Paradigma e re e zgjerimit

    DEMUSH SHASHA 

    Përderisa përpara caqet në procesin e zgjerimit kanë qenë numri i kapitujve të hapur negociatorë, apo numri i ligjeve të përafruara me legjislacionin evropian, sot caqet në procesin e zgjerimit janë numri i tankeve të prodhuara dhe numri i predhave të furnizuara. Është fati i vendeve të vogla të përjetojnë tragjeditë që imponohen nga vende të mëdha. Pak vende njohin këtë fat sikur Belgjika.

    Ky vend i vogël evropian është mejdani i historisë, ku kanë zgjedhur të takohen fuqitë e mëdha. Aty Cezari luftoi kundër fiseve belge, Çarlsi i guximshëm luftoi Louis XI dhe aty Napoleoni gjeti fundin e tij në Waterloo.

    e e vetmja mënyrë për të mbijetuar ndaj fuqive të mëdha është të qëndrojë neutrale. Këtë neutralitet të saj ia garantuan fuqitë e mëdha me Traktatin e Londrës. Dhe për një kohë u duk se vërtet kjo do të funksionojë. Si asnjëherë më parë, për mbi shtatëdhjetë vjet, Traktati i garantoi paqe Belgjikës. Dhe pastaj erdhi Lufta e Parë Botërore. Belgjika ishte epiqendra e planeve gjermane për fitoren e shpejtë dhe të sigurt të luftës. Gjenerali legjendar gjerman Alfred von Schlieffen kishte zhvilluar planin e famshëm “Plani Schlieffen”, i cili konsistonte në dy faza vendimtare të luftës:

    (1) Hapja e krahut perëndimor të luftës me mobilizim të jashtëzakonshëm të ushtrisë me qëllim të pushtimit të shpejtë të Francës dhe

    (2) hapja e krahut lindor të luftës me bartjen e shpejtë hekurudhore të trupave nga fronti perëndimor drejt Lindjes me qëllim të pushtimit të Rusisë. Belgjika ishte epiqendra e fazës së parë dhe vendimtare e planit të Schlieffenit.

    Asnjëherë më parë Gjermania nuk e kishte pushtuar Francën përmes Belgjikës. Tradicionalisht Gjermania dhe Franca sulmonin njëra-tjetrën drejtpërdrejt nga tokat e tyre dhe jo nga vendet e treta. Zhvillimi industrial kishte ndryshuar radikalisht natyrën e luftës dhe doktrina ushtarake gjermane ishte e bindur se tani pushtimi i befasishëm i Francës përmes Belgjikës nga veriu do të ishte çelësi për mposhtjen e shpejtë të Francës. Por suksesi i planit varej prej një gjeje: shpejtësia – shpejtësia e kalimit të ushtrisë gjermane nëpër Belgjikë.

    Çdo rezistencë e Belgjikës ndaj forcave gjermane do të ngadalësonte ushtrinë gjermane dhe do t’i lejonte ushtrisë franceze të përgatisë veten më mirë në ballafaqim me forcat gjermane dhe rrjedhimisht kolapsimin e gjithë Planit të Schlieffenit. Kjo ishte edhe arsyeja përse Gjermania bëri çdo gjë për ta bindur Belgjikën që të dorëzohej pa luftë, por pa sukses. Pas pranimit të ultimatumit gjerman dhe kërkesës për përgjigje nga ana e Belgjikës, mbreti Albert thirri seancë të jash tëzakonshme të qeverisë dhe kumtoi qëndrimin belg: “Përgjigjja jonë është ‘Jo’, pa marrë parasysh pasojat. Është detyrë jona sublime të mbrojmë integritetin tonë territorial. Në këtë nuk do të dështojmë”.

    I denjë për ato momente unike historike, fjalimi i mbretit Albert ishte dyfishtë i saktë: pasojat me të vërtet do të janë të mëdha, por Belgjika nuk do të dështojë. Belgjika u përball me një forcë dhjetë herë më të madhe ushtarake dhe superiore në çdo aspekt të mundshëm. Përkundër kësaj, ushtria dhe populli belg rezistuan kokëfortësisht ushtrisë gjermane. Për të dënuar rezistencën belge ushtria gjermane zbatoi një politikë agresive të reprezaljeje ndaj popullit belg. Djegie e fshatrave, rrafshimi i qyteteve, ekzekutimi i qytetarëve të pafajshëm dhe deportimi i tyre, dhunimi i femrave dhe grave kolektivisht u njohën në botë si “Dhunimi i Belgjikës”.

    Përkundër gjithë kësaj Belgjika rezistoi. Rezistenca belge ngadalësoi ofensivën gjermane dhe u ofroi mjaft kohë Francës dhe aleatëve të riorganizojnë mbrojtjen e tyre dhe të ndalojnë avancimin gjerman në atë që do të njihej si “Fronti Perëndimor”. Këtë fat e të qenit pjesë kritike e ballafaqimit të fuqive të mëdha Belgjika do ta rijetojë edhe në Luftën e Dytë Botërore në kuadër betejave të famshme sikur ajo e Bulgës, e cila do të jetë edhe gozhda e fundit në arkivolin e nazizmit. Është pikërisht kjo histori e tragjedive, e cila e ka bërë Belgjikën dishepullin më fanatik të Bashkimit Evropian si projekti më i suksesshëm paqeje që ka shpikur njerëzimi.

    Belgjika është njëri nga gjashtë vendet nismëtare të BE-së, por edhe nikoqir i pothuaj të gjitha institucioneve të rëndësishme evropiane, siç janë Këshilli Evropian, Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe 35 organizata të tjera evropiane. Ajo është themeluese dhe anëtare e pjesëve më intime të BE-së, siç janë tregu i brendshëm, zona Shengen apo Eurozona. Madje, edhe motoja zyrtare e shtetit të Belgjikës është amalgamë e motos zyrtare të BE-së. Brukseli është, po ashtu, shtëpi e NATO-s dhe e qindra delegacioneve evropiane dhe joevropiane.

    E gjithë kjo i ka bërë Brukselin dhe Belgjikën sinonim të paqes dhe bashkëpunimit evropian. Por, siç historia ka sfiduar Belgjikën prej kohës, përsëri nga 1 janari i këtij viti Belgjika do të sfidohet me një sfidë të re. Nga 1 janari i këtij viti Belgjika ka marrë përsipër kryesimin e Bashkimit Evropian në njërën nga kohët më turbulente në historinë moderne. Menaxhimi i luftës në Ukrainë, i konfliktit në Gaza, krizës energjetike në Kontinentin Evropian dhe ruajtjen e demokracisë evropiane me zgjedhjet e Bashkimit Evropian të këtij viti, janë vetëm disa nga sfidat që Presidenca belge duhet t’i menaxhojë. Ndërmarrjen monumentale të Presidencës belge e përfaqësojnë më së bukuri këta numra.

    Në gjashtë muaj Belgjika do të organizojë afro 530 takime joformale dhe mbi 2000 takime formale të 27 vendeve anëtare të BE-së. Dhe ndonëse programi politik i Presidencës belge rendit gjashtë prioritetet kyç, është më se e qartë se Ukraina ngelet prioriteti numër një. Asnjë fjalë nuk përmendet më shpesh në programin e Presidencës belge sesa fjala “Ukrainë”. Dhe nga fjalë dhe letra Belgjika synon të kalojë shpejt në akte dhe vepra. Kjo është edhe arsyeja përse samiti i parë i liderëve të BE-së nën Presidencën belge do të jetë i fokusuar kryesisht në operacionalizimin e ndihmës së BE-së për Ukrainën. Tashmë duken gjasat e konsiderueshme që BE-ja do ta tejkalojë veton hungareze dhe do të aprovojë pakon financiare prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën.

    Po ashtu, kancelari Sholc qartazi ka vendosur që në samitin e ardhshëm të liderëve evropianë të fokusojë vëmendjen e liderëve drejt nevojës për intensifikim të furnizimit ushtarak të Ukrainës. Këtë javë ai tha se “dërgesat e planifikuara ushtarake për Ukrainën nga shumica e vendeve anëtare të BE-së nuk janë të mjaftueshme tani për tani… u bëj thirrje gjithë aleatëve brenda BE-së që t’i përshpejtojnë ato”. Me qëllim të sigurimit të një furnizimi efektiv dhe në kohë të pajisjeve ushtarake, kancelari Sholc ka kërkuar dakordimin e një liste të unifikuar të ndihmës ushtarake për Ukrainën para samitit të ardhshëm të liderëve të BE-së.

    Në sinkron me këtë përpjekje, “mbreti” i industrisë evropiane, komisioneri i Tregut të Brendshëm, francezi Thierry Breton, konfirmoi këtë javë se BEja do të operacionalizojë fondin e veçantë financiar për mbrojtje në vlerë prej 100 miliardë eurosh. Këto janë lëvizjet e pashembullta në historinë e integrimit evropian. Komisioneri Breton u shfaq optimist se BEja do të “arrijë cakun e prodhimit të 1 milion predhave për Ukrainën deri në pranverën e këtij viti”. Sipas tij, kjo do ta vendosë industrinë prodhuese ushtarake të BE-së në nivel të barabartë me atë ruse.

    Në pak fjalë është e qartë se Ukraina do të ngelet prioritet i BE-së edhe për vitin 2024. Rajoni ynë duhet t’i gëzohet kësaj. Çfarë është mirë për Ukrainën është patjetër mirë për rajonin tonë. Fatet tona janë tani të ndërlidhura. Sidoqoftë, është kurioze të vështrosh se sa shumë ka ndryshuar mjedisi gjeopolitik i procesit të zgjerimit. Përderisa përpara caqet në procesin e zgjerimit kanë qenë numri i kapitujve të hapur negociatorë apo numri i ligjeve të përafruara me legjislacionin evropian, sot caqet në procesin e zgjerimit janë numri i tankeve të prodhuara dhe numri i predhave të furnizuara.

    Qartazi jetojmë në kohërat e reja. Se si duhet t’iu përshtatemi këtyre kohërave të reja nuk e di. Por ndoshta hapi i parë dhe i dobishëm është që të njohim këtë realitet të ri në kontinentin evropian. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Jeff Bezos fiton në 13 minuta më shumë se një person mesatar gjatë gjithë jetës

    Lajmi i rradhës

    Erdogan: ShBA-ja dhe Britania po e shndërrojnë Detin e Kuq në “det gjaku”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë