Paradoksi i Luanit përballë artificialëve të inteligjencës

    VISAR ZHITI 

    Një libër – një paradoks i zmadhuar nga shkrimtari Luan Laze, që priti sa priti dhe na u vërsul për të na treguar se ku kemi arritur, marramendshëm sa lart edhe ku, në një vend të vogël, të shtrydhur midis dy kulturave të mëdha botërore, të artit, filozofisë dhe demokracisë së drejtpërdrejtë të antikitetit grek dhe artit prapë, institucioneve të demokracisë prapë dhe drejtësisë të perandorisë romake. Për paradoks, të dyja këto kultura në epokat e lavdive së tyre, që vunë në qendër Njeriun dhe Rilindjen e tij, ishin shoqëri me skllevër.

    Prej tyre njerëzimi ka trashëguar vepra të pavdekshme arti si dhe arenat e amfiteatrove dhe të koloseumeve, ku përlesheshin skllevërit me shpata në duele të përgjakura, vriteshin me njëri-tjetrin nën brohoritmat e spektatorëve shkallëve të mermerta, pra, të popullit tjetër. Një të tillë e kemi zbuluar dhe ne mu në qendër të qytetit të Durrësit. Kulmi arrihej kur në arenë futeshin nga bodrumet nën tokë kafshët e egra, të uritura, luanët, që shqyenin me dhëmbë dhe kthetra mishin njerëzor.

    Luan Laze. Sipas asaj që ai e thotë dhe vetë në një aforizëm për emrin e tij: më vendosën këtë emër se e dinin që do të jetoja në një shoqëri kafshësh, duket vërtet si një luan në arena e reja, në qytete, rrugëve të tij, në shtëpi e zyra, në punë e klube, në biseda me të tjerët, me veten, në ëndrra e delire, ecën i shkujdesur, duke parë të tjerët shkallëve, në stadiume, teatër, partira, parlament, shkallëve të avionit, shkallëve të pallateve pa leje… ashensorë karrierash… ballkone ballë për ballë, etj., etj.

    Luani sheh që kthetrat nuk janë më, por janë bërë ironi e tij, dhëmbët janë zemërimi, qortimet, tund bishtin hokatar, realiteti i ngjan një cirku, gazmor në dukje, ja dhe teli i ekuilibrit të rrezikshëm, të hungërish paqësisht duke i ngazëllyer spektatorët… Sot si dikur. Dikur si sot…

    Në fakt, ky është libri, ky libër…

    PO E SHFLETOJMË…

    Po! Po ç’ishte ky zell për të treguar me pakëz fjali ose dhe me një të vetme, por ama me 5000 të tilla, realitetin përreth, njerëzit që njohim dhe nuk njohim, adhurim apo kritikë apo frikë shpotitëse nga jeta, nga alienimi i shoqërisë njerëzore, mbase kështu do të thoshte studiuesi gjakftohtë, futje në vorbullat e ngjarjeve të aktualitetit, do të vazhdonte ai, ndoshta dhe mundësi për të qeshur me veten, do të shtoja, në kohën kur qeshet aq shumë me të tjerët, një vetvete tjetër? Apo të gjitha bashkë nga pak a asnjëra aq shumë?…

    Shkencat sot kanë arritur zhvillime të paimagjinueshme, por jo nga ata që zbulojnë dhe shpikin, kur Inteligjenca Artificiale, AI siç quhet, pra, “ai” në shqip, ai tjetri, që po na kërcënon me mençuri të hatashme, se nuk duket e largët dita që do të mund të sundohemi jo më nga vetvetja, por nga vetvetja e shpërngulur te makinat, në robotë, me mendjen të zbrazur në një elektroteknologji të skajshme, në kompjutera gjithfarëlloj, në univers pranë, por dhe larg, të futur nën lëkurën e njeriut, sepse mençuria jonë ishte kaq shumë injorante, sa… s’e di, etj., etj.

    Luan Laze, edhe pse e kishte nisur ndryshe, si me një shaka të padëmshme, sikur donte të kalonte kohën, tani është në përballje, në vorbull, përkundruall kohës, qendrestar, pa e marrë përsipër si mision, kështu duket paradoksalisht…

    Në epoka mashtrimesh dhe parodish tragjike, kur ngjyrat e ditës bëhen simbole të egra të politikës, ndër gjërat serioze mbeten ndoshta frika dhe humori. Si pjesë e qëndresës intelektuale. Shkrimtari Luan Laze është ndër emrat e paktë, që me krijimtarinë e vet ndjek hap pas hapi ditën, shqetësimet e saj, paradoksin, krizën e vlerave shoqërore, që për fat të keq në alkiminë e shkrimtarit bëhen vlera letrare. Ndërkohë, humori, shpeshherë i zi, mbush faqet e bardha të shkrimeve të Luan lazes. Sarkazma është lufta paqësore që shkrimtari i bën së keqes.

    MES ARTIFICIALËVE INTELIGJENTË…

    AI – Inteligjenca Artificiale në fund të fundit është inteligjenca e perceptimit, e sintetizimit dhe e nxjerrjes së informacionit, e demonstruar nga makinat (kompjuter, robot…), në ndryshim me inteligjencën e shfaqur nga njerëzit ose kafshët e tjera.

    Po algoritmet e shkrimtarit?

    Inteligjenca Artificiale ka sukses të jashtëzakonshëm në industri e banka… në numërimin e votave, kalimin e tyre nga duhet, jo nga zgjedh… po fshesat inteligjente? Kryevepra…

    Po a do të bëjnë makinat dhe aforizma, paradokse? Edhe humor, edhe ironi? A do të zemërohen me ne?

    Dhe kjo na duhet! Është e frikshme…

    Më e frikshme se artificialët e inteligjencës? Se unë për këta e kisha fjalën… Ja disa sentence:

    ”Lajmi se një idiot ka korrur sukses, është inkurajues./Provoni një herë lirinë e mendjes, pastaj kërkoni atë të fjalës./ Kur mbushet kupa e mëkateve, je i falur. Vazhdo me të dytën./Nëse politika është për faqe të zezë, imagjinoni si janë votuesit e saj.’

    Autori ndoshta-ndoshta duhej të argëtohej me budallallëkun… duke gdhendur veten. Gjithë ai realitet gdhe, absurd dhe i egër dhe sa i vogël…

    Që donte të ndërtonte komunizmin me ushtën e Don Kishotit dhe me legenin e tij si mburojë, që bëri burgjet para universiteteve, se robëria ishte më e dobishme se liria, urrejtja më ushqyese shpirtërisht se dashuria, po shpirt nuk ka, thoshin, ka vetëm materie, telat me gjemba duhen më shumë se telat e kitarave, bunkerët më shumë se apartamentet, idioti është më besnik i Partisë se intelektuali, Realizmi Socialist është metoda më e mirë artistike në botë etj., dhe kur u shemb Muri i Berlinit dhe gjithë perandoria komuniste ra e vendi ynë u detyrua të ndryshojë dhe ata që ishin në krye apo pjesë e diktaturës, frymëzim i saj, dolën prapë në krye që të ndërtonin ashtu si diktaturën dhe demokracinë, armiqtë e pronës private, të kapitalit u bënë kapitalistë, përvetësuan alamet pronash dhe, pasi u dhanë ish-të burgosurve politikë shpërblimin-e-dëmshëm, një dorë oficerësh të ushtrisë së diktaturës i bënë presidentë të demokracisë, komandantët e burgjeve nisën të akuzojnë të burgosurit e tyre dhe këtë e bënin të lidhur drejtpërsëdrejti me studiot televizive nga azili politik nëpër Europë e Amerikë si të përndjekur tashmë…

    Të gjithë vrasësit bëjnë gjumë të qetë. Edhe vrasësit e shpresës, thotë Luani në njërën nga 5.000 aforizmat. Dhe vrasësit e shpresës janë po aq kriminalë…

    5000 thëniet e Luan Lazes vijnë që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar dhe të dyfishuara e të trefishuara sulen si luzmë bletësh me zukama dhe në gjysmës së parë të shekullit XXI. Me mjaltin dhe thumbin.

    Përvoja e letrave shqipe në këtë lëmí është e pakët, do të thosha, jo se nuk kanë dalë libra me fjalë të urta dhe sentenca, më shumë nga bota. […]

    Ndërsa në Shqipërinë Socialiste, kujtoj kur isha fëmijë, doli një libër i kuq me format xhepi, me kapak plastikë, me citate të Mao Ce Dunit, që dyndeshin për ta blerë, sidomos kooperativisët e fshatrave, se kapakët i hiqeshin dhe përdoreshin si kuletë a portofol…

    Ka dhe të tjera… ndërkaq kanalet televizive natë e ditë transmetojnë humor, jo vetëm të emisioneve kësisoj si “Fiks fare” apo “Portokalli” e “Al Pazar”, të specializuara tashmë, por dhe humor institucional, parlamentar dhe partish, dhe të policive, të shitoreve, të shkollave, të çmendinave, të mitingjeve, agjencive, me një “Big Brother” presidencial mbi të gjitha, etj., etj., që:

    Sa më shumë prekim të ardhmen, aq më nostalgji për të kaluarën… sipas një paradoksi këtu, duke bërë që të ndihemi në një të ardhme që iku pa ardhur dhe të përplasemi me të shkuarën që na pret, por qëllimi im ishte tjetër, të paraqisja, madje thjesht të thosha që miku im, Luan Laze, mblodhi aforizmat dhe paradokset që ka shkruar gjatë jetës, kaotikisht siç janë realitetet tona, duke i grupuar dhe ndarë në 7 krerë, pa ndonjë kronologji, mbase sipas afrisë tematike a ndonjë rendi tjetër të papërcaktuar, le të themi p.sh., kreu I: arrivizmi, II: plogështia shpirtërore, III: konvertimet demokratike, IV: kotësia si pikësynim, V: dashuria si atavizëm a ndoshta ndryshe ose fare, VI e VII: personazhi më simpatik është idioti, jo, shejtan budallai, që ka frikë të ngjajë i zgjuar, se mosdija tashmë është dije, humori – mençuri, jo, dinakëri e përditësuar, dhe na dha këtë libër për të na argëtuar, nga që absurdi është i përzierë me jetën e copëzuar a me copëzat e një jete, jo më pak se 5000, për të mos thënë të një kohe të dërrmuar… me duart tona. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Fëmijët që lypin para në rrugë | Të abuzuar nga prindërit, të shtyrë nga varfëria

    Lajmi i rradhës

    Këshilla për zgjedhjen e këpucës ideale në këmbët tuaja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë