Paradoksi i investimeve të dhëndrit të Trump në Shqipëri

    GENC BURIMI 

    Që dhëndëri i Donald Trump, Jared Kushner, kishte treguar një interes për Shqipërinë, kjo nuk u zbulua nga “New York Times”. Shqiptarët e dinin prej disa kohësh se çifti Jared/ Ivanka kishte ardhur të paktën dy sezone verore për t’u çlodhur në rivierën shqiptare me një jaht luksoz. Por këto vizita në Shqipëri ishin komentuar thjesht si një kuriozitet turistik nga çifti mediatik amerikan, siç e tregoi në shtator 2021 shqiptari që i kishte shoqëruar, Auron Tare, duke folur për këtë tek emisioni “Opinion” i Blendi Fevziut. Për më tepër që jahti i Jaredit dhe Ivankës me pasagjer edhe kushëririn e Emirit të Katarit, presidenti aktual i klubit Paris Saint Germain, lundronte për pushime përtej Shqipërisë edhe në ishujt e Greqisë fqinje.

    Surpriza e jashtëzakonshme e artikullit të fundit të “New York Times”, në atë pikë sa ka arritur të shpërndahet menjëherë në mediat kryesore në mbarë botën qëndron te synimi i vërtetë i interesit të Jared Kushner për Shqipërinë, që e tejkalon kuadrin e pushimeve ordinere verore. Bëhet fjala për një plan megainvestimi në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec. Dhëndëri dhe e bija e Donald Trump, tashmë të pasur, synojnë pra të pasurohen edhe më tej me investime turistike në Shqipëri (plus edhe në Serbi) dhe kjo është katërcipërisht një e drejtë e tyre dhe logjika normale e kujtdo që investon për të fituar.

    Pyetja që shtrohet dhe që do e analizojmë në këtë shkrim ka kontekstin se përpara “Triumpit”, domethënë përpara dhëndrit të tij, Shqipëria e Ramës është tashmë një zonë influencë e Sorosve, baba dhe bir. Aleks Soros, siç është vënë shpeshherë në dukje nga mediat në Shqipëri është një miliarder anormalisht i pranishëm në Shqipëri, me një prani të vazhdueshme në krah apo pas kryeministrit Rama si në samite zyrtare ndërkombëtare me pjesëmarrje të qeverisë së Shqipërisë, ashtu edhe në evenimente private të Edi Ramës. Rrjedhimisht, që t’i jepet në Shqipëri nga vetë Edi Rama, “vëlla” me Aleks Soros, siç e ka cilësuar ky i fundit, një zonë strategjike për investim, domethënë për pasurim jo “dokujtdo” por dhëndrit të Trump-it himself, armik publik numër një i Xhorxh Sorosit, kjo shtron pyetjen: Si është e mundur?!

    Vetë Edi Rama, i ndërgjegjshëm për këtë konfuzion “mental” që shkakton kjo situatë kaq shumë paradoksale, e pranoi se ka diçka të habitshme në këtë mes duke deklaruar këtë para te tijve socialistë në fundjavë: “Këto ditë, Kushner, një sipërmarrës amerikan dhe dhëndri i ish-presidenti Trump shpalli publikisht ambicien për të investuar në dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri. …Delirojnë dhe zbulojnë se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura.. nga unë, djali i paudhë që doli nga thesi i parave të Sorosit, me djalin për shpirt të armikut më të betuar të Sorosit”. Është pra vetë Rama, që i paraprin debatit në këtë shkrim dhe që peertej zonave të mbrojtura, temë që u duhet lënë ekologjistëve, prek nyjën gordiane të kësaj afere: si mund të avancosh me Sorosin në krahun e majtë dhe dhëndrin e Trump-it në atë të djathtë? Si Alex Soros e lejon të privilegjohet në Shqipëri, ai që vetë e quaka si armiku më i betuar i Sorosit?

    Po është e mundur, dhe në këtë artikull, larg Shqipërisë, do shohim dy arsye: e kaluara e marrëdhënieve në biznes Soros-Kushner dhëndër i Trump-it, dhe e ardhmja “kokë a pil” e Donald Trump “në burg ose në Shtëpinë e Bardhë”, sipas një përcaktimi nga vetë Aleks Soros dhe që ndoshta e shtyn dhe atë të bëjë si vëllai i tij Edi, të luajë me 2 a më shumë porta…

    KOMPANIA AMERIKANE “CADRE”, LIDHJA NË BIZNES MIDIS DHËNDRIT TË TRUMP DHE SOROS

    Përtej një paranteze të shkurtër në politikë, ku ai u bë këshilltar i vjehrrit në Shtëpinë e Bardhë si emisar për Lindjen e Mesme, Jared Kushner ka mbi të gjitha një profil të pastër biznesmeni. Veçanërisht në biznesin imobiliar, ku familja e tij zotëron një numër të konsiderueshëm pronash në Nju Jork. Me burgosjen e papritur të të atit të tij, Karl Kushner më 2005 (për probleme midis të tjerash mosdeklarimesh me fiskun), Jaredi ndonëse vetë 25 vjeç, u bë rrjedhimisht “kryefamiljari” që duhet të ruante dhe shumëfishonte pasurinë familjare.

    Por investimi i tij i parë qe nga më të gabuarit duke hedhur gati 2 miliardë dollarë për blerjen e një kulle me zyra në “Manhatten” (Kulla 666 “Fifth Avenue”) vetëm pak muaj para krizës më të madhe financiare amerikane dhe botërore të dekadave të fundit me falimentimin e “Lehman Brothers” më 2008. Vlera e investimit të Jared Kushhner te “Kulla 666” që e kishte blerë me kredi bankare shkriu si bora në diell si pasojë e falimentimeve në masë. Ndër tentativat e tyre për të gjetur burimi financimi, dy vëllezërit Kushner, Jared dhe Josh janë në origjinë dhe të krijimit më 2014 të një kompanie me emrin “Cadre” dhe që sot menaxhon gati 10 miliardë dollarë investime sipas “Fortune Magazine”. Vëllezërit Kushner ia lanë që në fillim në dorë drejtimin e kompanisë së sapokrijuar “Cadre”, një shoku të tyre, Ryan Williams, ende sot në krye të kompanisë “Cadre”.

    Afriko-amerikan me prejardhje nga një familje modeste, Ryan William është jashtëzakonisht i talentuar dhe i shkolluar në Harvard. Plani i vëllezërve Kushner dhe Ryan Willimas ishte ta shndërronin kompaninë “Cadre” nga një start–up, në një gjigant të financës në fushën imobiliare, duke krijuar një megabazë të dhënash të pronave që shiteshin “badjava” në ankande pas krizës “Lehman Brothers” dhe t’ua propozonin investitorëve që kishin likuiditete. Në këtë start-up të re të sapobashkëthemeluar nga vëllezërit Kushner, pa asnjë përvojë, i pari financier që vendosi të investojë ishte pikërisht… Xhorxh Soros, i cili “rrezikoi” në këtë sipërmarrje shumën marramendëse të 250 milionë dollarëve! Sigurisht, ai jo vetëm që nuk i humbi, por edhe i shumëfishoi ashtu si banka “Goldman Sachs”, financuesja tjetër e kompanisë “Cadre”.

    Por kjo nuk ishte ende e mjaftueshme që Jared Kushner të gjente të ardhura të mjaftueshme për të dalë nga borxhi marramendës prej 1.2 miliardë dollarësh, ku e kishte futur blerja e nxituar e “Kullës 666”. Sipas shtypit amerikan, një nga arsyet që Jared Kushner u bë biles më 2016 emisari i të vjehrrit president për marrëdhëniet e SHBA-ve me Lindjen e Mesme qe pikërisht një mundësi e artë që politika i ofronte si në një tepsi Jared Kushnerit të gjente fonde arabe tek petro-monarkitë e Gjirit Persik për të shpëtuar biznesin familjar. Po ashtu, politika pranë vjehrrit do t’i jepte edhe mundësinë Jared Kushnerit të ndikonte me ligje të posaçme në suksesin e kompanisë “Cadre”, që kishte bashkëthemeluar më 2014 dhe që ishte financuar nga Soros. Aludimet sa të rënda dhe të shëmtuara për përdorimin e Shtëpisë së Bardhë dhe të fondeve arabe në shërbim të biznesit familjar të Jared Kushner u bënë publikisht në SHBA përtej shtypit dhe nga vetë kryetari i Komisionit të Financave të Senatit amerikan, senatori demokrat Ron Wyden. Trump dhe dhëndëri i tij u akuzuan se bënë presion shtetëror mbi Katarin që të ndihmonte financiarisht Jared Kushner për të dalë nga kthetrat e borxhit marramendës, që kish marrë për të blerë kullën në “Manhaten”.

    Pasi rezistoi një farë kohe, Katari u mposht dhe në gusht 2018, një kompani amerikane me aksioner Katarin, “Brookfield” shpëton financiarisht investimin 1.8 miliardë dollarë të Jared Kushner në “Manhatten”. Që aty fillon biles të shfaqet për herë të pare dhe misteri “shqiptar” lidhur me Mac Gonigal. Më 2018 i lidhur me Ramën, ky i fundit ishte shfaqur në Shqipëri. Po atë muaj gusht 2018, kur kompania amerikane e Katarit, “Brookfield”, ndërhyri për të shpëtuar financiarisht dhëndrin e presidentit Trump, Mac Gonigal dilte në pension dhe gjeti punë pikërisht tek e njëjta kompani “Brookfield” me aksioner Katarin, në një post mjaft të lartë si zëvendëspresident i kompanisë. Në kuadrin e anketimit nga Senati, kryetari i Komisionit të Financave të Senatit amerikan i dërgoi biles një letër ultimatum drejtorit të kompanisë “Brookfield”, ku senatori Wyden kërkonte shprehimisht: “Duam nga ju listën e të gjitha mbledhjeve me kompanitë e familjes Kushner, ose me përfaqësues të Katarit, ku mund të kenë marrë pjesë punonjës të kompanisë suaj ‘Brookfield’”.

    Ndër punonjësit qe pikërisht dhe Mac Gonigal, i cili pas këtij anketimi, la postin te kompania “Brookfield” partnere e Jared Kushnerit, për të shkuar, ironi e fatit, te kompania e zotëruar nga një rus (Dorovin) “Aman Ressort”, dhe kjo e lidhur me Jared Kushner, pasi është “Aman Ressort” që do të ndërtoka resortet në Sazan dhe Zvërnec, sipas lajmeve nga mediat amerikane. Ky shkrim nuk analizon rolin e Mac Gonigal, por hija e tij qenka përfundimisht kudo…

    Përtej përdorimit të Katarit për nevoja familjare kur Jared Kushner ishte në Shtëpinë e Bardhë, polemika tjetër në SHBA me bizneset e Jared Kushnerit lidhej me një ligj special nga ku përfitoi kompania “Cadre” e bashkëthemeluar prej Kushner dhe ku kishte investuar edhe Sorros. Ky ligj influencuar nga Kushner qe për krijimin e Zonave të lira ekonomike në SHBA me emrin “Opportunity Zones”, por nga ai ligj përfitoi edhe kompania “Cadre”, ku Jared Kushner kishte aksione. “Cadre” bleu prona pikërisht në zonat që ligji “Opportunity Zones” i kthente në zona të lira me pak ose aspak taksa. Më 2018, agjencia amerikane e lajmeve “Associated Press” botonte titullin bombastik “Hetimi i AP zbulon se Ivanka Trump dhe Jared Kushner mund të përfitojnë nga lehtësimi i taksave për zhvilluesit e ‘Opportunity Zone’ që ata vetë propozuan”.

    I gjetur përballë këtij presion mediatik, Jared Kushnder u detyra të shiste aksionet e tij në “Cadre” nga ku mori rreth 50 milionë dollarë, por vëllai i tij, Josh, vazhdon të jetë aksioner indirekt i firmës “Cadre”, suksesi i të cilës u bë pra i mundur në fillimet e saj nga paratë që Soros hodhi në të, ose 250 milionë dollarë. A mjafton kjo lidhje biznesi para 10 vitesh Soros-Kushner si fakt për të shpjeguar përse Alex Soros nuk po ndërhyn sot te Rama për të bllokuar investimin e ardhshëm të Jared Kushner në Shqipëri?

    TRUMP “O NË BURG, O PRESIDENT”, THËNIE E ALEKS SOROS

    Por kjo analizë e parë që Soros dhe Kushner mund të kenë interesa të lidhura nga e kaluara prandaj Aleks Soros nuk e pengon Ramën t’i hapë derën dhëndrit të Trump-it për të fituar para në Shqipëri, bie në kundërshtim me një tjetër analizë faktesh. Fakte të cilat po ashtu duhet të ekzaminohen për të pasur një vështrim sa më të saktë dhe të ekuilibruar. Këto fakte të tjera nxjerrin në dritë vetëm një gjë të qartë dhe konstante: Soros dhe Trump janë në një luftë për “jetë a vdekje” politikisht. Dihet botërisht që Soros mbështet demokratët. Soros mbështet po ashtu të gjithë ata që luftojnë pa kompromis, miq të Trump-it në botë, si Viktor Orban kryeministër i Hungarisë, vendi i lindjes së Xhorxh Soros, apo Netanjahun, kryeministër i Izraelit, mik jo vetëm i Trumpit, por edhe i babait të Jared Kushner-it.

    Në shumë fjalime Trump vetë, apo mbështetës të tij, si Elon Musk nuk pushojnë së godituri rëndë Xhorxh Sorosin, që e akuzojnë se ka një axhendë majtiste dhe proimigracioniste. Edhe Soros, babë e bir nuk kanë qëndruar prapa në kundërpërgjigje dhëmbë për dhëmbë me Trump. Një mesazh në ‘X’, i vetë Aleks Soros para disa javësh është interpretuar në media në SHBA si një ftesë për atentat kundrejt Donald Trump. Në atë mesazh “Tweet”, Aleks Soros botonte një foto-montazh, një impakt plumbi në një xham dhe 47 dollarë në “cash”, që disa e komentuan si ftesë nga Aleks Soros për heqje qafe me çdo kusht të presidentit të ardhshëm amerikan, i 47-i, që mund të jetë Donald Trump.

    Por nga fondacioni “Open Society” e Sorosit, ky interpretim u cilësua si marrëzi dhe se kuptimi i vetëm i atij mesazhi të Aleks Soros kishte të bënte me faktin se krimi (plumbi) dhe inflacioni (47 dollarët në cash) kanë rënë ndjeshëm në SHBA gjatë presidencës Biden. Sido që të jetë, airweet i Soros qe pra një mesazh pro-Biden. Në forumin e Davosit më 2017, Xhorxh Soros e pat cilësuar Donald Trump si diktator në embrion. Në forumin e këtij viti në Davos në janar 2024, i biri Aleksi nuk i bëri po ashtu komplimente Donald Trump-it, duke e cilësuar si një personazh me të vërtetë toksik dhe duke lartësuar njëkohësisht Bidenin si politikan jopolarizues, në një elektorat amerikan që po polarizohet nga Trump. ‘Këtu në Davos, Donald Trumpin e keni shpallur tashmë president”, – tha aty Alex Soros, duke shtuar me ironi: “Kjo është një gjë e mirë, lin të gabuara”.

    Me atë rast, vetë Aleks Soros bëri një parashikim në Davos në lidhje me Trump duke deklaruar: “Cili do të jetë rezultati për të? Ose përfundon në burg, ose përfundon në pushtet”. Është ndoshta kjo pasiguri ekstreme që ka vetë Soros mbi të ardhmen e afërt që mund të shtyjë të mendosh se nuk është në interes të tij t’i presë të gjitha urat me familjen Trump. Investimi i Jared Kushner në Shqipëri, territor i Sorosit “par excellence” me “lejen” e Aleksit, mund të rezultonte si një “urëz” kontakti për një të ardhme të llojit “ku i dihet” si shkojnë punët… E dëshmon këtë pasiguri të Sorosit se nga do fryjë era në nëntor 2024, edhe investimi më i madh që bëri këto ditë perandoria financiare Soros, një investim në shkallë të gjerë në mediat amerikane..

    NË MES TË FUSHATËS PRESIDENCIALE, SOROS BLEN MBI 200 STACIONE RADIOSH NË SHBA!

    Xhorxh Soros peshon gati 7 miliardë dollarë si pasuri personale, por kompania familjare “Fondi Sorros” menaxhon mbi 30 miliardë dollarë. Këto ditë, ose më saktë para një muaji, “Fondi Sorros” bëri një investim të jashtëzakonshëm për nga shuma dhe nga fusha, duke blerë për 400 milionë dollarë grupin e dytë më të madh amerikan të radiove, “Audacy” me 220 stacione radiosh të shtrira në të gjithë Amerikën. Ky grup ishte në falimentim me borxhe gati 2 miliardë dollarë, që bënë që aksionet e tij në bursë të fundoseshin nga 190 dollarë aksioni në më pak se 1 dollar aksioni (ose vetëm 20 cent në janar 2024). Kjo i lejoi Sorosit të bëjë një operacion “blic” duke marrë në kontroll 40% të aksioneve me 400 milionë dollarë dhe duke u bërë kështu aksioneri kryesor i 220 radiove amerikane.

    Më 2022 “Fondi Sorros” investoi 80 milionë dollarë të tjerë për të blerë dhe radiot në gjuhë spanjolle në SHBA, ose 18 radiostacione latine që prekin një komunitet me peshë të madhe elektorale. Kampi republikan po i konsideron këto investime të Sorosit në mediat amerikane në momentin më të nxehte të fushatës presidenciale si një mënyrë për të influencuar në këto zgjedhje.

    Por, duke pasur parasysh shprehjen e Alex Sorosit se Trump do jetë o në burg, o president, ky investim mund të përbëjë për një biznesmen si Soros një formë ure lidhëse me kampin republikan. Si çdo biznesmen që e njeh vlerën e parasë, Sorosët mund të udhëhiqen edhe ata nga parimi nga “fryn era”. Një fakt është se në radiot e sapoblera nga Soros performojnë dhe figura të spikatura prorepublikane. Mund të veçohen dy, Dana Loesch dhe Sean Hannity. Dana Loesch është prezantuesja e “The Conservative Alternative”, një emision radiofonik me audiencë, por mbi të gjitha ajo është zëdhënëse e “National Rifle Association” (NRA), shoqata tepër konservatore që mbron të drejtën e amerikanëve për armëmbajtje, si dhe bashkëthemeluese e “Tea Party”, që mbështet totalisht Donald Trump. Sean Hannity po ashtu që flet në radiot e sapoblera nga Soros, është një komentator politik me emër në SHBA, konservator dhe përkrahës i flaktë i Donald Trump.

    Ndër personalitetet e tjera konservatore që punojnë në stacionet radiofonike në pronësi të “Audacy” dhe që kalojnë tani në pronësi të Soros figurojnë edhe emra të tjerë të njohur për publikun amerikan me pikëpamje pro-trumpiste si Mark Levin, Guy Benson apo Rich Zeoli. Duket e vështirë të besosh se ambicia e Sorosit është t’i kthejë këta zëra pro-Trumpiste në zëra pro-Biden. E vështirë po ashtu ta besosh se Soros do t’i “pushojë nga puna”, (vetëm nëse ata largohen vetë). Mundësia e një investimi alternativ për Sorosin në rastin kur Trump s’do të ishte në burg, por në Shtëpinë e Bardhë nuk mund të mos konsiderohet.

    A s’mund të konsiderohet po mbi të njëjtat baza analize edhe marrëveshja e heshtur Sorros-Kushner në frontin shqiptar, ku i pari duket sikur po i thotë ‘bujrum’ të dytit me anë të marionetës Rama? “Business as usual” do i binin shkurt disa lexues të këtij shkrimi. Duhet bërë megjithatë kujdes dhe evituar kurthi i analizave simpliste. Për këtë arsye, shpjegimi i faktit sesi Edi Rama mik i Sorositarmik i Trumpit shkon dhe i hap dyer e dritare të Shqipërisë dhëndrit të Trump-it bash nën hundën e Sorosit, nuk ka për të qenë kurrë një analizë e thjeshtë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    A po nxitet arratisja e rinisë shqiptare?

    Lajmi i rradhës

    Me tre doza Di-Te-Per, fëmijët pranohen në çerdhe

    Lajme tjera

    Një gjë rreth Oratorisë

    Qëndresa Prapashtica Sipas një deklarate të Trump-it, gjatë paraqitjeve publike për të adresuar situatën e pandemisë ai thotë:…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë