Pas Otrantos, në La Mansh përsëri me gomone

    PËLLUMB NAKO

    Në korrik të një viti më parë u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për të larguar me forcë qytetarët shqiptarë në situatë të parregullt qëndrimi në këtë vend, nëpërmjet një procedure të përshpejtuar. Duket që marrëveshja e arritur nuk ka dhënë rezultatet e pritshme, pasi këto ditë, një vit më pas, në median britanike dhe shqiptare po flitet shumë për gomonet që përshkojnë La Manchin për të kaluar nga Franca drejt Britanisë, si dikur nëpër Otranto nga Vlora drejt Italisë. Kjo kërkesë e fortë për emigracionin e shqiptarëve drejt Britanisë ka sjellë për efekt të parë rritjen e ofertës kriminale, e cila fillon nga organizimi i kalimit klandestin kundrejt pagesave në shuma të kripura deri te trafikimi nëpërmjet financimit të kalimit e kërkuesve pa shumat e parave të duhura e më pas duke shfrytëzuar punën e tyre për të shlyer borxhin. Kjo do të thotë se në një kontekst të tillë oferta kriminale shqiptare ose jo është jo vetëm për kontrabandim, por edhe për trafikim, pra, për shfrytëzimin e emigrantëve pas mbërritjes në destinacion. Një emigracion i tillë, i pakontrolluar, përveçse rrezikon jetët e emigrantëve (siç ka ndodhur rëndom), por kthehet edhe në burim krimi. Madje, sipas medies ndërkombëtare, trafikantët i blejnë mjetet e lundrimit në një qytet të vogël të Gjermanisë për të mos rënë në sy të autoriteteve policore franceze, aq sa qyteza në fjalë po përjeton një boom ekonomik.

    Duket se autoritetet britanike po kërkojnë të intensifikojnë përballjen me fenomenin duke kërkuar për ndihmë dislokimin e një numri oficerësh të Policisë shqiptare në tokën e tyre për të ndihmuar forcat e sigurisë britanike në procedurat e identifikimit dhe kthimit të emigrantëve. Kërkesa në fjalë nuk është si rrufe në qiell të pastër. Mjafton të sjellim në vëmendje se vetëm disa vite më parë, të njëjtën gjë bëri edhe shteti francez kur kërkoi katër oficerë policie për të prapësuar të njëjtin fenomen në tokën e tyre. Kjo tregon qartë se për fat të keq, emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve vazhdon me ritme të larta dhe sa qetësohet në një vend, gjen shtigje për të vërshuar drejt një vendi tjetër. Herë duke shfrytëzuar avantazhet e krijuara nga liberalizimi i vizave dhe herë duke kërkuar ofertën kriminale.

    Dhe cila është përgjigjja që i jepet fenomenit në rrethana të tilla?

    Nga njëra anë kemi vendet e destinacionit, të cilat përballë rritjes së presionit shtrëngojnë më shumë masat policore dhe detyrojnë qeverinë shqiptare që të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me autoritetet kompetente të tyre për të pranuar kthimin e emigrantëve sa më të shpejtë, gjithmonë duke kërkuar ndihmën e qeverisë sonë, kurse nga ana tjetër kemi autoritetet kompetente shqiptare, të cilat reklamojnë me zë të lartë se sa shumë besim kanë homologët e tyre të huaj për të bashkëpunuar me to, sa të zellshëm janë këto të fundit që të bashkëpunojnë. Thënë me fjalë të tjera, përballë një kërkese të fortë për emigracion (drejt Britanisë në rastin konkret) e vetmja gjë që mund të bëjë qeveria shqiptare është ndihma për autoritetet e huaja, pra bashkëpunimi me gjuhën e forcës së tyre. Madje, me të drejtë, ministri i Brendshëm thotë se do të intensifikojë bashkëpunimin me autoritetet britanike në shkëmbimin e informacionit apo në hetime të përbashkëta për të luftuar rrjetet kriminale që trafikojnë e tranzitojnë emigrantët shqiptarë.

    Pyetja naive dhe e vjetër sa vetë njerëzimi është mjaft e thjeshtë. Nëse nuk do të kishte shkaqe që stimulojnë emigracionin ilegal, do të kishte ofertë kriminale për të zhvilluar trafikun dhe kontrabandimin e qenieve njerëzore? Do t’u duhej dy qeverive ky impenjim kaq i madh në vend që të përqendroheshin në sfida më të vështira? Absolutisht jo. Problemet sociale si emigracioni i paligjshëm aktual në vendin tonë, lindin si rezultat i keqfunksionimit të shtetit, madje dhe i të gjithë shoqërisë. Në vende me demokraci të dobët dhe me ekonomi të varfër koncepti siguri perceptohet si detyrim i shtetit për të garantuar integritetin fizik të individit dhe të pasurisë së tij, kurse në vendet me demokraci të zhvilluar, të jesh i sigurt, do të thotë të mos kesh frikë. Dhe sociologët thonë se frika i shtyn njerëzit të braktisin vendbanimin e tyre. Nga se kanë frikë këta njerëz që në sasi të mëdha braktisin vatrat e tyre drejt një destinacioni të paqartë? Në këtë arrati ata shkelin ligje e rregulla administrative dhe është përsëri shteti ai që i ndëshkon ligjërisht. Është shteti ai që i viktimizon dhe është përsëri shteti ai që i ndëshkon për këtë keq qeverisje të tij. Pothuaj një rreth vicioz i pamëshirshëm. Ky është paradoksi që po e bën të vuajë keq shoqërinë shqiptare.

    Ka kuptim për një shtet serioz të mbushë burgjet e vendit plot me trafikantë, ndërkohë që nuk u pret rrugën shkaqeve sociale të atyre që emigrojnë në mënyrë të parregullt? Pikërisht këtë nuk bën qeveria. Madje, kalon thuajse në krah të kundërt kur me gojën e Kryeministrit tregon se sa mijëra e milionë kroatë emigrojnë drejt vendeve të tjera. A thua se kroatët po nisen me gomone drejt Britanisë. Paralelizmi i dy fenomeneve është më shumë se cinik.

    Marrëveshjet e nënshkruara nga ministri i Brendshëm me autoritetet homologe britanike janë normale, nuk mund të qortohen, por rritja e kërkesës së shqiptarëve për emigracion nuk mund të zgjidhet me mjete të forcës policore, por duhet të rregullohet duke i dhënë përgjigje me masa konkrete pyetjes se cilët janë faktorët socialë që i shtyjnë ata. Është normale që vendet në fjalë të kthejnë emigrantët e parregullt në vendin e origjinës dhe këtu mbaron misioni i tyre. Më pas është misioni i qeverisë sonë që duhet të fillojë, jo vetëm bashkëpunim. Kujdeset kush për të ndihmuar këta emigrantë? Ka ndonjë fond financiar për t’i ndihmuar, apo lihen në mëshirë të fatit për të tentuar përsëri të ikin. Siç ka ndodhur vite më parë me një emigrant që ishte kthyer nga policia greke 35 herë. Apo vetëm dënime me burg (katër vite burg citojnë mediat ministrin e Brendshëm).

    Nuk mund të jetë kurrë krenare një qeveri apo ministri i saj i Brendshëm (madje as shoqëria e një vendi) kur thërret në kupë të qiellit se sa shembullore është në bashkëpunimin e shkëlqyer që ka me vendet e destinacionit të emigrantëve me qëllim kthimin e tyre në atdhe, ndërkohë që vetë ajo është shkaktarja e këtij emigracioni.

    Lajmi Paraprak

    Olaf Scholz, ëndërrimtar i një Europe më të madhe?

    Lajmi i rradhës

    Sonte në Tetovë: “Full time”, filmi që shfaq përpjekjet e gruas Xhuli për të qenë vetvetja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë