Pengmarrja e konservatorizmit

    Foto: A2 CNN

    REDI SHEHU

    Konservatorizmi në epokën e postmodernizmit po vuan pasojat e të marrit peng nga intelektualë dhe politikanë të sotëm të cilët Roger Scruton i quante intelektualë të postmodernizmit e që i akuzonte për shkatërrimin e një kulture të epërme, pikërisht përmes zhdukjes së standardeve estetike. Kjo pengmarrje, me akte postmodernist, por me artikulim konservator, ka sabotuar esencën e besimit në praktikat tradicionale dhe standardet morale të shoqërive. Pra, artikulim i cili përpiqet të shfaqet si konservator, duke nënkuptuar traditën si një entitet jostatik me zhvillim të butë, gradual dhe me reformim inteligjent nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, me veprim dhe akte postmoderniste, të cilat kanë në thelb emulacionin dhe besimin në “identitetin politik” si i vetmi dhe superior mbi identitetet kulturore, tradicionale, historike dhe fetare. Kjo, pa dyshim që ka destabilizuar thelbin moral, i cili qëndronte në zemër të konservatorizmit. Për partinë, si subjekt politik, ka rëndësi fitimi ose mbajtja me çdo kusht e pushtetit, sepse ky i fundit duhet të mbijetojë përmes identitetit politik si i vetmi identitet, por duke marrë peng ideologjinë konservatore si alibi e tij. Këtu, Edmund Burke do të ndihej i ofenduar, duke marrë parasysh faktin se ai porosiste që maxhoranca politike duhet jetë e skicuar nga një trupë e kualifikuar nga tradita, edukimi, prona dhe natyra morale.

    Historikisht, konservatorët kanë ndërtuar një kulturë politike të prirë drejt dhënies llogari për aktivitetin e tyre. Këtë e kanë bërë bazuar mbi kartën morale përballë vlerave që ata përfaqësojnë; si të tillë, ata, ndryshe nga liberalët, të cilët u japin përparësi të drejtave më shumë sesa detyrave të individit në shoqëri, gjithmonë kanë parë parësore detyrat e këtij të fundit më shumë sesa të drejtat. Në stofin e tyre politik, konservatorët janë të bindur se liria e vërtetë e individit nuk mund të jetë kurrë në konflikt me bindjen ndaj autoritetit, sepse nuk ka liri të vërtetë pa autoritet. Liria pa autoritet është liri e shkapërderdhur, e cila të çon drejt varësisë së përhershme që nuk është gjë tjetër veçse një vetëkënaqësi në skllavëri, në skllavërinë e kapricove vetjake. Është pikërisht në këtë pikë që konservatorizmi autentik, burimor, thekson se impotenca e arsyes për të pasur cilësi absolute, si dhe varësia e vazhdueshme e mendjes njerëzore ndaj zakoneve, është argumenti që tregon se në mënyrë të natyrshme përpjekjet për të ndryshuar një rend të stabilizuar shoqëror përmes mënyrave radikale, të dhunshme dhe të bazuara vetëm mbi “tri umfin e arsyes”, çon në deformim të këtyre përpjekjeve.

    Pra, besimi se çdo gjë varet nga konteksti social, të çon në përfundimin se e vërteta nuk ka si të jetë një dhe e vetme, por ajo është e shumëllojshme, plurale dhe për sa kohë nuk kemi një të vërtetë të vetme si referencë etike dhe estetike për shoqërinë, atëherë, në plan të parë del identiteti personal, i cili kthehet në faktorin vendimtar për të përcaktuar të vërtetën në shoqëri. E njëjta ndodh me identitetin politik, i cili reklamohet si plural, i shumëllojshëm dhe duhet të mbivendoset dhe t’u imponohet identiteteve të tjera, kulturore, historike, etnike, fetare dhe gjuhësore, i cili po ashtu kthehet në faktorin vendimtar, nga ku përcaktohet e vërteta politike e një shoqërie.

    Nëse njeriu merr bindjet dhe kënaqësitë e tij private si esenca e të gjitha gjykimeve të tij morale, atëherë e kthen identitetin e tij në emër të lirisë personale, si esencën e fuqisë së tij, dhe kur ai përqendrohet te ky identitet personal, atëherë krijon bindjen se gjithçka në këtë rruzull nuk ka të bëjë me vlerat morale, por ka të bëjë me pushtetin dhe kush e zotëron atë. Ndaj, edhe identiteti politik postmodern, ashtu si ai individual, kthehet në qendrën e bindjeve dhe kënaqësive të tij private, duke përcaktuar të gjitha rrethanat e moralit politik. Ja pse liderët politikë, si maja e identitetit politik, në raport me të vërtetën politike dhe sociale, janë sot nihilistët më të mëdhenj.

    E njëjta gjë ndodh me qasjen e konservatorizmit postmodern në politikë, i cili nuk gjen dot më një të vërtetë objektive që të mund të shërbejë si kriter, si një reference për të shkoqitur “të vërtetat” e pafundme të politikës moderne, e cila ndiqet nga fakte që rrëzojnë fakte në mënyrë të njëpasnjëshme, pa u ndalur në një cak moral, ndërkohë që e vërteta shpesh reklamohet si “fake news”. Kështu, në një pozicion dyjar, konservatori postmodern nga njëra anë mundohet t’i qëndrojë besnik identitetit konservator të tij, por nga ana tjetër sorollatet mes së “vërtetës” subjektive të aksionit politik.

    Zëvendësimi i figurave të vjetra konservatore në politikën botërore për shkak të kalimit të kohës politike, me figura të reja, të cilat anojnë më shumë nga relativizmi dhe konceptet e mangëta rreth idesë së të vërtetës universale, si dhe rënies pre të tyre ndaj kapitalit dhe mekanizmave teknologjikë në funksion të PR-it dhe pushtetit, i ka bërë këta të fundit të kenë më sukses në terma financiarë apo në terma të marrëdhënieve me publikun. I ka bërë ata më të suksesshëm nga ana sipërfaqësore, por, ama, nga krahu tjetër, e gjithë kjo energji pas pushtetit politik, ka bërë që ata të ndryshojnë esencën the formën e politikës konservatore sot, duke rritur gjithnjë e më shumë besimin në “identitetin politik” si i vetmi dhe superiori, i cili qëndron mbi identitetet kulturore, tradicionale, historike dhe fetare. Kjo është forma më flagrante e marrjes peng të konservatorizmit në funksion të axhendave politike nga intelektualë të postmodernizmit, të cilët na bëjmë të kuptojmë se pse sot konservatorizmi postmodern është më shumë familjar me konceptet e së majtës që e sheh subjektivizmin si qendrën e vlefshmërisë morale. Sot, si konservatori postmodern, ashtu edhe liberali i majtë, kanë shqetësimin e tyre kryesor, kapjen me çdo kusht pas identitetit politik me qëllim final pushtetin.

    Në këtë gjendje të sotme, përballë presionit postmodern mbi individin, përgjigjja gjendet në formulimin e Michael Oakshott-it, në esenë e tij të famshme “Rationalism in Politics and Other Essays”, i cili thotë se duhet të zgjedhim familjaritetin ndaj perfeksionit, të provuarën ndaj së paprovuarës, aktualen ndaj së mundshmes, stabilitetin ndaj përmirësimit, si dhe një gabim të pranuar si më superior ndaj një të vërtete kontroverse.

    Në Shqipëri, çështja kthehet akoma më e thjeshtë, për faktin se ideologjia është shqetësimi më i fundit i klasës politike. Identiteti politik është mjeti më i rëndomtë, i cili përdoret prej tyre për të kamufluar origjinën e njëjtë të tyren. Diskursi politik është absolutisht brenda mjedisit postmodern, i individualizuar, i rëndomtë dhe krejt pa estetikë politike. E djathta, e cila pretendon të përfaqësojë konservatorizmin shqiptar, është në një luftë brenda llojit rreth faktit se cila prej palëve në konflikt do ta mbajë peng më mirë këtë ideologji. Nëse në botë konservatorizmi po vuan nga intelektualë të postmodernizmit, të cilët me veprimet e tyre po e tërheqin atë drejt praktikave liberale, në konservatorizmin shqiptar, vuajtja përkthehet në një luftë të brendshme për të ikur nga mentaliteti i së majtës ekstreme që e kish mbajtur peng atë prej një kohe të gjatë. Pra, e djathta shqiptare përpiqet të ikë nga kulti dhe mentaliteti komunist me shpresë për të shkuar drejt konservatorizmit postmodern. Një mundim që përsëri do ta mbajë të distancuar atë nga e djathta burimore, një mundim drejt një identiteti politik ndoshta të çliruar nga majtizmi ekstrem, por që përsëri do të jetë peng i intelektualëve të postmodernitetit.

    Luftë brenda llojit jo për të përmirësuar të djathtën, por për të ndërruar pengmarrësit dhe natyrën e pengmarrjes. Luftë e cila në princip nuk zhvillohet për t’i treguar gjithë shoqërisë shqiptare të dërrmuar nga vala shkatërruese antimoral dhe kundër së vërtetës objektive, se çfarë duhet të konservojë, cila është tradita e kësaj shoqërie dhe cila është natyra e saj morale. Individi shqiptar përsëri do të ndodhet pa një alternativë të qartë, nga e cila ai do të duhej të kishte një qëndrim të kulluar brenda një dimensioni politik, i cili të ishte në përputhje me identitetin e tij kulturor, tradicional, historik dhe fetar. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Negociatat e Edi Ramës për të mos u shpallur “non grata”

    Lajmi i rradhës

    Petkoviq: Beogradi po bllokon gënjeshtrat e Prishtinës dhe jo dialogun

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë