Riciklimi i Berishës si binom i Ramës

    Belina Budini

    Në përfytyrimin e çdokujt që e ka jetuar të ashtuquajturin tranzicion shqiptar, emrat Berisha-Rama qëndrojnë si binom i pandashëm i politikës dhe pushtetit. Aq sa riciklimi i të parit vjen si sponsorizim i të dytit dhe anasjelltas. Prandaj është thuajse e natyrshme t’i (ri)shohësh përballë njëritjetrit në një kushtëzim fatesh dhe ciklesh politike pa afat. Berisha rishfaqet kështu si ekuivalenti i Ramës. Të barasvlershëm në shumë pikëpamje, madje edhe në komunikimin politik, ku anormalitetit të njërit nuk i përgjigjet veçse shpërpjesëtimi i tjetrit; modelet e tyre janë ngulitur në përfytyrimin kolektiv si arketipa të politikës, duke riprodhuar dhe replikuar kështu vetveten.

    Prandaj, duket se në fushën e këtij përfytyrimi është e vështirë të asociohen arketipa të reja përtej Rama-Berisha apo edhe Meta, për sa kohë ata janë aty, në një lojë efektesh dhe pasojash ciklike. Edhe pse përbën një “déjà vu”, ky rikonfigurim personazhesh do t’i imponohet elektoratit të vitit 2023 jo thjesht si një rikthim, pasi rikthimet njihen, por si një konstante ose një riciklim i dyanshëm. Duhet pranuar që rikthimi i Berishës ka ndodhur pavarësisht non-gratës. Mund të mos jetë një rikthim i lavdishëm, ashtu sikurse nuk do të ishte ndonjë riciklim i lavdishëm as ai i Ramës, shanset e të cilit për të qëndruar rriten me ndarjen e së djathtës dhe rikthimin e Berishës.

    Ky i fundit, me rikthimin e tij, po riciklon në fakt bashkë me veten edhe rivalin e tij politik, që mbetet i pasfiduar në terma elektorale, sa kohë që do të ketë përballë një kundërshtar të shpallur “non grata” nga SHBA-të dhe një parti demokratike të ndarë. Ndaj rikthimi i binomit Berisha-Rama apo i trinomit Berisha-Meta-Rama është lexuar me të drejtë si inerci politike e tejzgjatjes së tranzicionit shqiptar. Pa ndonjë energji të re politike në horizont, dinamikat e komunikimit politik të palëve nuk arrijnë të ngjallin interes dhe aq më pak të ofrojnë ndonjë perspektivë demokratizuese apo modernizuese si në formë ashtu edhe në përmbajtje.

    Kështu, praktikat më të zakonshme janë live-t mediatike në formën e foltores në njërën anë ose në formën e one-man-show në anën tjetër. Përballjet televizive të shumëfishuara në të gjitha ekranet, ofrojnë një tjetër “déjà vu”, ndërsa rrjetet sociale dhe TIK-TOKU vetëm sa i shpërndajnë në formë çikërrimash virale, duke i bërë kështu edhe bajate. Zhvillimet e fundit më interesante janë ato të vetë frontit të mediave me daljen në një antagonizëm të ri politik dhe të papritur, që duhet parë se deri ku do të shkojë.

    Asgjë të re ndërkohë nga fronti qeveritar në tërësi, veç propagandës së “agresorit” që bën viktimën përballë mediave. Me një PD të ndarë e të përçarë, opozita nuk po del dot me një akt të fortë komunikimi, për ta bërë të mundur përfytyrimin e një avantazhi elektoral. Shpresat sërish të lidhura me protestat nuk premtojnë ndonjë shndërrim apo evoluim të brendshëm, që të mund të sjellë ndryshimin apo rrotacionin. Duke qenë se dominojnë manovrat e mbijetesës politike, çdo lexim alternativ i atmosferës duket në mos i pamundur, pak i vështirë. Kështu, vjeshtës politike shqiptare po i afrohet një dimër me krushq të ngrirë në të dy frontet, ndërsa pranvera duket ende shumë larg për të gjithë.

    *Dekane e UET Marrë nga rubrika “Mediapolis”, në Liberale.al

    Lajmi Paraprak

    Në Gjakovë u protestua kundër dhunës pas rastit të sulmit fizik ndaj nënës së dëshmorit

    Lajmi i rradhës

    Nëse e konsumoni çajin, jeni më kreativë dhe keni imagjinatë më të pasur

    Lajme tjera

    Trafik

    EDISON YPI   Mbreti i Trafikut është Kamioni. Kush e dyshon ose e refuzon këtë, s’është në terezi, duhet…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë