Për një rikthim të besimit të Perëndimit

    LEONIDHA MËRTIRI

    Veprimet e pamenduara të Albin Kurtit dhe qeverisë së tij nuk mund të mos e tensiononin situatën në Veri të Kosovës dhe të mos shkaktonin reagime të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përballë dialogut të mëtejshëm, të pritur midis palës kosovare dhe asaj serbe, Kurti përkeqësoi situatën në vend.

    Zgjedhja e kryetarëve shqiptar në komunat me shumicë serbe dhe hyrja e tyre në zyra për t’ia imponuar kësaj të fundit, e acaroi më shumë atë. Në ballë të saj, sikundër është evidentuar, qëndronin banda kriminale serbe, të frymëzuar dhe nga Beogradi, duke sulmuar forcat e KFOR-it dhe ato të sigurisë. Matanë kufirit, ushtria e Serbisë nga ana tjetër u vu në gjendje të lartë gatishmërie. Funksionimi i ligjit, i rendit dhe në këtë pjesë të Kosovës është i drejtë, por duhet të llogaritësh dhe pasojat.

    Tani, tërheqja e qeverisë nga këto veprime, edhe pse përgjegjësia është e madhe, shihet jo e lehtë. Po pse atëherë Kurti u fut në këtë rrugë, duke krijuar dhe shqetësime serioze te partnerët ndërkombëtar, gjykimi i të cilëve u injorua dhe përmes një kundërvënie të hapur? Këto ditë në Prishtinë dhe Beograd qëndruan Miroslav Lajçak, i dërguar i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si edhe Gabriel Escobar, i dërguar i SHBA-së për Ballkanin. Shqetësimi është i drejtë: Si të dilet nga gjendja e krijuar dhe për t’i hapur më shumë rrugë zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

    Sepse situata që u paraqit vetëm e largon dialogun midis dy palëve dhe e sfumon këtë marrëveshje. Një konfrontim dritëshkurtër, pasojat e të cilit do të ndihen. Dhe kundër kujt? Përballë atyre që u bënë garant të sigurisë dhe krijimit të shtetit të Kosovës. Duket që, kryeministrit të Kosovës, për fat të keq, i pëlqejnë tensionet, të cilat, siç shihen dhe aktualisht, i kanë brengosur aleatët e njohur. Sa tensionohen situatat me komunat serbe, vinë dhe daljet prej tyre. Pra, i njëjti refren. Atëherë, përse i tensionon ato? Dhe pa marrë në konsideratë gjykimin e aleatëve strategjikë. Pasojat e këtyre qëndrimeve dihen, duke u rënduar mbi Kosovën dhe vënë atë në pozitë aspak të lehtë.

    Ato u panë menjëherë pas kësaj, në mënjanimin, mospjesëmarrjen e FSKsë, Forcave të Sigurisë së Kosovës, në stërvitjet ushtarake “Defender Europe 2023”. Apo kërkohet dhe më tej, sipas medias, që të shkohet deri në vendimin e ndërkombëtarëve për përjashtimin e Kosovës nga prezenca fizike e saj në komunat me shumicë serbe? Sikundër është vërejtur, gjuha diplomatike e tyre po bëhet më e ashpër përballë një politike të jashtme kosovare të zbehtë. Shkohet deri aty sa ambasadori i SHBA-së në Beograd, diplomati i njohur, me kontribut të dukshëm në forcimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë, Christopher Hill, të pohojë dy ditë më parë te “Zëri i Amerikës”, se është i pasigurt nëse Albin Kurti mund të konsiderohet ende partner i SHBA-së dhe se ai nuk mban mend ndarje kaq të thella në marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Uashingtonit. Shtensionimi i situatës nuk është një fjalë goje që vjen pas çdo acarimi të saj.

    Dhe këtë nuk mund ta arrijë një kryeministër që i shkojnë pas midesë këto acarime dhe mban larg miqtë e njohur dhe të vërtetë. Aleanca e admirueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të dobësohet kurrsesi. Përkundrazi. Është aleati më i afërt dhe më i vyer i Kosovës, i shqiptarëve. Roli determinues në çlirimin e plotë të Kosovës, në arritjen e pavarësisë në 17 shkurt 2008, në njohjet e saj nga vende të ndryshme të botës e të tjera, do të mbeteshin të largëta pa këmbënguljen amerikane. Një marrëdhënie e fortë me të apo rikthim i besimit të SHBA-së dhe BE-së ndaj Kosovës do ta forconte dhe më tej sovranitetin e saj dhe të raporteve ndërshtetërore. Në këtë situatë nuk mund të lihet jashtë vëmendjes edhe qëndrimi i Shqipërisë ndaj Kosovës dhe të ecet me cicmice, sikurse ka ndodhur dhe më parë, ndaj njëri-tjetrit.

    Veprimi i duhur i Kryeministrit Edi Rama përmes një drafti për mbështetjen e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, ka shkaktuar çuditërisht shqetësim atje. Shqetësim i pompuar në mllefe, pa çka se me këtë draft nuk janë njohur, ku paraprijnë deputetë dhe figura të tjera të Vetëvendosjes. Dhe, siç ndodh në raste të tilla me ne, karikatorja zbrazet deri në fishekun e fundit, krahas sulmeve ndaj disa zyrtarëve amerikanë apo të BEsë. Madje, Rama shihet i tillë, që mendon e vepron si Esat Pasha. Dhe, si gjithnjë, parafabrikati shfryrës “i kapur që t’i bëjë favore Presidentit serb”. Sikur të mos ishte po ai Ramë që është bërë hero nga të njëjtët, kur në mes të Beogradit u ka kërkuar serbëve të njohin Kosovën e pavarur.

    Ky dokument shihet si “barrë e rëndë për Kosovën”. Në fakt, mendoj se duhet parë ndryshe: Së pari, duket se i jepet më shumë kohë Kurtit dhe qeverisë së tij të reflektojnë seriozisht, me një draft të ri për zgjidhjen e krizës me komunat e banuara nga serbët. Dhe, së dyti, të rikthejë përmes këtij- besimin e Perëndimit, të ndërkombëtarëve te Kosova. Politikanë dhe ndonjë analist në Prishtinë hamendësojnë dhe më tutje. Duke sulmuar sa më sipër, shkojnë deri aty sa të “argumentojnë” se kalimi në këtë Asociacion do t’i shërbejë qeverisë greke për ta pasur atë model për të kërkuar jugun e Shqipërisë, të ashtuquajturin “Vorio Epir”.

    Në këtë draft, dërguar Presidentit Macron dhe kancelarit gjerman Scholz, duke vënë në dijeni dhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, dhe palën amerikane, gjen shprehjen e vetë gjithçka e rekomanduar për të nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Burime diplomatike të BE-së, që kanë njohur tekstin, sipas Radios “Europa e Lirë”, pohojnë se ai “është shkruar me seriozitet” dhe se “po analizohet me kujdes”. Dokumenti vlerësohet si kontribut për përparimin e dialogut midis palës kosovare dhe asaj serbe. Siç është e njohur, të dy palët kanë rënë dakord në Bruksel për këtë Marrëveshje në vitin 2013 dhe mandej, në vitin 2015, mbi parimet për krijimin e tij. Me më shumë vullnet politik dhe dëgjim të aleatëve kërkohet qetësim i situatave të krijuara.

    Kjo nuk do të thotë apo të përkthehet, sikurse ndodh me ata deputetë dritëshkurtër të Vetëvendosjes dhe ndonjë partie tjetër, si “humbje dinjiteti” apo dorëzim para serbëve të egërsuar dhe zyrtarëve të lartë të Beogradit. Albin Kurti, me më shumë forcë dhe përgjegjësi nuk mund të inkurajojë më tej kryeneçësinë, prirjen e madhështisë për veten, “patriotin e rrallë”- ushqyer kjo dhe nga servilë pranë tij. As duke i dhënë krahë iluzionit se “ka popullin me vete”. Historia e Kosovës së pavarur nuk fillon me të. Për shkak të këtyre, Kosova dhe njerëzit e saj nuk mund ta pësojnë apo të rëndohen nga qëndrime të tilla të përsëritura të kreut të qeverisë, si të deritanishmet e tij. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Bullizmi | Mësimdhënësit bojkotuan trajnimin, zhvillohej në gjuhën maqedone

    Lajmi i rradhës

    Një e treta e të rinjve në Gjermani mendojnë se dhuna ndaj grave është “e pranueshme”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë