Një portret në vend të propozimit për President

    PËLLUMB NAKO

    Jo rastësisht bëhet fjalë për një portret real me dimensione për President. Sepse shkrimi nuk lidhet as me një propozim publik për një kandidaturë të mundshme, as me procesin e identikitit publik të një Presidenti, madje as një kërkesë në vend të e-mailit si mjet komunikimi popullor me kryesinë e partisë në pushtet.

    Procesi tashmë ka filluar e bashkë me të edhe tallavaja. Nga njëra anë kandidatë të vetëshpallur që bërtasin ekraneve televizive për kontributet që i kanë dhënë kombit, nga ana tjetër votimet politike të forcës qeverisëse që kanë nxjerrë vetëm kandidate femra. Barazia gjinore për të marrë përgjegjësi politike nuk është e njëjta gjë me “diskriminimin pozitiv” që avantazhon femrën. Ndërsa barazia gjinore prodhon zonja qeveritare, i dyti vetëm katapulton kukulla. Të paktën deri tani në politikën tonë vendore, kjo gjë e tillë duket.

    Megjithatë, le të kthehemi te portreti që folëm pak më sipër. Bëhet fjalë për një individ që ekziston, që punon dhe ka një emër shumë të mirë, por profil modest. I rezervuar jo si natyrë, por si edukatë, ai respektohet pa masë nga ata që e njohin.

    Pra, nuk kemi të bëjmë me një individ-ide, “historikisht i domosdoshëm”, por për njërin nga ne. Pa dyshim që është intelektual. Studimet e larta i ka mbaruar me cikël të plotë jashtë vendit. Aktualisht ushtron funksionin e sipërmarrësit diku në jug të vendit. Nuk po e quajmë biznesmen, sepse kjo fjalë në vendin tonë dihet që të krijon ndjesi hera-herës të sikletshme, të lidhura me atentate që kanë marrë jetë njerëzish. Vizioni i tij për vendin është përparimi i shoqërisë shqiptare dhe jo thjesht zhvillimi i saj.

    Pavarësisht se afër njëra-tjetrës, këto dy fjalë nuk shprehin të njëjtin koncept. Në rast se në vendin tonë, si shembull, instalohen sahatmatës të energjisë elektrike, prodhim i fundit i shkencës dhe ndërkohë njeriu i pushtetshëm, klient i qeverisë, vazhdon njëlloj të mos paguajë energjinë e harxhuar, zhvillim ka, por jo përparim. Edhe pse me sahat modern të instaluar, individi vazhdon ta ketë trurin njëlloj për t’u shmangur ndaj detyrimeve. Nga ana sociale, pra, jemi në vendnumëro.

    Kurse sipërmarrja e personazhit tonë ka filozofi krejt të kundërt. Më biznesin e tij asgjë nuk bëhet në të zezë. Asnjë detyrim nuk shmanget. Sigurimet e punonjësve, pagesat e faturave për harxhimet e kryera, taksat, tatimet paguhen në mënyrë të detajuar dhe në kohën e duhur. Dominon civilizimi për të fituar jetën ndershmërisht, djersën e ballit, në përputhje të plotë me rregullat dhe ligjet e shtetit. Personazhi ynë, pa as mëdyshjen më të vogël, është patriot.

    Nuk ka dalë, në fakt, ndonjëherë në ekranin e televizionit duke bërë shqiponjën dykrenare në zemrën e copëtuar nga atdhedashuria. Por bën diçka tjetër, konkrete. Altiviteti i sipërmarjes së tij bazohet mbi tenderët publikë të fituar me korrektësi dhe profesionalizëm jashtë kufijve të vendit. Realizimin i kontratave për tenderët e fituar, e kryen pa dyshim me fuqi punëtore në fabrikat e ndërtuara brenda vendit, duke blerë çdo centimetër me çmimin e tregut, jo të falur nga shteti si investitor strategjik.

    As si PPP. Sepse ai nuk bën pjesë në klientelën qeveritare të asnjë force politike. Kemi të bëjmë me një aktivitet ekonomik të financuar tërësisht nga xhepi dhe me destinacion vetëm eksportin, duke ruajtur valutën e huaj brenda vendit. Kjo specifikë e sipërmarrjes të personazhit tonë të krijon edhe perceptimin e pagabueshëm se ai nuk mund të jetë kurrë dhe nuk është i korruptuar në asnjë rrethanë të zhvillimit të sipërmarrjes së tij.

    Me plot gojën punën e tij mund ta quajmë “kapitalizëm patriotik”. Patriotizmi dhe ndershmëria në vendin tonë të kësaj kohe janë si thesare të paçmuara. Punëtorët e reparteve dhe fabrikave të modelit tonë janë të paguar jo vetëm mirë dhe denjësisht, por për asnjë motiv atyre nuk u vonohet paga. Orët jashtë orarit paguhen po ashtu me korrektësi.

    Asnjë politikan i krahëve politikë nuk është lejuar të vizitojë biznesin në prani të kamerave në raste fushatash elektorale. Politika dhe biznesi janë qartazi të ndara në konceptin e tij. Nga ana tjetër, asnjëherë ai nuk është ndodhur përballë situatës që “punë ka dhe punëtorë s’ka”.

    Kjo, sepse në tërësi punonjësit ndihen dhe menaxhohen jo thjesht si krahë punë që shfrytëzohen, por si aksionerë të të gjithë sipërmarrjes. Ky fakt është mjaft i rëndësishëm, sidomos në kushtet e kapitalizmit shqiptar, për të kuptuar se ekziston një kapitalizëm me fytyrë njerëzore.

    Kurse jashtë biznesit, një koncept i tillë menaxherial për burimet njerëzore ku patronati, administrata dhe krahu i punës janë në harmoni të plotë në funksion të objektivit, të jep pamjen e një individi që aksionin e tij për arritjen e objektivave e bazon mbi kohezionin social, mbi bashkëpërgjegjësinë me njeriun e thjeshtë, mbi harmoninë që i mungon aq thershëm shoqërisë shqiptare dhe që ushqen helmin e mosbesimit.

    Sipërmarrësi ynë fiton shumë, por edhe ndihmon jo pak. Mjaft aktiv në kontribute personale ndaj shoqërisë. Por me etikën e duhur. Një numër jo i vogël individësh të mbetur në marzhën e shoqërisë, të zhveshur nga çdo mjet për të jetuar, kanë të garantuar ushqimin falas për gjithë vitin në një mensë dinjitoze, cilësore të paguar tërësisht nga xhepi i tij.

    Ajo nuk bie në sy thjesht për të ruajtur dinjitetin e bujtësve që kanë turp të ekspozohen. Nuk po flasim në këtë rast për paradat e shumta të shtira, monstruoze që qarkullojnë në mediat vizive. Në të njëjtën logjikë, sipërmarrësi ynë u ndodhet pranë në dhjetëra raste të rinjve të talentuar, duke u akorduar atyre bursa studimi.

    Ai bën detyrën si qytetar që ka mundësi të lehtësojë peshën e jetës personave që nuk i kanë mundësitë e duhura. Po nga xhepi i tij, sipërmarrësi ynë, financon edhe një muze historik, i cili ka kaluar madje edhe kufijtë e vendit me famën që ka marrë.

    Ai është thirrur edhe nëpër studio televizive, ku jep mendime të vyera se si mund të ecë vendi, por nuk flet kurrë për bamirësitë. Nuk ngatërron gjërat në funksion të ekzibicionit për të mbushur boshësinë e shpirtit. Ky shkrim nuk është as propozim për kandidat, as portret i paautorizuar, por vetëm një provë se në Shqipëri ka modele që mund ta bëjnë vendin të ecë e që tregojnë se sa larg janë forcat politike për të promovuar modele të kësaj natyre. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Shqipëri, energjia do shtrenjtohet për 32 për qind të konsumit!

    Lajmi i rradhës

    Sovranizmi, konservatorizmi dhe lufta ndaj ndërhyrjes së ShBA-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë