Pasojat e politikave majtiste në ShBA e rreziqet për qytetërimin perëndimor

    DR. ERNEST NASTO

    Në një artikull të më parshëm shpjeguam origjinën filozofike të majtizmit të sotëm në SHBA dhe në vende të tjera perëndimore, dhe kuptohet se ato ide shoqërohen edhe me zbatime konkrete në praktikë. Le të shohim veçanërisht këtu dy aspekte kryesore: rishkrimin e historisë dhe kërcënimin ndaj lirisë së fjalës. Në aspektin e parë, flamuri i betejës është i ashtuquajturi “Projekti 1619”, një nismë e “New York Times” nën drejtimin e gazetares Nikole Hannah-Jones, që synon “një rikonsiderim tërësor të historisë amerikane”. Përkatësisht projekti propozon ndryshimin e datës së themelimit të vendit me pohimin se krijimi i vërtetë i Shteteve të Bashkuara s’është 4 korriku 1776, shpallja e Deklaratës së Pavarësisë, por gushti i vitit 1619 kur në koloninë e Virginia-s mbërriti një anije me disa afrikanë që u shitën asokohe si skllevër te kolonistët e bardhë. Zhvendoset kësisoj fokusi i ngjarjes nga fjalët famëmadhe të Deklaratës se “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe janë pajisur prej Krijuesit me disa të drejta të patjetërsueshme midis të cilave janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë”, tek aspekti i veçantë i skllavërisë: Amerika konceptohet si krijesë raciste qysh në themelim, me “racizmin si ADN-ja e shoqërisë amerikane”.

    Pavarësisht nga përmbajtja dhe nga vlerat historike të pamohueshme, projekti në fjalë duket absurd qysh në pikënisje: një përpjekje e tillë, kaq themelore për historinë e një vendi, ndërmerret nga një organ mediatik, sado i famshëm qoftë, dhe jo nga një institucion apo shoqatë profesionale historianësh.

    Megjithatë, projekti është futur tashmë në programet e mijëra shkollave, duke shkaktuar protesta të mëdha nga prindërit dhe nga grupe të ndryshme konservatore.

    E ngjashme është gjithashtu etja për rivlerësim, nën optikën e “racizmit”, të themeluesve të republikës amerikane, etërve të kombit, si dhe të figurave të tjera të shquara perëndimore. Kështu, pas vrasjes së zezakut George Floyd nga një polic i bardhë në Minneapolis në maj 2020, një lëvizje masive për shembjen e statujave të tyre përfshiu gjithë vendin.

    Protestat jepnin përshtypjen sikur turmat, shumica dërrmuese të rinj të bardhë, mblidheshin spontanisht sepse u kish vajtur thika e shtypjes në palcë, por njëkohësisht dukeshin edhe si spektakle të bëra enkas për kamera. Një frymë cinike i përshkonte tejembanë, sepse sido që ta konsiderosh, s’ka lidhje ndërmjet revoltës së arsyeshme ndaj ekzekutimit të George Floyd dhe përdhosjes së statujave publike, jo vetëm të gjeneralëve të Konfederatës rebele(1), por edhe të figurave si Washington, Jefferson, Churchill, Lincoln, madje edhe Mahatma Gandhi.

    Shembull kuptimplotë i këtij cinizmi ishte reportazhi i njërit prej rrjeteve kryesore televizive amerikane gjatë transmetimit të ceremonisë së 4 korrikut 2020 në monumentin kombëtar “Mount Rushmore”, në shtetin South Dakota. Monumenti paraqet në një faqe shkëmbi bustet e katër presidentëve më të famshëm, që kanë drejtuar Amerikën në periudha kyçe të historisë së saj: Washington, Jefferson, Lincoln dhe T. Roosevelt.

    Por, reporterja e kanalit televiziv në fjalë u shpreh se Presidenti Trump përkujtonte atë ditë festën kombëtare para monumenteve të “dy skllavopronarëve” (duke nënkuptuar Washington dhe Jefferson), ngritur “mbi tokën që u është grabitur banorëve vendas”. Hidhej kështu poshtë tërë kontributi i këtyre dy liderëve në revolucionin amerikan, në shkëputjen nga perandoria britanike dhe në themelimin e shtetit të së drejtës, bazuar te Deklarata e Pavarësisë, për t’u përqendruar vetëm e vetëm tek aspekti i qenies së tyre “skllavopronarë” dhe në rrëmbimin e tokave indiane.

    Ngjashmërisht, statuja e Jefferson u hoq edhe nga salla e Këshillit Bashkiak në New York, e po ashtu statujat e Washington në Portland dhe në Baltimore, ndërsa ajo e T. Roosevelt nga Muzeu i Historisë Natyrore në New York. Këtë fat po pësojnë dhe statujat e Winston Churchill në Britaninë e Madhe nën pretekstin se ka qenë “kolonialist” dhe kundër pavarësisë së Indisë. Në shënjestër janë venë edhe autorët klasikë duke filluar nga Shekspiri, gjithmonë me pretekstin se kanë qenë “racistë”, ose kanë shprehur në veprat e tyre “supremacinë e bardhë”

    Një aspekt i dytë është, siç thamë, edhe zbatimi praktik i “kulturës së anulimit” (cancel culture), viktimë e së cilës kanë rënë profesorë universitetesh e figura publike vetëm se janë shprehur kundër masave të imponuara nga lëvizja “woke”. Kështu, administrata e Evergreen State College në shtetin Washington kishte caktuar një ditë kur personeli i bardhë të mos paraqitej në punë. Kjo do të bënte sipas tyre që punonjësit me ngjyrë të mos ndiheshin “të shtypur” nga prania e kolegëve të bardhë. Por kur profesori i bardhë, Bret Weinstein, e kundërshtoi si të pakuptimtë këtë masë, ai u cilësua menjëherë nga studentët si “racist” dhe u detyrua të japë dorëheqjen.

    Po ashtu, studentët me ngjyrë në Skidmore College në New York kërkuan shkarkimin e dy pedagogëve vetëm sepse ishin parë në një protestë në përkrahje të Policisë dhe kundër lëvizjes Black Lives Matter (BLM). Në një rast tjetër në Universitetin e Michigan-it, një profesor muzike u shfaqi studentëve filmin Othello të vitit 1965 për t’i studiuar kolonën muzikore. Por disa studentë zezakë ishin “ofenduar rëndë” sepse roli i Othellos, “arapit të Venetikut”, luhej nga një i bardhë, Lawrence Olivier, që kish lyer me atë rast fytyrën me të zezë. Kështu, profesori, megjithëse vetë me prejardhje aziatike, u detyrua të ndalojë mësimdhënien e asaj lënde pasi autokritikat e tij u cilësuan të pamjaftueshme nga studentët. Ngjarje të tilla në universitetet amerikane, dhe për figura të tjera publike, po bëhen gjithmonë e më të shpeshta.

    Këto praktika të rishkrimit të historisë, të shembjes së statujave dhe të fshirjes së “mendimit ndryshe”, na kujtojnë prirjen totalitare të përdorimit të historisë si armë, që shqiptarët dhe europiano-lindorët e tjerë e njohin mirë. E kaluara historike pushon kështu së qeni burim urtësie, me njohuritë dhe këndvështrimet e ndryshme. Ajo shihet thjesht si dekor i ndryshueshëm sipas dëshirës, varësisht problemeve aktuale të skenës politike të vendit. Kjo mungesë respekti, ose më mirë ky mllef kundrejt së kaluarës s’mund të mos ketë pasoja për brezin e ri që do drejtojë nesër fatet e demokracisë amerikane.

    Ndërkaq, pjesëmarrësit në këtë “revoltë morale” harrojnë të mendohen sadopak para se të hedhin në plehra personalitete të kaluara që s’u përshtaten saktësisht standardeve të sotme, dhe për të cilat ata s’janë përgjegjës. Një fshirjeje të tillë do t’i nënshtrohen edhe vetë këta zelltarë: ata që presin përsosmëri morale nga të tjerët s’mund të kenë pretendime për mëshirë, qoftë nga pasardhësit, qoftë nga demonët e ndërgjegjes së tyre të shkalafitur.

    Por një arsye më serioze e nevojës për maturi lidhet me vetë thelbin e njeriut të qytetëruar, sepse një aspekt bazë i qytetërimit është mbajtja parasysh e papërsosmërisë njerëzore dhe përqafimi i arritjeve, pavarësisht nga të metat. Figurat historike duhet të vlerësohen bazuar te pozitivja që mundën të bëjnë në kushtet ku ndodheshin, e asnjëherë sipas të metave të tyre personale.

    Si përfundim, mund të themi se e majta e sotme amerikane, në ndryshim nga e majta historike sovjeto-lindore s’ka lidhje me zhdukjen e pronës private apo me vendosjen e një diktature të tipit sovjetik. Ajo paraqitet si kult ideologjie, jo kult individi, dhe rreziku i saj është vendosja e një totalitarizmi kulturor, me tipar kryesor kufizimin e ndjeshëm të lirisë së fjalës. Kjo përbën kërcënim të rëndë për këtë tipar themelor të sistemit perëndimor, prandaj është vendi të perifrazojmë mendimtarin e shquar anglez Edmund Burke (2), i cili duke folur për revolucionaret franceze të 1789, shprehej se “çfarëdo që ata përfytyruan rreth tipareve të shoqërisë ku synonin, rezultati praktik ishte shumë më i mjerueshëm se rendi që ata përmbysën”. /Panorama/

    Studiues i politikës amerikane, Chicago

    Lajmi Paraprak

    Zbulimet e reja: Ja pse gjermanët iu bashkuan Partisë Naziste të Adolf Hitlerit

    Lajmi i rradhës

    Kovaçevski: Nga mesi i vitit pritet të ulen çmimet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë