshje dhe me përgjigje të pjesshme, si: a do të jetë ky zhvillim në përputhje me qëllimet politike dhe sociale të vendeve të ndryshme? A do të sjellë shoqëri më të drejta apo do shtrojë rrugën për qeveri më autoritare, që do të ndërhyjnë në rezultatet zgjedhore nëpërmjet sistemeve manipuluese? A do të jenë në gjendje platformat e drejtuara nga IA të zhvillojnë një kulturë të përbashkët, që tejkalon kulturat kombëtare? Apo platformat e rrjeteve globale do të përforcojnë programet e posaçme, që u japin përdoruesit, për të arritur rezultate të ndryshme nga ato, që kanë planifikuar ose parashikuar krijuesit e tyre? Autorët mendojnë se IA mund të nxitë një ndryshim në strukturën dhe drejtpeshimin e pushtetit global sepse krijuesit e IA janë vetë aktorë gjeopolitikë dhe sovraniteti i tyre mbi IA forcon më tej rendin “teknopolar” në zhvillim, ku kompanitë e teknologjisë zotërojnë pushtetin në ato fusha ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre, që dikur i përkiste shtetet. Dekadën e fundit, firmat e mëdha të teknologjisë janë bërë efektivisht aktorë të pavarur dhe sovranë në sferat e tyre dixhitale. IA e përshpejton këtë qasje dhe e shtrin atë përtej botës dixhitale, drejt tryezave vendimmarrëse. IA do të jetë fokusi i konkurrencës intensive gjeopolitike kudo dhe epërsia mbi IA do të jetë objektiv strategjik i vendeve të afta të konkurrojnë për lidership në këtë fushë. Vendet, që nuk kanë as para dhe as njohuri teknologjike, do të përpiqen të krijojnë marrëdhënie me një pjesë të korporatave dhe shteteve të fuqishëm. Kjo lidhje varësie kërcënon të përkeqësojë humbjen e drejtpeshimit të pushtetit gjeopolitik. Por, nuk do të thotë se vetëm më të pasurit do të përfitojnë nga revolucioni i IA. Ashtu si interneti dhe telefonat inteligjentë, IA nuk respekton kufij dhe nga IA do të përfitojnë shumë vende, që nuk e kontrollojnë atë. Trajektorja e IA do të përcaktohet, kryesisht, nga vendimet e një grushti biznesesh private, dmth., jo politikanët apo burokratët, por teknologët do të ushtrojnë autoritet mbi një forcë, që mund të ndryshojë thellësisht pushtetin e shteteve dhe mënyrën se si ato lidhen me njëri-tjetrin.

    KONTROLLI DHE SFIDA RREGULLATORE

    Fatkeqësisht, sot një pjesë e madhe e debatit rreth IA ngërthehet tek një dilemë: të kontrollohet inteligjenca artificiale për të rritur fuqinë kombëtare ose të mënjanohet për të shmangur rreziqet e saj. Profesor Stuart Russell vëren se pushteti nuk mund të ruhet mbi entitetet, që janë më të fuqishme se ne dhe sugjeron të ndërpritet kërkimi me arsyetimin që, nëse nuk e kontrollojmë qytetërimin tonë, nuk kemi më autoritet të ndikojmë apo të marrim vendime. Bile, edhe ata, që e përcaktojnë me saktësi problemin, po përpiqen ta zgjidhin këtë dilemë duke e futur IA në kornizat ekzistuese apo historike të qeverisjes. Megjithatë, IA nuk mund të qeveriset si çdo teknologji e mëparshme, kur tashmë po ndryshon nocionet tradicionale të pushtetit gjeopolitik. Shkencëtarët, që kanë qenë pjesë e zhvillimit të IA, po kërkojnë të miratojnë një kuadër ligjor për përdorimin e saj, pasi pos përfitimeve, që mbart ajo potencialisht, është e rrezikshme dhe nëse një IA vidhet ose rrjedh, qoftë edhe një herë, mund të jetë e pamundur të parandalohet përhapja e saj. Megjithatë, ende nuk ka konsensus për mënyrën se si duhet të kontrollohet zhvillimi dhe përdorimi i kësaj teknologjie, aq më tepër kur potenciali komercial i saj i shtyn kompanitë të ngurojnë të zbulojnë sekretet e tyre. Elon Musk, zotëruesi i X/Twitter dhe Teslës, Steve Wozniak, bashkëthemelues i Apple, Yuval Noah Harari, autori i Sapiens International Corporation vërejnë: në qoftë se nuk do të miratohet një pauzë në drejtimit të zhvillimit të IA me pikësynim për t’i bërë sistemet më të sigurta dhe për të lejuar ekspertët të formulojnë një kornizë ligjore, makinat mund të mbulojnë botën me dezinformata dhe “të automatizojnë të gjitha punët”. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Plani Itali-Shqipëri | Analiza e specialistit Ruud Koopmans

    Lajmi i rradhës

    Një marrëveshje-spektakël për të legjitimuar pushtetin

    Lajme tjera

    Dekonstruksion

    Zeqirija Ibrahimi Sa më shumë që afrohen zgjedhjet, aq më shumë tensionohet skena politike në kampin shqiptar në…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë